Gjatë kohëve të ndryshimeve politike dhe shoqërore, sivjet DokuFest na fton të gjithëve të marrim frymë thellë e të reflektojmë. Përveç që, si gjithmonë, ofron filma, shfaqje, biseda, ekspozita dhe koncerte, sivjet të gjithë vizitorët e festivalit ftohen për t’u kënaqur me arte dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të reflektuar mbi veten dhe ambientin nëpërmjet mediumeve të ndryshme.
Veton Nurkollari, drejtori artistik i festivalit, thotë se për temën fillimisht u frymëzuan nga dy këngë: “I’ll Be Your Mirror” e Velvet Underground dhe “Come As You Are” nga Nirvana. Kjo temë e reflektimit do të zbulohet gjatë dhjetë ditëve të ardhshme deri sa shpaloset festivali.
“Si shoqëri, na pëlqen të kritikojmë shumë, por realisht nuk ulemi për t’u ballafaquar me probleme dhe për të parë zgjidhje”, thotë Nurkollari. Për të, DokuFest është platforma e përkryer për diskutime të frytshme, për zhvillime shoqërore dhe politike që mund të kontribuojnë tek ajo që ai e sheh si një lëvizje në rritje nëpër botë.
Festivali nis sonte (3 gusht) me premierën ndërkombëtare të “The Raft”. Ky dokumentar i metrazhit të gjatë tregon se çfarë ndodh kur pesë burra dhe gjashtë gra shkojnë në një udhëtim tre-mujor të izoluar nëpër Oqeanin Atlantik. Në përputhje me temën, pjesëmarrësit reflektojnë për përvojat e tyre gjatë viteve të 70-a, përfshirë këtu dhunën, agresionin dhe tërheqjen seksuale.
Në përgjithësi do të shfaqen më shumë se 250 filma nga më shumë se 50 shtete në gjashtë kategori garuese: Balkan Dox, International Dox, Human Rights Dox, Green Dox, International Shorts dhe National.
Festivali gjithashtu do ta prezantojë shtetin e vogël të Tajvanit për audiencën, me programin “Birth of a Nation: Focus on Taiwan”, i cili përfshinë 25 filma të zgjedhur për të vërë në pah zhvillimin shoqëror dhe politik të Tajvanit. Ky program përfshinë punime të vlerësuara nga kritikët, si “Yi Yi” (A one and a Two) e Edward Yang. Në tërësi ofron një retrospektivë të aspekteve pozitive dhe negative në historinë tajvaneze. Nurkollari shpjegon se Kosova dhe Tajvani ballafaqohen me çështje të njëjta të kombësisë dhe identitetit, pasi që, si ajo e Kosovës, pavarësia tajvaneze njihet vetëm nga disa vende të caktuara.
Për ta eksploruar më tej temën e sivjetme “Reflektimi”, disa panele dhe debate janë kuruar për ta shoqëruar programin gjatë festivalit. Prej reflektimit për ‘anën tjetër’ të 90-ve, te eksplorimi i përjetimeve të ndryshme të realiteteve jugosllave e deri te diskutimet për çështje aktuale, përfshirë këtu trajtimin e sfidave për ambientin dhe luftën kundër stigmatizimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale.
E theksuar në programin e sivjetshëm është ndjesia e inkorporuar e përfshirjes. Nga tema parimore, organizatorët krijuan sllogane të tjera si: ‘I’ll be your mirror, reflect me in you” (Unë jam pasqyra jote, më reflekto tek vetja) dhe ‘come as you are’ (hajde ashtu qysh je). Për drejtoreshën e festivalit, Nita Dedën, këto shërbejnë si thirrje e hapur për publikun, që të jenë të sinqertë me veten, për shkak se është mundësia e vetme për ta njohur dhe pranuar përgjegjësinë shoqërore që e kemi. “Në vend se të ligjërojmë, duam ta krijojmë një hapësirë për rritje dhe zhvillim”, thotë Deda për K2.0.
Sllogani i vitit të kaluar “the future is a girl” (e ardhmja është vajzë) është transformuar në “girls are now” (vajzat janë e tashmja). Sivjet, në filmat që do të shfaqen në DokuFest kanë punuar 210 producente dhe regjisore gra. Kreativiteti i grave kosovare do të tregohet me një performancë të rapsodisë femërore më 7 gusht në skenën e festivalit në kalanë e Prizrenit. Bendi do të performojë këngë tradicionale me Def dhe këndim me fyt.
Festivali do të hapet dhe mbyllet me performanca të muzikanteve. DJ dhe këngëtarja e muzikës soul, Qendresa, do ta hap sonte (3 gusht) serinë e DokuNights, dhe ansambli tradicional Saz’iso nga Shqipëria do ta mbyll festivalin në Lumbardh të shtunën më 11 gusht.
Për programuesin e Filmave të Shkurtër, Samir Karahodën, theks i festivalit është prania e kineastëve iranian, Ali Asgari dhe Farnoosh Samadi. Do të shfaqen pesë nga punimet e kësaj duo, përfshirë këtu filma që kanë fituar çmime në Venedik, Sundance dhe Kanë. Ata gjithashtu do ta mbajnë një masterklasë të martën (7 gusht). Në të do të reflektohet veçanërisht për shoqërinë iraniane dhe atë se si mund të vazhdohet praktika e filmbëries në një ambient tepër të kontrolluar politikisht.
K2.0 përsëri do të jetë partner medial i DokuFest, duke ofruar gjatë tërë javës përmbajtje në formë të intervistave, kryeartikujve dhe rekomandimeve. Kënaquni!
Foto kryesore: Tuğhan Anıt / DokuFest.