Pikëpamje | Politika

“Korrigjimi i kufirit” çon në pezullim të arsyes

Nga - 04.03.2019

Nyja Gordiane e korrigjimit të kufirit dhe tarifat e importit janë të lidhura mes vete.

Vera e vitit 2018 shënoi fillimin e ciklit të ri të ndryshimit të diskursit politik në vend. Deri atëherë partitë në pushtet dhe opozitë ishin të zëna me debatet rreth arsyeshmërisë dhe ligjshmërisë së marrëveshjeve ndërkombëtare, si ajo për demarkimin e kufirit me Malin e Zi apo ajo për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Për disa vite, fjalët si “Kulla”, “Zhlepi” dhe “Zajednica” — dy të parat i referohen lokacioneve në qendër të negociatave për demarkimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe tjetra i referohet Asociacionit të Komunave Serbe — përnjëherë u bënë fjalët më të përdorura në publik nga politikanë e qytetarët e rëndomtë.

Në prapavijë të këtyre zhvillimeve filloi diskutimi për inicimin e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë që pritet të mbyll kontestimin shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve. Kjo nismë u ndihmua nga publikimi i strategjisë së re për zgjerim të Komisionit Evropian në prill 2018 që — mes tjerash — kushtëzonte progresin e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) me arritjen e kësaj marrëveshje.

Gjatë verës së vitit 2018, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke dashur ta rikthej dominimin mbi skenën politike dhe diskursin publik, filloi serinë e adresimeve mediale ku në mënyrë kriptike fliste për koston e mundshme për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

Herë mes reshtave e herë në mënyrë të drejtpërdrejt artikulohej idea e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë kryesore e kësaj marrëveshje. Në pah të parë krijohej përshtypja se marrëveshja e arritur mbi bazë të parimit në formë të thjeshtëzuar “territor për njohje” do të mund të kënaqte të dy palët.

Në njërën anë, Kosova do ta siguronte njohjen nga Serbia, me mundësinë eventuale të bashkangjitjes së Luginës së Preshevës apo një pjese të saj, në shkëmbim për dhënien e një pjese të territorit të saj mbi të cilën nuk ka kontroll efektiv. Tejkalimi i kësaj pengese do t’i hapte rrugë dhe përshpejtonte procesin e anëtarësimit në BE dhe në NATO.

Në anën tjetër, Serbia do të siguronte — në shkëmbim për njohjen e Kosovës dhe potencialisht dhënien e Luginës së Preshevës apo një pjese të saj — diçka të vlefshme në kontekstin ballkanik të politikë-bërjes: integrimin e një pjesës së territorit të Kosovës në territorin e saj. Në këtë mënyrë do të përshpejtohej procesi i anëtarësimit të saj në BE dhe liderët në Beograd do të mund t’ia prezantonin publikut të brendshëm marrëveshjen me Kosovën si fitore përkundër rrethanave të pafavaroshme në terren.

Kjo mos-transparencë dhe vonesat në qartësimin e idesë së korrigjimit të kufijve ndikuan në zvenitjen e plotë të legjitimitetit të saj në sy të publikut.

Sidoqoftë, pavarësisht përfitimeve të deklaruara nga Presidenti i Kosovës, idea e “korrigjimit të kufijve” u kontestua nga të gjitha partitë në opozitë dhe disa parti në pushtet në Kosovë. Në mungesë të informacionit dhe qartësisë se çka nënkupton “korrigjimi i kufijve” në praktikë, publiku u alarmua nga kompromisi i mundshëm i dhënies së një pjese të territorit në këmbim të njohjes së pretenduar ndërkombëtare të Kosovës.

Kjo mos-transparencë dhe vonesat në qartësimin e idesë së korrigjimit të kufijve ndikuan në zvenitjen e plotë të legjitimitetit të saj në sy të publikut, përkundër premtimit se do të ketë referendum popullor për marrëveshjen përfundimtare.

Idea e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territorit ndikoi në uljen e dinamikës dhe shtimin e paqartësisë tek synimet e politikës së jashtme të Kosovës.

Prioriteti i deklaruar gjatë vitit 2018 ishte anëtarësimi në Interpol. Ndonëse një shqyrtim realist i mënyrës së vendim-marrjes në këtë organizatë për pranimin e anëtarëve të rinj do të duhej të ndizte alarmin tek institucionet e Kosovës për (mos)suksesin e mundshëm të nismës së tillë.

Një pjesë të madhe të fajit për mungesën e mbështetjes ndërkombëtare për anëtarësim në Interpol, qoftë edhe të shteteve që kanë njohur Kosovën, duhet faturuar hutisë së shkaktuar nga nisma për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë përmes “korrigjimit të kufijve”.

Dështimi i fundit i Kosovës sa i përket anëtarësimit në Interpol erdhi si rrjedhojë e ngurrimit të shteteve që e mbështetën Kosovën në kohën kur po realizoheshin negociatat me Serbinë të udhëhequra nga Hashim Thaçi nga viti 2011 si kryeministër dhe ministër i jashtëm.

Veprimi i tillë ad hoc paraqet vazhdimësi të mënyrës së qeverisjes së Kosovës që nga viti 2007 dhe është shëmbëlltyrë e paaftësisë për t'u ballafaquar me Serbinë me gjithë arsenalin e mundshëm diplomatik dhe ekonomik, si dhe mekanizmat e sigurisë.

Akterë brenda qeverisë së Kosovës reaguan në mënyrë impulsive ndaj dështimit të anëtarësimit në Interpol, gjegjësisht duke ngritur tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria u mundua t’i shmanget llogaridhënies për dështimin e dytë më të madh në politikën e jashtme (pasi në vitin 2015 dështoi të anëtarësohet në UNESCO), dhe bëri përpjekje t’ia lë fajin veprimeve të Serbisë.

Paradoksalisht, tek pas vendosjes së tarifës u përcaktuan qëllimet që synoheshin të arriheshin me vendosjen e saj. Në parim, veprimi i tillë ad hoc paraqet vazhdimësi të mënyrës së qeverisjes së Kosovës që nga viti 2007 dhe është shëmbëlltyrë e paaftësisë për t’u ballafaquar me Serbinë me gjithë arsenalin e mundshëm diplomatik dhe ekonomik, si dhe mekanizmat e sigurisë.

Ngjashëm siç u morr vendimi për vënien e tarifës, ashtu edhe prezantimi i thjeshtëzuar i idesë së korrigjimit të kufijve si zgjidhja magjike për nyjen Gordiane Kosovë-Serbi duket se është rezultat i mos marrjes në konsideratë të të gjitha pasojave të një propozimi të tillë si dhe të pjesëve të tjera përbërëse të marrëveshjes së tillë që do të mund të kenë pasoja afatgjate në funksionalizimin e brendshëm institucional dhe shoqëror të Kosovës.

Vendosja e tarifës e rehabilitoi në masë të konsiderueshme imazhin e Qeverisë në sytë e publikut, sepse deri në atë kohë Qeveria konsiderohej vetëm si zhvatëse dhe klienteliste.

Rreziku nga zbatimi i parimit “territor për njohje” është se mund të hapë derën për justifikimin e parimit për ndryshim territorial për të zgjidhur secilin nga ngërçet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë (si dhe shteteve të tjera në rajon). Kjo bëhet veçanërisht relevante nëse Serbia anëtarësohet para Kosovës në BE dhe është në pozitë të kushtëzojë anëtarësimin e saj në BE.

Vendosja e tarifës e rehabilitoi në masë të konsiderueshme imazhin e Qeverisë në sytë e publikut, sepse deri në atë kohë Qeveria konsiderohej vetëm si zhvatëse dhe klienteliste. Reagimi i partnerëve të Kosovës — SHBA, vendet evropiane dhe BE — ndaj vendimit për vendosjen e tarifës ishte i pritshëm: Ata kërkuan tërheqjen e tarifës dhe kthimin në tavolinën e negociatave ku do të gjindej zgjidhja për ankesat e secilës palë.

Në vigjilje të arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë, partnerët e Kosovës nuk do të toleronin veprime të njëanshme që do të mund të pamundësonte arritjen e saj. Paradoksalisht, tani qeveria e Kosovës është vendosur në pozitën që heqja apo refuzimi për heqjen e tarifës nënkupton edhe fundin e saj politik, në kohën kur partitë në pushtet dhe opozitë janë të ndara rreth asaj se a duhet të shkohet në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Duke parë efektin populist të vendimit për tarifën që rezultoi në rritjen e mbështetjes publike për Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe partinë e tij AAK, si dhe kundërshtimin e hapur të SHBA-së, PDK-ja dhe eksponentët e saj shpikën strategjinë dalëse nga konfrontimi më serioz mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimor.

U shpik termi ‘pezullim’ si mënyrë për të dalë faqebardhë nga situata të cilën e shkaktuan vet. Pezullimi, ndonëse për periudhë të caktuar, në thelb paraqet anulim të vendimit për tarifën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Tani të gjithë akterët institucionalë, politikë dhe ndërkombëtarë janë të angazhuar në gjetjen e formulës që do të mundësonte realizimin e pezullimit të tarifës. Opsionet në qarkullim përfshijnë nga mbivotimi i Kryeministrit në mbledhje të qeverisë, e deri tek zëvendësimi i Kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit, apo edhe vet rënia e qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Akterët politik që vet shkaktuan këtë krizë po tentojnë të zbusin pasojat e euforisë institucionale dhe publike rreth vendimit për vendosjen e tarifës. Pashamangshëm që miratimi i vendimit për pezullimin e tarifës do të ndikojë në uljen e mëtejshme të besimit të publikut në institucione. Kjo e gjitha si rrjedhojë e mosmenaxhimit të duhur të kësaj krize dhe rritjes pa mbulesë të pritjeve të publikut për atë se çfarë mund të arrihet me të.

Aventurat me propozimin për korrigjimin e kufijve dhe pezullimin e tarifës janë shembuj se si institucionet e Kosovës kanë mungesë të theksuar të kapaciteteve për të menaxhuar krizat politike dhe pritjet e publikut. Partitë politike — në veçanti ato në pushtet — si dhe institucionet publike në përgjithësi, në pamundësi që të sigurojnë mirëqenie dhe zhvillim përmes politikave të duhura publike, jetëgjatësinë e tyre politike e synojnë përmes premtimeve pabazë që ndikojnë në rritjen e pritjeve të publikut për realizimin e tyre.

Grevat e janarit të vitit 2019 — të cilat shumëkush i pa si të planifikuara nga Thaçi dhe PDK — nëpërmjet të cilave u bë thirrje për rritje të rrogave në sektore të ndryshme publike, janë një tjetër shembull i kësaj strategjie të premtimeve të pabaza. Ato i ngritën pritjet e mijëra anëtarëve të këtyre sindikatave, të cilët shpresuan që kërkesat e tyre për rroga më të larta do të merreshin parasysh, ndërsa prapa dyerve të mbyllura, dukej se lidershipi i sindikatave u udhëzua për kohën kur duhej t’i jepnin fund grevave — në fund, pa ndryshime të dukshme në rrethana, ata pranuan një ofertë që veçse kishte qenë në tryezë. Lansimi i një numrit gjithnjë më të madh të grevave dukej se ishte i koordinuar dhe se korrespondoi me synimin kryesor të PDK-së për t’i bërë presion kryeministrit ta pranojë propozimin e saj për ta pezulluar tarifën.

Qasja aktuale e qeverisë, në formë të vendimmarrjes ad hoc dhe popullimit të institucioneve kyçe publike me militantë partiakë dhe rrjete rajonale klienteliste, nuk mundëson menaxhimin adekuat të krizave politike dhe pritjeve të publikut. E thënë thjesht, institucionet vendore nuk kanë kapacitet për vendimmarrje në bazë të analizave të arsyeshme politike, ekonomike dhe sociale.

Deri sa të zhvillojnë kapacitete të tilla, liderët e institucioneve do të vazhdojnë të marrin vendime që udhëzohen nga përfitime afatshkurta politike në kontekstin e brendshëm, por që mund të sjellin pasoja në kurriz të interesave afatgjate dhe orientimit strategjik të Kosovës.  

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.