Pikëpamje | Kroacia

Dubrovniku vs. turizmi

Nga - 22.08.2023

A mund të mbijetojnë banorët në një qytet që mbahet nga turizmi?

Dubrovniku dhe aktiviteti i tij kryesor ekonomik, turizmi, bashkëjetojnë në një dykuptimësi të ndërlikuar. Ndonëse shumica e banorëve e sigurojnë jetesën nga kjo industri, ka pyetje të hapura për cilësinë e jetës, ruajtjen e thelbit historik të Dubrovnikut dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme.

Rritja drastike e numrit të vizitorëve në qytet gjatë muajve të verës sjell një sërë problemesh në infrastrukturë. Njëri nga më seriozet është transporti. Bllokimi i trafikut është pothuajse i përhershëm, transporti publik ndërpritet shpesh dhe ka mungesë kronike të hapësirës për parkim.

Deri diku, problemi qëndron në gjeografinë specifike të Dubrovnikut. Qyteti është i vendosur mes kodrave dhe detit, kështu që çdo zgjidhje për çështjet e transportit, si rrugët anësore ose rrugët alternative nuk janë opsion i lehtë. Gjithsesi, shembujt nga destinacionet tjera turistike tregojnë se edhe këto zgjidhje nuk arrijnë ta rregullojnë trafikun aq të rënduar sa ai i Dubrovnikut. Përveç kësaj, infrastruktura rrugore lokale është e vjetërsuar, pjesërisht për shkak të mënyrës se si pjesa jugore e Kroacisë trajtohet nga qeveria e nivelit qendror. Dubrovniku nuk ka qenë asnjëherë i kyçur në rrjetin e autostradave dhe kjo nuk duket se ka gjasa të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Projekti më i madh infrastrukturor në jug të Kroacisë Ura Pelješac — u ndërtua me nismën, ose më saktë me këmbënguljen e BE. E mbështetur në pjesë të madhe nga fondet e BE, ura u ndërtua për ta lidhur territorin e një vendi, kufijtë e jashtëm të të cilit janë gjithashtu kufijtë e jashtëm të BE (një pjesë e vogël e Bosnjës e pret majën jugore të Kroacisë nga pjesa tjetër e vendit).

Shumica e bizneseve të hotelerisë ofrojnë zbritje për mysafirët "vendorë", shpesh kriteri për këtë është të folurit e gjuhës kroate. Megjithatë, edhe çmimet me zbritje janë të larta.

Njëra nga vështirësitë më të mëdha të përditshme me të cilat përballen banorët e Dubrovnikut janë çmimet e larta. Disa dyqane me pakicë janë më të shtrenjta në vendet turistike sesa në pjesën tjetër të vendit, por njësoj janë edhe shërbimet, përfshirë transportin publik dhe veçanërisht hotelerinë. Shumica e bizneseve të hotelerisë ofrojnë zbritje për mysafirët “vendorë”, shpesh kriteri për këtë është të folurit e gjuhës kroate. Megjithatë, edhe çmimet me zbritje janë të larta. Për më tepër, çmimet e larta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht mallra ose shërbime të cilësisë së lartë.

Ky përqendrim ekonomik në turizëm reflektohet në mungesën e punëtorëve të kualifikuar në zejtari. Për shembull, tani është e vështirë të gjesh një mekanik/e, hidraulik/e ose këpuctar/e. Edhe pse arsimi profesional mund të jetë mungesë në të gjithë Kroacinë, rënia e shpejtë e fuqisë punëtore të kualifikuar në Dubrovnik është rezultat i kalimit të madh të vendasve në punët që ndërlidhen me turizmin në përgjithësi dhe bizneseve qiradhënëse në veçanti. Po ashtu buxheti i qytetit vazhdon të rritet, megjithatë banorët e Dubrovnikut nuk gëzojnë shërbime sociale dhe publike të nivelit të lartë.

Ndoshta brenga më e madhe me të cilën përballen është banimi.

Marrë parasysh zhvillimin e banesave që jepen me qira për afat të shkurtër, është pothuajse e pamundur ta gjesh një banesë për të jetuar. Qytete të tjera në vend po shohin rritje të çmimeve të qirave për shkak të rritjes së numrit të banesave, që u jepen me qira turistëve. I njëjti proces po ndodh edhe në Dubrovnik, vetëm se në nivel më të lartë. Praktikisht nuk mund të gjesh banesa me qira me kohëzgjatje afatgjate. Për ata që nuk mund të marrin kredi bankare dhe që nuk trashëgojnë ndonjë pronë, situata e qirasë është kthyer në një shqetësim ekzistencial.

Blerja e një banese kudo afër qendrës është e mundur vetëm për ata që kanë nivel të madh kapitali, kështu që një numër në rritje i njerëzve po blejnë pasuri të paluajtshme në periferi dhe qytetet në rrethinë. Kjo krijon probleme përtej Dubrovnikut, pasi këto zona fqinje po përjetojnë rritje të shpejtë të popullsisë pa infrastrukturën adekuate për t’i përballuar ata.

Një stereotip i zakonshëm është se secili qytetar i Dubrovnikut ka banesa që i lëshon me qira dhe pastaj pjesën tjetër të kohës e kalon duke u relaksuar diku.

Situata aktuale përforcon pabarazitë sociale, të cilat rrallë diskutohen. Në shkallë të gjerë besohet se të gjithë jetojnë mirë nga turizmi. Kjo i përshtatet stereotipit të zakonshëm se secili qytetar i Dubrovnikut ka banesa që i lëshon me qira dhe pastaj pjesën tjetër të kohës e kalon duke u relaksuar diku. 

“Apartamentizimi” i qytetit ka sjellë ndryshime drastike në Qytetin e Vjetër, ku kanë mbetur pak vendas. Bashkë me faktin se shumë biznese mbyllen pas përfundimit të sezonit, Dubrovniku bëhet qytet fantazmë në dimër.

Prioritizimi i fitimit ka çuar në uzurpimin dhe shkatërrimin e hapësirës publike, përfshirë edhe detin.

Sipas ligjit, domeni detar, që përfshin plazhet, nuk mund të jetë në pronësi private. Plazhet supozohet të jenë të qasshme për publikun, ndonëse ato mund të ofrohen me koncesion. Fituesit e ofertave të koncesioneve shpesh shpërfillin kushtet e kontratave të tyre duke uzurpuar më shumë tokë sesa u lejohet, duke privatizuar në mënyrë efektive hapësira gjithnjë e më të mëdha të bregdetit.

Mungesa e kujdesit për hapësirën publike ka sjellë edhe “betonizimin” e bregdetit dhe shkatërrimin e hapësirave të gjelbëra. Një shembull i përkryer i kësaj është plazhi kryesor në hyrjen e Lapad.

Së fundmi qeveria u përpoq ta shtynte tutje një ligj të ri, që do ta mundësonte kufizimin e përdorimit publik të bregdetit, lejimin e grantmarrësve privatë të koncesioneve të kryejnë ndërtimtari në fushën detare dhe legalizimin e mbueshjes së plazheve me rërë, një proces që kërcënon biodiversitetin në habitatet detare lokale.

Meqenëse kjo do të kishte çuar në për të gjitha qëllimet dhe synimet privatizimin e plazheve, projektligji i propozuar nxiti reagime të konsiderueshme publike. Të gjendur para një peticioni publik, qeveria largoi nenet më kundërthënëse nga projekt-ligji, por shumë në publik mendojnë se kjo është thjesht një fitore e përkohshme. Me sa duket, privatizimi i plazheve është një synim afatgjatë i disave, që sfidohet vetëm nga vigjilenca nganjëherë më e theksuar e komunitetit.

Pavarësisht ligjit, vilat dhe hotelet në Dubrovnik kufizojnë gjithnjë e më shumë qasjen në plazhet në afërsi të tyre. Aktivistët/et kanë protestuar kundër kësaj dhe janë mobilizuar për t’i larguar pengesat fizike në plazh. Fakti që aktivistët/et po e ndërmarrin këtë hap tregon mungesën e reagimit të policisë. Privatizimi i paligjshëm i bregdetit është rezultat i mosveprimit institucional dhe partneritetit korruptiv mes qeverisë dhe ndërmarrjeve private.

Dubrovniku është gjithashtu porti më i ngarkuar në Kroaci për anijet turistike. Mungesa e plotë e shqetësimit për qëndrueshmëri dhe mungesa e të të menduarit afatgjatë mbi këtë çështje, shihet qartë në faktin se pikëpamjet e banorëve lokalë për anijet turistike janë formësuar nga besimi pothuajse i përgjithshëm se, pavarësisht nga bllokimi i rrugëve, vizitorët që lundrojnë përreth nuk harxhojnë shumë në qytet. Kjo bën që anijet të urrehen me të madhe nga vendasit.

Rrallëherë vendasit përmendin dëmet e mëdha që anijet e lundrimit i shkaktojnë ekosistemit bregdetar detar, që shpërfaq shkurtpamësinë dhe përqendrimin ekskluziv të shumë njerëzve në fitim.

Në vend që të punojë drejt zgjidhjeve më të mira dhe më të qëndrueshme, udhëheqësia komunale mbështetet gjithnjë e më shumë në masat represive dhe stërrrregullimin.

Dubrovniku ka nderin e vështirë ta ketë shkallën më të lartë turistike në Evropë. Pashmangshëm, një numër i madh njerëzish, që vizitojnë një qytet të vogël, do të krijojnë situata të padëshirueshme, por në vend që të punojë drejt zgjidhjeve më të mira dhe më të qëndrueshme, udhëheqësia komunale mbështetet gjithnjë e më shumë në masat represive dhe stërrregullimin.

Ideja më e fundit e kryetarit të komunës së Dubrovnikut ishte ndalimi i përdorimit të valixheve me rrota në qytetin e vjetër. Prapa fushatës gjithëpërfshirëse me titull “Respect the City”, [shqip: Respekto qytetin], qëndrojnë disa ide konservatore si për shembull, qyteti duhet të respektohet duke veshur rrobat e duhura, kështu që personat pa bluzë dënohen me gjoba. Megjithatë, çka shpërfillet është se dëmi real ndaj qytetit vjen si rezultat i shfrytëzimit nga kompanitë private, me të cilat elita në pushtet bashkëpunon me gatishmëri. 

Shumica e vendeve të punës në turizëm janë punë sezonale. Ndonëse shumica e preferojnë këtë, sepse gjysma tjetër e vitit kalohet pa punuar, kjo lloj pune krijon edhe probleme në cilësinë e jetës. Për punëtorët me paga më të ulëta, problemi i ndryshimit të shpeshtë të punës dhe pasiguria e punës është stres i vazhdueshëm. Punëtorët sezonalë gjithashtu e kanë të vështirë marrjen e kredive nga banka.

Sfida më e madhe është shpërputhja mes ngarkesës së madhe të punës gjatë sezonit si dhe jetës jashtë sezonit, ku ka mungesë jo vetëm të punës, por edhe të ngjarjeve kulturore dhe të tjera. Punët sezonale janë kërkuese, si në aspektin fizik ashtu edhe në atë mendor, kjo e fundit vërehet edhe jashtë sezonit. Një ritëm i tillë i jetës mund ta shkaktojë dëmin e tij, i cili ka prirje të anashkalohet nga shumë njerëz.

Karakteristika mbizotëruese e mbështetjes në turizëm për ekonominë është pasiguria. Ndryshimet politike, klimatike dhe shëndetësore mund të kenë një ndikim të madh, pavarësisht nëse ato ndodhin brenda apo jashtë Kroacisë, apo edhe përtej rajonit. Turizmi sjell një lloj të veçantë pasigurie.

Dubrovniku ka nevojë urgjente për nisma komunitare, vetëdije të fuqishme qytetare dhe këmbëngulje për qëndrueshmëri.

Një zgjidhje që përmendet shpesh për të gjitha këto probleme është “turizmi elitar”, që shihet si e kundërta e “turizmit masiv”. Sipas kësaj klisheje, të kesh më pak mysafirë, por që paguajnë më shumë, do të ishte zgjidhja magjike. Por kjo jo vetëm që nuk do t’i jepte zgjidhje problemeve ekzistuese, por do të krijonte të reja. Hapësira publike do të privatizohej më tej, për shembull, dhe çmimet do të rriteshin. Qiramarrësit dhe bizneset e vogla do viheshin në rrezik dhe kjo mund t’i përkeqësonte pabarazitë sociale.

Ndonëse ka shumë probleme me të cilat përballet Dubrovniku për shkak se mbështetet në turizëm, është fakt që shumë banorë dhe vetë qyteti mbijetojnë drejtpërdrejt nga turizmi. Kjo nuk është assesi thirrje për t’i dhënë fund turizmit. Na nevojiten politika publike më të mençura, me qasje afatgjate, që mund ta sjellin një sistem social më të drejtë. Dubrovniku ka nevojë urgjente për nisma komunitare, vetëdije të fuqishme qytetare dhe këmbëngulje për qëndrueshmëri, në mënyrë që t’i ruajë burimet për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, mund të ëndërrojmë për një sistem social dhe ekonomik më të drejtë.

Imazhi i ballinës: Ruben Ramirez përmes licencës CC

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.