Bursa | Të Drejtat e Minoriteteve

Jetë dhe vdekje: realiteti i vrazhdë i shtatzanisë në Kosovë

Nga - 10.12.2018

Gratë e minoriteteve nuk kanë qasje kritike në kujdes shëndetësor dhe mjekësinë e lindjes.

Në një ditë vere në korrik 2018, ulur në një pllakë çimentoje pranë dyerve të shtëpisë njëkatëshe, Lindita Qosa tregonte përvojën e vet më të dhimbshme me një zë në prag vaji. Vetëm para një muaji, Lindita 21 vjeçe kishte qenë në muajin e nëntë të shtazanisë dhe priste fëmijën e parë.

“Mezi pas shtatë vjetëve martesë më gëzoi Zoti”, thotë Lindita, e martuar në moshën 14-vjeçare. “[Por] pak pa e lindë, mbeta pa beben”.

Në kontrollin e para një muaji ajo ishte diagnostifikuar me hipertension, pra shtypje tepër të lartë të gjakut. Kjo është dashur të ndizte alarmin shëndetësor për trajtim të menjëhershëm. Por rrethanat ndikuan që ajo të mos mund ta pranonte kujdesin shëndetësor të duhur, ndërkohë që  u neglizhua edhe nga institucionet shëndetësore që është dashur ta ndihmonin.

Udhëzuesi për Kujdesin Perinatal i publikuar nga Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Kolegji Amerikan i Obstetrikëve dhe i Gjinekologëve rekomandon që nënat me komplikime të ndryshme shëndetësore duhet të vizitohen te mjeku sa më parë, ndërsa për shtatzanitë e para pa komplikime rekomandohet të bëhen kontrolle çdo katër javë gjatë shtatë mujave të parë të shtatzanisë dhe që vizitat e tilla të shtohen në çdo dy javë dhe pastaj vizita javore deri në lindje.

Por, realiteti në Kosovë është shumë më ndryshe.

Memli Morina, gjinekolog në ordinancën “Gynepriz” në Prishtinë, thotë se edhe në Kosovë më parë rekomandoheshin minimumi katër vizita gjatë shtatzënisë, ndërsa tani si rregull rekomandohen së paku tetë.

“Numri më i lartë i vizitave ndikon në zbulimin dhe menaxhimin e ndërlikimeve potenciale”, thotë ai, duke shtuar se nëse bëhen tetë vizita antenatale, pra para lindjes, ulet rreziku për vdekje perinatale – vdekjet pas javës së 22 të shtatzënisë deri në 6 javë pas lindjes – deri në 8 në 1000 lindje.

Për shumë gra shtazana në Kosovë është thjesht joreale që të bëhet një numër i tillë i kontrolleve. Dhe për gratë e komuniteteve minoritare, siç është Lindita e cila është rome, gjasat që të ketë kujdes të nivelit bazik perinatal janë edhe më të vogla.  

Për shembull, Lindita thotë se ka pasur vetëm tri kontrolle gjatë tërë shtatzanisë.

Ajo është pjesë e 23 përqindëshit të grave kosovare nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë që nuk kanë pasur kujdes shëndetësor para lindjes në minimumin e rekomanduar prej katër herësh, sipas një raporti të UNICEF-it të publikuar në tetor të vitit 2017. Kjo shifër është për 15 pikë të përqindjes më e lartë se te gratë nga popullsia e përgjithshme.

Rezultatet janë shokuese aq sa janë të pashmangshme.

Bazuar në të dhënat e Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, MICS, 2013-2014, të publikuar nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, ASK, në tetor 2014 shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në mesin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjipitanë ishte 41 në 1,000 lindje. Kjo është rreth tri herë e gjysmë më e lartë se tek popullsia e përgjithshme, ku regjistrohen 12 vdekje të foshnjave në 1,000 lindje.

Varfëria e përhapur dhe diskriminimi i grave rome, ashkalie e egjiptiane ua kufizon qasjen në kujdesi shëndetësor, madje edhe gjatë shtatzanisë. Foto: Arbër Murturi.

Lindita kishte qenë në javën e 39të të shtatzanisë gjatë kontrollit të tretë në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës në jug të qytetit. Spitali gjendet tri kilometra larg lagjes “2 Korriku” ku ajo jeton, e banuar 90 përqind prej komunitetit ashkali.  

Në këtë vizitë të 16 majit stafi mjekësor kishte përcaktuar se Lindita kishte hipertension, një gjendje potencialisht serioze për gratë shtatzana.

Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor NHS të Anglisë, për shkak të hipertensionit të patrajtuar mund të shkaktohet zhvillimi i preeklampsisë dhe eklampsisë që mund të krijojnë komplikime kërcënuese për jetën e nënave dhe të fëmijëve. Në botimin e Akademisë Amerikane të Pediatrisë dhe Kolegjit Amerikan të Obstetrikëve të 2012-tës thuhet se komplikimet si pasojë e hipertensionit dhe preeklampsisë janë ndër shkaktarët më të mëdhenj në botë të vdekshmërisë së nënave dhe të foshnjave.

Bazuar në raportin e rastit të Linditës, drejtori i Repartit të Gjinekologjisë, Avni Fejza, ka konfirmuar vizitën e Linditës dhe diagnostikimin e saj me hipertension, dhe ka thënë që ajo është këshilluar të shkonte në Prishtinë për vëmendje të mëtutjeshme mjekësore.

Lindita e kishte bërë kontrollin e fundit disaminutëshe në Repartin e Gjinekologjisë të Spitalit të Mitrovicës në mëngjesin e 16 majit 2018. Sipas të dhënave të repartit, Lindita kishte qenë në javën e  39-të të shtatzënisë në ditën e kontrollit dhe kishte vështirësi me hipertensionin.

“Në bazë të të dhënave të diagnozës në protokoll rezulton se fryti [i Linditës] ishte i gjallë kur është kontrolluar”, ka thënë Avni Fejza.

Por, Lindita nuk kishte udhëtuar për në Prishtinë. Nuk kishte pasur mundësi.

“Më thoshin shko në Prishtinë se ke hipertension”, thotë ajo. “Ku me i marrë paret me shku në Prishtinë? Na jetojmë prej shisheve e hekurave që i mbledh burri”.

Lindita, e cila jeton me burrin dhe nëntë anëtarë të tjerë të familjes së tij të gjerë, thotë se asnjëri nuk kanë të mbaruar shkollën fillore dhe që të gjithë 11 anëtarët e familjes jetojnë me të hyrat që burri i saj, 33-vjeçari Ibrahimi, i fiton duke bartur çdo të shtunë në pazar hekurat që mbledhin gjatë javës ai dhe banorët e tjerë të lagjes.

Për secilën bartje, Ibrahimi fiton diku 5 euro. Çdo të shtunë, fitimi i tij arrin deri në 20 euro.

Lindita thotë se shpeshherë të ardhurat e familjes nuk bëhen gjithsej 100 euro në muaj. Bazuar në skemën e ndihmës sociale, që lëshon pagesa duke llogaritur koston e shportës minimale të ushqimit për familje, një familjeje 11 anëtarëshe i duhen 125 euro që secili anëtar të mund të ushqehet me numrin e rekomanduar të kalorive në ditë.

Gjithsej 54 përqind të familjeve rome, ashkalie dhe egjiptiane kanë të ardhura mujore prej 0 deri në 200 euro në muaj sipas një hulumtimi të Qendrës për Arsim të Kosovës, të publikuar në nëntor 2016. Ndërsa, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, në një hulumtim të vitit 2011 thoshte se papunësia e përgjithshme në mesin e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë ishte 60 deri në 80 për qind.

Lindita Qosa, 21 vjeçe, duke mbajtur fëmijën e vëllait. Qosa jeton në linjën e varfërisë me familjen e saj 11-anëtarëshe. Foto: Arbër Murturi.

“Burri është pak i sëmurë prej kurrizit e nuk mundet me ngritë pesha të rënda”, thotë ajo, duke shtuar se e ka marrë sëmundjen nga ngarkesat. “Gjatë ditëve të javës ai mbledh hekura të cilët nuk peshojnë rëndë, andaj edhe fitimi është më i vogël”.

Për shkak se nuk kishte para, Lindita thotë se ishte kthyer në shtëpi pa u trajtuar për shtypjen e lartë, në vend se të shkonte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për kujdesin e rekomanduar dhe esencial.

Një muaj pas këtij kontrolli, Lindita thotë se kishte vendosur të shkonte në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës në veri të qytetit, i quajtur “30 korriku”, i cili operon në kuadër të sistemit shëndetësor të Serbisë. Ajo thotë që aty i kishin thënë se fëmija ishte i pajetë prej një jave dhe kishin intervenuar për nxjerrjen e frytit të vdekur. Lindita thotë se ishte pranuar në spital dy ditë përpara Festës së Bajramit,  pra më 13 qershor, që do të thotë se ishte në javën e 43-të të shtatzënisë. Pranimin e Linditës në repart e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Repartit të Gjinekologjisë të spitalit në veri, Saša Zakić, por nuk kanë dhënë më shumë detaje duke u thirrur në konfidencialitetin e të dhënave të pacientes.

Lindita Qosa do të donte të kishte pasur më shumë informacion sesa vetëm të diagnostikohej me hipertension dhe të këshillohej për të shkuar në Prishtinë.

Klinika emergjente e QKUK-së ka një njësi të specializuar për trajtim emergjent gjinekologjik-obstetrik në të cilin pacientët duhet të referohen në raste urgjente, sipas nenit 8 të Ligjit  për Shërbimin Mjekësor Emergjent, (SHME). Pas vizitës së tretë të Linditës në spitalin e Mitrovicës së jugut një muaj më herët dhe diagnostikimit të hipertensionit gjendje potencialisht kërcënuese për fëmijën e palindur dhe nënën në fazat e vonshme të shtazanisë spitali ishte ligjërisht i obliguar t’i ofronte asaj ambulancë direkte për në klinikë në Prishtinë për trajtimin e rekomanduar. Por, Lindita thotë se spitali nuk ia ka ofruar këtë opsion.

“Ambulanca nuk preferohet me qenë taksi”, thotë drejtori i Repartit të Obstetrikës në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës në jug, Sadik Fejza, sipas të cilit fakti që pacientja nuk është dërguar në QKUK me ambulancën e Shërbimit Mjekësor Emergjent tregon se nuk ka qenë në gjendje të rrezikshme.

Lindita Qosa thotë se do të donte të kishte pasur më shumë informacion sesa vetëm të diagnostikohej me hipertension dhe të këshillohej për të shkuar në Prishtinë. Në kontrollet e tjera i kishin thënë që ishte mirë. “Në spital të Mitrovicës [në jug], më thoshin ‘mirë je’. Në fund, më doli keq”, thotë ajo.

Drejtori i Obstetrikës, Fejza, thotë se këto janë fjalë rrugësh. “Ajo mundet me ndjekë rrugën ligjore përmes organeve përgjegjëse për hetim”, thotë ai.

Por Lindita thotë: “Ankesa nuk ma kthen fëmijën”.

Përvoja e trajtimit diskriminues

Ndjenja diskriminimi e kishin përcjellë Linditën përgjatë gjithë shtatzanisë. Në prill, kur ishte në muajin e tetë, ishte rrëzuar duke ngjitur perdet në dritaret e shtëpisë. E frikësuar se mos e kishte lënduar fëmijën, thotë se kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës për t’u kontrolluar e që ishte njëra nga gjithsej tri vizitat e saj.

“Më thoshin mjekët ‘ngadalë se nuk e ke kohën me lindë, prit’”, thotë ajo. “U tregova që nuk kam shku për lindje, po se isha rrëzuar. Prapë më kanë thënë: ‘rri se kurrgjë nuk paske’. Një orë kam pritë në korridor derisa më ka kontrollu një mjek… derisa kanë hy krejt shqiptarët e vet”.

Lindita thotë se disa herë është ndjerë e diskriminuar në këtë spital për shkak të përkatësisë etnike. “S’po këqyrin mirë, veç pse jena romë”, thotë ajo.

Sipas ligjeve në fuqi, pacientëve u garantohet trajtim i barabartë në institucione shëndetësore.

“Çdo qytetar ka të drejtë për kujdes shëndetësor… adekuat, me qasje në vazhdimësi për të gjithë dhe pa diskriminim”, thuhet në pikën 1 të nenit 4 të Ligjit mbi të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor. Për më tej, Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre thotë se qeveria duhet të ndërmarrë masat e nevojshme për të siguruar që personat që u përkasin komuniteteve të kenë qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor, pa diskriminim.

Por, siç thotë Lindita, nga përvoja e saj profesionistët shëndetësorë jo gjithmonë veprojnë në përputhje me ligjet e tilla.

Spitali i Mitrovicës nuk ka pranuar ta konfirmojë vizitën e prillit të Linditës, por drejtori i repartit obstetrik, Sadik Fejza, sërish kundërshton pohimet e saj në parim.

“Trajtohen si të gjitha pacientet tjera. Nuk dallon asgjë pse janë nga komunitetet pakicë”, thotë ai. “E kanë derën hapur gjithmonë. Por, në parim ato gra nuk vinë në klinikën tonë”.  

Për Linditën trajtimi në veri të qytetit ishte më dinjitoz se në spitalin e jugut. Përveç kujdesit më të madh të mjekëve, aty thotë se e ndihmuan edhe me barna.

Spitali “30 korriku” në veri të Mitrovicës trajton më shumë gra rome, ashkalie e egjiptiane në vit sesa spitali i përgjithshëm në jug të Mitrovicës, në të cilin gratë minoritare thonë se hasin në më shumë diskriminim. Foto: Artina Muqiqi.

Bazuar në pohimet e dy spitaleve të Mitrovicës, numri i pacienteve për kontrolle nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë është më i lartë në veri. Zakić thotë se 15 deri në 20 përqind të pacienteve që trajtohen në Repartin e Gjinekologjisë në spitalin “30 korriku” janë nga komunitetet pakicë.

“Gratë nga këto komunitete më shumë vijnë për ndonjë kontroll ose intervenim”, thotë ai. “Për lindje pranojmë më pak, për shkak të problemeve me dokumentacion që mund të kenë, pasi fëmija duhet lajmëruar aty ku lind”.

Në veriun me shumicë serbe, ku institucionet e Kosovës kanë pak ndikim, sistemi i Kosovës edhe ai paralel i Serbisë operojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Të dhënat rreth regjistrimit të statusit civil nga intitucionet serbe nuk incizohen edhe në sistemin e Kosovës. Sipas një raporti të UNICEF-it kjo prek posaçërisht komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptianë “të cilët kanë qenë të regjistruar pranë sistemit paralel serb dhe janë ballafaquar më pas me probleme për t’u përfshirë në institucionet e Kosovës” meqë institucionet e dy sistemeve nuk komunikojnë as nuk ndajnë të dhëna me njëri-tjetrin.

Spitali në Mitrovicën jugore, ka thënë se nuk mund të japin numrin e lindjeve nga tri komunitetet, pasi nuk bëhet ndasi në regjistrim në bazë të përkatësisë etnike. Por, sipas drejtorit të Repartit të Obstetrikës në këtë spital, Sadik Fejza, numri i grave që pranojnë për lindje nga këto komunitete është më i lartë se numri i atyre që shkojnë për kontrolle.

Drejtori i Repartit të Gjinekologjisë, Avni Fejza, thotë se mjekët shpesh u frikësohen këtyre rasteve. “Shpesh nuk e dimë a kanë kryer kontrolle të rregullta dhe me çfarë komplikimesh janë përballur”, thotë ai.

Numri i përgjithshëm i lindjeve në Spitalin e Mitrovicës në jug më 2017 ishte 1,496, përderisa në gusht sivjet janë regjistruar 973 lindje; ndërsa në të dy vitet, është regjistruar nga një vdekje. Në veri, zëvendësdrejtori Zakić thotë se regjistrohen rreth 800 lindje në vit por nuk kanë ofruar të dhënat e kërkuara për numrin e vdekjeve. Spitali në jug i ka referuar 17 foshnje për shkak të komplikimeve shëndetësore më serioze dhe nevojës për trajtim më specifik në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK, pikë referente kjo për foshnjet me patologji nga të gjitha spitalet rajonale. Më 2017 kanë vdekur 209 foshnje.

Megjithatë, ndjenja e diskriminimit e nënave nuk kufizohet vetëm në Mitrovicë. Atë e ndajnë edhe gra të tjera të komuniteteve minoritare që jetojnë në Kosovë, përfshirë 29 vjeçaren Lendita Qallaku të përkatësisë ashkalie, e cila jeton në lagjen “7 Shtatori” në Pejë.

Lendita nuk po mund të flinte nga dhimbjet e lindjes mëngjesin e hershëm të 15 qershorit 2015. Familjes së saj me burrin Shaipin dhe pesë fëmijë të tjerë do t’u shtohej edhe anëtari më i ri, Fatlumi. Ishte lindja e gjashtë për Lenditën, prandaj besonte se nuk kishte për çfarë të shqetësohej. Por, në orën 8:45 të mbrëmjes, ajo u shtrua në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës pasi përjetoi dhimbje serioze.

“Mjekët më thoshin vazhdimisht ‘ende s’ka asgjë’”, thotë Lendita. “Jam ngritur nga shtrati dhe kam shkuar në tualet. Aty kam vërejtur se foshnja kishte filluar të dilte. Ka qenë një grua tjetër shtatzënë në korridor, dhe kur më pa, i njoftoi menjëherë mjekët. Kur më panë, motrat medicinale filluan të më bërtisnin pse isha ngritur nga shtrati”.

Lendita është habitur nga neglizhenca e mjekëve ndaj saj në momentin kritik.

“Ende pa u vendosur mirë në shtratin e dhomës, foshnja lindi. Mos ta priste motra në duar, sot nuk do ta kisha djalin”, thotë ajo. “U thosha vazhdimisht se ka filluar lindja, por nuk vishin mjekët. Nuk e di pse nuk po na këqyrin mirë neve…”.

Lendita Qallaku nga lagjja “7 Shtatori” në Pejë thotë se mjekët e shpërfillnin gjatë çasteve kritike të shtatzanisë. Qallaku, grua ashkalike, ia atribuon këtë diskriminimit. Foto: Arbër Murturi.

Në protokollin e Repartit të Gjinekologjisë në Spitalin e Pejës kjo lindje është e regjistruar si spontane. “Menjëherë pas lindjes, foshnja paska qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Lindja paska qenë spontane, pa anomali apo ndonjë problem tjetër shëndetësor. Kjo është e regjistruar si lindja e gjashtë e saj [Lenditës]”, thotë drejtori i repartit, Ramadan Dacaj.

Dacaj thotë se procesi i lindjes është i komplikuar, se ndryshon te secila grua dhe andaj nuk mund të fajësohen mjekët për çdo gjë.

“Në momentin e lindjes gratë […] mendojnë se s’po bëjmë asgjë. Lindja mund të fillojë 24 orë më herët, nuk dihet saktë momenti kur ndodh”, thotë ai. “Ajo mund të fillojë në dysheme, tualet, apo kudo. E rëndësishme që nëna dhe foshnja në këtë rast paskan qenë në gjendje të mirë shëndetësore”.

Dacaj përmend të dhënat e raportit të tij në përgjithësi, që regjistroi 2,017 lindje vitin e kaluar dhe 11 vdekje, dhe deri më 25 tetor sivjet regjistron 1,617 lindje dhe katër raste vdekjesh të fëmijëve.

“Ka pesë vite që nuk është regjistruar asnjë vdekje e nënave në repart”, thotë Dacaj. “Edhe numri i vdekjeve te foshnjat është i ulët”.

Po ashtu, ai kategorikisht mohon sugjerimin që dikush trajtohet ndryshe bazuar në etninë e tyre.

“Si shef reparti nuk kam vërejtur element diskriminues apo ndryshim të trajtimit mjekësor ndaj minoriteteve”, thotë ai, duke vlerësuar që 20 deri në 30 për qind e pacienteve që trajtohen në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, janë nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë. “Nuk kemi pasur as ankesa”.

Megjithatë, ekzistojnë dëshmi të ndryshme që diskriminimi ndaj grave të komunitetetve është i përhapur si fenomen në shërbimet e kujdesit shëndetësor në Kosovë.

Një hulumtim i vitit 2015 i Solidar Suisse dhe Balkan Sunflowers thotë se diskriminimi mbi baza etnike është njëra nga pengesat në qasjen dhe shfrytëzimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga ana e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë. Sipas hulumtimit, 50 për qind e të anketuarve nga këto komunitete – nga 1,592 të anketuar – kishin thënë se familjarët e tyre i janë shmangur shfrytëzimit të shërbimeve shëndetësore për shkak të pritjeve shumë të gjata si në zyrën e mjekut të përgjithshëm, si për trajtimin specialistik.

“Me thanë që nuk ka diskriminim hiç, rrejmë”, thotë Agnesa Toska, aktiviste nga projekti “Prospekt+” në mbështetje të komuniteteve minoritare që implementohet nga organizata “Syri i Vizionit” në Pejë. “Gratë janë ankuar kohë pas kohe se nuk po i kontrollojnë, se po i lënë me pritë, se nuk i kanë pranuar ngaqë [u thonë që] nuk kanë qenë të pastra. Ka pasur raste kur ne kemi bërë vëzhgim dhe kemi parë se po i lënë me pritë më shumë apo po i trajtojnë më me neglizhencë derisa [mjekët] i kanë kryer pauzat apo njerëzit e vet që kanë qenë duke i kontrolluar”.

Sipas të dhënave të lëshuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) për K2.0, në departamentet e krimeve të rënda të gjykatave të Kosovës janë pranuar pesë raste të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor dhe katër të tjera për mosdhënie të ndihmës mjekësore më 2017. Numra afërsisht të njëjtë të rasteve janë regjistruar edhe më 2016 dhe 2015.

Departamentet e përgjithshme të gjykatave, të cilat merren me lëndë më pak serioze, pranojnë më shumë raste sipas KGjK-së. Për shembull, më 2017, numri i rasteve ishte më i lartë në krahasim me dy vitet paraprake: gjithsej 18 për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, ndërsa 27 raste të tjera për mosdhënie të ndihmës mjekësore.

Megjithatë, KGjK nuk ka ofruar të dhëna specifike nëse këto raste përfshijnë pjesëtarë të komuniteteve të vogla etnike.

Edhe pse shpeshherë nuk raportohen në gjykata, gratë e komuniteteve ankohen për diskriminime nga institucionet shëndetësore nëpër Kosovë, përfshirë edhe QKUK-në, qendrën më të madhe spitalore të vendit.

Aty 26-vjeçarja Valbona Berisha, e përkatësisë rome, kishte shkuar për trajtim më 17 qershor 2017.

Në një nga dhomat e një ndërtese gjashtëkatëshe në Plemetin të Obiliqit – ku jetojnë 36 familje nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë – ajo i kishte dhënë jetë atë ditë fëmijës së tretë. I kishte lindur edhe dy fëmijë të tjerë në shtëpi, por pas lindjes së asaj dite, bashkëshorti Safeti kishte kërkuar ndihmë te fqinjët që ta dërgonin në Prishtinë për kujdes të paslindjes.

Nuk dihen të dhënat e sakta për numrin e grave nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë që kryejnë lindjet në shtëpi, ndonëse sipas një raporti të mëhershëm të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të publikuar më 2014, plot 98 për qind të lindjeve të këtyre grave deri atëherë kryheshin në institucione shëndetësore publike. Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, Xhevdet Gojnovci, thotë se gjatë 2017-ës ka pasur vetëm një rast të kërkimit të ndihmës mjekësore pas lindjes në shtëpi. Sivjet, thotë ai, nuk janë regjistruar raste të ngjashme.

“Një nga mjekët më tha ‘kur s’keni kushte, për çka po i lindni fëmijët’”, rikujton Valbona.

Kur kishte shkuar në QKUK, Valbona nuk kishte marrë me vete gjërat elementare të kujdesit për fëmijën si rrobat, mbështjellësen, pelenat, shishen e ushqimit, e që shpesh mjekët e sektorit publik ua sugjerojnë vetë pacientëve t’i blejnë.

Por Valbona dhe Safeti marrin ndihmën sociale të shtetit pasi konsiderohen zyrtarisht familje që jeton në varfëri.

“Një nga mjekët më tha ‘kur s’keni kushte, për çka po i lindni fëmijët’”, rikujton Valbona.

Nuk është e pazakonshme që të dëgjohen komente të tilla në sferën publike kosovare. Ish-ministri i i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kishte bërë një deklaratë të ngjashme në një emision televiziv në shkurt të vitit 2015.

“Plot herë ka ndoshta edhe të tillë që vuajnë nga mungesa e një planifikimi familjar dhe një edukimi financiar”, thoshte Stavileci. “Unë nuk mendoj që në shekullin 21 dikush i cili merr një pagë 300 euro, duhet të bëjë familje shtatanëtarëshe. Ai duhet t’i dijë kapacitetet e tij. Ai po e merr në qafë një fëmijë një, dy apo tre vjeçar. Pse? Sepse nuk ka planifikuar mirë”.

Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, kundërshton një narrativë të tillë duke thënë se udhëheqësit ekonomik duhet ta dijnë se disproporcioni i shkallës së lindjeve në një shoqëri në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhet me nivelin e lartë të varfërisë dhe me mangësitë strukturale që janë pasojë e arsimimit jocilësor.

“Një politikan në pozitë me ndikim të tillë nuk mund t’i fajësojë vetëm qytetarët e varfër për mungesë të planifikimit familjar, nëse institucionet shtetërore – ku bën pjesë edhe ai – s’janë angazhuar që të krijojnë politika efikase për rritjen e vetëdijesimit socio-ekonomik të kësaj kategorie”, thotë Demolli dhe shton: “Para se të japin leksione moralizuese, përfaqësuesit shtetërorë duhet të sigurohen nëse është bërë gjithë çfarë është dashur të bëhet nga ana e tyre për të kontribuar në informimin përmbajtësor të shtresave të ndryshme shoqërore mbi ndërvarshmërinë mes përgjegjësisë individuale dhe asaj institucionale – duke përfshirë edhe çështjen e planifikimit familjar”.

Por analizat e kushteve ekonomike të komuniteteve dhe të integrimit të tyre në shoqëri, vënë në pah rezultatet e dobëta të veprimeve institucionale. Në një raport të vitit 2017, të financuar nga Komisioni Europian dhe Fondacioni për Shoqëri të Hapur, ku kritikohet Qeveria e Kosovës për hapa të paktë në zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Komuniteteve, kërkohet veçanërisht punë për integrimin ekonomik të minoriteteve.

“[Ky integrim] do të kontribuonte në ndërtimin e kohezionit shoqëror dhe do të përmirësonte respektimin e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e komuniteteve, duke ndihmuar në eleminimin e diskriminimit racor, etnik e social”, thotë raporti.

Kur flitet specifikisht për kujdesin shëndetësor, mangësitë strukturore vihen në pah më tej në një raport të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) të 2016-tës, i cili tregon se shumica e grupeve minoritare etnike ballafaqohen me më shumë vështirësi në qasje në kujdes shëndetësor krahasuar me popullatën shumicë shqiptare. Pengesat financiare, gjeografike dhe kulturore përmenden si më kryesoret.

Raporti gjeti se përveç që në përgjithësi ka barriera financiare më të mëdha se shumica e popullsisë shqiptare, pjesëtarët e komuniteteve pakicë, po ashtu përballen me çështje gjeografike, sepse jetojnë kryesisht në zona rurale, duke i bërë më të izoluar dhe me qasje më larg nga institucionet shëndetësore.

RrGK po ashtu thotë që qasja në transport gjithashtu mund të ndikojë qasjen në kujdesin shëndetësor, me 51 përqind të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve të anketuar që kanë raportuar të kenë ecur në vizitën e tye të fundit mjekësore.

Mungesa e furnizimit të shtetit me barna i lë gratë pa trajtim

hulumtimin e vitit 2015 të Solidar Suisse dhe Balkan Sunflowers thuhet se 80 për qind e të anketuarve nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kishin thënë se nuk vizitonin mjekun për shkak të pamundësisë për të paguar trajtimin ose ilaçin.  

Në spitalet publike, ku shërbimi mjekësor është pa pagesë, ndodh shpesh që barnat të përshkruhen për t’u blerë në treg, përfshirë ato që duhen paguar nga buxheti nacional.

Lindita Qosa thotë se të gjitha barnat në spitalin publik të Mitrovicës jugore i përshkruheshin që t’i blinte, por gjatë trajtimit në spitalin në veri, kur e humbi fëmijën, barnat iu kishin ofruar falas.

Për shkak të kostos financiare të terapive që i ishin përshkruar kur ishte diagnostikuar me hipertension, Lindita thotë se e kishte të vështirë ta menaxhonte atë gjatë shtatzënisë. Përfaqësuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës në jug e pranojnë se nuk qëndrojnë mirë sa i përket furnizimit me barna.

“Po detyrohemi me ju thënë pacientëve me i ble vetë”, thotë Sadik Fejza, shef i Obstetrikës. “Nëse ata nuk kanë, as ne nuk po kemi”.

Spitalet anembanë Kosovës përballen me mungesë barnash dhe pajisjesh mjekësore, përfshirë ato esenciale që duhet të ofrohen nga vetë shteti. Foto: Arbër Murturi.

Ministria e Shëndetësisë e përpilon Listën Esenciale të barnave që përfshin barnat për nevojat themelore të shëndetit publik, me të cilat është e obliguar t’i furnizojë spitalet dhe të cilat mbulohen nga buxheti shtetëror. Por shumë nga këto barna mungojnë edhe në QKUK, sipas drejtoreshës së Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada. “Nganjëherë e kemi një bar një kohë, më nuk e kemi. Kur qëndrojmë keq sa u përket barnave, u themi pacientëve që duhet t’i blejnë vetë”, thotë ajo.

Por, jo të gjithë pacientët mund t’i blejnë ato.

“Disa nga ilaçet që më përshkruheshin [në Mitrovicë] kushtonin 5 euro, disa 3 euro. Ku me i marrë unë paret, kur nuk punon askush në familje. Shpesh nuk i kam blerë fare ato”, thotë Lindita Qosa.  

Aktivistja Agnesa Toska e Syrit të Vizionit në Pejë thotë se gjatë aktiviteteve të kësaj organizate janë vërejtur raste të shpeshta kur, përveçqë nuk kanë mundur të blejnë barnat e përshkruara nga mjekët, gratë e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë nuk kanë mundur të blejnë as kontraceptivë dhe as spirale për mbrojtje nga shtatzënitë e padëshiruara.

Në Fushë Kosovë, në një barnatore afër lagjeve 28 dhe 29 Nëntori e banuar kryesisht nga familjet rome, ashkalie dhe egjiptiane aktivistja Bajramshah Shala e organizatës joqeveritare “The Ideas Partnership”, e cila fokusohet më shumë në arsimimin e komuniteteve pakicë, shpesh blen barna për t’ua dhuruar këtyre grave.

“Nuk kanë mundësi me i ble barnat që u përshkruhen në terapi dhe mbesin keq”, thotë ajo. “Nëse nuk ua japim ne, ndoshta nuk i përdorin fare”.

Më herët këtë vit, ministri i shëndetësisë Uran Ismaili, zotohej se do të përmirësohej sistemi i planifikimit dhe i shpërndarjes së barnave esenciale. “Kemi krijuar një sistem përditësimi dhe monitorimi të stoqeve dhe kontratave [për furnizim], i cili do të na mundësojë ta kemi pasqyrën e saktë [të tyre] deri në 4 muaj para skadimit të një kontrate”, shkruante Ismaili në faqen e tij zyrtare në Facebook më 3 mars.

Por, bazuar në të dhënat e lëshuara për K2.0 nga Barnatorja Qendrore e Shërbimit Farmaceutik QKUK dhe ShSKUK, nuk shihet përmirësim në gjendjen e furnizimit përmes listës esenciale në krahasim me vitet paraprake.

Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 furnizimi nga Barnatorja Qendrore ka qenë 65 për qind për barna në raport me kërkesat e klinikave, 55 për qind për materiale shpenzues bazike dhe 50 për qind për citostatikë [që shpesh përdoren për trajtim të kancerit], afërsisht sa më 2017, kur furnizimi për barna ka qenë 61.7 për qind, për material shpenzues 54.2 për qind, dhe për citostatikë 45 për qind.

Më mirë gjendja kishte qenë më 2016, kur furnizimi me barna kishte arritur në 70 për qind, material shpenzues 60 për qind dhe për citostatikë po ashtu 60 për qind.

Industria e ndjeshme e barnave vazhdimisht është përballur me pasiguri në cilësi të produkteve, raport korruptiv mjek-kompani furnizuese, blerje të barnave me çmim shumëfish më të shtrenjtë, e probleme të tjera. Sipas raportit të publikuar nga Instituti Columbus në maj 2018, rreth 200 produkte barnash dhe pajisjesh mjekësore ishin blerë nga Ministria e Shëndetësisë me çmime abuzive të larta. Në raport gjithashtu thuhet se buxheti për barna të listës esenciale po rritet, por kjo nuk po ndikon në furnizim më të mirë me barna në spitale publike.

Donacionet kanë ndikuar që të mos vërehet dukshëm mungesa e furnizimit me barna të listë esenciale. - Gojnovci.

Barnatorja Qendrore nuk ka lëshuar të dhëna specifike për furnizimin e Klinikës së Gjinekologjisë dhe të Neonatologjisë në QKUK. Por për ndryshim prej repartit të gjinekologjisë, ku shpesh barnat mungojnë sipas drejtuesve të klinikës, në atë të neonatologjisë gjendja raportohet më e mirë falë donacioneve.

Drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci, thotë se kanë pranuar donacione nga organizata joqeveritare, fondacione e kompani farmaceutike, në vlerë të 150,000 eurove më 2017 dhe të 50,000 eurove deri në qershor 2018.

Donacionet ndihmojnë furnizimin e klinikës jo vetëm me ilaçe por edhe me teknologji dhe pajisje mjekësore. Për shembull, “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” sivjet kishte dhuruar një aparat për matjen e vlerave të bilirubinës, që u mundëson mjekëve të menaxhojnë raste të hiperbilirubinisë, e cila mund të shkaktojë mosfunksionim e trurit. Këto pajisje zakonisht kushtojnë rreth 3,000 euro. Donacione të tjera kanë përfshirë ultrazë portabil me vlerë prej 17 mijë eurosh, si dhe barna Tobramycin, Dexamethason dhe Metronidazol për trajtimin e infeksioneve dhe të inflamacioneve të ndryshme.

Gjithashtu klinika kishte pranuar 30 pako me veshëmbathje për fëmijë rastesh sociale, barna dhe material shpenzues në vlerë prej gjashtë mijë eurosh nga “Care for Kosova Kids”; dezinfektues, qumësht pluhur dhe aparat për dezinfektim nga “Medikos Pharm”; Film OVE për rentgen 400 copë nga “Medica”; kartrixh për analizator për të matur nivelin e dioksidit të karbonit te foshnjet dhe për t’i evidentuar problemet me frymëmarrje që mund t’i shkaktojë ai, donacion ky nga kompania farmaceutike “KEIS” (Kosova Export Import Supply Pharmaceutical); inventar nga NLB Banka e donacione të tjera.

Sipas Gojnovcit, donacionet kanë ndikuar që të mos vërehet dukshëm mungesa e furnizimit me barna të listës esenciale.

OJQ-të ndërhyjnë aty ku shteti mungon

Në mes të shtëpive të vogla e të dëmtuara në lagjet 28 dhe 29 Nëntori në Fushë Kosovë, ndodhet një ndërtesë trikatëshe ku çdo të mërkurë mblidhen gra shtatzëna dhe lehona të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë me organizimin e OJQ-së “The Ideas Partnership”.

Gjatë takimeve, përveç kontrolleve mjekësore pa pagesë që ofron organizata, mbahen edhe ligjërata informuese për shtatëzanitë e padëshiruara dhe planifikimin familjar.

Tridhjetë gra i ndiqnin këto aktivitete vetëm në muajin korrik 2018.

Organizata e sheh si të rëndësishëm vetëdijesimin e grave pasi, sipas saj, mungesa e informacionit për t’u mbrojtur e evituar shtatzanitë e padëshirueshme, si dhe mungesa e kushteve financiare, çojnë në rritjen e numrit të aborteve te këto komunitete.

Një raport i Zyrës së Avokatit të Popullit i vitit 2016, thotë se 37 për qind e grave rome, ashkalie dhe egjiptiane kanë raportuar të kenë pasur një abort. Sipas të njëjtit raport, vetëm 19 për qind e këtyre grave përdorin metoda moderne kontraceptive për mbrojtje.

Edhe anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë, MICS, 2013-2014, e ASK-së, sugjeronte se vajzat nga këto komunitete pakicë kanë më shumë gjasa për të kryer lindje para moshës 18 vjeçare dhe kanë më pak informata për mbrojtjen nga shtatzënitë e padëshiruara.

Më 6 korrik 2018, në aktivitetin e “The Idea Partnership”, një grua 40 vjeçe rome bisedonte me mjeken për brengat e saj, pasi dyshonte se kishte mbetur shtatzënë.

“Më janë vonuar menstruacionet. I kam gjashtë fëmijë; po dyshoj që kam mbetë prapë shtatzënë. Po ndihem e lodhur”, thoshte ajo.

Në qendër nuk u kishte mbetur test i shtatzënisë, prandaj mjekja e këshilloi të shkonte në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë për t’u kontrolluar.  

“A nuk po ke qejf me kanë shtatzënë a?”, e pyeti mjekja.

“Jo, po më vjen marre, se jam e vjetër. Çika m’i ka bo 20 vjet, është e fejuar”, u përgjigj gruaja.

“Të mërkurën shko te doktori”, e këshilloi mjekja dhe e pyeti a ka biseduar me burrin për abort të mundshëm nëse testi do të dilte pozitiv.

“As burri nuk po ka qejf me kanë shtatzënë”, iu përgjigj gruaja.

“Kur të shkojsh, qysh po më tregon mu, tregoji mjekut. Plus je 40 vjeçe, e [lindja] mundet me qenë rrezik për shëndetin”, i tha mjekja.

Gruaja nuk kishte pasur para për të blerë kontraceptiv, ndërsa ata që kohë më parë ia kishin dhënë në qendër, i ishin harxhuar.

Gratë e komuniteteve pakicë marrin pjesë edhe në klasat për nëna që mbahen të marteve dhe të premteve, nga ora 12 në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK me organizimin e fondacionit “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë”. Aty, pacientet në prag të lindjes këshillohen si t’i përdorin teknikat për lehtësimin e dhimbjeve të lindjes, për mirëmbajtje të prerjeve cezariane, ushqyeshmërinë, gjidhënien dhe kujdesin për bebet.

OJQ-të angazhohen për t’u ofruar grave të komuniteteve minoritare qasje në arsim dhe kontraceptivë. Fotoja e marrë nga Syri i Vizionit.

Në lagjen “7 Shtatori” dhe në Vitomiricë të Pejës, një përpjekje e ngjashme ishte kur “Syri i Vizionit” organizoi një fushatë për planifikimin familjar ndër komunitete. Këto takime informuese me gra mbahen çdo muaj dhe zgjasin një orë. Meqë shumë gra nuk dinë shkrim e lexim, në aktivitete u shfaqen më shumë video.

Edhe Lendita Qallaku ishte një nga gratë që kishte marrë pjesë në këto takime informuese. Ajo thotë se kishte kryer gjashtë aborte pas lindjes së katër fëmijëve, dhe që të gjitha i kishte kryer me pilula para javës së 10-të të shtatzënisë.

Pavarësisht disa aborteve, ajo kishte mbetur shtatzënë edhe dy herë dhe kishte lindur dy fëmijë. Pas lindjes së djalit të vogël në spitalin e Pejës, Lendita thotë se sakrifikoi “kafshatën e bukës” vetëm që të bënte një zgjidhje për parandalimin e shtatzënive. Ajo e gjeti zgjidhjen te injeksionet, të cilat i mori çdo tre muaj dhe që i kushtuan 20 euro.

“Kam marrë injeksione tri vjet”, thotë ajo. “Menstruacionet nuk po më vinë ma e kam shtuar shumë peshë. Tash i kom ndërpre krejt”.

Injeksionet janë një nga metodat për mbrojtje nga shtatzënitë e padëshiruara. Sipas gjinekologut Memli Morina, injeksionet, apo siç quhen ndryshe depo-provera, jepen një herë në tre muaj dhe konsiderohen si mënyrë e sigurt e kontracepcionit. “Nëse ky injeksion merret me rregull, gjasat janë shumë të vogla që mund të ndodh një shtatzëni”, thotë ai.

Aktualisht, Lendita nuk përdor ndonjë mjet kontraceptiv për t’u mbrojtur nga shtatzënitë e padëshiruara dhe është në pritje të rregullimit të ciklit menstrual, për ta shqyrtuar pastaj rekomandimin e mjekut të saj për vendosjen e spirales.

Përkrahja nga organizatat ua mundëson grave të kenë qasje më të lehtë në klinikat ku kërkojnë shërbime shëndetësore. Angesa Toska e “Syrit të Vizionit” thotë se prania e personit të trete është me rëndësi. “Komunikimi dallon, qasja dallon në momentin që shkon dikush”, thotë ajo.

Në gjysmën e parë të 2018 gjithsej 30 gra nga dy lagje të Fushë Kosovës kanë lindur pasi që janë ndihmuar nga Ideas Partnership. Në vitin 2017 ata ndihmuan gjithsej 65 gra.

“The Ideas Partnership” ua siguron grave edhe transportin për lindje ose kontrolle te gjinekologu.

“Gratë e kanë numrin tim. U kam thënë se mund të më thërrasin kurdo”, thotë aktivistja Bajramshah Shala. “Nuk përtoj edhe nëse është në pikë të natës. Ka pasur raste kur kam vrapuar në pizhame, vetëm kam veshur pallton e pantallonat dhe i kam dërguar në spital për lindje”.

Shala shpesh pret para sallës së lindjes derisa të sigurohet se gratë kanë lindur dhe se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

Qindra gra janë ndihmuar vetëm nga “The Ideas Partnership”. Në gjysmën e parë të 2018 gjithsej 30 gra të dy lagjeve në Fushë Kosovë që kanë lindur janë ndihmuar prej organizatës, e cila ka filluar t’i ofrojë këto shërbime në vitin 2013; në vitin 2017 ishin ndhmuar gjithsej 65 gra.

Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë në QKUK, infermieret nga Fondacioni “Aksioni për Nëna për Fëmijë” kujdesen edhe që gratë të mos ndihen të diskriminuara.

“Ka raste kur kemi pasur tri paciente të komuniteteve [romë, ashkali dhe egjiptianë] dhe nuk i kemi vendosur të gjitha në një dhomë, për shkak të socializmit me komunitetin tjetër”, thotë infermierja dhe ligjëruesja Qamile Begolli Zeqiraj. “Në tre shtretër, i kemi vendosë një të komunitetit rom, dy të komunitetit shqiptar”.

Megjithatë, nisma të tilla njëherë për njëherë mbesin plotësisht të varura nga ekzistenca dhe kapacitetet e organizatave të sektorit të tretë.

Ndërkohë, diskriminimi dhe trajtimi përjashtëues mbizotërojnë në institucionet publike. Për gratë e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian, kjo nënkupton pasiguri të vazhdueshme dhe mungesë të përkrahjes për shëndetin e tyre dhe të foshnjave të tyre.

Redaktuar nga Artan Mustafa.
Redaktim shtesë: Besa Luci, Jack Butcher.
Redaktim i gjuhës: Gazmend Bërlajolli.

Foto kryesore: Arbër Murturi.

Ky artikull është shkruar si pjesë e programit të K2.0, Bursa në gazetari për të drejtat e njeriut, 2018.

Kthehu prapa tek Monografia