Djersa e përçmuar e bujqve
Bujqit më punë të pasigurt përballë një të ardhmeje të zymtë.
Çdo ditë, para orës shtatë në mëngjes, Samir Hajda 45-vjeçar, niset nga ultësira e qytetit të Rahovecit drejt vendit afër Teqes së Sheh Muhedinit, ku pret për punë. Me pantallona të përbaltura pune, edhe këtë vjeshtë, nëpër mjegullën e lehtë që i bie qytetit, ngjet rrugët.
“Në ora 6:00 çohem. Pata apo s’pata punë, u mësu gjumi tash. Unë atëherë dal prej shtëpisë”, thotë ai me theksin e veçantë rahovecian. Edhe theksi i dallueshëm i Hajdës e bashkëvendasve të tij, thonë se ndërlidhet me punëtorët si ai. Thuhet që punëtorët dhe tregtarët sllavë të rrushit e verës, që kishin shkuar në Rahovec në fillim të shekullit XIX, nisën të flisnin pak shqip e pak gjuhët e tyre, gjë që ndikoi më pas në mënyrën se si është ndërtuar e folura e sotme.
Në 27 vitet e fundit, ditë përditë Hajda pret t’i dalë ndonjë punë në bujqësi.
“Si fëmijë jemi mësu me rrush. Mu baba m’ka mësu me kit rrush. U kon rrushi jo kështu si sot, por rrush që u rritke përtoke”, thotë ai teksa kujton një kohë që nuk është më.
Qyteti piktoresk i Rahovecit është i vendosur mes vreshtave të gjelbërta, që shtrihen sa sheh syri. Këtë vjeshtë, në të dalë të qytetit në drejtim të fshatit Xërxë, traktorët kishin futur thellë plugjet në tokën pjellore të kësaj ane. Mes së blertës së vreshtave, mund të aty-këtu shquheshin edhe copëza toke të mbjellura me kultura tjera, pemë e perime.
Rahoveci është vend i rrushit. Një hartë e vjetër e vitit 1693 e fratit dhe enciklopedistit italian Vincenzo Coronelli, i identifikon qytetet e Rahovecit dhe Suharekës me rrush.
Pjesë e një familjeje të madhe, Hajda dikur punonte në vreshtin e vet, siç bënin tradicionalisht plot rahovecianë, si mënyrë të vetme për të mbijetuar. Kush mund të shiste rrush tryeze në tregje javore shiste e kush jo, dërgonte gjithçka në bodrumet e verës. Tash ai nuk ka vresht të vetin dhe qe disa vite punon në vreshta të të tjerëve.
Bashkë me Hajdën, edhe rreth 10 punëtorë zënë një vend përskaj rreth-rrotullimit te Teqja. Aty vijnë pronarët e vreshtave dhe merren vesh për të punësuar o Hajdën, o ndonjërin prej punëtorëve tjerë. Marrëveshja bëhet aty për aty, në këmbë.
“Ata vijnë, na afrohemi. Tregojnë çfarë pune kanë, na i japim çmimin dhe vazhdojmë”, tregon Hajda, që çmimin për një ditë pune e ka 40 euro. Ky është çmimi më i lartë që ka mbajtur ndonjëherë, i cili këtë vit është rritur për pesë euro. Në tri vitet e fundit rritjet kanë qenë nga pesë euro çdo vit.
Sapo dakordohet me punëndhënësin, ai niset për në vreshtë. Punën, si përherë, e nisë që në pranverë me krasitje, tërheqje të mbetjeve, më pas me rregullim të telave që mbajnë hardhitë bashkë me shtylla. Pastaj vazhdon me rrotullim dheu, spërkatje e deri në vjelje në vjeshtën e vonshme.
Rekordi i tij ndër vite në vjelje qëndron 1,800 kilogramë rrush në ditë — çka është sasi mëse e dëshirueshme për vreshtarët. Ndërsa nga puna e Hajdës për sezonin e këtij viti, pronari i vreshtit ka fituar 360 euro prej një vjeljeje nga shitja në bodrum. Ndërsa Hajdës fitimi mujor i ka shkuar në 800 euro, me të cilat mban familjen.
Të gjitha këto para i ka marrë në dorë.
“Kesh i marr, kesh. Ma rahat paret në dorë”, thotë ai, duke treguar se asnjëherë nuk ka pasur kontratë, që do t’ia shtonte edhe sigurinë fizike e edhe financiare. As s’e ka menduar e as s’ia ka ofruar kush.
Me dorezat e punës ngjitur në rripin e belit, mjeti i vetëm mbrojtës, Hajda tregon se ndonjëherë edhe ia kanë përçmuar djersën. “Erdhi njëri, kish qenë i jashtit. Tha ‘për 20 euro a po vjen se ma shumë nuk ia vlen’. Unë i thashë jo. Shkoi. Kur edhi nesër tha ‘hajde qaq sa e ke, se s’po gjej kurrkund punëtor’”, tregon Samiri, që numëron rreth 15 punëtorë të rinj, vetëm prej lagjes së tij, që kanë emigruar viteve të fundit.
“S’ka çmim me pasë punëtorë të rregullt”
Një parcelë rreth 30 ari shtrihet skaj rrugës Rahovec—Xërxë. Një burrë 75-vjeçar dallohet mes fletëve të mëdha të rrushit. Ai është Hajrullah Dula. Prej që e mban veten mend, ka qenë me këmbë e duar në vreshta. Rreth gjashtë hektarë plot me vreshta në vende të ndryshme rreth Rahovecit janë të tijat teksa dikur ka prodhuar edhe verë me bodrumin e tij. Me një palë gërshërë elektrike i këpuste hardhitë e i shtynte tutje.
“Këtë vnesht po e hjeki. Ky s’ban ma. Nuk ia vlen me mbajtë. I ka ba diku 15 vjet po besoj prej kur është mbjell”, thotë Dula pa i hequr sytë nga hardhitë.
“A don me e mbjell prapë?”, pyesim atë, “S’e di, ta shoh”, thotë ai. Një zë tjetër prej dy renda më tutje vjen: “Po çfarë të mbjellne bre”.
Me të, pandalë punonin edhe djali i Dulës, Sezai Dula, 52-vjeçar, përkrah me të birin Dardanin. Bashkë me ta ishte edhe djali i vëllait të Sezait, Albioni.
“Krejt kjo punë që duhet me ba, edhe në fund bodrumi [i verës] ta paguan 20 centë kilogramin. Kjo nuk është normale. Kështu që s’po e punojmë hiç. E heqi krejt edhe ia shti pllugin, e lavroj. S’ka çmim me pasë punëtorë të rregullt”, thotë Sezai.
Gjyshi me djalë e nipa hiqnin vreshtin pasi kishin përfunduar punët tjera. Ata punonin në një market lagjeje dhe një pompë derivatesh. Dikur merrnin edhe punëtorë të punonin vreshtin, por tash për ta paguar një punëtor u duhet t’i shesin 200 kilogramë rrush në bodrum të verës, që gjendet nja 200 hapa larg.
Teksa fliste Sezai, brezi më i ri Dardani dhe Albioni dëgjonin me vëmendje e aprovonin duke tundur kokën. Duart e tyre ishin nxirë nga teli që mban hardhitë e ata e tërhiqnin nga shtyllat e betonta të vreshtit dhe e mblidhnin. Për njërin prej tyre ishte hera e fundit që mblidhte tel. Së shpejti, në vend të telit, ai do t’i mbledhë rrobat që të niset për në Gjermani. Vëllai i tij tashmë ka nisur të punojë atje.
“Po e lëshoj Kosovën. Qe, a po e sheh? Punon këputesh në vneshtë, se përnime ka shumë punë, edhe në fund e marrin kilogramin 20 centë”, thotë Dardani.
Ecjen e tyre nëpër rendet e vreshtit e përcillnin kalaveshët e rrushit që nuk ishin vjelë. Rrushi muskat i bardhë sikur po shihte vëngër teksa injorohej dhe virrej edhe më poshtë.
Përfitimi i ulët financiar nga shitja e rrushit në bodrume, mungesa e një të ardhmeje të qëndrueshme për të punuar në bujqësi dhe migrimi i brezit të ri, kanë lënë shumë vreshta të papunuara e shumë kalaveshë rrushi pa vjelë.
Pak më poshtë në po atë lagje, Habib Dina po mbushte përplot gajbe rrushi një veturë “pick-up” për ta nisur në Pejë. Atij po i ndihmonte nipi i tij që t’i paloste mbajtëset e drunjta një mbi një qëmos të rrëshqisnin rrugës. Dina është i njëjtë si shumica e rahovecianëve tjerë — mes rrushit ka lindur, me rrush merret. Ai e ka vështirë të gjejë punëtorë për vreshtat e tij që shtrihen në mbi tetë hektarë.
“Nuk ka punëtorë më. Këta që dalin në Rahovec, shtyhemi cili me i marrë më herët. Dy ditë më herët i rezervojmë. Me të madhe kanë ikë”, thotë Dina. Ai thotë se puna në bujqësi është e pasigurt ligjërisht. Numri i atyre që punojnë të rregullt me kontratë është i vogël. Këtë ia atribuon edhe mospërkrahjes për të ruajtur kulturat bujqësore, e më shumë flet për rrush.
Ai udhëheq edhe shoqatën e vreshtarëve të Rahovecit, “Kultivuesit e Rrushit”, që numëron 80 anëtarë. Në mbledhjet që mban në shoqatë, ai njoftohet edhe me hallet e vreshtarëve. Një prej atyre halleve është zvogëlimi i sipërfaqes së vreshtave dhe interesimi në rënie për kultivim të rrushit si pasojë e mungesës së përkrahjes institucionale.
“Tash paramendo, dikur kanë qenë 11,000 hektarë me vreshta në Kosovë, kryesisht në rajonin tonë Rahovec, Suharekë, Gjakovë e Prizren. Tash në Rahovec janë 3,000 e pak hektarë vreshta. Çka me folë më shumë”, thotë Dina, teksa tregonte me dorë kodrat rreth rrugës.
Sipas statistikave të shfrytëzimit të tokës bujqësore për vitin 2022 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), vreshtat përbëjnë afro 3,500 nga mbi 420,000 hektarë të tokës së shfrytëzuar në Kosovë. Në këtë tokë, sipas Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2022, punojnë zyrtarisht 9,110 punëtorë, prej të cilëve 8,073 burra dhe 1,037 gra. Këta njerëz, që punojnë në kategorinë “Bujqësi, Pylltari dhe Peshkim” përbëjnë vetëm 2.2% të të gjithë të punësuarve në Kosovë.
Nga këta të punësuar, një pjesë e tyre kanë punësim të paqëndrueshëm. Kjo përfshin persona të vetëpunësuar pa punonjës, kur dikush punon i vetëm tokën, ose ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar, kur një familje punon tokën, por nuk marrin rroga për punën që e bëjnë së bashku. Këto dy grupe punëtorësh kanë gjasat më të ulëta të kenë një marrëveshje formale pune në krahasim me punëtorët me kontratë. 970 persona janë të vetëpunësuar pa punonjës, kurse 1,345 persona janë të punësuar pa pagesë në biznes familjar.
Në Buletinin Ekonomik Tremujor që e nxjerr Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) thuhet se raporti i tyre bazohet në të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), për shkak se të dhënat e ASK janë të kufizuara. Në mesataren e nxjerrë nga katër buletinët tre-mujorë të vititi 2022, del se numri i punëtorëve të regjistruar në Bujqësi, Pylltari dhe Peshkatari është 19,120.
Duke e marrë të mirëqenë numrin e punëtorëve nga buletinët ekonomikë të MFPT, rezulton se një punëtor ka mbi supe diku 22 hektarë tokë për të punuar, pa çka është hapësirë zor e përballueshme. Këtu mund të shihet se shifrat nuk janë të njëjta në të dhënat e institucioneve të vendit, për shkak të informalitetit të madh.
Kontratat e punës i lënë pa paratë e skemave sociale
Një sërë zhvillimesh kanë ndikuar që ky vit të jetë prej viteve më të vështira në bujqësi. Rendimenti i ulët i prodhimit është përkthyer në çmime të larta të pemëve dhe perimeve.
Agroekonomisti Hartim Gashi, që udhëheq Shoqatën e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve të Kosovës (PePeKo), e cila mbledh 32 kompani vendore, thotë se ekzistojnë disa arsye për këtë. E para arsye, sipas tij, janë kushtet klimatike krejtësisht të pazakonta.
“Mbjelljet e specave dhe perimeve është dashur të përfundojnë me 15 maj ose maksimum 15 qershor. Sivjet kanë përfundu në javën e parë të korrikut. Vetëm për shkak të kësaj vonese, shumica e fermerëve kanë pasë humbje 30%”, thotë ai, që as vetë nuk e mban të ketë rënë më shumë shi sesa që ra deri në fillim të korrikut. Teksa të dytën arsye e lë mungesën e fuqisë punëtore.
Në tri-katër vitet e fundit, edhe sektori i bujqësisë është ndikuar nga migrimi i punëtorëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Puna e rëndë dhe e paguar dobët ka bërë që bujqësia të mos shihet si sektor i dëshirueshëm për të punuar. Ky largim ka bërë që pronarët e parcelave të mëdha të të mbjellave të përballen me një kosto të paparashikuar për fuqinë punëtore.
“Përpara është paguar 15 euro një punëtor, sivjet minimumi ka qenë 30 euro për një punëtor me vjelë speca. 10 punëtorë bëjnë 300 euro. Që t’i fitosh 300 euro të pastërta, duhet të shesësh 3,000 kg speca”, thotë Gashi, i cili është i brengosur se çka mban e ardhmja.
Nga të dhënat e ASK ndër vite, vërehet një rënie e mprehtë e numrit të punëtorëve në bujqësi, pylltari e peshkim. Ndonëse të pasegreguara për secilin sektor veç e veç, në vitin 2020 numri i punëtorëve ishte 16,900. Në vitin 2022 numri ka rënë gati përgjysmë me 9,110 punëtorë të regjistruar, apo 46% më pak se në 2020.
Bujqësia gjithkund është punë sezonale dhe sfidat me gjetjen e punëtorëve sezonalë nuk ka vetëm në Kosovë. Por ndryshe nga Kosova, shumë shtete tjera kanë krijuar programe, që ofrojnë shtysa për t’i mbështetur të rinjtë e rejat që duan të punojnë në këtë industri.
Tashmë bujqësia në Kosovë mbahet nga ata që mbjellin në tokat e veta, e produktet i shesin për të fituar të ardhura shtesë pos punëve tjera që i bëjnë dhe nga ata që bujqësinë e kanë biznes primar.
Të parët punojnë me forcat familjare dhe tek-tuk marrin forcë punëtore për periudha javore e ditore. I tillë është edhe Krenari, që nuk deshi të identifikohej me emrin e vërtetë. Ai vjen nga një fshat i Podujevës, që njihet për kultivimin e mjedrave, por mbjellin edhe speca.
Krenari nga klasa e nëntë kishte punuar në parcela në pronësi të të tjerëve me një çmim prej 12.50 deri 15 euro në ditë. Pjesën më të vështirë e cilëson kohën kur fillon mbjellja e specave me dorë, por nuk sheh ndonjë rrezik në të.
Shumë punëtorë të bujqësisë mendojnë se pagesa e kontributeve pensionale do ua zvogëlonte pagën edhe ashtu të ulët. Rritja e çmimeve të jetesës ua bën vështirë ta presin të ardhmen, kur paratë iu duhen aty për aty.
“Zakonisht puna fillon në 4:00 në mëngjes, për me e nxanë flladin. Kur ke me mbjellë me dorë është shumë e lodhshme, e në pjesë tjera nuk ka ndonjë lodhje a mundim”, thotë ai tash 28-vjeçar që mbjellë deri në dy hektarë tokë të veten.
Kur i duhet të marrë punëtorë, përgatitet që t’i paguajë prej 40 deri 45 euro në ditë — aq kanë shkuar çmimet përgjatë vitit 2023 në Podujevë. Por, tashmë, punëtorë nuk gjen lehtë as me këtë çmim. Edhe Krenari konfirmon që struktura e punësimit ka ndryshuar si rezultat i migrimit. Kjo ka bërë që në sektorin e bujqësisë, ngjashëm me sektorë tjerë ekonomikë në Kosovë, të punësohen më shumë punëtorë romë, ashkali dhe egjiptianë — punëtorë qëmoti të diskriminuar në tregun e punës.
Krenari tregon se kurdo që i duhen punëtorë, shkon i merr me makinë, ua siguron ushqimin dhe pijet. Në fund të punës, paratë ua jep në dorë.
Por, Krenari ua ka përmendur kontratën disave, të cilën sipas tij, punëtorët nuk e pranojnë sepse kontrata nënkupton pagesë të kontributeve, e kjo do t’ua zvogëlonte pagën edhe ashtu të vogël që e marrin. Me normën e lartë të inflacionit, që këtë vit ka bërë që çmimet e jetesës të rriten për 4.2%, punëtorët e kanë të vështirë të presin të ardhmen e kontributeve, kur paratë iu duhen aty për aty. Përkitazi me këtë, ata nuk e kanë të sigurt që do të punojnë çdo ditë dhe paga e tyre në fund të muajit nuk del mjaftueshëm e lartë sa ata të pajtohen se duhet t’u tatohet si atyre që punojnë 12 muaj me kontratë.
Ligji i Punës në Kosovë i njeh kontratat e punës për një periudhë të pacaktuar, për periudhë të caktuar dhe për punë dhe detyra specifike (jo më të gjatë se 120 ditë brenda një viti). Në Ligj nuk specifikohet puna sezonale.
Ndërkohë, shumë nga punëtorët që nuk pranojnë kontratë vlerësojnë se paratë që do t’u hiqeshin për kontribute pensionale, do të ishin para të shkuara huq. Në një analizë për angazhimin e punëtorëve sezonalë në Kosovë, të publikuar nga instituti D4D, thuhet se “shumica e punëtorëve i konsiderojnë kontributet pensionale të paguara nga ana e tyre si të ardhura të humbura/të çuara dëm”.
Njëjtë paraqitet edhe situata tek prodhuesit biznesorë bujqësorë në Mamushë, veç se mungesa e punëtorëve atje, ka rritur punësimin e punëtorëve/eve nga minoriteti goran.
“Në Mamushë angazhojnë gra nga zonat [ku jeton] minoriteti goran”, thotë Gashi nga “PePeKo”, i cili tregon se punëndhënësit, ngjashëm me Krenarin, shkojnë i marrin me veturë dhe përpos pagesës ditore, ua mbulojnë edhe ushqimin. “Bëhet luftë se kush po i merr i pari këto punëtore, që rekrutohen në muajin mars apo prill”, shton ai, teksa tregon se prodhuesit kanë ka filluar ta nuhasin që po bëhet vështirë.
Refuzimi për të pranuar një kontratë pune ndërlidhet edhe me mënyrën si janë të ndërtuara skemat shtetërore sociale në Kosovë, përfituesit e të cilëve dalin nga skema sapo të punësohen.
Kjo bën që këta punëtorë të punojnë në sektorin informal si pjesë e ekonomisë gri, që rezulton në statistikat joreale të punësimit nga ASK. Një model për ta zgjidhur këtë problem që e ka implementuar qeveria e Serbisë, i është propozuar edhe qeverisë së Kosovës, nga organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ dhe shoqata “PePeKo.
“Sistemi është që punëtorët sezonalë, që marrin ndihma sociale, gjatë kohës kur kanë mundësi që deri në gjashtë muaj të gjejnë punë si [punëtorë] sezonalë, mos t’u ndalen ndihmat sociale. Tek ne, një kontratë e merr dhe i ndalet skema”, thotë Gashi nga shoqata “PePeKo” dhe shton se modeli i tillë në Serbi brenda një viti ka ndikuar që numri i punëtorëve të regjistruar të rritet për 10,000.
Rastet tjera në rajon se si është zgjidhur sfida e regjistrimit të punëtorëve sezonalë janë të ndryshme. Kroacia, për shembull, ka implementuar një skemë me kuponë për punëtorë sezonalë dhe rastësorë në bujqësi. Punëdhënësit blejnë kuponë për t’i paguar punëtorët sezonalë dhe në këta kupona përfshihen kontributet shoqërore dhe taksat. Detyrimi i punëdhënësit është që për çdo ditë të regjistruar pune, t’ia japë punëtorit kuponin ditor, me anë të të cilit janë të paguara detyrimet tatimore për punëtorin. Ata kuponë që nuk jepen, punëdhënësi i kthen në zyrën shtetërore ku i ka blerë dhe riimbursohet.
Asnjë nismë sikur këto të rajonit nuk është prezantuar në Kosovë, ku punëtori në bujqësi është gjithkund i përmendur kalimthi, pa vëmendje të veçantë. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) nuk është përgjigjur nëse ka ndonjë numër të punëtorëve në bujqësi. Krejt çka ata thonë të kenë janë disa të dhëna për ata që përfitojnë nga Programi për Zhvillim Rural – Granteve, përmes të cilit bujqit marrin mbështetje financiare qeveritare, e që as për këtë nuk ofrojnë të dhëna.
Po ashtu, nga kjo ministri thonë se nuk kanë ndonjë përgjegjësi që ta kontrollojnë tregun e punëtorëve, përveç kur i monitorojnë përfituesit e granteve për pesë vite me radhë.
“Ajo që po bën dhe synon të arrijë Ministria është kontrolli i vendeve të punës që përfituesi/fermeri i ka krijuar nga mbështetja përmes programeve të ministrisë. Kontrolla për përfituesit e projekteve të granteve bëhet për pesë vite, aq sa zgjat periudha e monitorimit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë. Në anën tjetër Inspektorati i Punës nuk ka kthyer përgjigje në lidhje me kontrollin e kushteve të punës në bujqësi.
Megjithatë, analiza për angazhimin e punëtorëve sezonalë në Kosovë e realizuar nga D4D jep si rekomandim që të shqyrtohen skemat e subvencionimit në “fazën e promovimit” me kampanja vetëdijësimi dhe kontakte direkte me bujq, duke e fuqizuar promovimin e punës së regjistruar dhe të deklaruar.
MBPZhR në kuadër të Programit një-vjeçar për Zhvillim Rural – Grante, ka vendosur kritere se nëse një pronar dëshiron të marrë 20 pikë shtesë për t’u vlerësuar për marrje të grantit, duhet të lajmërojë katër punëtorë të punësuar. Kështu pasja e 20 pikëve më shumë, i favorizon në marrje të grantit qeveritar, që është ndihmë financiare.
Ky program është i rregullt dhe shpallet çdo vit, sikur edhe për vitin 2023 që është shpallur i hapur më 30 tetor. Në thirrje thuhet se të gjithë ata që në planin e biznesit deklarojnë se punësojnë punëtorë, do të duhet t’i paraqesin dëshmitë për pagesa të kontributeve pensionale dhe tatimeve në pagë për një muaj përpara kërkesës për të përfituar nga kjo thirrje. Kjo është një masë për të nxitur deklarimin e punëtorëve, anipse Ministria nuk i ka ndarë me K2.0 të dhënat sa i përket thirrjeve të mëparshme.
E ardhme e zymtë për bujqësinë
Numri i atyre që kanë lënë vendin është ndryshe-ndryshe në burime të ndryshme. Por në Gjermani, sipas Zyrës Federale e Statistikave Gjermane për vitet 2010 – 2022, del se në atë periudhë numri i kosovarëve atje është rritur për 86%, nga 291,000 në 542,000.
Në vitin 2022, nga 300,000 persona, që u deklaruan për arsyet e migrimit në Gjermani (bashkimi familjar e azilkërkim, ndër tjera), 64,000 deklaruan si arsye punësimin. Njëjtë do të shkojnë me viza pune në xhep edhe Krenari nga Podujeva e Dardani nga Rahoveci, që do t’u bashkangjiten të rinjve që i kanë lënë vend Samirit 45-vjeçar, të jetë punëtori më i ri mes tjerëve.
Mbi këtë bazë ekziston një drojë në mesin atyre që merren me bujqësi, se liberalizimi i vizave në janar 2024 do të ndikojë në zvogëlimin e mëtejmë të punëtorëve në këtë sektor. Gashi nga “PePeKo” e lidh këtë edhe me ndikimin që do mund të ketë në ciklin prodhues në bujqësi. Në kohën e përgatitjeve për mbjellje në fund të janarit dhe fillim të shkurtit, nis e hapet puna në Gjermani, kryesisht në ndërtim. Kështu, sipas tij, bujqit do të ikin për të kapur ndonjë punë në të zezën dhe kur do të jetë koha e përgatitjeve kryesore deri në muajin prill, ata nuk do të jenë këtu.
“Edhe ky që ka me mbjellë më herët, ka me shku me punu edhe nuk ka mujtë me përgatit rasadin sepse ka qenë atje. Kthehet në maj, qershor, korrik rrin në Kosovë. Në kohën kur filllon vjelja në gusht, shtator dhe tetor, ata ikin”, thotë ai.
Përkundër këtij parashikimi të zymtë të Gashit, në dokumentet planifikuese të Qeverisë së Kosovës, paraqitet një gjendje më shpresëdhënëse. Programi për Reformë në Ekonomi 2023 – 2025 në sektorin e bujqësisë thotë se bujqësia mundëson gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe që parashihen ndryshime strukturore në këtë sektor. Mirëpo, këto dokumente fare nuk shtjellojnë mundësinë e largimit të punëtorëve që po ndihet në këtë sektor.
Pos mungesës aktuale të fuqisë punëtore, piktura e sektorit të bujqësisë në Kosovë zbehet edhe nga një trend tjetër.
Në Kosovë, mungesa e punëtorëve ka rritur dhe do të vazhdojë të rrisë edhe më tej koston e prodhimit. Kjo sipas Gashit, ka ndikuar që kompanitë përpunuese të pemëve dhe perimeve të orientohen nga tregjet tjera, si Shqipëria, ku rendimenti i prodhimit është më i lartë e rrjedhimisht çmimet më të ulëta.
Po ashtu, për shkak të kushteve të pafavorshme të rrjeteve të marketeve në Kosovë, një pjesë e tjetër e kompanive vendore që përpunojnë pemë dhe perime kanë zgjedhur edhe eksportin si formë të të bërit biznes. Sipas Gashit, këto kushte të pafavorshme përfshijnë: pagesë shtesë për regjistrim të produktit, pagesë shtesë për pozicionim të produktit, kërkesa për të dhënë bonuese vjetore tek marketi dhe për çdo pikë të re që hapet nga ai rrjet i marketeve duhet të paguajë nga 500 deri 1,500 euro për ta futur produktin.
Megjithatë, orientimi i kompanive përpunuese në eksport t nuk është që përkthehet në punësim më të qëndrueshëm për punëtorët në Kosovë.
Duke marrë porosi muaj më herët, kompanitë përpunuese planifikojnë që gjithë stokun ta prodhojnë brenda një periudhe të shkurtër ashtu që të mos u duhen shumë ditë pune për punëtorët, që janë sezonalë dhe shpesh të paregjistruar.
E për ta mbushur hapësirën e krijuar nga mungesa e fuqisë punëtore, bizneset kanë filluar të punësojnë punëtorë nga vendet e Azisë. Ky trend parashihet të forcohet në vitet në vazhdim.
Veç së fundi një faqe në rrjete sociale që sjell punëtorë nga Bangladeshi në Kosovë është bërë virale. Sipas një hulumtimi të Radio Evropa e Lirë, në periudhën janar—qershor të këtij viti janë paraqitur 1,858 kërkesa për leje-qëndrimi në Kosovë për qëllim pune nga shtetas të huaj. Ndërkaq, 1,391 tashmë kanë fituar leje-qëndrimi të përkohshëm, që është një rritje e lehtë prej vitit të kaluar kur 1,317 ishin pajisur me këtë leje.
Anipse punëtorët mund të vijnë prej gjithandej botës, kjo nuk do t’i zgjidhë vështirësitë e kahmotshme në tregun e punës në Kosovë. Ata, bashkë me kolegët që i gjejnë këtu, do të vazhdojnë të përballen me vështirësitë e të të punuarit në një ambient të pasigurt.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0
Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenueshme në tregun e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC ose BIRN Kosovo.
Pse kjo klauzolë?
Nga Mehdi Sejdiu - 26.09.2024
Nga Vlora Konushevci - 11.09.2024
- Ky artikull fillimisht është shkruar në shqip.