Ky artikull u shkrua fillimisht për Southeast Europe Coalition on Whistleblower Protection (Koalicioni i Europës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve) dhe është ribotuar këtu me leje.
Në nëntor, kur Malcolm Simmons dha dorëheqje nga pozita e gjykatësit më të lartë ndërkombëtar në Kosovë, ai akuzoi Zyrën e BE-së në Prishtinë për korrupsion, për ndërhyrje politike në rastet e gjykimit si dhe për ndërhyrje në llogarinë e tij elektronike.
“Nuk dua të jem më pjesë e kësaj farse”, i tha ai gazetarit të Le Monde, Hugo Lemonier.
Simmons, ish-avokat në Mbretërinë e Bashkuar, nuk i dha gazetës franceze hollësi në lidhje me akuzat e tij. Me sa dihet, deri më sot ai nuk i ka dhënë askujt hollësi për pretendimet e pabazuara të tij. Kolegët e dikurshëm të tij thonë se ai është larguar në shtëpinë e tij në Maldive.
“Vazhdojmë ta thërrasim z. Simmons për të kërkuar informacione dhe dëshmi, por deri më tani ai ka refuzuar”, tha Maja Kocijancic, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë.
Përpjekjet e vazhdueshme për ta kontaktuar Simmons-in nëpërmjet telefonit, postës elektronike dhe rrjeteve sociale kanë qenë të pasuksesshme. Numri i telefonit që ai ia dha BE-së nuk është i tij, por i takon një zyreje të BE-së. Ai e ka mbyllur profilin e tij në LinkedIn.
Zhdukja e Simmons-it është e fundit e një rrëfimi që nisi në nëntor dhe po zhvillohet edhe sot e kësaj dite.
Siç u raportua fillimisht nga Koalicioni i Europës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (Southeast Europe Coalition on Whistleblower Protection), në vitin 2014 Simmons u promovua në pozitën e Kryetarit të Gjykatësve të Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, pa i poseduar kredencialet e nevojshme për të shërbyer si gjykatës ndërkombëtar. Simmons gjithashtu punoi si gjykatës i krimeve të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë pa i poseduar kualifikimet e detyrueshme.
Rregullat e OKB-së kërkojnë që gjykatësit ndërkombëtarë të kenë të paktën pesë vjet përvojë paraprake si gjykatës në vendlindje. Koalicioni zbuloi se Simmons nuk kishte punuar kurrë si gjykatës apo avokat në Mbretërinë e Bashkuar, dhe se certifikata juridike i kishte skaduar në vitin 2000.
Për shumë vite, ishte fshehtësi e hapur brenda EULEX-it dhe në Bosnjë e Hercegovinë se Simmons nuk ishte i kualifikuar profesionalisht për të qenë gjykatës ndërkombëtar. Por sidoqoftë ai ka mbajtur pozita të ndryshme gjyqësore prej vitit 2008, kur u dërgua nga Zyra për Punë të Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar jashtë vendit. Përpjekjet zyrtare për ta hetuar prapavijën e tij nuk filluan deri në vitin 2017.
Pasi mësoi nëpërmjet thashethemeve se artikulli i Koalicionit për prapavijën e tij do të publikohej së shpejti, Simmons u përpoq ta largonte vëmendjen nga ky skandal i pashmangshëm. Disa orë para se të publikohej artikulli i Koalicionit, ai kontaktoi një gazetar të ri në Le Monde, i cili i publikoi akuzat e tij për korrupsion pa dëshmi mbështetëse. Lemonier, i cili kishte punuar në këtë gazetë për më pak se një muaj dhe sapo kishte kryer universitetin, nuk e intervistoi asnjë person tjetër në EULEX apo në ndonjë agjenci tjetër për të marrë komente të tjera në lidhje me pretendimet e Simmons-it.
Simmons dha dorëheqje papritmas, në vend se të përballej me pasojat e artikullit të Koalicionit për mungesën e kualifikimeve të tij.
Mashtrimi i mediave
Më pas ndodhi një shembull klasik i gazetarisë së kopjuar elektronike. Artikulli i Le Monde u ribotua fjalër për fjalë nga shumë media të mëdha – duke përfshirë këtu Associated Press, Fox News, Politico dhe Organized Crime and Corruption Reporting Project. Asnjëra prej këtyre mediave nuk bëri përpjekje për t’i konfirmuar akuzat e Simmons-it, e as nuk përfshiu informata të artikullit të Koalicionit.
Mashtrimi i Simmons-it funksionoi. Akuzat e tij për korrupsion – ndonëse të pabazuara – e rrënuan storjen për mungesën e kualifikimeve të tij. Ai krijoi në mënyrë të suksesshme një rrëfim të rremë, kinse ai po largohej për shkak të korrupsionit në EULEX, e jo për shkak të zbulimit të prapavijës së tij të dyshimtë.
Edhe zbulimet e mëvonshme nuk janë raportuar gjerësisht. Portali hetues i lajmeve, Insajderi, mësoi se Simmons kishte përmendur në një aplikacion për punë në BE se ai kishte doktoraturë nga Farifax University, një “fabrikë famëkeqe e diplomave” e njohur për shitje të diplomave falso. Ky zbulim nuk u raportua nga mediat të cilat e publikuan storien origjinale.
Koaliiconi më pas e gjeti këtë aplikacion për punë dhe konfirmoi në mënyrë të pavarur autenticitetin e tij. Koalicioni gjithashtu mësoi se Simmons e identifikoi veten në mënyrë të gabuar me titullin “Dr.” në dokumente zyrtare të gjykatës.
Humbja e betejave
BE-ja po heton disa akuza kundër Simmons-it, si dhe akuzat që vetë ai i kishte parashtruar.
Kocijancic tha se në vitin 2016 është emëruar një hetues i jashtëm, dhe se më vonë është krijuar një Bord Disiplinor i kryesuar nga ish-Gjykatësi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë, Kieran Bradley. Në fund të vitit 2017, Bradley publikoi gjetje për të cilat Simmons nuk u ankua, gjë që aludon se Bordi ka marrë vendim kundër Simmons-it.
Kocijancic nuk i shtjelloi akuzat dhe gjetjet disiplinore, dhe nuk tregoi nëse në akuza përfshihet përmendja e doktoraturës falso në aplikacionin e punës. “Kjo është çështje e natyrës shumë të ndjeshme”, tha ajo, duke shtuar se dy nga katër hetimet janë në vazhdim e sipër. (Lexoni më poshtë intervistën e plotë me të).
Simmons gjithashtu zhvilloi dhe humbi një betejë kundër agjencisë e cila fillimisht e kishte dërguar atë në EULEX, FCO. Ai e paditi FCO-në në Gjykatën e Punësimit në Londër, duke shpresuar të shpallej si punëtor i përhershëm dhe të mbrohej kështu nga zhvendosja apo zëvendësimi. Një panel i përbërë prej tre gjykatësve mori vendim njëzëri kundër Simmons-it më 10 dhjetor, 2017. Avokati i Simmons-it me seli në Londër, Simon Cheetham, nuk na dha qasje kur e kërkuam për të dhënë komente.
Vendimi i Gjykatës i konfirmoi gjetjet e Koalicionit që Simmons “nuk kishte punuar në Mbretërinë e Bashkuar si zyrtar ligjor në 16 vitet e fundit”.
Nuk dihet nëse Mbretëria e Bashkuar po e heton Simmons-in për pretendim të rrejtshëm të doktoraturës si dhe për çështjet e tjera. Një burim i Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar tha se ai nuk mund të japë informata personale për shkak të Aktit të Mbretërisë së Bashkuar për Mbrojtje të të Dhënave. Ai tha se në përgjithësi të gjithë punëtorët e dërguar nga FCO-ja “u nënshtrohen hetimeve për përvojën dhe të kaluarën e tyre”, dhe se “dhënia e qëllimshme e deklaratave të rrejshme paraqet sjellje serioze nëse dëshmohet si e vërtetë”.
Ligji si ‘rekomandim miqësor’
Torsten Koschinka, gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Gorlitz, Gjermani, ishte gjyaktës ndërkombëtar në EULEX prej kohës së fillimit të misionit në vitin 2008 deri në vitin 2011. Ai tha se ishte dëshmitar i problmeve sistematike të cilat ishin të gjithëpranishme në këtë institucion.
“Shumë njerëz thjesht nuk ishin të kualifikuar për të punuar aty, veçanërisht në nivelet më të larta”, tha Koschinka, i cili shërbeu si gjykatës i apelit në Gjykatën Supreme të Kosovës. “Disa njerëz nuk i kuptuan kërkesat themelore të sundimit të ligjit. Ata nuk ishin të interesuar për sundimin e ligjit. Ata e shihnin ligjin thjesht si rekomandim miqësor”.
Përshtypjet e Koschinka-s në lidhje me masat e integritetit brenda EULEX-it mund të jenë shpjegim për atë se si Simmons arriti t’i shmangej vështrimit hetues gjatë gjithë atyre viteve, si dhe arsyeja përse stafi aktual vazhdon të raportojë probleme.
“Kur e shpreh një shqetësim, ata mundohen të të heshtin. Nuk janë të interesuar ta identifikojnë dikë që ka bërë diçka gabim. Duan ta ruajnë qetësinë – t’i hedhin sendet nën qilim”, tha ai. “Nëse marrin vendim, shpeshherë e mbyllin rastin pa e zgjidhur atë. Vetëm kur të përfshihen mediat, atëherë shtiren kinse po i kushtojnë vëmendje situatës”.
“Ne kemi ardhur këtu për ta promovuar sundimin e ligjit, dhe për ta sjellur sundimin e ligjit në Kosovë. Vërtet kishim dëshirë të ndihmojmë”, tha Koschinka. “Kur përjetova këso lloj joprofesionalizmi – isha krejtësisht i befasuar”.K
Nën hetime
(Deklarata e plotë e Maja Kocijancic-it, zëdhënëse e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë)
“BE-ja dhe EULEX-i zhvillojnë politikë të ‘0 tolerancës’ për akuza ndaj sjelljeve të pahijshme, dhe të gjithë anëtarët e Misionit japin llogari për veprimet e tyre. Të gjitha akuzat hetohen dhe, sipas nevojës, i përcillen një Bordi Disiplinor.
Në rastin e Z. Simmons, ne kemi ndjekur me kujdes Kodin e Sjelljes, strukturën relevante për çështje të tilla, dhe do të vazhdojmë kështu.
Kur u bënë fillimisht akuzat kundër tij në fund të vitit 2016, një hetues i jashtëm u emërua si rrjedhojë e pozitës së tij si Gjykatës dhe përvojës së tij në Mision, për ta zhvilluar një hetim sa më të paanshëm dhe neutral. Në përputhje me rekomandimin e Kryetarit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë (GjED), një Gjykatës i GjED-së i cili tash është në pension, O’Caoimh, u emërua për ta udhëhequr këtë hetim.
Prej akuzave të para janë bërë edhe akuza të tjera kundër z. Simmons. Edhe vetë z. Simmons ka bërë akuza. Gjithsej janë duke u zhvilluar katër hetime të brendshme në nivelin e selisë, tri hetime në bazë të akuzave të z. Simmons dhe një hetim në bazë të akuzave kundër tij.
Një Bord Disiplinor - i udhëhequr nga një tjetër ish-gjykatës i GjED-së, z. Kieran Bradley - shqyrtoi dy nga këto raste dhe dha këshilla në lidhje me to në fund të vitit të kaluar. Këto këshilla u pranuan dhe iu komunikuan z. Simmons dhe autoritetit dërgues (Zyrës së Mbretërisë së Bashkuar për Punë të Jashtme). Vlen të ceket se z. Simmons nuk është ankuar për vendimin për pranimin e këshillave të Bordit Disiplinor.
Dy hetime, një për akuzat kundër z. Simmons dhe një për akuzat që i bëri vetë ai, janë në vazhdim e sipër. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje z. Simmons të ofrojë të dhëna dhe dëshmi për akuzat të cilat i bëri, por deri më tani ai ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë”.