Blogbox | Të Drejtat e Grave

As me shehër-as me katun

Nga - 18.12.2018

Dokumentimi i përvojave të grave të zonave rurale është i domosdosshëm.

Prej një feministe rurale, për motrat feministe – të cilat ndoshta në mungesë të gjuhës nuk e cilësojnë veten si të tilla por që i mbijetojnë dhe e sfidojnë patriarkalitetin rural çdo ditë, pikërisht duke frymu me vlerat feministe.

E di, sfidimi i patriarkalitetit është e vetmja mënyrë me i mbijetu shtypjes që e ndijmë në palcë për çdo ditë, ani pse shpesh e kemi të vështirë me e përkufizu shtypjen si të tillë. Shtypja është normalja që na servohet, por që nuk e duam e prandaj e luftojmë.

E di, është e lodhshme me luftu kaq shumë për të mbijetu, kur mbijetesa si e vetme s’ka qenë asnjëherë e mjaftueshme. Nëse të jetuarit në harresë dhe izolim shihet si i mirëqenë për shkak të vendit ku lindim, zani ynë duhet të jetë aq kumbues sa për t’i kalu ato barriera, derisa të arrijmë të dëgjohemi e kuptohemi edhe aty ku ekzistenca jonë mund të jetë e padukshme.

Sytë kah gratë në zonat rurale

Për kohën ma të gjatë e kam konsideru problematike të shënuarit e veçantë të një dite për ta kujtu një grup njerëzish, sepse kam konsideru që kjo veçse e forcon pozitën margjinalizuese të atij grupi. E kam pas gabim. Ajo mënyrë e të menduarit do të kishte vlerë në një botë ideale. Por deri atëherë, na mbetet të shënojmë ditë të veçanta si rikujtim a festë për idealet tona dhe shpesh edhe vetë ekzistencën tonë.

Më 18 dhjetor, 2007, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përmes rezolutës 62/136, vendosi 15 tetorin si ditën ndërkombëtare të grave të zonave rurale – e kjo erdhi për disa arsye. Në njërën anë, ishte si nevojë e njohjes së kontributit të grave të zonave rurale, e posaçërisht në rritjen e zhvillimit bujqësor dhe rural. Në anën tjetër, erdhi edhe për shkak të nevojës që të punohet drejt përmirësimit të gjendjes se tyre ekonomike e sociale, duke iu siguru qasje më të lehtë në shërbimet publike dhe duke e përshtatë infrastrukturën, sidomos atë të edukimit.

Shënimi i kësaj dite, e ka kthy vëmendjen edhe në rëndësinë e këtij grupi grash përbrenda studimeve gjinore dhe lëvizjes feministe. Kjo mbase që gratë e zonave rurale ndikohen nga sistemet e pushtetit në mënyra të ndryshme, në relacion me çështjet si, pavarësia ekonomike, e drejta në pronë, dhuna në familje e në baza gjinore, qasja në edukim dhe vendimmarrje, e çështje tjera që janë kyçe në përmirësimin e jetës së grave.

Përderisa lëvizja feministe në Kosovë ka ekzistu në një formë apo tjetrën ndër vite, edhe nëse nuk është thirrë si e tillë, studimet gjinore janë akoma në fillimet e tyre. Përdorimi i konceptit të ndërlidhshmërisë së identiteve si një metodë hulumtimi – dhe jo vetëm si term përshkrues përbrenda studimeve gjinore në rritje – do të shërbente për ta kuptu aktivizmin feminist në kontekstin rural, e poashtu dallimet e mundshme se si rolet dhe normat gjinore ndërtohen në këtë kontekst.

Pra, është e rëndësishme që këto çështje të studiohen nga perspektiva jonë – e grave të zonave rurale.

Por në Kosovë, rolet dhe pozitat e grave të zonave rurale shpesh kalojnë si të padukshme në diskutimet mbi pozitën e gruas në përgjithësi; kjo mbase Kosova si vend i vogël shpesh perceptohet nga vetë ne si tejet homogjen në sfidat dhe nevojat e grave. Por, gratë përpos identitetit të tyre gjinor kanë edhe shumë kategori të tjera të identitetit, disa prej të cilave mund të jenë gjinia, raca, orientimi seksual, etnia, prejardhja gjeografike, klasa ekonomike, e që janë përcaktues në përvojat, sfidat dhe mundësitë tona. Është shumë e rëndësishme që këto kategori të njihen dhe të flitet e veprohet gjithnjë duke u nisë nga identitetet  të ndryshme sociale që i kemi.

Dokumentimi i përvojave tona, grave rurale, do t’i shërbente kësaj kauze, por që siç duket e kemi anashkalu rëndësinë e tyre në këtë rrugëtim; apo ndoshta se kemi gjetë gjuhën e duhur për ta përshkru rrugëtimin tonë feminist, gjuhën feministe gjuhë e cila e kufizon shtypjen në kontekstin patriarkal dhe e definon revoltën tonë të përditshme si revoltë ndaj këtij sistemi. Në fakt, pikërisht diku në këtë rrugëtim feminist tonin edhe kemi mbetë të ndara në dysh, si feministe rurale, kemi mbetë as me shehër-as me katun.

Ndërlidhshmëria e identiteteve sociale

Përvojat e ndryshme dhe shtypja e grave si pasojë e identiteteve  sociale të ndryshme, kanë qenë dhe janë çështje kyqe në feminizmin Afrikan-Amerikan. Kjo literaturë konsideroj të jetë pjesa e feminizmit që jep formulën për të kuptu çdo shtypje që ndodhë në emër të identitetit tonë, të gjitha kategoritë e tij. Pikërisht përmes kësaj literature kam gjetë formulën për të kuptu ndërlidhshmërinë mes identitetit tim rural dhe përvojës sime me sistemet e ndryshme të pushtetit.

Për të kuptu identitetet e ndryshme sociale, që përmendëm më parë, na ndihmon koncepti i ndërlidhshmërisë (intersectionality) si kornizë analitike në studimet feministe. Ky term është përdorë nga Kimberlé Crenshaw për herë të parë më 1989 si përpjekje për ta definu shtypjen ndaj grave Afrikane-Amerikane, e që erdhi si rezultat i punës së mëhershme të shumë autorëve dhe aktivistëve duke filluar nga Sojourner Truth, Bell Hooks, Anna Julia Kooper, Gloria Anzaldúa e të tjera. Që të gjitha e dokumentuan se si identitetet e tyre të ndryshme kishin përcaktu përvojën e tyre dhe kontribu ndryshe në llojin e shtypjes dhe diskriminimit që ato kishin përjetu.

Prandaj, duke e ditë që identitetet tona sociale përcaktojnë përvojën tonë, themi që përvojat dhe shtypjet ndaj grave të zonave rurale mund të jetë e ndryshme nga ato të grave tjera, pikërisht për shkak të identitetit rural.

Sidoqoftë, duhet të kemi kujdes të mos kufizohemi në të kuptuarit e ndërlidhshmërisë së identiteteve vetëm si kategori përshkruese, të mos mjaftohemi vetëm me përshkrimin dhe njohjen e identitetit të grave të zonave rurale. Që t’i analizojmë këto identitete në raport me sistemet e pushtetit, do të ndihmonte matrica e dominimit të Patricia Hill Collins, e cila ilustron se si identitetet e ndryshme si gjinia, raca, etnia, përkatesia gjeografike ndërveprojnë dhe përcaktojnë pozitën e një individi në shoqëri; andaj kjo matricë ofron një mënyrë që të kuptojmë se si këto gra përjetojnë pushtetin dhe shtypjen si shkak i identitetit të tyre rural.

Thënë më shkurt, nuk mjafton vetëm të njohim dhe përshkruajmë jetën e grave të zonave rurale nëse edhe nuk i kuptojmë se si ato e përjetojnë shtypjen për shkak të identitetit të tyre.

Përshkrimi i këtyre identiteteve, sidoqoftë, do të ishte hapi i parë në këtë drejtim për të kuptu përvojat e grave të zonave rurale në Kosovë, kjo pasi që për kohë të gjatë kemi qenë të heshtura për këtë pjesë të identitetit tonë. Dhe po aq sa është e rëndësishme që kjo pjesë e identitetit të përshkruhet për t’u kuptu nga të tjerët, është po aq e rëndësishme të kuptohet nga vetë ne.

Është koha që të kemi vendin në studimet dhe lëvizjen feministe, e për këtë ashtu siç thotë shkrimtarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Audre Lorde, kemi shumë heshtje për të thyer. Lorde qëndron pas asaj që përvojat personale na shërbejnë për të kuptu rrënjët e problemeve më të mëdha sociale duke theksu që këto përvoja krijohen pikërisht si pasojë e sistemeve sociale përreth nesh. Prandaj, është e rëndësishme që të identifikohen dhe luftohen këto sisteme edhe nëse vetë qenia jonë ndahet në dysh.

Personalja ime është ajo që më kufizon dhe çliron në të njëjtën kohë, prandaj, heshtja nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë një opcion edhe nëse kjo më ndanë në dysh.

E kemi me borxh t’i dokumentojmë përvojat tona personale. Nëse për asgjë tjetër, i’a kemi borxh vetes për të gjitha herat që diçka nuk është ndjerë e drejtë dhe kemi mendu “çka nëse nuk do të duhej të ishte ashtu, çka nëse ka një mënyrë tjetër?” Sepse, për çdo herë kur vuajtjet që i kemi përjetu me arsyen e thjeshtë sepse jemi lind në një vend, kohë dhe rreth që nuk ka qenë në favor tonin, e kemi ndjerë që nuk do duhej të ishte ashtu dhe do të mund të ishte ndryshe. Sepse thellë në vete e kemi pranu që nuk jemi me faj pse duam të shohim, ndjejmë, guxojmë më shumë se aq sa “na është lejuar”.

Ne, feministet rurale, kemi mbetë shpesh të panjohura për vendin e rrethin ku jemi rritë; kemi mbetë misterioze, të komplikuara, të pakuptueshme; jemi ndjerë që nuk takojmë në atë vend ku është dashtë me jetu nën trysninë që duhet të ndryshojmë dhe të përshtatemi ashtu si në vendin ku jemi lind e rritë, e po aq shumë edhe kur i jemi largu atij vendi ndoshta.

Edhe në largësi na kanë mbetë disa penjë që na kanë lidhë me vendin prej ku aq shumë kemi dashtë me u largu një herë e mirë. Ani pse ata penjë s’kanë qenë të mjaftueshëm me na mbajt të lidhur, prapë kemi qenë shumë misterioze për “katun”, e po aq shumë për “shehër”.

E ndoshta aty diku në mes kemi mbetë “as me shehër-as me katun”; kemi mbetë të huaja edhe për ato që i kemi quajt motra (“sister outsider”, siç thotë Lorde). E kemi gjetë grupin tonë por nuk jemi ndi pjesë e grupit.

Ne jemi prototipi i feministeve as me shehër-as me katun, sepse jemi mësu mos me leju veten me u kufizu nga rrethana të pakuptimta për ne. E dimë që nuk e kemi me patjetër me i taku njërës ose tjetrës anë – në “shehër” ose në “katun” – sepse pikërisht kjo na jep një perspektivë unike, atë që Collins e quan “outsider within”, e huaj nga brenda.

Si e huaj nga brenda e di që personalja ime është ajo që më kufizon dhe çliron në të njëjtën kohë. Prandaj, heshtja nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë një opcion edhe nëse kjo më ndanë në dysh. 

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.