S`fundmi | K2.0

Bursistët e K2.0 fitojnë çmime gazetareske

Nga - 03.05.2019

Artina Muçiqi dhe Besnik Boletini shpërblehen me çmime për hulumtimet e tyre në fushën e të drejtave të njeriut.

Dy bursistët e K2.0 kanë marrë çmime për artikujt e tyre hulumtues. Artina Muçiqi dhe Besnik Boletini kanë fituar dy çmime në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet me Zyrën e Koordinatores për Zhvillim (të OKB-së në Kosovë), UN Women (Entiteti i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Barazi Gjinore dhe Fuqizim të Grave) dhe OSCE (Misioni i OSBE-së në Kosovë).

Të dy artikujt fitues ishin pjesë e ciklit të parë të Programit për Bursa për Gazetari në Fushën e të Drejtave të Njeriut, mbështetur nga Bashkimi Evropian në Kosovë, nga ku tetë gazetarë kanë shkruar artikuj thelbësor në tema të ndryshme duke filluar nga varfëria e fëmijëve deri tek të drejtat e migrantëve.

Muçiqi e mori Çmimin e Gazetarisë për Fuqizimin e Grave për artikullin e saj “Jetë dhe Vdekje: Realiteti i Vrazhdë i Shtatzanisë në Kosovë,” që hulumtoi mbi mungesën e qasjes kritike në kujdesin shëndetësor dhe mjekësinë e lindjes për gratë e minoriteteve në Kosovë.

“U deshën gjashtë muaj punë për ta publikuar këtë artikull,” tha Muçiqi kur po e merrte çmimin. “Kjo do të thotë se nuk ishin gjashtë orë, gjashtë ditë, gjashtë javë, por ishin gjashtë muaj të punës intenzive”.

Duke e falënderuar redaktorin Artan Mustafën për bashkëpunimin dhe kontributin e tij gjatë gjithë procesit, Muçiqi e shpjegoi motivimin e saj për shqyrtimin e temës. “Kemi punuar shumë për t’u siguruar që kemi dhënë një përfaqësim të mirë të realitetit me të cilin përballen gratë e komunitetit rom, ashkali, egjiptian kur kërkojnë shërbime mjekësore gjatë lindjes së fëmijëve apo gjatë shtatëzënive”, tha ajo.

Në artikullin e saj fitues, Muçiqi i paraqiti rrëfimet personale dhe përvojat e rënda të tri grave, por si pjesë e hulumtimit të saj ajo foli me më shumë se 20 gra për tregimet e tyre prekëse.

“Njëra ndër to ishte edhe Lindita Qosaj, e cila e humbi fëmijën në muajin e tretë të shtatëzanisë për shkak se nuk kishte kushte të përshtatshme për një intervenim mjekësor që kërkohej për ta trajtuar hipertensionin e saj”, tha ajo.

Muçiqi e përfundoi fjalimin e saj duke i inkurajuar gazetarët që të shkruajnë më shumë lajme për gratë në mënyrë që ndihmojnë në krijimin e barazisë gjinore për të gjithë. “Shpresoj se duke publikuar lajme të tilla dhe duke u marrë me çështje si kjo sa më thelbësisht që është e mundur, mund të ndikojmë në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore që iu ofrohen grave [të minoriteteve]”, tha ajo.

Boletini e fitoi Çmimin e Gazetarisë për Ekonominë “Ibrahim Rexhepi” për artikullin e tij të quajtur “Varfëri, Pasiguri, Vdekj,” që hulumtoi industrinë e ndërtimit dhe të drejtat e punëtorëve.

“Kam marrë disa çmime, por ky është i veçantë sepse kam punuar për një kohë të gjatë me të ndjerin Ibrahim Rexhepi”, tha ai. “Kemi punuar së bashku për disa artikuj por e kam intervistuar edhe në pozitën e analistit ekonomik dhe jam shumë i lumtur që e kam fituar këtë çmim që është krijuar në emrin e tij dhe shpresoj se do të vazhdojë të ipet në emër të tij”.

Artikulli i Boletinit i hulumtoi më thelbësisht punëtorët që janë vrarë apo kanë pësuar lëndime të rënda në vendin e punës dhe mungesën e sigurimit social dhe mbrojtjes adekuate për punëtorët e ndërtimit, nga punëdhënësit dhe nga institucionet.

Mund t’i lexoni këtu dy artikujt fitues, bashkë me gjithë artikujt nga cikli i parë Bursës për Gazetari në Fushën e të Drejtave të Njeriut.

Tani është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes për bursa të ciklit të dytë.K

Foto: Vesa Bala / Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.