Për shumë në Kosovë, përfshirë mua, udhëtimi jashtë vendit a rajonit, ka qenë më shumë një ëndërr e largët sesa një mundësi e arritshme. Procedurat e gjata të marrjes së vizave, pritjet e pafundme dhe shpenzimet e larta na e kanë bërë shpesh të pamundur ta shohim botën përtej kufijve tanë, përkundër dëshirës.
Disa herë kam menduar të aplikoj për vizë, por ka fituar përtesa për t’iu mësyrë mbushjes së kërkesave: një ftesë nga dikush, garanci, dhe procedura të ndërlikuara, që s’e garantonin një përfundim të suksesshëm.
Është ndoshta për të qeshur për disa, të cilëve mund t’u kenë rënë të udhëtojnë herët e shpesh, por unë kam përjetuar shumë gjëra deri në moshën 23-vjeçare, por deri në këtë moshë kurrë nuk e kam provuar ndjenjën e të qenit mbi re, me qenë mbi re, me pa botën prej lart.
Kam shkuar shumë herë në aeroport; kam përcjellur familjarë që shkonin e kam pritur ata që ktheheshin. Embaj mend veten duke i shkuar aeroplanët derisa ngriheshin e njerëzit që shkonin në destinacionet e tyne. Doja ta dija çka ndodh në anën tjetër të aeroportit, ku shkonin njerëzit, a ishin të emocionuar që udhëtonin, që preknin atë që për mua ishte ëndërr — ta kisha një biletë në dorë e të shkoja diku larg.
Kur u mor vendimi për liberalizimin e vizave në janar të vitit 2024, kaloja orë të tëra nëpër faqet e kompanive ajrore, duke shikuar fluturime, e duke krijuar ëndrra se ku do të shkoja.
Ishte një ndjesi e re dhe e fuqishme – ideja se më në fund mund të zgjedhja një vend në hartë dhe të thosha: “Po shkoj këtu”. Doja ta vizitoja secilin vend: të provoja picën në Itali, verën në Francë, detin në Spanjë e t’i vizitoja familjarët në Gjermani.
Bileta e parë
Në prill atë vit, rezervova fluturimin e parë. Ishte një vendim i shpejtë, por që kurrë s’do ta ndërroja. Doja të shihja diçka historike, të vjetër. Prandaj, vendosa të shkoj në qytetin Katania, një komunë në Sicili të Italisë.
Prej ditës së rezervimit, kisha një muaj kohë deri në datën e udhëtimit. E kam shikuar çdo video të mundshme për Katanian, e kam shikuar 100 herë biletën e fluturimit online, e kam shikuar sërish e sërish çdo dokument.
Ndihesha si fëmijë, e pasigurt. Doja që çdo gjë të shkonte në rregull, pasi ishte hera e parë që po bëja diçka të tillë, po e organizoja vetë çdo hollësi të udhëtimit. Disave ndoshta mund të mos u besohet, por për mua ishte diçka si dita e parë e shkollës, dita e parë në punë apo si diçka, që mezi pret të ndodhë.
Erdhi dita e udhëtimit. Unë, e stresuar, e detyrova të dashurin, me të cilin udhëtoja, që të shkojmë pesë orë më herët në aeroport. Fluturimin e kishim nga Tirana e unë kisha frikë mos ka kolonë, mos ka shumë njerëz, mos po na nxjerrin problem në kufi — thjesht mendoja se çdo gjë që do të mund të shkonte keq, në fakt do të shkonte keq.
Kur arritëm në aeroport, shikoja çdo njeri përreth, të shoh mos edhe ata janë të emocionuar si unë, po shumica veç ishin të mësuar me fluturime, disa të lodhur e duke fjetur nëpër ulëse. Unë jo. Një natë krejt pa gjumë sepse fluturimin e kishim herët në mëngjes e unë prej orës 2:00 të mëngjesit isha në aeroport, duke shijuar çdo moment e çdo emocion: përqafimet e njerëzve që takoheshin mbas një kohe e lotët e atyre që ndaheshin për një kohë.
Atë ditë binte shi, por as kjo s’ma prishte qejfin. Kur kalova në anën tjetër të aeroportit, e shihja aeroplanin e e fotografoja, si të ish diçka që nuk e kam pa më herët. Pastaj kur hyra në të, nga ulësja kah dritarja s’i kam mbyllur sytë kurrë: shikoja malet, detin. Ndihesha e lirë.
Kur mbërrita në Katania, e pashë një qytet që ishte mu siç e kisha imagjinuar: një përzierje e gjithçkaje, kultura siciliane me një shpirt të vjetër e një atmosferë të veçantë në çdo rrugë me kalldrëm. E eksplorova si një hartë që merrte jetë, duke ecur nëpër kisha e sheshe, duke përthithur historinë që më rrethonte. E pamjet mahnitëse të vullkanit Etna ishin gjithashtu një nga atraksionet që më lanë pa fjalë.
Çdo kthesë ofronte diçka të re: një histori, një shije, një pamje. E fotografoja çdo qoshe të saj, çdo suvenir, çdo lule, çdo treg, çdo rrugicë, çdo kishë dhe çdo gjë tjetër, duke menduar se nuk kam kohë të mjaftueshme për të eksploruar gjithçka.
Kam ecur në këmbë çdo cep të qytetit, kam shijuar çdo ushqim — prej tradicionales Pasta alla Norma Catanese deri te ushqimet e pafundme të detit nga pazari i peshkut. Pija kafe në lokalet në qoshe të rrugicave dhe ecja natën nën tingujt e muzikës, dorë për dore me të dashurin, duke shijuar romancën italiane, të cilën e kisha parë vetëm në filma.
Katania më bëri ta kuptoj se bota është shumë ma e madhe sesa duket kur e shohim nga lart, mbështjellë në re. Ky qytet është një mundësi e shkëlqyer për ata që duan ta përjetojnë kulturën italiane, me sheshe plot njerëz, ushqime të shijshme në rrugë dhe një atmosferë të gjallë që të fton ta eksplorosh. Pos që është vend i bukur, është edhe i përballueshëm financiarisht.
Aty, e kuptova se nga sa shumë jemi privuar për shkak të stagnimit të procesit të liberalizimit të vizave. Teksa shihja qytetin për herë të fundit nga dritarja e aeroplanit, kuptova se një pafundësi mundësish na kanë ikur prej duarve.
Për fundvit, do të shkoj në Budapest të Hungarisë. Do të ec përgjatë lumit Danub, te tregjet e Krishtlindjeve, t’i ndiej ndriçimet festive në fytyrë. Asgjë nuk është aq e largët sa ishte dikur. Për shumë gjatë, nuk na është mundësuar ta shohim se sa e madhe e sa e bukur është bota. Tash që mundemi, mezi po pres.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.
Ky blog u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.