Biseda | LGBTQ+

Borče Božinov: Jemi të përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve të seksit

Nga - 11.12.2020

Sindikata e punëtorëve të seksit të Ballkanit me qendër në Shkup funksionon për më se 10 vjet.

Statusi dhe përvoja e punëtorëve të seksit në Ballkan nuk janë tema që diskutohen shpesh apo mjaftueshëm nga publiku i gjerë. Sidoqoftë, për shumë prej tyre, situata e vështirë është rënduar edhe më tepër këtë vit për shkak të pandemisë COVID-19. Virusi ka bërë që ata të humbasin pothuajse çdo mundësi për të punuar dhe për të fituar, duke vënë në pikëpyetje mbijetesën dhe sigurinë e familjeve të tyre.

Megjithatë, çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat dhe statusin e punëtorëve të seksit nuk kanë tërhequr vëmendjen e asnjë institucioni qeveritar në Ballkan. Punëtorët e seksit mund të mbështeten vetëm te vetja dhe te organizatat joqeveritare që shprehin gatishmëri të punojnë me ta. Përveç në Maqedoninë e Veriut.

Në këtë vend, kolektivi STAR i punëtorëve të seksit ka funksionuar për më shumë se 10 vjet. Ata tentojnë ta mbulojnë të gjithë rajonin e Ballkanit dhe përdorin taktikat e një sindikate punëtorësh.

Kosovo 2.0 kontaktoi përmes email-it me Borče Božinov, kryetarin e STAR-it. Kështu kuptuam më shumë për statusin e punëtorëve të seksit në Maqedoninë e Veriut, për mënyrat se si bëhen bashkë dhe organizojnë luftën për të drejtat e tyre dhe se si janë prekur në veçanti nga pandemia.

Për më shumë se një dekadë, Borče Božinov ka drejtuar luftën për të drejtat e punëtorëve të seksit në Ballkan. Foto nga Borče Božinov.

K2.0: Kush janë anëtarët e kolektivit STAR, dhe çfarë ju motivoi ta themeloni një organizatë të tillë?

Borče Božinov: Nga viti 2007 e deri më 2010, STAR ishte lëvizje aktiviste e përbërë nga një grup punëtorësh të rinj të seksit që kishim një qëllim të përbashkët ― të avanconim dhe të promovonim të drejtat e punëtorëve të seksit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa përfshinim aktivisht njerëzit nga industria e seksit në zbatimin e programeve tona. Duke e njohur rëndësinë e sektorit të shoqërisë civile në procesin e qeverisjes demokratike, më 2010 STAR dorëzoi aplikimin në Regjistrin Qendror dhe që atëherë jemi të regjistruar si Asociacioni për Mbështetjen e Punëtorëve të Margjinalizuar STAR-STAR.

Me zyrë qendrore në Shkup, STAR filloi të mobilizojë punëtorët e seksit në disa rajone në të gjithë vendin, duke mbështetur udhëheqësit lokalë dhe duke fuqizuar komunitetet në qytetet e tjera, përfshirë Strumicën, Gostivarin, Tetovën dhe Strugën. Në mënyrë që të përkrahet krijimi i një ambienti të favorshëm për rritjen dhe përparimin e komunitetit, aktivitetet tona përfshijnë punëtorë seksi nga të gjitha prapavijat, pavarësisht seksit, gjinisë, orientimit seksual, etnisë, fesë, apo statusit shoqëror dhe të punësimit. 

Kështu, STAR u zgjerua nga niveli lokal në atë qendror, duke formuar dy degë ― perëndimore dhe lindore. Më 22 korrik 2018, STAR hapi zyrën rajonale në Gostivar, të vendosur në qendrën gjeografike të pjesës perëndimore të vendit, si bazë për mbështetjen e punëtorëve të seksit të cilët jetojnë dhe punojnë në atë rajon.

Të njohur si “STAR — Kolektivi i Parë i Punëtorëve të Seksit në Ballkan”, për më shumë se 10 vjet, ne jemi përkushtuar në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të punëtorëve të seksit, në luftimin e diskriminimit dhe stigmës me të cilat përballet komuniteti ynë çdo ditë, në reformimin e kornizave shtypëse ligjore dhe ndryshimin e qëndrimeve negative shoqërore ndaj punës së seksit.

Për çfarë modeli avokoni, dhe çfarë do të thotë kjo praktikisht për punëtorët e seksit në Maqedoninë e Veriut?

STAR është kolektivi i parë i punëtorëve të seksit në Ballkan. Ne jemi organizatë e drejtuar nga vetë punëtorët e seksit, dhe si të tillë mund të themi se jemi të veçantë.

Ajo për të cilën luftojmë është dekriminalizimi i punës së seksit, si pjesë e një programi më të gjerë për reforma ligjore. Aktualisht, nuk ka ligje specifike që e rregullojnë punën e seksit në Republikën e Maqedonisë, andaj konsiderohet si shkelje e ligjit dhe e rendit publik, ndërsa disa aktivitete të tjera të ndërlidhura me punën e seksit (si menaxhimi i punëtorëve të seksit, nxitja, fitimi i parave nga ndërmjetësimi për shërbime të seksit) trajtohen dhe dënohen si krime. Kjo është pjesë e një serie ligjesh selektive që cenojnë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut të punëtorëve të seksit, rrisin dhunën dhe stigmatizimin, si dhe krijojnë mosbesim në institucione.  

Pse e përdorni termin “punë e seksit”, dhe jo “prostitucion”, i cili është më i përhapur në rajon? 

Termet “punë e seksit” dhe “punëtor/e i/e seksit” u krijuan nga vetë punëtorët e seksit, për të ripërkufizuar seksin komercial jo si karakteristikë shoqërore dhe psikologjike e atyre që janë pjesë e industrisë së seksit, por si aktivitet apo mënyrë e fitimit të të ardhurave për gratë, burrat dhe personat transgjinorë.

Termi “punë e seksit” është më i pranueshëm se termi “prostitucion,” i cili ka ngjyrim negativ, andaj dhe nuk përdoret.

Termi “punë e seksit” është më i pranueshëm se termi “prostitucion”, i cili ka ngjyrim negativ, andaj dhe nuk përdoret. Ky term është ofendues dhe i lidhur me stereotipet e stigmën me të cilat përballen punëtorët e seksit në shoqërinë tonë.   

A mund ta shpjegoni demografinë e punëtorëve të seksit në Maqedoninë e Veriut?

Në Maqedoninë e Veriut, një punëtor seksi mund të jetë burrë, grua apo person transgjinor, që vullnetarisht punon në ambient të hapur (në rrugë) apo në ambient të mbyllur (apartamente, banesa, hotele, motele, qendra masazhesh, klube, etj.) dhe zakonisht është ndërmjet 20 dhe 50 vjeç.

Sidoqoftë, nuk mund t’i përcaktojmë saktësisht të dhënat demografike apo të japim një numër të saktë të punëtorëve të seksit në Maqedoninë e Veriut, sepse puna e tyre nuk është e rregulluar me ligje, andaj nuk ka sistem për t’i regjistruar.

Të dhënat e vetme në lidhje me vlerësimin e numrit të punëtorëve të seksit përmenden në raportin e Hulumtimit të Sjelljes për Punëtorët e Seksit në vitin 2014, i cili tashmë është i vjetëruar, por ku thuhet se gjatë asaj kohe 3,588 njerëz kanë punuar në këtë industri në vend. 

Çdo vit, më 17 dhjetor, punëtorët e seksit në të gjithë botën shënojnë Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës Kundër Punëtorëve të Seksit me “Marshet e Ombrellave të Kuqe”. Marshi në Shkup mbledh një turmë të madhe të mbështetësve çdo vit. Foto nga Aleksandar Crnogorac dhe Kolektivi START.

Si organizatë, përmes punës në terren, ne jemi në kontakt me rreth 300 punëtorë seksi, 60% prej të cilëve janë gra, 35% janë transgjinorë, dhe 5% janë burra. Ne jemi duke përdorur një databazë për projektin “Parandalimi i HIV-it në Popullatat Kyçe”, të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë. STAR planifikon të nisë një hulumtim në komunitet për të krijuar një databazë që do të ndihmojë më tutje në procesin e avokimit.

Kur diskutohet për punën e seksit, shpesh përmendet se një pjesë e njerëzve në këtë industri janë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore apo janë detyruar të bëhen punëtorë seksi si fëmijë. Si merrni vesh për rastet e tilla dhe si iu ofroni mbështetje nëse duan të largohen nga profesioni?

Puna e seksit nuk është trafikim i qenieve njerëzore, dhe ne si organizatë kemi punuar për më shumë se 10 vjet për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e punëtorëve të seksit të cilët vullnetarisht e kanë zgjedhur punën e seksit si profesion të tyre. Puna e seksit është zgjedhje e lirë dhe nuk ka të të bëjë asgjë me trafikim të qenieve njerëzore.

Një nga përpjekjet tona është që insitucionalisht ta ndajmë punën e vullnetshme të seksit nga trafikimi i qenieve njerëzore.

Si mund të zvogëlohet stigma, diskriminimi dhe dhuna kundër punëtorëve të seksit? Cila është marrëdhënia e tyre me policinë?

Shpeshherë, punëtorët e seksit përballen me stigmë, diskriminim, ngacmim dhe dhunë nga klientët, publiku i përgjithshëm dhe insitucionet, përfshirë policinë. Për shkak të këtij ngacmimi, si dhe mosbesimit të përgjithshëm në institucione, ata kanë frikë ta raportojnë dhunën në polici. Kjo i shtyn punëtorët e seksit në nëntokë, duke i bërë të padukshëm për sistemin.

Punëtorët e seksit shpesh u drejtohen organizatave të shoqërisë civile nëse duan ta raportojnë dhunën. STAR i dokumenton këto shkelje të të drejtave të punëtorëve të seksit, i ndihmon ata me rastet e tyre dhe u ofron ndihmë të mëtutjeshme ligjore.

Përmes organizimit të “Marshit të Ombrellave të Kuqe,” të mbajtur çdo vit më 17 dhjetor ― në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës Kundër Punëtorëve të Seksit ― STAR synon ta ngrisë vetëdijen dhe ta zvogëlojë stigmën e diskriminimin.

Aktivizmi i punëtorëve të seksit, përfshirë organizimet publike dhe fushatat, është një nga mënyrat për të avokuar për të drejtat e punëtorëve të seksit te politikëbërësit dhe vendimmarrësit e tjerë kyçë, me qëllim të arritjes së drejtësisë sociale dhe ndryshimit shoqëror. Përmes realizimit të fushatave dhe ngjarjeve publike, e në veçanti përmes organizimit të “Marshit të Ombrellave të Kuqe”, të mbajtur çdo vit më 17 dhjetor ― në Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Dhunës Kundër Punëtorëve të Seksit ― STAR synon ta ngrisë vetëdijen dhe ta zvogëlojë stigmën e diskriminimin kundër punëtorëve të seksit, si dhe ta ndryshojë legjislacionin përkatës në lidhje me punën e seksit në Maqedoninë e Veriut.  

A u ofrohet punëtoreve gra të seksit ndonjë formë e edukimit joformal sa i përket shëndetit dhe çështjeve psikologjike, sidomos atyre që ndërlidhen me trupat e tyre?  

STAR punon në dy programe: avokim dhe lobim, dhe në programin shëndetësor në lidhje me me HIV/AIDS dhe shëndetin e të drejtat seksuale dhe reproduktive.

Programi shëndetësor, i cili përfshin punëtori të rregullta shëndetësore, synon t’i identifikojë dhe t’i trajtojë çështjet shëndetësore me të cilat përballen punëtorët e seksit për ta mësuar komunitetin për parandalimin, trajtimin dhe mbështetjen në rast të shfaqjes së HIV-it apo infeksioneve seksualisht të transmetueshme.

Ne gjithashtu punojmë në problemet e ndërlidhura me punësim, duke i identifikuar ato probleme që kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve të seksit. Përveç marrjes së informatave të nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre, punëtorët e seksit gjithashtu fitojnë aftësitë e nevojshme për t’u mbrojtur nga dhuna e klientëve dhe për të punuar në mënyrë të sigurt.

Ne besojmë se dekriminalizimi i punës së seksit, si formë e rregullimit, do të kontribuojë në përmirësimin e të drejtave themelore njerëzore dhe të drejtave të punës, dhe se puna e seksit do të trajtohet si çdo profesion tjetër.

Përmes mobilizimit dhe përfshirjes së punëtorëve të seksit në aktivitete që përmirësojnë shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues, ne besojmë se mund t’i ndihmojmë që të jenë më mirë të pajisur për të përmirësuar kujdesin e tyre shëndetësor. Punëtorët e seksit janë trajnuesit më të mirë në komunitet, sepse përveç kujdesit për shëndetin e tyre, ata kujdesen edhe për shëndetin e klientëve të tyre.

Pandemia ka goditur të gjithë botën, dhe ndërsa ende vazhdon, njerëzit në margjina janë prekur më së shumti. Edhe në vendet më të pasura dhe më të zhvilluara në të gjithë botën punëtoret gra të seksit nuk kanë pranuar mbështetje financiare nga shteti dhe janë detyruar të përballen vetë me virusin. Supozoj se situata është e njëjtë edhe në Maqedoninë e Veriut. A është ofruar ndonjë mbështetje nga OJQ-të për më të prekurit? Cilat janë zgjidhjet e mundshme pasi pandemia sigurisht se do të vazhdojë edhe për një kohë?

Pandemia COVID-19 ka sjellur ndryshim dhe rreziqe të mëdha si për popullatën e përgjithshme, ashtu edhe për grupet e margjinalizuara. Punëtorët e seksit në veçanti janë në një pozitë të vështirë, kryesisht pasi janë përjashtuar nga masat ekonomike të ndërmarra nga qeveria jonë. 

Pandemia COVID-19 i ka bërë punëtorët e seksit edhe më të cenueshëm. STAR u organizua në solidaritet për të ofruar mbështetje për të gjithë ata që kishin nevojë. Foto nga Kolektivi STAR.

Si rezultat, punëtorët e seksit përballen me humbje të punës dhe rënie drastike të numrit të klientëve, gjë nga e cila varet vetë ekzistenca e tyre. Përveç kësaj, ata po përballen me kushte të pasigurta të punës dhe mungesë të të ardhurave për nevoja themelore, si për vete ashtu edhe për familjet e tyre.

Për të mbështetur komunitetin e punëtorëve të seksit, STAR ka filluar fushatën humanitare online të quajtur “Veprim për Reagim” (Акција за реакција) në mënyrë që të ndihmojë mbledhjen e fondeve për ata që kanë nevojë urgjente për ndihmë financiare. Përveç kësaj, kemi organizuar një seri ngjarjesh për grumbullimin e ushqimit dhe mjeteve mbrojtëse dhe shpërndarjen e tyre te punëtorët e seksit të cilët gjenden në situatë jashtëzakonisht të vështirë.

Pasi emri juaj përmban fjalën “Ballkan”, a drejtohen organizatat e tjera në rajon te ju? A mendoni se vendet përreth së shpejti do të krijojnë kolektivet e tyre të këtij lloji? Cili mendoni se duhet të jetë fokusi për mbrojtjen e punëtorëve të seksit në shtetet e Ballkanit, në të ardhmen?

Kur është fjala për ligjin për dekriminalizim, ne jemi unikë në Ballkan. STAR është cilësuar si kolektivi i parë i punëtorëve të seksit në Ballkan, por nuk e përfshin një rrjet organizatash të ndryshme në Ballkan.

STAR punon në promovimin dhe mbrojtjen e punëtorëve të seksit në nivel vendi. Kjo do të thotë se ne punojmë në territorin e Maqedonisë së Veriut. Siç u përmend më parë, ne besojmë se dekriminalizimi i punës së seksit si formë e rregullimit do të kontribuojë në zhvillimin e aspekteve shoqërore, ligjore dhe shëndetësore të jetës së punëtorëve të seksit; përmirësimin e të drejtave themelore njerëzore dhe të drejtave të punës; dhe normalizimin e punës së seksit si profesion.

Imazhi i ballinës nga Vanč Džambaski dhe Kolektivi STAR.