Kudo në botë, mediat dhe sistemi gjyqësor e prokurorial kanë mospajtime të rregullta rreth asaj që duhet të jetë publike dhe asaj që nuk duhet të jetë publike. Zakonisht ligji e rregullon shumicën e çështjeve, por gjithmonë ka hapësirë për interpretim dhe pakënaqësi.
As në Kosovë nuk është më ndryshe. Nevoja e medias për ekskluzivitet shumë shpesh ndeshet me nevojën e sistemit për saktësi. Kjo nuk domethënë që media nuk e ka për qëllim saktësinë, sepse në Kosovë ekziston një numër i konsiderueshëm i mediave që mbështeten në saktësi. Por në përgjithësi, nevoja për ekskluzivitet ka dëshmuar të jetë skajshmërisht e rëndësishme për mediat. Prandaj, shpesh jemi dëshmitarë të shkeljeve substanciale të ligjit, për arsye që shtrihen prej mungesës së qartësisë ligjore e deri te të kuptuarit e pamjaftueshëm nga ana e mediave se çka duhet e çka nuk duhet publikuar.
Nevoja për klikime shpesh kontribuon në dykuptimësinë e raportimit dhe pasaktësitë e tij. Është fakt që nuk ka linja të prera për secilën çështje mes asaj që lejohet të botohet, dhe asaj që nuk lejohet, megjithatë ekzistojnë disa udhëzime mjaft të qarta që mund të nxjerren nga ligjet vendore. Është e pamundur të adresohen të gjitha këto në një artikull, prandaj këtu do të përqendrohemi në kallezimet penale, aktakuzat, aktgjykimet dhe seancat gjyqësore – katër nga rezultatet kryesore të proceseve prokuroriale/gjyqësore.
Kallëzimet penale – prej policisë e deri te personat dhe entitetet publike
Kallëzimet penale janë pjesa e parë e ekuacionit. Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës (nenet 78, 79 dhe 81), kallëzimet penale mund të paraqiten nga entitetet publike, personat (p.sh. qytetarët) dhe Policia, dhe të gjitha ato do të duhej t’i dorëzohen prokurorit shtetëror. Në realitet, ato zakonisht bëhen nga policia, të cilët e bëjnë bashkë kallëzimin penal bazuar në informatat dhe dëshmitë e mbledhura për një person të caktuar; ai dorëzohet tek prokurori i shtetit bashkë me objektet, skicat, fotografitë, raportet në dispozicion, dosjet e çfarëdo masave apo veprimeve të ndërmarra, shënimet zyrtare, deklaratat dhe materialet e tjera që do të mund të kontribuonin në zhvillimin efektiv të procedurës.
Përderisa shumica e njerëzve e dinë që kallëzimet penale janë në përgjithësi të hartuara nga Policia, shumë nuk e dinë që ky është vetëm hapi i parë në procesin e gjatë të mbledhjes së dëshmive. Fakti që Policia e ka hartuar kallëzimin penal për një individ, nuk rezulton gjithmonë me aktakuzë; ndonjëherë masat dhe veprimet e ndërmarra nga Policia, dëshmitë, si dhe informatat e mbledhura, nuk ofrojnë bazë për dyshim të bazuar që vepra penale është kryer, prandaj kallëzimi penal hudhet poshtë.
Koncepti më i rëndësishëm që duhet ta kemi parasysh kur bëhet fjalë për aktakuza, është prezumimi i pafajësisë.
Kur bëhet fjalë se a do të duhej apo jo që kallëzimet penale të bëhen publike, neni 83 i Kodit të Procedurës Penale e specifikon qartë se Policia, prokurori i shtetit dhe entitetet e tjera publike, obligohen të procedojnë me kujdes në mbledhjen dhe dhënien e informacioneve, duke u kujdesur që të mos e rrezikojnë dinjitetin dhe reputacionin e personave që apostrofohen në këto informacione.
Media nuk përmendet askund në këtë proces të mbledhjes së dëshmive për kallëzimin penal, apo pas dorëzimit të tij tek prokurori, duke na lënë të kuptojmë që kallëzimet penale nuk janë publike.
Aktakuzat — prokuroria
Hapi i dytë pas kallëzimit penal është aktakuza. Ashtu siç është cekur më lartë, kallëzimet penale nuk rezultojnë gjithmonë në aktakuza, por ato që kanë një përfundim të tillë, zakonisht përcillen me hetime shtesë. Kur prokurori konsideron që fajësia mund të dëshmohet me dyshim të bazuar, atëherë ngritet aktakuza.
E gjithë procedura e ngritjes së aktakuzës është e përshkruar qartë në Kapitullin XV të Kodit të Procedurës Penale. Koncepti më i rëndësishëm që duhet ta kemi parasysh kur bëhet fjalë për aktakuza, është prezumimi i pafajësisë, që do të thotë se i pandehuri prezumohet i pafajshëm deri sa të dëshmohet fajësia e tij, madje edhe me aktakuzë.
Dhe kjo është një fazë ku parimi i prezumimit të pafajësisë shpesh harrohet. Aktakuza është faza më e ndjeshme e procesit, duke pasur parasysh që zakonisht tërheq vëmendje të medias për shkak se me këtë hap rastet bëhen të ditura. Por media ka shpesh një shprehi të keqe të publikimit të aktakuzës kundër një të pandehuri të caktuar, pa e marrë parasysh faktin që i pandehuri mund të jetë i pafajshëm, ose, së paku, pa u siguruar që ky prezumim reflektohet në publikimin e tyre.
Një shembull i shkëlqyeshëm i kësaj është rasti i vdekjes së Hamdi Sopës, i cili kishte punuar në zyrën e kryeministrit. Në vitin 2013, pas vdekjes së tij, një pjesë e madhe e mediave kosovare e “keqtrajtoi” familjen e tij për muaj të tërë, duke u bazuar në aktakuzën e ngritur kundër gruas së Sopës dhe fëmijëve të tij. Me qindra artikuj u shkruan për këtë rast gjatë kohës sa ato mbaheshin në paraburgim. Pas ekspertizës së ekspertëve të udhëhequr nga EULEX-i, që nuk gjeti që vdekja e tij nuk ishte bërë në rrethana të dyshimta, dhe që tri gratë nuk ishin të përfshira në vdekjen e tij, ato u liruan. Megjithatë, të njëjtat media që e mbuluan dhe shkruan për këtë rast për muaj të tërë, në fund raportuan shumë pak. Në fakt, ato shkruan aq pak saqë ende vazhdon të mbetet e paqartë për opinionin publik se çka kishte ndodhur në fund me këtë rast, çfarë hetime ekspertësh ishin bërë dhe nëse gratë që ishin etiketuar si “monstra” nga media ishin liruar nga aktakuza.
Ky rast demonstron se çfarë dëmi mund të bëjë raportimi joprofesional, dhe po ashtu tregon se pavarësisht sa kohë kalon, dëmi vazhdon të mbetet i njëjtë. Fatkeqësisht, ky rast nuk është i vetmi. Prandaj gazetarët duhet të jenë shumë të vëmendshëm kur raportojnë për gjykime/procedura prokuroriale dhe duhet ta adresojnë në mënyrë të duhur prezumimin e pafajësisë.
Publikimi i pavend i aktakuzave nuk është faj vetëm i gazetarëve, por përgjegjësia bie edhe në burimet prej ku është marrë aktakuza, zakonisht avokatët.
Me qëllim të rregullimit të këtyre mangësive, vitin e kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës e hartoi dhe ratifikoi Rregulloren për Komunikim Publik. Kjo rregullore ka për qëllim që ta informojë publikun pa e shkelur ligjin.
Përderisa Kodi Penal i Kosovës apo edhe Kodi i Procedurës Penale nuk kanë asgjë specifike të shkruar për publikimin apo jo të aktakuzave, bazuar në praktikat aktuale dhe në komunikatat për shtyp të zyrës së Prokurorit të Shtetit, për ngritje të aktakuzave, është e qartë që vetë aktakuzat nuk janë çështje për publikim; prokuroria i publikon vetëm inicialet e emrave dhe detajet e veprës penale të supozuar. Është fakt që ngritja e aktakuzës lë të supozohet që ekzistojnë dëshmi përtej dyshimit të bazur, por megjithatë prezumimi i pafajësisë vazhdon të qëndrojë dhe ne duhet të sigurohemi që kjo reflektohet kur raportojmë/shkruajmë për këto raste. Se a duhet të publikohen aktakuzat në tërësinë e tyre, apo jo, është një debat krejtësisht tjetër që duhet të adresohet me kujdes.
Por pavarësisht faktit që Zyra e Prokurorit të Shtetit publikon vetëm iniciale, e njëjta nuk vlen edhe për media. Shpesh, aktakuzat publikohen në plotni, madje edhe para se të shihen prej të pandehurve. Kjo nuk është e drejtë në shumë nivele: e para, i pandehuri duhet të jetë personi i parë që e sheh aktakuzën, dhe jo ta kuptojë atë nga mediat; dhe e dyta, një aktakuzë përmban shumë të dhëna private që nuk do të duhej të bëhen publike, si numri personal, adresa e shtëpisë dhe emrat e anëtarëve të caktuar të familjes.
Publikimi i pavend i aktakuzave nuk është faj vetëm i gazetarëve, por përgjegjësia bie edhe në burimet prej ku është marrë aktakuza, zakonisht avokatët. Kjo është një arsye tjetër pse është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vendoset një sistem i përbashkët nga gjyqësori, prokuroria dhe mediat, që do të qartësonte çështjen e publikimit të aktakuzave për palët e interesuara.
Aktvendimet/Aktgjykimet — gjykata(t)
Kur bëhet fjalë për aktvendimet dhe aktgjykimet, njerëzit shpesh janë të hutuar sepse mediumi zakonisht nuk e bën dallimin mes fazave të vendimit për të cilin raporton. Sistemi i gjykatave në Kosovë përbëhet nga gjykatat e rregullta (Gjykata Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme) dhe nga Gjykata Kushtetuese.
Përvoja tregon që aktvendimet zakonisht duhet të bëhen publike. Megjithatë ekziston një dallim mes aktvendimeve të niveleve të ndryshme të gjykatave, dhe mes tipeve të ndryshme të aktvendimeve të lëshuara nga një nivel specifik i gjykatës.
Në anën tjetër e kemi Gjykatën Kushtetuese që gjithnjë i publikon aktvendimet në uebfaqen e vet, duke i bërë të gjitha kështu publike. Por aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të apelohen, prandaj si të tilla ato janë përfundimtare. Prandaj publikimi i tyre nuk është vetëm legal, por edhe i obligueshëm.
Gjykatat duhet të nisin t’i vënë në funksion uebfaqet e tyre dhe t’i shfrytëzojnë ato për t’i publikuar aktvendimet, pasi t’i kenë redaktuar të dhënat private.
Në anën tjetër i kemi gjykatat e rregullta, dhe secila prej tyre i sjell aktvendimet e veta. Në këtë kontekst, jo të gjitha aktvendimet e këtyre gjykatave janë finale, prandaj mediat duhet të kenë kujdes në atë se çka prej këtyre aktvendimeve publikojnë në mënyrë eksplicite.
Sipas nenit 70 të Kodit Penal të Kosovës, gjykata mund të urdhërojë publikimin e një aktvendimi nëse konsideron që publikimi është në interes publik, apo në interes të palës së dëmtuar apo edhe personave të tjerë. Por paragrafi 5 nga i njëjti nen thekston që publikimi i aktvendimit nuk duhet të urdhërohet në rast se ky publikim do ta rrezikonte një fshehtësi zyrtare, privatësinë e personave apo moralin e shoqërisë.
Është e paqartë se çka nënkuptohet me “moralin e shoqërisë”, ndërsa mbetet e vetëkuptueshme se çka janë fshehtësitë zyrtare; mirëpo, shumica e shkeljeve bëhen kur bëhet fjalë për privatësi të personave. Mediumi nuk e ka tërë fajin për këtë sepse ata i publikojnë aktvendimet ashtu si i marrin; ato i marrin ose nga vetë gjykatat, ose nga avokatët, të cilët nuk janë mjaftueshëm të kujdesshëm për t’u thënë që të mos i publikojnë në plotëni, përfshirë këtu edhe të dhënat personale; si në rastet e publikimit të këtyre të dhënave nga aktakuzat, edhe në këto raste, kjo është e padrejtë.
Gjykatat duhet të nisin t’i vënë në funksion uebfaqet e tyre dhe t’i shfrytëzojnë ato për t’i publikuar aktvendimet e aktgjykimet, pasi t’i kenë redaktuar të dhënat private. Kështu do të arrinim shumë më shumë. Të gjitha shtëpitë mediale do ta kishin informacionin e njëjtë, dhe të gjitha do ta merrnin nga burimi i njëjtë.
Seancat gjyqësore
Pos kallëzimeve penale, aktaktuzave dhe aktvendimeve, ndonjëherë ekziston një pasiguri në qarqet mediale në lidhje me atë se a duhet gazetarët të lejohen t’i përcjellin seancat gjyqësore dhe t’i dokumentojnë ato.
Kodi i Procedurës Penalë të Kosovës është shumë i qartë në lidhje me këtë, ashtu siç e cek në nenin 301. Seancat gjyqësore janë të hapura për publikun, pos nëse publiku është i ndaluar në mënyrë eksplicite për arsye të caktuara sipas neneve 294 dhe 295. Përderisa në disa shtete nuk janë të lejuara, në Kosovë mediat lejohen t’i regjistrojnë seancat në gjykatore, sipas nenin 301 (paragrafi 3), pos nëse gjykatësi e lëshon një vendim të shkruar që e ndalon këtë.
Interesi publik si rrethanë përjashtuese
Duke marrë parasysh tërë këtë që është shkruar më lartë, ekziston një përjashtim shumë i rëndësishëm në përcaktimet e përgjithshme të bëra me ligj: interesi publik.
Kodi Penal i Kosovës e përkufizon interesin publik si të aplikueshëm kur “mirëqenia e përgjithshme publike e tejkalon interesin individual.” Fjalori ligjor “Black’s Law Dictionary” e përkufizon atë si: “mirëqenie të publikut në krahasim me mirëqenien e individit privat apo kompanisë. E gjithë shoqëria ka hise në këtë interes dhe qeveria e mbështet promovimin dhe mbrojtjen e publikut të përgjithshëm”.
Informata e njëjtë e cila mund të jetë relevante për interesin publik në disa rrethana apo në një kohë të caktuar, mund të mos konsiderohet të jetë në interes të publikut në rrethana tjera, apo në një kohë tjetër.
Megjithatë, intepretimi i asaj që është interes publik dallon varësisht nga interesat dhe benefitet e raportimit. Përkundër definicioneve, është një koncept jashtëzakonisht i vështirë për t’u përkufizuar dhe zbatuar në praktikë, me debate të shpeshta lidhur me këtë çështje anembanë botës.
Edhe pse nuk kanë zbatueshmëri ligjore në Kosovë, rastet nga jashtë mund të ndihmojnë të tregohet se si mund të merret koncepti i interesit publik. Në rastin APPGER v ICO and Foreign and Commonwealth Office të Mbretërisë së Bashkuar, Tribunali theksoi se “interesi publik duhet të çmohet duke iu referuar rrethanave në kohën apo gjatë kohës kur kërkesa u shqyrtua nga autoriteti publik”. Me fjalë të tjera, kur kjo ka të bëjë me mediat, informata e njëjtë e cila mund të jetë relevante për interesin publik në disa rrethana apo në një kohë të caktuar, mund të mos konsiderohet të jetë në interes të publikut në rrethana tjera, apo në një kohë tjetër.
Për më tepër, është me rëndësi të ekzistojë një test i interesit të brendshëm publik ku mediat i shqyrtojnë argumentet në favor të publikimit të një storje kundërthënëse si dhe ato argumente kundër publikimit të saj. Kjo duhet të bëhet në mënyrë objektive, duke marrë parasysh se gjithmonë ka argumente nga dy taborret.
Çka mund të bëhet për të pasur qartësi më të madhe?
Është lehtë të mbahet qëndrimi se gjërat janë shumë të paqarta dhe se, si të tilla, është shumë vështirë të thuhet se çka duhet të bëhet për t’i qartësuar dykuptimësitë sa i përket raportimit të mediave në lidhje me sistemin gjyqësor dhe prokurorial. Por ç’është e vërteta, ka mjaft informacione që mund t’u ndihmojnë njerëzve të cilët dëshirojnë të lexojnë e të dëgjojnë.
Kjo duhet të nisë pikësëpari me familjarizimin e ligjeve për secilin i cili është i interesuar.
Së dyti, gjykatat dhe prokuroritë duhet të jenë konsistente dhe së këndejmi të krijojnë një sistem i cili u mundëson të jenë të drejtë dhe të barabartë me secilin, dhe ta marrin qëndrimin se ajo që pritet të jetë pubilke duhet të jetë publike për secilin, dhe jo vetëm për mediat dhe gazetarët e caktuar. Nxjerrja e një vegle të përbashkët udhërrëfyese nga gjykatat, prokurorët dhe gazetarët mund të ndihmojë mjaft shumë në këtë drejtim.
Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, të gjitha mediat më serioze kanë ose një zyrë ligjore ose ekspertë të caktuar ligjorë të cilët i angazhojnë për artikujt, lajmet dhe raportet e tyre nga gjykatat dhe prokuroritë. Do të ishte mirë sikur kjo të bëhej praktikë edhe në Kosovë.
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.