“Natyrisht se është vështirë. S’kam dalë nga shtëpia e të moshuarve prej një viti”, ka thënë Divna 87 vjeçe, banore e një shtëpie të të moshuarve në një qendër gjerontologjike në Serbinë jugore, për K2.0 gjatë një bisede telefonike.
“Shikoja fëmijët nga dritarja aq sa kam mundur dhe kurdo që vinin sepse s’mund të dilnin nga banesat për shkak të orës policore. Kanë më shumë se 65 vjet. Dhe tash kam një nip që ende s’e kam parë,” thotë ajo me hidhërim, ndërsa vazhdon të rrëfejë për jetën prapa dyerve të mbyllura tash e një vjet.
Milani, biri i saj 66 vjeç të cilin e takuam jashtë shtëpisë së të moshuarve, bën me kokë ndërsa dëgjon bisedën tonë.
“S’e kemi çuar në burg, por në shtëpi të të moshuarve sepse ka nevojë për përkujdesje të veçantë”, thotë MIilani me zë të pikëlluar. “Ajo nuk del jashtë, nuk e sheh familjen. Kjo s’është jetë. Dhe nëse na lë, nuk do të mund t’ia japim një lamtumirë të duhur. As jetë, as vdekje e denjë për një qenie njerëzore”.
Milani na kërkoi ta fshehnim identitetin e tij dhe të nënës, por mezi prisnin të na flasin për gjërat që kanë përjetuar. “Është vend i vogël dhe qeveria është si është, teksa e ëma rri mbyllur në shtëpinë e të moshuarve. Nuk ka nevojë të dinë se kush jemi”, thotë Milani duke arsyetuar vendimin për të mbetur anonim.
Të moshuarve po u bëhet thuajse një vit prej se janë dënuar për ta siguruar “mirëqenien”, thonë autoritetet.
Rreth 15,000 njerëz të moshuar në Serbi jetojnë tash e një vjet në qendra për përkujdesjen e të moshuarve. Ata kanë kontakt minimal me botën e jashtme. Foto: Aleksandar Pavlović.
Divna është vetëm njëra ndër 15,000 njerëzit që nuk kanë dalë nga qendrat gjerontologjike të shtetit për një vit. K2.0 i ka dërguar kërkesë Ministrisë së Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale për të mësuar rreth numrit të njerëzve që jetojnë në shtëpi të të moshuarve, qofshin private ose shtetërore. Sidoqoftë, deri më tash nuk kemi marrë përgjigje.
Informata të padisponueshme
Kur është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në Serbi më 15 mars 2020, liria e lëvizjes së të moshuarve fillimisht u ndalua plotësisht dhe më vonë u kufizua, ndërsa banorët e qendrave gjerontologjike u mbyllën prapa dyerve të kyçura.
Me kalimin e kohës janë lehtësuar masat. Të rinjtë dalin në kafene, hapen qendra tregtare të reja dhe madje mbahen ndeshje futbolli, por mijëra të moshuar mbeten të mbyllur në qendra, aq më tepër edhe ushtria ishte stacionuar para tyre për ca kohë. Po ashtu u janë dërguar pako ndihmëse në emër të partisë qeverisëse dhe anëtarëve të familjes.
Gjatë fazës së parë të planit të vaksinimit u është dhënë përparësi atyre që jetojnë në shtëpi të të moshuarve, atyre që janë më të vjetër se 75 vjeç, si dhe atyre mbi 65 vjeç që vuajnë nga sëmundjet kronike. Këto kategori përbejnë 635,000 njerëz në Serbi. Sidoqoftë, numri i të moshuarve të vaksinuar ndryshon në praktikë jo vetëm nga qyteti në qytet, por edhe mes komunave të një qyteti.
Ministrja e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale Darija Kisić Tepavčević ka thënë për RTS-në më 30 janar se do të lejohen vizitat në shtëpitë e të moshuarve me kushtin që të mos ketë asnjë të infektuar në qendër dhe që vizituesit të jenë të vaksinuar. Ajo ka përmendur se do të duhet të përmbushen edhe kushte të tjera për t’u mundësuar vizitat.
Deri në fund të janarit, Stafi i Krizës ka marrë vendim të njëzëshëm për t’i lejuar vizitat te të moshuarit në qendrat gjerontologjike nëse vendosen masa të posaçme dhe vetëm për të vaksinuarit.
Në gjashtë komunat e Beogradit janë imunizuar më se 50% të njerëzve mbi 75 vjeç, po kështu edhe në Preshevë, ndërsa janë vaksinuar vetëm 10% të pjesëtarëve të kësaj popullate që jetojnë në komunat periferike të Beogradit.
Deri në fund të janarit, Stafi i Krizës (grupi punues qeveritar për menaxhimin e krizës) ka marrë vendim të njëzëshëm për t’i lejuar vizitat te të moshuarit në qendrat gjerontologjike nëse vendosen masa të posaçme dhe vetëm për të vaksinuarit. Pavarësisht nga kjo, vizituesit që duan t’i shohin të dashurit e tyre duhet të mbajnë distancën, ndërsa banorët prapëseprapë nuk do të lejohen të dalin nga qendrat.
Numri i gjithsejtë i përfituesve në shtëpitë e të moshuarve që janë vaksinuar nuk dihet akoma. K2.0 po ashtu ka pyetur ministrinë relevante nëse dihet numri i banorëve të qendrave gjerontologjike të Serbisë që kanë vdekur nga koronavirusi, por nuk kemi marrë përgjigje as për këtë pyetje. Kështu, rezultati i ngujimit të të moshuarve mbetet për t’u konfirmuar.
Të moshuarit në qendrat serbe të përkujdesjes kanë pasur pak, në mos fare, mundësi për t’i parë familjet. Ata mbështeten në kujtimet dhe fotografitë e çmuara. Foto: Aleksandar Pavlović.
Pavarësisht nga mbrojtja e qendrave gjerontologjike (si dhe e qytetarëve në rrugë) nga ushtria, izolimi mjaft i rëndë dhe fjalimet e zjarrta të presidentit Aleksandar Vučić, i cili thotë se duhet të mbrohet kjo brezni e njerëzve, koronavirusi “ka depërtuar” në shtëpitë e të moshuarve shumë herë dhe ka lënë viktima. Vjet në prill, 50 banorë të qendrës gjerontologjike në Nish kanë vdekur nga koronavirusi. Drejtori i qendrës Milan Stevanović është arrestuar sepse nuk kishte marrë të gjitha masat për t’i mbrojtur të moshuarit. Ai është lëshuar nga mbajtja në fund të dhjetorit.
Danilo Ćurčić, drejtori i programit në Nismën A11, organizatë e cila merret me të drejtat e grupeve të cenueshme dhe banorët e qendrave gjerontologjike, ka thënë për K2.0 se po përpiqen të luftojnë për të drejtat e të moshuarve në Serbi. Ai pretendon se ka pasur bazë ligjore për kufizimin e lëvizjes së banorëve të qendrave gjerontologjike në zanafillën e pandemisë, duke iu referuar urdhrit për ndalimin e vizitave dhe kufizimin e lëvizjes në hapësirat e institucioneve që strehojnë të moshuarit; ai shton se legjislacioni i përdorur si themel për këtë vepër është thellësisht diskriminues.
“Gjykata jonë Kushtetuese nuk i sheh si probleme gjërat që janë bërë dhe si janë bërë ato”, pretendon Ćurčić duke shpallur përpjekje të reja në kuadër të Nismës A11. “Mbetet të shihet nëse Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ose Komisioni i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do ta kenë opinionin e njëjtë sikur Gjykata jonë Kushtetuese. Do të ishte befasi shumë e madhe nëse këta trupa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut do të vendosnin se çdo gjë ka qenë në pajtim me standardet e të drejtave të njeriut që janë të detyrueshme për Republikën e Serbisë”, ka thënë ai.
“Çfarë kjo tregon për qeverinë tashmë e dimë: ata janë të paaftë të merren me problemet që brengosin kategoritë e cenueshme të qytetarëve në veçanti, janë të pandjeshëm ndaj katandisë së tyre, por nuk e kanë problem të paraqiten si të kujdesshëm dhe solidarë me ‘gjyshërit dhe gjyshet’, siç i quan Vučić ndërsa i mban të ngujuar”.
Për anëtarët e Nismës A11, pikërisht përkujdesja për të moshuarit është tregues i paaftësisë së qeverisë.
Tetorin e kaluar, ekipi i Institucionit të Ombudspersonit është përpjekur ta kryejë një hetim për Shtëpinë e Përkujdesjes së të Rriturve me Aftësi të Kufizuara në Zemun dhe Beograd. Ata kishin vendosur të veprojnë kështu pas një ankese të marrë nga dy përfitues lidhur me shkeljen e të drejtave themelore. Ekipi prapa institucionit është përshëndetur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të qendrës, i cili ua kishte mohuar hyrjen duke thënë se ministria relevante ndalon qasjen në hapësirë.
Për anëtarët e Nismës A11, pikërisht përkujdesja për të moshuarit është tregues i paaftësisë së qeverisë. Ćurčić thekson se ― ndonëse masat lehtësohen dita-ditës ose nuk respektohen fare nga popullata e përgjithshme ― kur vjen puna te të moshuarit, hiq “zotimet” bombastike të qeverisë që pretendon se dëshiron t’i shpëtojë, zgjidhjet e ofruara thjesht sjellin probleme të reja.
“Qeveria është e pazonja për t’i shqyrtuar problemet që ndikojnë kategoritë veçanërisht të cenueshme të qytetarëve”, thotë Ćurčić. “Kemi pritur që vaksinimet do të ndihmojnë. Është vështirë të bëhen parashikime sepse asnjë prej këtyre gjërave nuk lidhet me të qenët të arsyeshëm”.
Pasojat e paparashikueshme
Izolimi i të moshuarve, të cilët janë ngujuar për një kohë të gjatë, ndikon në shëndetin e tyre mendor, ka thënë për K2.0 psikologia Milica Lazić, e cila është ndihmës-hulumtuese në Fakultetin e Filozofisë të Novi-Sadit. Sado poetik ose patetik të tingëllojë qëndrimi se “u kanë mbetur vetëm edhe disa pranvera dhe ato po u mohohen”, sipas pjesëtarit të Stafit të Krizës Predrag Kon, kjo është e vërteta.
Psikologia Milica Lazić ka thënë se shteti ka marrë masa për ta mbrojtur shëndetin fizik të njerëzve, por shëndeti mendor nuk është marrë parasysh. Sipas saj, vetë izolimi ka sjellë pasojat më të rënda të koronavirusit në shëndetin e përgjithshëm të shoqërisë.
Psikologët paralajmërojnë për pasojat dërrmuese të ngujimeve, sidomos nëse shoqërohen me masa drastike që kanë efikasitet të dyshimtë. Foto: Aleksandar Pavlović.
Studimet kanë treguar se gjatë të ashtuquajturit ngujim, domethënë ora policore dhe kufizimi i lëvizjes dhe komunikimit, është pikërisht izolimi ai që shpie drejt niveleve më të larta të depresionit te qytetarët, si dhe sjell çrregullime të tjera mendore.
“Njerëzit e kanë të vështirë të përshtaten me këtë mënyrë të panatyrshme të jetës dhe prandaj përjetojnë sëkëlldi të rëndë emocionale. Janë bërë disa hulumtime dhe ndonëse janë marrë në pyetje vetëm ata të moshës mbi 65 vjeç që kanë qenë të ngujuar në shtëpitë e tyre, stresi më i madh për ta ka qenë pamundësia për të lëvizuar dhe për të komunikuar shoqërisht”, ka thënë Lazić.
“Është veçanërisht e rëndësishme të theksohet është se këto masa nuk janë dëshmuar si të efektshme”, ka thënë Ćurčić. “Kështu, përveç se janë diskriminuese dhe të paarsyeshme, ato janë po ashtu të paefektshme. Nuk jam e vetmja që bën këtë pretendim, por është e qartë nga të dhënat zyrtare statistikore nga Ministria e Punës, Punësimit, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale, e cila boton statistikat për numrin e përfituesve të institucioneve të mirëqenies sociale (qendrat e përkujdesjes dhe institucionet e mbyllura) që janë infektuar me COVID-19”.
“Ofrimi i asistencës psikologjike për popullatën është i nevojshëm. Sidomos për grupet e cenueshme, përfshirë ata që jetojnë në shtëpi të të moshuarve”, ka thënë Lazić, duke shtuar se zgjiedhjet e shpallura në mënyrë të çrregullt për publikun nuk do të mjaftojnë.
Ekspertët parashikojnë se posa të vihet në kontroll koronavirusi do të jetë e nevojshme të niset procesi i dhënies së asistencës sistematike psikologjike për popullatën.
Të dy nënvizojnë se nevojitet një plan i mbështetjes sistematike, sidomos për të moshuarit. Lazić nuk beson se vendosja e linjave që ofrojnë ndihmë psikologjike falas është zgjidhje e mirë.
Ekspertët parashikojnë se posa të vihet në kontroll koronavirusi do të jetë e nevojshme të niset procesi i dhënies së asistencës sistematike psikologjike për popullatën, sidomos për grupet e cenueshme, duke përfshirë të moshuarit në qendrat e përkujdesjes. Tash për tash nuk ka asnjë plan që të bëhet diçka e tillë. K2.0 i ka dërguar pyetje ministrisë në lidhje me planin për ofrimin e asistencës psikologjike për individët e izoluar, por nuk ka marrë asnjëherë përgjigje.
“Askush nuk mund të parashohë sa kohë do të duhet për rikthimin e ‘normalitetit’ psikologjik, sidomos për grupet e cenueshme. Por duhet të krijohet një zgjidhje ose një plan për meremetimin e dëmeve”, ka thënë Lazić.
Në ndërkohë, Milani dhe kushedi sa njerëz të tjerë po presin çlirimin e familjarëve të tyre.
“Dua ta shoh nënën. Më ka lindur dhe më ka rritur. Është nëna ime”, thotë Milani. “Kam kaluar disa muaj në izolim kur ka nisur ora policore. Kam jetuar disa qindra metra larg [shtëpisë së të moshuarve], por nuk mund të dilja ose ta shihja. Po e pres vaksinën dhe do të shohim çfarë vjen pastaj. Ata më lëshuan nga ‘burgu’ [izolimi] dhe kështu po pres që ta lëshojnë edhe atë”.K
Shënim nga redaktori: Emrat e bashkëbiseduesve në shtëpitë e të moshuarve dhe familjarëve janë ndërruar me kërkesën e tyre.
Imazhi i ballinës: Aleksandar Pavlović.