Kur ekipi i K2.0 vizitoi ekspozitën ‘‘Gardianët e Parajsës, zemrat dhe mendjet në Korenë e Veriut’’ në Biblotekën Kombëtare ‘‘Pjetër Bogdani’’ në Prishtinë, rastësisht e dëgjuam bisedën mes tre-katër shokëve. Fillimisht, shokët provuan të hyjnë në njërën nga zyrat e katit të dytë të biblotekës, por dera ishte e mbyllur. U ndalën të prisnin, dhe ndoshta për të mos pritur kot, nisën ta diskutonin ekspozitën.
Më i zhurmshmi prej tyre mori primatin e bisedës. Filloi të fliste për diktatorin Kim Jong Un, pastaj pyeti: ‘‘k’ta kineztë çka po lypin k’tu?’’ duke iu referuar koreano-veriorëve. Përderisa të tjerët qeshnin, në një nga ndërprerjet e pakta të llafazanit, njëri nga shokët i tha, ‘‘bir, po shkrun Korea e Veriut’’.
‘‘Ani de, pse a s’janë njëjtë a?’’, u përgjigj i pari, dhe vazhdoi t’i komentonte lidhjet e ngushta të 40 viteve më parë mes Shqipërisë e Kinës, përderisa veçonte emrin e Enver Hoxhës, duke e përcjellë thuajse secilën fjali me pyetjen: “po çka?” — me demek çka arriti? Nuk u mor më me pyetjen e shokut të tij, tashmë vëmendjen ia kishte marrë një uniformë ushtarake koreano-veriore për foshnja — dukej i ngazëllyer nga ajo.
Aspak s’jemi të bindur se shokët nuk e dinin dallimin mes dy kombeve. Mund ta kishin kuptuar se jemi gazetarë — ndoshta nga pajisjet — dhe po tregoheshin ironikë para nesh, apo edhe mund të ishin cinikë ndaj ekspozitës. Apo ndoshta nuk donin ta bënin dallimin mes koreano-veriorëve e kinezëve, edhe pse e dinin.
Ata djem nuk ishin të vetmit që kishin gjëra për të thënë për ekspozitën me fotografi nga kompania kinematografike “Traavik.Info” që u shfaq nga 31 tetori deri më 11 nëntor në hollin e Biblotekës. Fotografitë e ekspozuara — të shkrepura nga Morten Traavik dhe Jørund F. Pedersen — shpalosnin momente të përditshmërisë në Korenë e Veriut, vend të cilin autorët e ekspozitës e kanë vizituar më shumë se 20 herë.
Filmi dokumentar i realizuar nga Traavik për koncertin e Laibach në Pyongyang u shfaq pas hapjes së ekspozitës në Prishtinë.
Në njërën prej këtyre vizitave, kur regjisori Morten Traavik e organizoi koncertin e grupit slloven Laibach në vitin 2015 — performanca e parë atje nga një grup perëndimor — atij dhe grupit muzikor iu organizua një pritje zyrtare plot satirë nga Kryetari i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore, z.Ryu.
Gjatë pritjes, z.Ryu e përshkruante grupin e rokut industrial Laibach si të tmerrshëm, ofendues dhe neo-nazist, pasi veshjet e tyre ngjasojnë me ato të nazistëve. Që kur është formuar në vitin 1980 në Jugosllavi, grupi slloven Laibach ka bërë emër me parodi të totalitarizmit, nacionalizmit dhe militarizmit, si dhe duke përdorur imazhe kontraverse në artin e tyre.
Për z.Ryu ishte e papranueshme që Republika Popullore Demokratike e Koresë (RPDK) — një vend anti-fashist që luftoi kundër imperializmit japonez — shokëve të dikurshëm të nazistëve e fashistëve evropianë — në 70 vjetorin e çlirimit ta ftonte këtë grup për të performuar në kryeqytetin e Koresë Veriore.
Filmi dokumentar i realizuar nga Traavik për koncertin e Laibach në Pyongyang u shfaq pas hapjes së ekspozitës në Prishtinë. Gjatë bisedës që e bëmë më pas me Traavik, ai u tregua kontravers në stilin e zakonshëm, edhe pse paraqitej si i lënduar nga reagimet që nxiti këtu puna e tij.
Portretet e diktatorëve koreano-veriorë krahas portreteve të rilindasve shqiptarë
Para hyrjes së Biblotekës Kombëtare ishte vendosur një thënie e Kim Jong IL, ish-udhëheqësit suprem të Koresë Veriore: “Letërsia kombëtare e zhveshur nga fryma e pavarësisë kombëtare, nuk është gjë tjetër veçse një trup pa shpirt”.
Kur vazhdoje në brendësi të biblotekës, anash gjendej një thënie nga shkrimtari Milan Kundera, që i komenton fillet e totalitarizmit deri te krijimi i një shoqërie totalitare: “Sapo ëndrra e parajsës fillon të kthehet në realitet […] aty-këtu, njerëzit fillojnë të shfaqin pengesa në këtë rrugëtim, dhe kështu udhëheqësit e parajsës duhet të ndërtojnë një gulag të vogël anash Edenit. Me kalimin e kohës, ky gulag bëhet gjithnjë e më i madh dhe më i përsosur, ndërsa parajsa fqinje bëhet gjithnjë e më e vogël dhe më e varfër’’.
Materialet nga Korea nxitën reagime të forta nga kritikët, të cilët kryesisht e panë ekspozitën si promovim të një sistemi diktatorial dhe udhëheqësve të tij.
Në katin e dytë ishin vendosur fotografi, broshura, dhe gjesënde tjera që paraqitnin jetën e koreano-veriorëve. Mbi të gjitha, ishin vendosur edhe dy fotografi të mëdha të dy ish-diktatorëve koreanë: Kim Jong Sung dhe Kim Jong IL.
Ah, mos ta harrojmë edhe thënien e Ismail Kadaresë: “Marrëdhëniet e një shkrimtari të madh me një diktator janë komplekse dhe të vështira për t’u shpjeguar. Për arsye se të dy ata janë tiranë, por në këtë përballje, diktatori është një tiran falso…”.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Materialet nga Korea nxitën reagime të forta nga kritikët, të cilët kryesisht e panë ekspozitën si promovim të një sistemi diktatorial dhe udhëheqësve të tij. Nuk u la pa u vënë re se e gjithë kjo shfaqje bëhej përballë e përskaj portreteve të rilindasve kombëtarë shqiptarë, banorëve të kahmotshëm në hollin e Biblotekës.
Profesori universitar Blerim Latifi e komentoi ekspozitën në Facebook. “Më tha një shok, por nuk i besova! Shkova vetë ta shikoj dhe ishte e vërtetë”, tha ai. “Është realitet, në Kosovën e 5 nëntorit të vitit 2019, në institucionin, i cili është themeluar për t’i kontribuar kulturës dhe lirisë, promovohet njëri nga diktatorët më të ndyrë që ka njohur bota”.
Traavik është i befasuar me reagimet.
Bile beson se shumë nga ata që reaguan — që ai i quan njerëz “me lidhje mjaft të forta me strukturat e pushtetit të dikurshëm ose aktual në Kosovë’’ — fillimisht as që e morën mundin të shkojnë e ta shohin ekspozitën dhe reagimet e tyre vetëm u përtypën nga mediat, të cilat nuk e morën mundin ta japin anën tjetër të stories.
Ai beson se ekspozita është keqinterpretuar për shkak të keqinformimit — fajin për këtë ua lë mediave. ‘‘Të gjitha mediat, në mënyrë jo kritike, i transmetojnë ato [reagimet] në formën e vet të pastër dhe kjo sipas meje është mjaft problematike”, thotë ai. Për të, raportimi i tillë është i rrezikshëm, pasiqë, së paku mediat duhet të jenë “zonat e pakta për diversitet, ku diversiteti është i mundur, sidomos ato [mediat online] të faqeve në internet”.
Edhe pse në fillim mendonte se reagimet erdhën pasi ekspozita mund të cilësohej si promovim i regjimit koreano-verior, Traavik më nuk mendon ashtu. Vazhdon t’i fajësojë mediat si ndikuese të reagimeve, dhe i çuditur thotë se është hera e parë që nuk është kontaktuar nga mediat, edhe pse ishte i gatshëm të diskutojë për secilën prej kritikave në drejtim të tij.
Ndërsa për punën e tij — që e quan eksperiment — Traavik beson se s’do të duhej ta nxiste debatin se a është Korea e Veriut “e mirë apo e keqe”, por se a kemi tendenca të vetë-censurimit. Këtë e lidh me mungesën e reagimeve nga kritikët e artit; ai thotë se ka biseduar me disa nga miqtë e tij, të cilët janë pajtuar me punën e tij, por kanë heshtur. Këtë e quan “heshtja e njerëzve të mirë”.
“Madje edhe në një vend si Korea e Veriut, natyrisht që ata janë shumë të kontrolluar, por nuk u duhen dy milion policë për t'i vrojtuar njerëzit sepse njerëzit po e censurojnë veten dhe njëri-tjetrin.”
Morten Traavik
“Vetë-censura mund të ketë dy forma: mund të jetë që e ndalon veten mos të thuash diçka sepse nuk dëshiron telashe, ose, në njëfarë mënyre, tashmë është thellë në sistemin tënd që as nuk mendon të thuash ndonjë gjë’’, thotë Traavik. “Madje edhe në një vend si Korea e Veriut, natyrisht që ata janë shumë të kontrolluar, por nuk u duhen dy milion policë për t’i vrojtuar njerëzit sepse njerëzit po e censurojnë veten dhe njëri-tjetrin”.
Por me këtë nuk pajtohet profesori Latifi. Në një postim të dytë në Facebook, ai theksoi se ekspozimi i fotografive të diktatorëve koreano-veriorë nuk mund të relativizohet duke thënë se kjo është liria e shprehjes apo një punë artistike. “Në botën normale demokratike, përmbajtjet e kontaminuara, qoftë fizikisht, qoftë ideologjikisht, ekspozohen me sqarime kritike”.
“Përmbledhja e fjalimeve të Milosheviqit nuk mund të botohet pa sqarime kritike të pasojave që kanë pasur këto fjalime”, vazhdoi Latifi. “Nëse kjo nuk bëhet, atëherë ekspozimi i përmbajtjeve të rrezikshme përbën marketing për këto përmbajtje. Njësoj si kjo pankarta me thënien e Kim Jong Ilit në muret e jashtme të Bibliotekës Kombëtare”.
Prej Pyongyangut në Gjirokastër, e më pas në Prishtinë
Para se ta sillnin në Prishtinë, autorët e çuan ekspozitën në Gjirokastër, vendlindjen e ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Sipas Traavik, fakti se ekspozita fillimisht u shfaq në Gjirokastër dhe atje u prit pozitivisht — edhe pse Shqipëria kishte vuajtur shumë nga regjimi komunist — tregon se nuk ishte promovim i regjimit koreano-verior.
“E dini komunizmin shqiptar dhe unë do të kisha qenë më pak i befasuar në një mënyrë nëse ky lloj reagimi do të ndodhte në një vend si Gjirokastra, sepse Shqipëria në fund të fundit ishte më e afërta me Korenë e Veriut në krahasim me çdo shtet në Evropë, por nuk ndodhi kjo, përkundrazi [atje u pëlqye]”, thotë ai.
Traavik insiston se njerëzit që kanë jetuar në një sistem të ngjajshëm me atë koreano-verior, nuk e panë punën e tij si promovim, dhe këtë e priste edhe në Kosovë.
Kritiku i artit, Ilir Muharremi, e quan ekspozitën të ‘‘gërditshme’’ dhe si art të tejkaluar tashmë, me të cilin është ngopur ‘‘bota e Ballkani’’.
Sipas tij, ‘‘… portretet janë me proporcione të bëshme, patetike, muskuloze, gra me uniforma ushtarake, parada me uniformitet të pabesueshëm lëvizjesh të njësuara, fëmijë me shalle të kuqe e ngjyra jete nga shteti më i izoluar në botë. Ngjajnë me ato piktura dhe skulptura në Shqipërinë kur sundonte realizmi socialist’’.
Muharremi thotë se ajo kohë nuk ekziston më, dhe nuk e ka të qartë se çfarë ka tentuar të thotë artisti. Sipas tij, kjo ekspozitë është një provokim i vakët, dhe nuk do të duhej të shfaqej në ambientet e Biblotekës Kombëtare.
Traavik thotë se nuk është puna e tij të komentojë se a ishte “provokim’’, apo ‘‘provokim i tepërt” ekspozita. Ndërsa për lokacionin që zgjodhi, ai thekson se gjithnjë është në kërkim të ‘‘ndonjë hapësire të demonstrimit që akoma nuk është e korruptuar nga arti’ për ta shfaqur punën e tij’, dhe vazhdimisht dëshiron t’i anashkalojë galeritë e artit apo skenat e teatrove.
Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
‘‘Nga mënyra ime e punës gjithmonë më pëlqen ta bëj shkrirjen apo ndarjen e punës me rrethanat e jashtme, për këtë arsye biblioteka kombëtare përshtatej për mua në shumë mënyra — është kombëtare, prandaj supozova se do të kishte ndonjë lloj elementi simbolik’’, thotë Traavik. Gjithashtu, për të, ‘‘bibloteka është kujdestare e së kaluarës dhe vend për t’u frymëzuar për të ardhmen’’.
Ekspozita u përcjell me reagime, kundërshtime, dhe thirrje se e gjithë kjo ishte progandë e promovim i një regjimi pa asnjë të përafërt me Kosovën. Mirëpo, në të kishte diçka nga Kosova: një mizë të ngordhur që Traavik e kishte gjetur kur po pastronin sirtarët ku do të vendoseshin disa nga materialet, të cilën vendosi ta bënte pjesë të ekspozitës për realitetet e koreano-veriorëve.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.