Blogbox | Gjinia

E humbur në kulturën time

Nga - 21.01.2022

Gjuha jonë ende i përjashton gratë

Rri me kujdes se je vajzë”!

Një herë, kur mes një grupi grash, të cilat po i takoja për herë të parë, u hap tema për atë se si po rriten vajzat, e kuptuam se të gjithave na është thënë kjo shprehje të paktën një herë në jetë. Në retrospektivë, është e dhimbshme që pikërisht ky përjetim na përbashkon të gjithave, pra pavarësisht dallimeve tona individuale, ne kishim shumë të përbashkëta.

Kështu u flitet grave dhe vajzave. Sa herë që hapet kjo temë, gjithmonë më kujtohet një ngjarje në veçanti. Para disa vitesh, u pat bërë publik rasti i dhunimit fizik dhe seksual të një vajze në Shqipëri. Teksa rasti po zhvillohej, dukej se gjithkush donte ta shprehte mendimin e vet.

Qoftë në domenin publik apo në atë privat, vëmendja u zhvendos nga krimineli tek viktima. “Pse nuk e ka denoncuar më herët?”, “Po, u dhunua, por…”,  “Ku e kishte vëllain?”, “Me siguri e ka lypë”, “Sa keq, tash të dyve iu është rrënuar jeta”, etj.

Ndërkohë, mediat dukeshin më të përqendruara në sensacionalizimin e rastit duke publikuar tituj dhe përmbajtje që ia shkelnin dinjitetin viktimës. Kjo stuhi mediale zgjati rreth një javë dhe kështu të gjithë harruan çfarë kishte ndodhur. Por si erdhëm deri këtu? Si mund të justifikohet një mbulueshmëri e tillë? Ndoshta përgjigjja qëndron tek paralajmërimi: “Rri me kujdes se je vajzë!”

Kjo lloj gjuhe gjendet në rrënjët e mendësisë që çon në shtypjen e grave. Fjalët formësojnë realitetin tonë. Asnjëherë nuk duhet ta nënvlerësojmë se sa shumë ndikohemi nga mënyra se si na referohen të tjerët dhe nga gjuha që e dëgjojmë përreth.

 

Gjuha dhe gjinia

Në anglisht, fjala “burrë/njeri” (man) përdoret për t’iu referuar një personi mashkull apo njerëzve më gjerësisht. Nuk mund të mos e pyesim veten nëse njerëzit si të tillë shihen si sinonim i burrave dhe nuk mund të mos mendojmë se si ky është pasqyrim i statusit më të lartë që shoqëria jonë ua atribuon burrave. Ndërkohë, në fjalorin shqip, fjala “burrë” përcillet me mbiemra që i lidhin burrat me të qenit trima dhe fisnikë, pra dikush që është i ndershëm dhe që e mban fjalën.

Kur grave u atribuohen mbiemra të tillë si besnike, trime, fisnike, atëherë ato janë “burrëresha”, sipas këtij përkufizimi. Me sa duket, nëse gruaja do të ishte njëra nga këto gjëra, asaj do t’i duhej të sillej si një burrë.

A e formëson gjuha që e përdorim mënyrën se si veprojmë?

Në gjuhën që e përdorim përditë, gratë vendosen në pozicion inferior në raport me burrat, shprehi kjo e moçme, por që mbahet gjallë sot e kësaj dite. Kjo përmbledhje fjalësh të urta për gratë, marrë nga libri “Fjalë të urta të popullit shqiptar” (1983), ofron një ilustrim se si u është referuar grave dhe vajzat përgjatë historisë.

Fjalët e urta në këtë përmbledhje, pa përjashtim, i portretizojnë gratë si qenie të liga, të padobishme, të shfrytëzueshme. Ndonëse të gjitha janë tronditëse, më la përshtypje sidomos kjo: “Vajzës duhet me i rrahë edhe vend ku rri”. Ishte trishtuese të përballeshe me një shprehje që e promovon dhunën ndaj grave, e cila mbetet një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Në fund të fundit, aktet e dhunës nuk ndodhin rastësisht – gjeneza e tyre mund të gjendet në këtë lloj gjuhe të pashpirt dhe brutale.

Nuk është e pazakontë që grave t’u bëhet presion që të vazhdojnë të lindin fëmijë derisa ta lindin një djalë, një kryefamiljar, një trashëgimtar të mbiemrit. Kjo i bëri vaki edhe gjyshes sime, e cila lindi vajza dhe secilën herë shpresonte të kishte djalë. Një herë më pat thënë: “Vajza lindet në shtëpi të huaj dhe shkon në shtëpi të vet”. A i binte kjo që unë, si vajzë, nuk kisha vend në shtëpinë ku isha rritur, që isha thjesht një banore e përkohshme dhe që duhej që vazhdimisht të kërkoja shtëpinë time të vërtetë?

A i binte kjo që unë, si vajzë, nuk kisha vend në shtëpinë ku isha rritur?

Kjo radhë e mënyrave të dëmshme të të shprehurit duket sikur nuk ka fund. Siç thotë fjala e urtë shqipe: “edhe trarët e shtëpisë qajnë kur lindin vajzat”. Me sa duket, ardhja në jetë e një vajze i ngjan një dite të zisë dhe të humbjes për familjen. Që nga lindja, vajza shënjohet si qenie që u sjell vetëm trishtim dhe rëndesë atyre që e sjellin në jetë.

Por edhe dekada më parë, kishte zëra që e kundërshtonin këtë narrativë. Haki Stërmilli, i cili konsiderohet si shkrimtari i parë shqiptar që i trajtoi çështjet e feminizmit dhe emancipimit të grave, në romanin e tij të shquar të vitit 1936, “Sikur t’isha djalë” shkroi si vijon: “Un, po t’isha djalë, do t’i tregojsha botës mashkullore se dora që përkund djepin asht ajo që e rrotullon boshtin e fatit të njerzis. […] Por mjerisht, s’jam djalë dhe si femen nuk mundem me e nxjerrë zanin.”

Libri i tij tregon rrethanat shtypëse ndaj grave shqiptare në vitet e ‘30-ta. Është dëshpërues fakti që përgjithësisht ka një mungesë të letërsisë që e vazhdon atë që kjo vepër e rëndësishme nisi. Ky lloj i letërsisë vazhdon të mbetet i rrallë. Në vend të kësaj, kemi tekste shkollore ku paragjykimet diskriminuese gjinore janë karakteristika të dukshme.

Kur lind vajzë, fjala e urtë thotë se qajnë trarët e shtëpisë. Por “kur lind djalë, lind shtylla e shtëpisë”. Pikërisht këtë e dëshironte aq fort gjyshja ime – një trashëgimtar të një mbiemri që nuk ishte i saj, por që e përjetonte si të sajin, më shumë se atë me të cilin u lind.

Mediat si sipërfaqe reflektuese

Viteve të fundit, jam zemëruar me mënyrën se si media i trajton gratë. Pavarësisht pozitës me ndikim, media në masë të madhe refuzon të qëndrojë kundër stereotipeve të dëmshme gjinore. Ç’është më e keqja, kjo e fundit shpesh i mirëmban këto stereotipe.

Jo shumë kohë më parë hasa në një blog rreth një ndeshjeje futbolli me titullin: “Burra që s’qajnë, burra prej s’vërteti”. Autorja komentonte sjelljen e tifozëve të skuadrës humbëse, duke lavdëruar faktin se asnjëri prej tyre nuk derdhi lot. E habitshme se si në vetëm pak rreshta u ilustrua një pamje kaq e dëmshme, se si burrat nuk duhet të qajnë edhe kur janë të rënduar emocionalisht apo edhe kur përjetojnë humbje. Teksa lartësonte këtë sjellje, autorja la të kuptohej se të qarit është emocion gjinor që i përket gruas dhe në të njëjtën kohë nënkuptoi se gratë janë të dobëta.

Vajzat e reja i mësojnë që të mos zemërohen kurrë.

Kur bëhet fjalë për shprehjen e emocioneve, ka diçka të vërtetë në thënien “gratë pikëllohen, burrat zemërohen”. Vajzat e reja i mësojnë që të mos zemërohen kurrë. Kjo mund të vijë për shkak se shpesh zemërimi lidhet me forcën, dominimin dhe kompetencën – tipare që perceptohen se u përkasin burrave.

Nëse një vajzë do ta shprehte zemërimin, do të shprehte një emocion që nuk përputhet me gjininë dhe kështu do të perceptohej si emocionalisht e paqëndrueshme, e paaftë dhe e devijuar nga komuniteti. Ndërkaq, vajzave u lejohet ta shprehin trishtimin, kurse djemve të rinj u thuhet “bëhu burrë”. Një burrë i mërzitur është i dobët, një grua e mërzitur është thjesht e natyrshme.

Mediat nuk e kursejnë askënd, siç ishte rasti me Qerkicën, një grua transgjinore ashkalike nga Kosova. Më 5 dhjetor të vitit 2021, Qerkica ishte e ftuar në një program televiziv për të folur për vështirësitë e të qenit transgjinore në Kosovë. Në shikim të parë, ky ishte një zhvillim i madh pasi ishte hera e parë që një grua transgjinore ashkalike intervistohej dhe iu dha hapësira publike të fliste për atë se çka do të thotë të jesh transgjinore në një shoqëri, e cila nuk të pret me krahë hapur. Por, në vend që ta ndiqnin një model empatik dhe informues të intervistimit, prezantuesit e programit zgjodhën ta bënin të kundërtën.

Qerkica u ballafaqua me pyetje të cilat e vënin në dyshim identitetin e saj si grua, mirëmbanin stereotipet gjinore dhe me tallje ndaj trajtimit që u bëhet grave. E pyetën nëse Qerkica bënte punët e shtëpisë dhe a e kishte të vështirë të mbathte taka. Më pas duke u tallur e pyetën nëse ajo ishte rrahur ndonjëherë nga një burrë. A është ky testi përfundimtar që përcakton nëse ajo është grua prej vërteti? A është vuajtja e grave veç një hajgare?

Kur përballemi me këtë realitet të ashpër, zhgënjimi mund të duket i padurueshëm. Po të mos dija veç pak më shumë, në fakt do të filloja të mendoja sfidat me të cilat ballafaqohem si grua janë të mirëqena dhe se unë në fakt e meritoj kutinë në të cilën shoqëria pret që unë mbyllem.

Kur e shoh se nuk gjej gjuhën të përbashkët për vlerat dhe besimet themelore me njerëzit e komunitetit tim, është e lehtë të ndihesh e humbur. Diskurset rreth gjinisë që mbizotërojnë në shoqërinë shqiptare më kanë shkëputur nga identiteti im.

(Mos) Njohja e fuqisë tënde

Duke u rritur, dëgjoja gjyshin teksa i thoshte si me shaka vëllait tim: “Ti je kryefamiljari”. Dhe unë i përgjigjesha menjëherë: “Epo ndoshta jam unë kryefamiljarja apo ndoshta familja nuk ka nevojë për një të tillë”. Kjo bisedë e qetë me dikë aq të përzemërt doli të jetë më domethënëse kur u përballa me realitetin e ashpër jashtë rehatisë të shtëpisë sime. Fillova ta vërej këtë mendësi në plot forma dhe nuk munda ndryshe pos t’i shihja gjërat me sy kritikë.

Më duhet të pranoj se terreni në të cilin ndodhen gratë mund të jetë mjaft i ashpër, megjithatë, është më mirë të luftosh dhe të humbasësh sesa të mos provosh kurrë. Ndonjëherë duket se vlerat patriarkale, mizogjene mund të rrënjosen aq thellë sa që gratë, si grup i shtypur, e kanë të vështirë të largohen nga narrativa e shkruar nga burrat. 

Procesi i përbrendësimit të shtypjes nis qysh në fillim të jetës, kur vajzave të reja u mësohet të sillen ndryshe nga djemtë. Ky trajtim përforcohet nga mjetet e komunikimit masiv, të cilat herë pas here i ulin gratë dhe përdorin gjuhë që i objektivizon dhe i zhvlerëson ato. Duke pasur parasysh këtë, mizogjinia e brendshme do të ndodh për aq kohë sa ndikimi i këtyre faktorëve të jetë i pakapërcyeshëm.

Gjuha që e përdorim vjen si rezultat i shoqërorizimit afatgjatë, duke pasqyruar historinë tonë dhe duke përcaktuar mënyrën se si sillemi.

Diskursi seksist duket se është aq i ngulitur në nënvetëdijen tonë sa që nuk mund ta largojmë aq lehtësisht. Gjuha që e përdorim vjen si rezultat i shoqërorizimit afatgjatë, duke pasqyruar historinë tonë dhe duke përcaktuar mënyrën se si sillemi.

Megjithatë, bota nuk duket aq e zymtë kur i dëgjoj njerëzit tek pranojnë se gjuha që përdorimin është problematike dhe kur shoh format jokonvencionale, të guximshme dhe të parehatshme përmes së cilave gratë kundërshtojnë shtypjen. 

Gjatë një bisede që pata me Nefise Özkal Lorentzen, regjisoren e dokumentarit “Seksi, Revolucioni dhe Islami”, ajo përmendi se stilet horizontale të udhëheqjes dhe fjalimet e grave po revolucionarizojnë vetë fenë. Përpjekjet e grave për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe barazinë rrjedhin prej përvojave të tyre personale dhe ngjarjeve formësuese në jetë që u kanë ndodhur duke qenë të trajtuara si të parëndësishme në shoqëri.

Gjatë gjithë jetës sime, kam ndeshur, jam mësuar nga dhe kam admiruar gra që kanë triumfuar dhe që i kanë tejkaluar pengesat që u janë vendosur përpara, derisa në të njëjtën kohë kanë arritur të shpërfaqin empati për të tjerët. Ndoshta, duke qenë të ndërgjegjshëm për gjuhën që përdorim dhe duke u përqendruar në ndjeshmërinë e mënyrës se si i trajtojmë, mendojmë dhe flasim për të tjerët, mund të fillojmë të bëhemi pjesë e një narrative për të cilën mund të jemi vërtetësisht dhe plotësisht krenarë.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0

Ky artikull është prodhuar bazuar në monitorimin e mediave të bërë nga Rrjeti për Raportim të Diversitetit 2.0, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, Trustit Ballkanik për Demokraci, një projekt i Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd.

Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe anëtarëve të rrjetit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, Ambasadës Mbretërore Norvegjeze, Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara, ose partnerëve të tij.