Turbina (Skena e Re) është si një lokacion i hapur i gërmimit, brenda së cilit, në mënyrë të harmonishme, është përgatitur skenografia postapoliptike e Sadik Spahijës, “Vox Machina”. Termocentrali i dikurshëm i Tiranës, i cili së fundmi është inauguruar si hapësirë e artit e cila shërben për shumë qëllime, është ende duke u ndërtuar. Programi apo koncepti i plotë ende nuk është zbuluar. Kur kalojnë nëpër shtegun e materialeve të ndërtimit dhe parkingun e improvizuar, vizitorët ndeshen me skulptura madhështore industrialiste të cilat si pikënisje i kanë estetikat formale të makinerive të rënda.
Atmosfera ndizet me tinguj të butë industrialë (të komponuar nga Hajg Zacharian, Endri Sina dhe Ramazan Gurra) të cilët goditen në muret dhe objektet përreth. Një tavolinë e DJ-it është gjithashtu tek hyrja. Hapësira u ngjan lokacioneve të errëta e të lagështa me të cilat Spahija me gjasë është përballur derisa ka gropuar në rrënojat e muzgut të industrializimit të Shqipërisë për këtë ekspozitë. Ky artist dhe profesor i Akademisë së Arteve në Tiranë njihet për skulptura të bronzta – shpeshherë komisione konservatore qeveritare – dhe së fundmi i ka hyrë abstraksionit. “Vox Machina” është artikulimi më i madh i përshkallëzuar i tij deri më sot.
Për këtë ekspozitë, Spahija i ka rimodeluar në mënyrë kirurgjike tubat, shtresat e metalit të ndryshkur, mekanizmat, e madje edhe projektet origjinale dhe dokumentet e ndërtimit. Ai i grumbullon, i var, i ngjet, i lidh, dhe më me ndjeshmëri, i zgjat dhe i shtrin. Proteza të palustruara të qeramikës janë të ngjitura në fund të tubave dhe rrotave; disa janë riprodhime të pjesëve industriale ndërsa disa të tjera janë këmbana. Kështu ato janë shndërruar në instrumente muzikore hibride dhe skulpturore. Nuk janë vetëm makina me trupa të ri; tash ato kanë edhe zë.
Por derisa vizitorët enden në sallën industriale, ata së shpejti e kuptojnë se kjo fabrikë nuk shërben më për prodhime industriale, por shërben si hapësirë për prodhime teatrale. Dëshmitë për këtë janë të shpërndara gjithandej: projektet (të varura në mënyrë dramatike nga tavani thuajse janë të nxjerrë me forcë nga ndonjë printer) janë të bashkuara me dokumente të shpërndara dhe të etiketuara me shkrimin “Otto Infeld – Kunstler Seil – Saiten”, emri i prodhuesit kryesor të telave të violinës në Vienë, që ka ekzistuar shumë kohë para hartimit të planeve të inxhinierëve kinezë për Shqipërinë.
Në këtë vend koha me të vërtetë duket e humbur. Shumë prej instrumenteve të kujtojnë organet e kishave gotike, e disa tët tjerë edhe trombën apo violinat klasike, dhe ndonëse estetika e fabrikës dominon, vizitorët largohen nga fantazimi i tyre industrial prej valltarëve të veshur me ndërresa – kostume të lashta që i zhveshin prej pozitave socio-politike.
Punëtori i ri i fabrikës? Me koreografi të Gjergj Prevazit, një pjesë e madhe e lëvizjeve të tyre duken si të lira nga automatizimi i makinave – pa konsideratë për këtë, ata improvizojnë dhe luajnë me fabrikën në një kakofoni tingujsh dhe lëvizjesh. Me t’u kapluar në mënyrë kaotike i gjithë peizazhi, vëmendja jonë tërhiqet jo nga lëvizjet e tyre atletike, por nga ndriçimet periodike teatrale te këmbët e makinave. Rrezatojnë ngjyra të ngrohta të verdha dhe të kaltra fosforike, duke krijuar një teatër në një vend ku nuk ka nevojë për teatër. Duke i hedhur poshtë skulpturat e ndryshkura në sferën e objekteve skenike, dhe duke i trajtuar vizitorët si një audiencë e cila është e uritur për zbavitje, ky instalacion i shndërruar në teatër të huton.
Altoparlantët e ngulitur në makina konfirmojnë faktin se fabrika nuk ka nevojë për njerëz për të luajtur; luan vet. Duke përdorur strategji të zbavitjes në mënyrë jokritike, artisti e dobëson projektin artistik dhe e huton interpretimin. Duke e bërë spektakolare atë që është poetike, koha dhe historia – vet veprimi i interpretimit – përfshihen në diçka tjetër. Në dëshirën për monumentalitet, thelbësorja margjinalizohet, e humbur në dyshemenë e fabrikës.
Foto kryesore: Albes Fusha.