Zoltán Turuc jeton në Bačka Topola në Vojvodinë dhe si shumë të tjerë në këtë pjesë të Serbisë, ka shtetësi të dyfishtë, gjë që ia mundëson të votojë në zgjedhjet e Serbisë dhe Hungarisë më 3 prill. Në Serbi mund të votojë duke e vizituar një qendër votimi në komunë, ndërsa në Hungari mund të votojë duke e dërguar votën me postë, në konsullatë në Suboticë apo duke e kaluar kufirin dhe duke hedhur votën e tij në qendrën e votimit të caktuar për diasporën.
Megjithatë, meqenëse nuk jeton në Hungari apo nuk paguan taksa aty, Turuc mendon se nuk është e drejtë të votojë edhe në atë vend, kështu që po heziton për të vendosur se si t’ia bëjë, ta hedhë votën apo ta bëjë të pavlefshme. Ai është i gatshëm t’ua japë votën disa prej kandidatëve në Serbi.
“Mund ta kem shtetësinë e dyfishtë sa të dua, por dua t’ua lejoj atyre që janë me vendbanim apo të punësuar në Hungari të votojnë”, tha Turuc.
Shumë hungarezë në Vojvodinë nuk do të pajtoheshin, duke besuar se ngjarjet që ndodhin në vendin fqinj, po ashtu edhe pyetja se kush është në pushtet, në mënyrë të konsiderueshme i ndikon jetët e tyre të përditshme.
Afërsia me Hungarinë është e dukshme gjithkund në Vojvodinë, ku qeveria hungareze, e udhëhequr nga Viktor Orban, ka vite që investon në infrastrukturë dhe kulturë, si dhe ka ofruar ndihmë për fermerët dhe pronarët e bizneseve të vogla. Në të njëjtën kohë, Viktor Orban dhe Aleksandar Vučić, të dy kandidatë në këto zgjedhje, këto ditë po e shfaqin haptazi afërsinë dhe bashkëpunimin e tyre.
Si pjesë e fushatës serbe, së fundmi u inaugurua një tren i shpejtësisë së lartë për udhëtim mes Beogradit dhe Novi Sadit. Pas shëtitjes së parë, Vučić u tha mediave se bashkë me Orban janë pajtuar për bashkëpunim të pa rezervë.
Ndikimi i pakontestueshëm
Gabor Bodiš është gazetar nga Hungaria, familja e të cilit vjen nga Vojvodina, i cili për vite me radhë i ka përcjellur dhe analizuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai beson se mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Hungarisë ekziston një “lidhje pothuajse dashurie”.
“Bashkërisht, ata kanë krijuar dy vende që duken si binjake sa i përket sistemeve politike, posaçërisht duke pasur parasysh nivelin e lartë të korrupsionit dhe mediat që janë nën kontrollin e tyre të plotë”, tha Bodiš. Po ashtu shtoi se, përveç pamjes fizike të të dy liderëve, gjithçka tjetër, parimet që po i shtyjnë para dhe shoqërinë që po e ndërtojnë, janë “plotësisht të njëjta”.
Bodiš thekson se Orban ushtron ndikim të plotë dhe të pakontestueshëm mbi hungarezët e Vojvodinës. “Serbia nuk luan rol në formësimin e vetëdijes politike të hungarezëve vendas. Kjo bëhet nga mediat që veprojnë në Hungari dhe ato janë nën kontrollin e plotë të Aleancës së Hungarezëve të Vojvodinës”, tha Bodiš.
Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës (VMSZ) është parti që ka lidhje të ngushta me partinë Fidesz të Orban. Në zgjedhjet serbe do të marrin pjesë në mënyrë të pavarur, duke shpresuar për vota që do t’ua mundësonte atyre t’i mbajnë pozitat e tanishme. Mesazhi në posterët e tyre politikë, mbizotërues në Suboticë, thotë: “Më 3 prill – Për ju, me ju, për të gjithë ne”!
Norbert Šinković beson se Orban ushtron kontroll mbi hungarezët e Vojvodinës. Foto: Norbert Šinković arkiva private
Pas VMSZ-së, numri më i madh i posterëve politikë në Suboticë janë nga Partia Progresive Serbe (SNS) e Vučić. István Pásztor dhe djali i tij, Bálint e udhëheqin VMSZ dhe mbështesin hapur Aleksandar Vučić në kandidaturën e tij presidenciale serbe, duke u bërë thirrje votuesve të tyre t’ia japin votën liderit të SNS-së.
Kundërshtare e VMSZ është Lëvizja Hungareze, e cila po merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Serbi bashkë me koalicionin “Moramo” (në shq. “Ne duhet”) që i bëri bashkë lëvizjet dhe partitë qytetare dhe mjedisore nga Serbia. Gjatë tubimeve të tyre politike, shpesh flasin për Orbanin dhe qëndrimin e tij ndaj hungarezëve të Vojvodinës dhe çka mund të ndryshojë në të ardhmen.
I pari i listës së VMSZ-së është Bálint Pásztor, i cili fushatën e tij po e zhvillon edhe përmes rrjeteve sociale, ku rregullisht publikon përmbajtje dhe komunikon me qytetarët. Ai është lehtësisht i qasshëm për gazetarët dhe me padurim flet për rezultatet e arritura deri më tani nga VMSZ-ja.
Përveç fushatës në internet, përfaqësuesit e VMSZ po zhvillojnë vizita nëpër fshatrat hungarez dhe po bisedojnë me votuesit potencialë. Lidhja e tyre e ngushtë me Fidesz, parti e njohur me hungarezë të Vojvodinës ia shton peshën politike VMSZ-së në Serbi.
Bodiš është skeptik se udhëheqja e tanishme hungareze në Vojvodinë mund të zëvendësohet, por shpreson për një ndryshim në Hungari ku, për herë të parë në 12 vjet, një front i bashkuar opozitar mund ta kërcënojë politikisht Orban. Gazetari beson se një rol të madh do të luajnë zhvillimet e mëtutjeshme mes Ukrainës dhe Rusisë, pasi ndërlidhet me lidhjet që mban Orban me Putinin.
Kartat fituese të Orbanit
Gazetari i Vojvodinës, me origjinë hungareze Norbert Šinković ka mendim të kundërt nga Bodiš. Ai nuk beson se opozita do të triumfojë në Hungari, por shpreson se mund të ndodhë ndonjë ndryshim në marrëdhëniet e pushtetit në parlament, duke nënkuptuar që opozita të mund të jetë në gjendje ta kufizojë mbizotërimin e tanishëm të Orbanit në Fidesz. Kur bëhet fjalë për votat e hungarezëve të Vojvodinës, shprehet skeptik se ato mund të shkojnë në anën e opozitës, pasi që kjo e fundit nuk ka arritur ta përcjellë një mesazh të qartë për diasporën e rajonit.
Šinković tha se shumë hungarezë të Vojvodinës i janë mirënjohës Orbanit sepse në vitin 2010 e bëri të lehtë pajisjen me shtetësi të dyfishtë dhe për shkak se derdhi shuma të mëdha parash në Vojvodinë.
Kjo mbështetje, sipas disa analistëve, shihet në mediat në gjuhën hungareze të Vojvodinës, të cilat Norbert Šinković i konsideron problematike. “Së pari, nuk janë në përputhje me kodin gazetaresk, rregullat e profesionit tonë”, tha ai, duke shtuar se këto media po marrin para nga Hungaria, por që shpesh paraqiten si para që vinin nga Fidesz.
“Paratë që vijnë nga fondet shtetërore të Hungarisë nuk janë para partiake, por burime që vijnë nga taksapaguesit”, tha Šinković. “Duke krijuar imazhin se Fidesz e jo Hungaria po ‘dhuron’ para, është e qartë se kjo përbën një instrumentalizim të burimeve publike për përfitime partiake dhe politike”.
Gazetari Gabor Bodiš shqetësohet për ndikimin që kanë mediat e Viktor Orban në Vojvodinë. Fotografia: Natalija Jakovljević.
Po ashtu, Turuc mendon se Orban po “blen” vota nga hungarezët e Vojvodinës dhe se këtë po e bën përmes VMSZ-së. Ai paralajmëron për faktin se partia ka njoftuar se do ta shfrytëzojë ditën e zgjedhjeve për t’i vizituar bashkëqytetarët e tyre në Vojvodinë dhe për t’u ndihmuar në procedurat që lidhen me procesin e votimit në Hungari. “Për shembull, ata mund t’i manipulojnë të moshuarit, të cilët nuk janë në gjendje apo nuk dinë të lexojnë ose shkruajnë”, paralajmëroi Turuc.
Falë vendimit për shtetësinë e dyfishtë, më shumë se 65,000 njerëz në Serbi mund të votojnë në zgjedhjet e Hungarisë. Gjatë zgjedhjeve të 3 prillit, ata mund të votojnë për njërën nga gjashtë listat politike që po luftojnë për 199 vende në parlamentin hungarez. Gjithashtu, votuesit do ta kenë mundësinë të votojnë për një pyetje referendumi që lidhet me mbështetjen për prezantimin e orientimeve të ndryshme seksuale për të miturit në shkolla si dhe promovimin medial të temave të ndjeshme gjinore tek fëmijët.
Vitin e kaluar, parlamenti hungarez miratoi një ligj për mbrojtjen e fëmijëve, për të cilin opozita, si dhe aktivistët në Bashkimin Evropian (BE), besojnë se është kundër komunitetit LGBTQ+. Partia Fidesz e Viktor Orban do të përpiqet ta fitojë mandatin për të katërtën herë me radhë.
Imazhi i ballinës: Natalija Jakovljević.