Në thelb | COVID-19

E ardhmja e kërlingut në Kosovë rri mbi akull të hollë

Nga - 14.08.2020

Si do t’i mbijetojë pandemisë ky sport?

Kërlingu zakonisht luhet në shtete që kanë fonde për të ndërtuar sheshe të akullta sportive. Shtetet sikur Kosova rrallëherë kanë mundësinë të njihen me sportet dimërore mbi akull sepse u mungon mbështetja strukturore. Por Kosovën e priu fati, së paku tash për tash.

Në verën e vitit 2016, shtetasi kanadez Peter Andersen mbërriti në Prishtinë për të kryer një praktikë të shkurtër në një OJQ vendase. Pasi kishte vendosur ta vazhdonte qëndrimin në Kosovë, ai priste se do t’i duhej të hiqte dorë nga sporti me të cilin ishte rritur prej një moshe të re.

Por për befasi, ai zbuloi në internet se Kosova kishte një federatë të kërlingut qysh nga viti 2012.

“Duke kërkuar vende ku mund të udhëtoja për të luajtur kërling, gjeta Federatën e Kërlingut të Kosovës”, thotë Andersen. “Atëherë i dërgova një imejll presidentit [të federatës], i cili po ashtu ishte president i Komitetit Olimpik të Kosovës. Besim Hasani shpjegoi se kërlingu ishte provomuar në shkolla që në vitin 2012, por mungonin fondet dhe hapësirat për t’u zhvilluar më tej”.

Sidoqoftë, arsyeja e vetme e ekzistencës së kësaj federate është që Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) të hynte në Lojërat Olimpike, pasi Hasani kishte mësuar se kërkohej njohja nga pesë federata ndërkombëtare të sportit për të dërguar sportistë në Lojërat Olimpike Verore të vitit 2016.

Në mënyrë që një sport të njihet nga KOK-u, ai duhet të ketë një numër të caktuar klubesh në Kosovë. Varësisht nga sporti, ky numër sillet nga tri deri në katër klube në së paku dy zona gjeografike. Kërlingu nuk i kishte klubet, por meqë Federata Botërore e Kërlingut (FBK) ishte e gatshme ta njihte Kosovën dhe ta ndihmonte për të hyrë në Lojërat Olimpike, u bë një përjashtim.

Pasi takoi Hasanin, Andersen-it iu ofrua pozita e këshilltarit vullnetar dhe e drejtorit të federatës për ta zhvilluar sportin e tij të dashur në shtëpinë e tij të re, dhe këtë e shfrytëzoi pa humbur kohë. Me ndihmën e FBK-së, Andersen arriti të blejë pajisjet — përfshirë shtrojat dhe gurët plastikë për “kërlingun pa akull” — për ta promovuar sportin në Kosovë.

Sporti skocez i mbizotëruar nga kanadezët

Kërlingu është luajtur në krye të herës në Skocinë mesjetare dhe është sjellë në Kanada nga mërgimtarët skocezë. Ai vazhdon të jetë sport tejet i popullarizuar në atë vend dhe Kanadaja ka fituar shumicën dërrmuese të medaljeve olimpike në kërling që nga futja e këtij sporti në Lojërat Dimërore në vitin 1998.

Kërlingu luhet duke i marrë gurët e posaçëm dhe duke i hedhur rrëshqitas mbi një shtresë të akullt drejt katër rrathëve bashkëqendrorë. Sikur në sportet boules, bowls, boccie ose shuffleboard, ekipet përpiqen t’i fusin gurët brenda rrathëve të shënuar për të fituar pikë.

Ata shënuan fitoren e parë në Kampionatin Botëror të Kërlingut të Përzier në Aberdin të Skocisë kundër Nigerisë, me rezultat 9-3.

Anëtarët e ekipit fshijnë akullin para gurit ndërsa shkon drejt rrathëve në mënyrë që ta mbërrijë cakun e dëshiruar. Në fund të secilit rund, ekipi me gurin që gjendet më së afërti me qendrën e rrathëve merr një pikë — nëse po ashtu kanë gurin e dytë më të afërt, ata marrin dy pikë, etj.

Në gara, ekipet përbëhen prej dy ose katër vetëve: hedhësit dhe fshirësit. Aktualisht, Kosova garon me një ekip kombëtar të përbërë nga dy ekipe të përziera [për nga gjinia] dyfishe. E veçanta e sportit lidhet me strategjinë dhe bashkëpunimin. Për këtë arsye njihet si “shah mbi akull”.

“Përmes ngjarjeve publike dhe programeve shkollore, kërlingu pa akull ua ka mundësuar 7,000 kosovarëve t’i hedhin gurët e parë”, thotë Andersen. “Pavarësisht nga mungesa e akullit, ne prapë kemi stërvitur një grusht lojtarësh kosovarë në hapësira stërvitëse ndërkombëtare, kështu duke formuar dy ekipe [të përziera dyfishe brenda një ekipi kombëtar] që kanë marrë pjesë në tri ngjarje të kampionatit botëror”.

Hyrja në histori

Në vitin 2019 dhe 2020, Kosova arriti në arenën ndërkombëtare të kërlingut, duke tërhequr vëmendjen e mediave të ndryshme botërore, përfshirë CBC News në Kanada, revistën e linjës ajrore Norwegian Airlines dhe Evening Express të Mbretërisë së Bashkuar.

Edhe pse ekipi kombëtar i Kosovës ushtroi vetëm disa orë mbi akull në Budapest dhe në Bratisllavë, ata shënuan fitoren e parë në Kampionatin Botëror të Kërlingut të Përzier në Aberdin të Skocisë kundër Nigerisë, me rezultat 9-3.

Peter Andersen po kryente praktikën në një OJQ kur vendosi ta zhvillonte vullnetarisht kërlingun në Kosovë. Foto: WCF / Richard Gray.

“Kishte qindra njerëz me shumë më shumë përvojë sesa unë, madje disa prej tyre kishin qenë në Lojërat Olimpike dhe kishin fituar medalje duke përfaqësuar shtetet e tyre, dhe mezi prisja t’i takoja të gjithë”, thotë Eldena Dakaj, anëtare e ekipit të kërlingut që studion në RIT Kosova në Prishtinë. “Pata fatin t’i takoja dhe të flisja me disa prej tyre. Në përgjithësi jam ndier tepër mirë, e entuziazmuar dhe kam mësuar shumë”.

Anëtarët e tjerë të ekipit kombëtar kanë këndvështrime të tjera për përvojat e tyre duke përfaqësuar vendin e lindjes përjashta. 

“Ishte ndjenjë shumë e mirë, sidomos pasi vijmë prej një vendi ku nuk plotësohen kushtet për lojë. Gjatë rrugëtimit kemi pasur shumë sfida me vizat dhe mbështetjen financiare, por ia ka vlejtur”, thotë Mirjeta Shatri, psikologe që jeton në Prishtinë. 

Para katër vjetësh, një kërkim onllajn për kërlingun në Kosovë do të paraqiste pak materiale. Tash, të interesuarit e kanë të lehtë të gjejnë mbulim mbediatik për garimin në kampionate botërore dhe ta kontaktojnë vetë Federatën.

Megjithatë spikat një pyetje në kontekstin e pandemisë që ka detyruar të gjitha sportet në Kosovë të përditësohen: si do të rikthehet ky sport?

Si mbijeton kërlingu?

Kur Andersen u kthye në Kanada në pranverën e sivjetme për t’u bërë menaxher i një sheshi të kërlingut në Halifaks në Skocisë së Re, e ardhmja e kërlingut të Kosovës u vu në pyetje.

K2.0 foli me lojtarë, trajnerë dhe persona të tjerë të përfshirë në kërlingun e Kosovës për të mësuar më shumë rreth shpresave për sportin në vijim, sidomos pas pandemisë.

“Duhet të kujtoni se, përveç një sheshi të vogël të patinazhit në një qendër tregtare, Kosova nuk ka infrastrukturë për zhvillimin e sporteve mbi akull, e lëre më një shesh të kërlingut. Kërlingu në Kosovë fillimisht u përqesh, por mandej u shkrua dhe u raportua për të. Mediat na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë”, thotë Meriton Zeneli, trajneri i ekipit që punon si përkthyes në Prishtinë.

“Në sport ke dëshirë që të përmirësohesh vazhdimisht, nuk ka fund. Jemi të vetëdijshëm që nuk kemi rrugëdalje pa infrastrukturë”.

Mbi 7,000 kosovarë kanë pasur mundësinë ta luajnë këtë sport, por tash të gjitha ngjarjet janë anuluar për shkak të pandemisë. Foto: Celia Russell.

Andersen shpjegon se planet e ekipit kombëtar dhe të zhvillimit të sportit në Kosovë është dashur të anulohen me ardhjen e pandemisë.

“Na është dashur t’i anulojmë të gjitha planet e kërlingut për shkolla, kampin ndërkombëtar të stërvitjes dhe planet për të marrë pjesë në Kampionatet Evropiane dhe Botërore të vitit 2021”, thotë Andersen.

Kosova nuk do të marrë pjesë në kampionate në mënyrë që ta sigurojë sigurinë e sportistëve, thotë Andersen, për shkak të rrezikut të udhëtimit gjatë pandemisë.

Kualifikimet për Kampionatin Botëror të Dyfisheve të Përziera do të mbahen në Erzurum të Turqisë në dhjetor. Kjo do të kishte qenë hera e parë që Kosova do të merrte pjesë në një ngjarje ndërkombëtare të kërlingut pa ngatërresat e visave. Turqia është një ndër vetëm katër vendet ku kosovarët mund të shkojnë pa viza. Sidoqoftë, sikur edhe ngjarjet e tjera të kërlingut, edhe kjo ka gjasë të anulohet.

Për nga ana logjistike, do të ishte vështirë për pjesëmarrësit të garonin për shkak të çështjeve lidhur me pandeminë, përfshirë detyrimet për karantinim në cilëndo anë të udhëtimit. 

Por siguria nuk është arsyeja e vetme përse lojtarët kosovarë të kërlingut nuk do të mund të garojnë në të ardhmen e afërt.

“Nuk kemi mjaft mbështetje, pra pandemia i ka keqësuar gjërat për ne sepse bizneset dhe qeveria mund ta përdorin pandeminë si arsyetim për të mos na dhënë fonde tash, edhe pse ka kampionate në fund të vitit dhe në fillim të vitit tjetër”, thotë Dakaj.

“Thjesht kemi ngelur në vend! Është vështirë të udhëtosh jashtë Kosovës ose të gjesh fonde a donacione, por tash është akoma më keq”.

Ëndrrat për sheshin e akullt

Një nga qëllimet kryesore të Federatës së Kërlingut është ta ndërtojë një shesh të akullt për sportin, gjë që nuk do ta mbështeste vetëm kërlingun, por edhe sportet e tjera mbi akull sikur patinazhin dhe hokejin. 

Pasja e një hapësire për kërling do ta bënte Kosovën vendin e vëtëm në rajon me shesh të kërlingut dhe do ta ndihmonte zhvillimin e sportit në rajon duke organizuar sesione të stërvitjes dhe gara.

FBK-ja mban perpektivë pozitive për të ardhmen e kërlingut të Kosovës, pavarësisht nga pengesat që gjenden në shteg.

Federata e Kërlingut të Kosovës hyri në histori pasi luajti në Kampionatin Botëror të Përzier në vitin 2019. Foto: Judy Russell.

Sidoqoftë, ajo thotë se një hapësirë e posaçme për kërling është “thelbësore” që shtetet të përparojnë dhe është “hap themelor për zhvillimin dhe rritjen e vazhdueshme që kërkon suksesi në kërling”.

“Financimi dhe zhvillimi i një hapësire të posaçme është përgjegjësi e Asociacionit Anëtar, por kur shprehet dëshira për të bërë hapin e parë, ne kemi disa burime dhe programe për ta realizuar këtë”, ka thënë FBK-ja për K2.0.

Tash, Kosova është anëtare e përkohshme e FBK-së që ka përmbushur kriteret për t’u bërë anëtare e plotë. Federata e Kosovës do të lejohet të marrë fonde zhvillimore në Kongresin e radhës të FBK-së ku do të shpallet formalisht si anëtare e plotë. Kriteret për t’u bërë anëtarë të plotë përfshijnë garimin në dy kampionate botërore dhe pjesëmarrjen në dy takime të Kongresit. Andersen ka marrë pjesë në tri takime të Kongresit: në Hungari, në Slloveni dhe në Meksikë.

Por shpresat e Kosovës për të ndërtuar hapësirën e parë për kërling në Ballkan janë zymtuar pasi FBK-ja është detyruar t’i rishqyrtojë planet financiare për shkak të pandemisë.

“Për shkak të anulimit të dy ngjarjeve më fitimprurëse, Kampionatit Botëror të Burrave dhe atij të Grave, ata kanë pezulluar programet ndihmëse për ndërtimin e hapësirave deri në fund të vitit 2021”, thotë Andersen. “Pa këtë, planet e Kosovës për të ndërtuar një hapësirë do të shtyhen”.

Që nga fillimi, Federata e Kërlingut të Kosovës ka planifikuar të mbledhë mjete për ndërtimin e sheshit të akullt, sipas Zenelit.

Zeneli tregon se sa e rëndësishme është hapësira për planet e ardhshme të ekipit dhe thotë se kanë nevojë për më shumë mbështetje nga institucionet e Kosovës për t’i realizuar ato.

“E ardhmja e kërlingut në Kosovë varet kryesisht nga ndërtimi i sheshit të akullt. Pa të, kërlingu nuk do të mund të ecë para”, thotë ai. “Me të vërtetë shpresojmë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do ta përfshijë një shesh të akullt në planet e tyre”.

Në anën tjetër, trajneri Zeneli po ashtu shpreh kritikë për institucionet e Kosovës, duke thënë se duhet të bëjnë më shumë për të ofruar mundësi për të rinjtë e Kosovës që të kenë stile më të shëndetshme të jetës dhe shoqërohen me kolegët e tyre.

“Unë besoj se mungesa e plotë e ndonjë hapësirë për sporte mbi akull në Kosovë tregon që institucionet nuk kanë bërë mjaft për ta mbushur një zbrazëti. Nuk flas vetëm për kërlingun. Ka shumë sporte të tjera mbi akull që nuk ekzistojnë në Kosovë për shkak të mungesës së një hapësirë”, thotë Zeneli.

“Vërtet besoj që me interesin e treguar nga rinia e Kosovës dhe me një hapësirë, pas 10 vjetësh do të bëheshim një fuqi serioze në kërling!”

Imazhi i ballinës nga Federata Botërore e Kërlingut.

KOMENTO