Në ceremoninë e dhënies së çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2006, aktorja angleze Charlotte Rampling u mundua ta thoshte titullin e filmit fitues të Jasmila Žbanić “Grbavica”. Ndonëse në të kaluarën kishte filma të tjerë nga ish-Jugosllavia që garuan në këtë festival, ky ishte momenti kur Berlinale i hapi dyert e saj për kinematografinë post-jugosllave, si dhe për plagët e hapura të cilat mund t’i mbyllin vetëm artet.
Edhe pse e tha gabimisht, “Grabavička”, sidoqoftë Rampling e ndjeu peshën e kësaj fjale, edhe nëse për vetëm një moment të shkurtër, pasi që ky toponim i përfshinë tregimet e 22,000 grave të përdhunuara gjatë Luftës në Bosnje. Filmi i Žbanić tregon për këtë tmerr.
“Kriminelët e luftës ende sillen të lirë në rrugët e Evropës”, tha Žbanić në fjalimin e saj kur e morri çmimin. “Ata nuk janë arrestuar për organizimin e fushatës së përdhunimit që i shkatërroi jetët e 22,000 grave në Bosnje dhe Hercegovinë… shresoj se kjo do të ndryshojë dhe shpresoj që Ariu i Artë nuk do të dëshpërohet kur të arrin në vendin tim”.
13 vite më vonë, të gjitha seksionet e edicionit të 69-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin — që po mbahet nga data 7 deri në 17 shkurt — përfshirë seksionin Garues, do të përfshijnë të paktën një koproduksion ndërmjet shteteve post-jugosllave.
Në mesin e filmave që janë planifikuar të shfaqen sivjet janë produksioni maqedon “God Exists, Her Name Is Petrunya”, filmi i Teona Strugar Mitevska që po garon në garën kryesore për Ariun e Artë; një tjetër është “Stiches” i Miroslav Terzić, një film serb që pritet ta mbajë premierën si pjesë e seksionit Panorama; dhe në fund, Kosova po përfaqësohet nga filmi i shkurtër “In Between”, nga regjisori Samir Karahoda.
Ëndërr e realizuar
“In Between” e Karahodës (apo ship “Në Mes”) do të jetë filmi i parë që do ta prezantojë produksionin e filmit nga Kosova para kineastëve të Berlinit. Përveç që është zgjedhur për programin zyrtar të Festivalit, regjisori kosovar konsideron si sukses faktin se ky punim është krijuar nga një ekip vendor dhe është financuar prej organizatave lokale.
“Filmi tregon se njerëzit në vendin tonë kanë kapacitetin për të krijuar vepra të vërteta kinematografike dhe ku ka vend më të mirë për t’i promovuar ato se në Berlinale”, tha Karahoda.
Kjo dramë e shkurtër filmike flet për familjen dhe bashkëjetesën, dashurinë dhe respektin në mesin e familjarëve dhe i përkushtohet të gjithë prindërve që jetojnë me shpresën se një ditë të bijtë e tyre do të kthehen në atdhe — pra e prekë dhe migrimin si një çështje të gjithëpranishme.
Titulli “In Between” reflekton rrethanat në Ballkanin bashkëkohor, ku fshatrat që dikur ishin të gjallë ngadalë janë shndërruar në qyteza fantazmë, për shkak të korrupsionit dhe politikave joadekuate për parandalimin e një trendi të tillë. Punimi në vete përmban pamje magjepsëse të zonave rurale në Kosovë, me një grimë ndjeshmëri poetike, me portrete të familjeve aty këtu. Këto shoqërohen nga një zë rrëfyes i cili i jep formë zbrazëtisë mbi vendbanimet e braktisura.
Karahoda, që është gjithashtu anëtar i ekipit të DokuFest, tha se Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin është njëri nga ato institucione që kanë inkurajuar bashkëpunim rajonal sa i përket kinematografisë. Megjithatë, ai argumentoi se, si rregull i përgjithshëm, shtetet tjera të Ballkanit kanë tendencë të mos i bashkojnë forcat me Kosovën në këtë aspekt.
“Kineastët kosovarë kanë bashkëpunuar vetëm me kolegë nga Maqedonia dhe është nënshkruar gjithashtu një marrëveshje me Malin e Zi”, tha Karahoda, para se të argumentonte se arsyeja kryesore për këtë është klima politike në rajon. “Përderisa kemi probleme me lirinë e lëvizjes dhe dëgjojmë gjuhë të urrejtjes nga politikanët, veçanërisht ata serbë, mundësitë tona për bashkëpunim do të jenë mjaft të vogla”.
Sidoqoftë, dy filma e sfidojnë argumentin e regjisorit kosovar. Njëri prej tyre u bë në Maqedoni dhe tjetri në Serbi, e të dy janë shkruar nga Elma Tataragić nga Sarajeva. Këto vepra arti tregojnë se regjisorët filmikë nga rajoni sigurisht se mund të bashkëpunojnë e të prodhojnë rezultate të frytshme.
I pari, koproduksion maqedon-belg-francez-kroat-slloven, “God Exists, Her Name Is Petrunya”, është përplot me absurditetin komik që e gjejmë në botën bashkëkohore. Progatonistja 31 vjeçare dhe e papunë e kësaj drame vendos të ngritet kundër burrave në përpjekje për ta përçarë ekuilibrin në universin e tyre mashkullo-centrik.
Filmi i dytë, “Stiches” është i bazuar pjesërisht në ngjarje të vërtetë. Flet për çështjen e rrëmbimit të fëmijëve në repartin e lindjes dhe ndjek historinë e një gruje që është e bindur se i biri i saj, që është shpallur i vdekur para 17 vitesh, në fakt është gjallë.
“Kjo më bën të ndihem e lumtur dhe në një mënyrë, është ëndërr e realizuar për mua”, tha Tataragić për suksesin e punës së saj. Megjithatë, si një person i cili punon nëpër rajon, ajo tha që skenaristët e rajonit ballafaqohen me pasiguri sepse kurrë nuk e dinë sigurt se a do të realizohen filmat që i shkruajnë.
“Plot projekte kalojnë nëpër ferrin e zhvillimit dhe në fund anulohen. Ne e punuam ‘Petrunya’ për tri vite e gjysmë, ndërsa ‘Stiches’ dyfish më gjatë”.
T’i shfaqësh dy filma në një vit në një festival si Berlinale është diçka që i afrohet një mrekullie të vogël.
Kinematografia post-jugosllave në Berlin
Ai që e shtroi rrugën për koproduksionet post-jugosllave në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin ishte filmi i vitit 2003 “(A)Torsion”, nga regjisori serb Stefan Arsenijević. Përkrah një ekipit krejtësisht boshnjak, skenari u shkrua nga shkrimtari nga Sarajeva, Abdulah Sidran, ndërsa filmi u prodhua nga një kompani sllovene.
Filmi i cili flet për rrethimin e Sarajevës në 1994 e fitoi Ariun e Artë për Filmin më të Mirë të Shkurtër nëntë vite më vonë, në të njëjtën kohë kur programi Garues përfshiu filmin slloven të Damjan Kozole, “Spare Parts”.
Me regji të aktorit dhe regjisorit serb Ljubiša Samardžić, “Sky Hook” (2000) ishte filmi i parë i metrazhit të gjatë i pasluftës nga rajoni post-jugosllav që u përfshi në garën kryesore të Berlinale. U përcjell nga “Witnesses” (2004) e regjisorit kroat të filmit Vinko Brešan, “On the Road” (2010) nga e lartpërmendura Jasmila Žbanić, dhe “An Episode in the Life of an Iron Picker” (2013), si dhe “Death in Sarajevo” (2016) nga regjisori i njohur boshnjak Danis Tanović, i cili është shpërblyer me tri Arinj të Argjendtë për këto punime.
Regjisorja e “God Exists, Her Name is Petrunya”, Teona Strugar Mitevska, tha se të arrish në Berlinale është sfidë e madhe për çdo regjisor.
“Kam qenë pjesë e industrisë për 15 vite dhe ky është filmi im i pestë — tek tani po garojmë për çmime”, shpjegoi Mitevska. “E kisha një rrugë të gjatë para meje. Ndonjëherë ishte udhëtim i mirë. Herave tjera, udhëtimi ishte plot batica e zbatica. Por përderisa si artist beson në atë që dëshiron ta arrish dhe atë që do ta thuash, gjithçka është e mundur”.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin për Mitevskën është si “një mrekulli të cilën e dëshirojmë të gjithë”. Megjithatë, ajo shtoi se autorët prapëseprapë kanë tendencë të mos i reklamojnë krijimet e tyre si “të prodhuara në Ballkan”, pavarësisht faktit se filmat e krijuar në shtetet post-jugosllave kanë hyrë në programet e festivaleve të mëdha të filmit.
“Në një mënyrë, kjo lidhet me mungesën tonë në festivale të mëdha, edhe pse gjërat po shkojnë mirë”, tha ajo. “Nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit, ne mund ta krijojmë më lehtë një brend të Ballkanit, një brend që do t’i jep mundësi regjisorëve nga rajoni t’i shfaqin filmat e tyre në festivale të tilla. Kjo më pas do ta lehtësonte distribuimin e punimeve të këtyre personave”.
Sidoqoftë, filmat e mirë arrijnë në të gjitha festivalet e filmit.
“Duhet thjesht ta bësh një film të mirë dhe sigurisht se do të gjejë audiencë, si dhe vend në festivale të filmit”, tha krijuesi i “Stiches”, Miroslav Terzić. “Sigurisht se të duhet pak fat gjatë procesit dhe tema e festivalit duhet të jetë afërsisht e njëjtë me temën që e eksploron filmi yt. Gjithashtu duhet të sigurohesh që nuk janë plot filma që po meren me të njëjtat çështje që i trajton edhe ti… Në fakt, janë shumë kushte që duhet të përmbushen në mënyrë që gjithçka të shkojë si duhet”.
Terzić shpjegoi se formula e fitores në film lidhet me temën. “Tema shërben si strukturë e një filmi”, tha ai. “Tema e përcakton filmin. Zhanret dhe format, ndonëse janë të rëndësishme, nuk janë jetike”.
Për më tepër, ai tha se filmat e bërë në rajon i theksojnë temat e dhimbshme, duke shtuar se “burojnë nga zona në të cilën jetojmë”.
Penj të ri e të fortë
Në fund, përpjekjet e qëndrueshme për t’i kapërcyer të gjitha pengesat e regjisë ia vlejnë shumë, sipas Amra Bakšić Čamo — një nga koproducentët e filmit “Stitches” — pasi që “pjesëmarrja në një festival të madh të filmit e bën më të dukshme një kinematografi që dikur ishte modeste; pra ‘kuajt e zi’ e marrin vëmendjen e kritikëve dhe audiencave ndërkombëtare, e kjo përndryshe do të ishte e pamundur për t’u arritur”.
Čamo e lëvdoi qytetin nikoqir të festivalit. “Berlini është përplot me njerëz që janë të angazhuar politikisht dhe veçanërisht të ndjeshëm ndaj çështjeve sociale, e kështu është habitat natyral për regjisorët nga rajoni”, tha ai.
“Sa i përket kinematografisë sonë, kështu është — përbëhet nga individë të jashtëzakonshëm dhe përderisa janë ata, kinematografia jonë, apo të paktën iluzioni i saj, do të qëndrojë”.
Premierat dhe çmimet në festivale si Berlinale janë disa nga shpërblimet më të mëdha në këtë aspekt, përkrah promovimit të regjisorëve filmikë dhe vet kinematografisë. Megjithatë, kineastët post-jugosllav e theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, i domosdoshëm jo vetëm sa i përket koproduksioneve, por edhe në lidhje me procesin kreativ, që ilustrohet nga filmat “God Exists, Her Name Is Petrunya” dhe “Stitches”.
“Bashkëpunimi është thelbësor — ne jemi pashmangshëm të ndërthurur me njëri tjetrin në kuptimin kulturor”, tha Mitevska. “Ne e ndajmë të njëjtën histori, të njëjtat tregime të fëmijërisë, të njëjtat referenca, pra sigurisht që është normale të bashkëpunojmë. Për më tepër, është e domosdoshme. Ekipi jonë në Ballkan rritet me secilin film që e bëjmë dhe në përputhje me këtë, secili film po pritet me më shumë sukses”.
Në anën tjetër, Terzić argumentoi që edhe pse prodhimi i filmave në shtetet post-jugosllave kërkon koproduksione rajonale, gjithçka në rajon është thelbësisht çështje e përditshmërive politike.
“Kurrë nuk bëjmë pyetje kur, për shembull, bëhen koproduksione francezo-gjermane”, tha Terzić. “Unë u linda në Jugosllavi dhe normale është që unë të kërkoj njerëz për bashkëpunim në lagjen time. Në fund të fundit, kjo është rruga drejt rikuperimit, në të cilën mund t’i shërojmë plagët tona për hir të krijimit të penjve më të fortë.
Përveç që u përfaqësua nga filmi i Terzić, Serbia do të përfshihet në edicionin e sivjetëm të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin si koproducente e filmit gjerman “I Was at Home”, me regji të Angela Schanelec. Për më tepër, Ivan Marković, drejtori i fotografisë në këtë film, bashkëpunoi me Wu Linfeng për ta krijuar “From Tomorrow On, I will”, që u zgjedh për seksionin e Forumit në Festival.
Filmi i Igor Drljača “The Stone Speakers”, koproduksion kanadez-boshnjak-hercegovinian, pritet ta mbajë premierën brenda të njëjtit program, ndërsa një seksion tjetër është rezervuar për punimet boshnjako-hercegovinian, si dhe për ato që fokusohen në procesin e ballafaqimit me të kaluarën.
Përfshinë një film francez të titulluar “Omarska” me regji të Varun Sasindran dhe një film gjerman të titulluar “Can’t You See Them? – Repeat.” me regji të Clarissa Thieme. Montazha e këtij të parit u bë nga studentja e Akademisë së Arteve Performuese në Sarajevë, Sajra Subašić.
Nihad Kreševljaković është burri i cili ndihmoi me realizimin e filmit të lartpërmendur gjerman, i cili është në garën e seksionit të filmave të shkurtër në Berlinale. Ai tha se “këta filma do t’u japin audiencave mundësinë të mësojnë nga pikëpamjet e reja për temat e dhimbshme nga e kaluara jonë”.K