Këngëtarë, avokatë, mësues, aktorë, gazetarë, ekonomistë, doktorë, kryetarë komunash e madje edhe politikanë me profesion — por edhe të tillë që nuk kanë patur kurrë ndonjë rol tjetër profesional në jetë — janë në mesin e 120 deputetëve të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës.
Në këtë grup të shumëllojshëm të profileve që po i hyjnë skenës më të madhe të teatrit politik të Kosovës ka shumë që po debutojnë. Më shumë se 1/4 e përfaqësuesve po betohen si deputetë për herë të parë. Me 16 deputetë më shumë se në legjislacionin e kaluar, grupi më i madh i deputetëve që ulen për herë të parë në Kuvend vjen prej Vetëvendosjes, partisë që fitoi më së shumti me 11 qershor, ndërsa AAK e Ramush Haradinajt nuk e ka asnjë deputet që është bërë pjesëtar i Kuvendit për herë të parë.
Por çka i motivon këta deputetë të sapozgjedhur për të garuar për postin e ligjvënësit? Çfarë përgjegjësie ndjejnë ata karshi partisë së tyre dhe ndaj qytetarëve që ua besuan mandatin? Dhe çfarë i motivon ata në udhëtimet e tyre politike në organin më të lartë legjislativ të Kosovës? K2.0 u takua me disa prej deputetëve që ulen për herë të parë në Kuvend në vitin 2017.
Të vjetrit me të rinjtë
Në kontrast me deputeten më të re të Kosovës, 26 vjeçaren Teuta Rugova, e cila veç se ka shërbyer si deputete e LDK-së në legjislaturën e kaluar, deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci, do t’i përfaqësojë qytetarët e Kosovës së pavarur për herë të parë.
Megjithatë, karriera politike e aktorit të mirënjohur 76 vjeçar nuk nisi në 2017, meqë Mikullovci ishte në mesin e delegatëve të cilët nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia me 2 qershor 1990, hap që aso kohe u dënua ashpër nga Serbia.
“Mendoj se arsyet pse më kanë votuar është se njerëzit ende e kujtojnë sa zhurmaxhi i madh dhe i vendosur kam qenë si delegat gjatë vitete të nëntëdhjeta, dhe njerzit kanë besuar në sinqeritetin që e kam treguar gjatë viteve të okupimit”, tha Mikullovci, i cili i morri më shumë se 12,000 vota në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e qershorit.
Si 76 vjeçar, Adem Mikullovci do të jetë deputeti më i vjetër në Kuvendin e ri. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
27 vjet më vonë, Mikullovci dëshiron që ta sjell përsëri një profil më të ‘respektueshëm’ të një deputeti që ai thotë ekzistonte në vitet e 90-ta, të dikujt me dinjitet, që punon për popullin, e jo vetëm për përfitime personale.
Duke lexuar autorin e tij të preferuar, Mark Twain, nën hijen e shtëpisë së tij të vogël në periferi të Prishtinës, Mikullovci e shpreh energjinë dhe padurimin që e ndjenë për t’i nisur seancat në Kuvendin e Kosovës. Ai zotohet se do të jetë “ushtar” besnik i Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse njëkohësisht do t’i sjell idetë e tij personale. “Nuk mund të bie ndesh me Vetëvendosjen sepse jam ushtar i një lëvizjeje që është e vetmja dritë në këtë tunel të errët që e kanë ndërtuar partitë tjera në 18 vitet pas luftës”, thotë Mikullovci.
Si deputeti më i vjetër i zgjedhur në Kuvend, aktori është i obliguar — përkrah Teuta Rugovës si deputetja më e re — që ta kryesojë seancën konstituive që do të mbahet të enjten (3 gusht). Megjithatë, Mikullovci nuk duket i ngazëllyer me gjithë këto privilegje që i kanë deputetët. Ai thotë se do të propozojë reduktimin e shpenzimeve për zyrtarët e zgjedhur.
“Do të luftoj me këmbëngulje që të shkurtojmë pagat e deputetëve pasi nuk ka kuptim që deputeti me pas 6 apo 7 herë pagën më të madhe se paga mesatare në Kosovë”, thotë ai, duke shtuar se deputetët duhet të jenë “shëmbëlltyrë” për shoqërinë, sa i përket ruajtjes së buxhetit. “Pse duhet deputetët të kenë mëditje, kur e kanë një rrogë të shkëlqyeshme që arrin gati 2,000 euro në muaj?” pyet Mikullovci, i zemëruar.
"Nëse në ditën kur e lë Kuvendin e shoh se kemi arrit rezultate të mira për Kosovën, si thotë një fjalë e urtë popullore 'Do t'i msheli sytë rehat'"
Adem Mikullovci
Edhe pse gati tri dekada kanë kaluar prej kur Mikullovci ishte bërë deputet për herë të parë, dhe gati një dekadë ka kaluar prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008, ai vazhdon të flas për nocionin e sovranitetit nga Serbia. “Unë do e shihja të arritur shkëputjen e marrëdhënieve aktuale me Serbinë e të kemi me ta biseda vetëm si dy shtete fqinje e të pavarura”, thotë ai. Ky qëndrim përputhet me linjën e partisë së tij, e cila vazhdimisht ka bërë thirrje që të ndalet dialogu me Serbinë në formën aktuale, derisa të përmbushen disa parakushte nga Serbia që kanë të bëjnë me dëmet e luftës si dhe njohjen reciproke të shtetësisë.
Mikullovci thotë se ëndrra e tij e kahmotshme për një republikë sovrane dhe demokraci të barabartë sociale do ta bënte atë që të ndjehej ideologjikisht i kënaqur. “Nëse në ditën kur e lë Kuvendin e shoh se kemi arrit rezultate të mira për Kosovën, siç thotë një fjalë e urtë popullore ‘Do t’i msheli sytë rehat’”, thotë ai.
Ndonëse karrierës politike të Mikullovcit me gjasë po i afrohet fundi sikurse edhe vet e pohon, kolegja e tij, deputetja e re 35 vjeçare, Fitore Pacolli, ka hyrë në këtë sferë më vonë, dhe shpreson që do të jetë udhëtim i gjatë politik. “Unë e shoh politikën si vegël për të bërë ndryshime që ne si individë ose profesionalistë i shohim në vendin tonë”, thotë Pacolli.
Fitore Pacoli shpreson që të sjell përvojën e saj në arsim në rolin e saj të ri si deputete. Ajo premton që t’i shtyej përpara vlerat social-demokrate. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Ajo beson se roli i saj si shefe e kabinetit të administratës së Shpend Ahmetit në Komunën e Prishtinës, dhe ajo që ajo e përshkruan si model “social demokratik” të qeverisjes në kryeqytet, ka ndikuar pozitivisht në përkrahjen e kandidaturës së saj në zgjedhjet parlamentare. “Unë e kam ndërtuar profilin tim edhe gjatë studimeve si një social-demokrate, gjithmonë duke dashur të promovojë vlerat e drejtësisë sociale”, shton ajo me krenari, duke theksuar se koha që e kaloi duke jetuar në Londër ndikoi fuqishëm në dëshirën e saj për t’u kthyer e për të vendosur shërbime publike të njejta në vendlindje.
“Dora e shtetit për të ndihmuar familjet e varfëra ka munguar”, thotë ajo. “Për ta dërguar shtetin në një tjetër nivel ne duhet t’i largojmë shumë familje nga varfëria ekstreme për të ua mundësuar një jetë më të dinjitetshme që do të siguronte më shumë barazi”.
Pacolli është veçanërisht e interesuar që të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të arsimit, si dhe në fushën e politikës së jashtme dhe integrimit evropian të vendit. Ajo mendon se është e kualifikuar për këtë aspekt për shkak se u arsimua në Londër në fushën politikës së jashtme dhe ka përvojë si mësuese në shkolla të ndryshme publike e private në Kosovë. Si çikliste e pasionuar dhe pasi ishte dëshmitare e matjeve alarmuese të ndotjes së ajrit në Prishtinë në vitin e kaluar, ajo gjithashtu thotë se planifikon që të shtyej përpara politika më të favorshme në mbrojtje të ambientit. “I kemi parë rezultatet e ndotjes së ajrit që dolën më të këqija se i kemi pritur”, thotë ajo.
Për Pacollin, përgjegjësia e përfaqësimit të më shumë se 5,700 qytetarëve që votuan për të është e madhe. “Përgjegjësia ndaj qytetarëve është e lartë”, thotë ajo. “Përgjegjësia ndaj qytetarëve është më e lartë se ndaj partisë që i takojmë, edhe pse Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka folur për përgjegjësinë ndaj qytetarëve”.
Përvoja dhe ekspertiza
Valentina Bunjaku-Rexhepi është një deputete tjetër e re që ka qenë e përfshirë në sektorin e arsimit. 39 vjeçarja — dikur mësuese e matematikës — nuk është befasuar nga zgjedhja e saj në Kuvend. Ajo theksoi si arsye atë që e përshkruan si reputacion të suksesshëm si Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Bunjaku-Rexhepi nuk u befasua as për faktin që shumë votues të LDK e zgjodhën atë si një prej 5 kandidatëve për të cilët votuan. Ajo me krenari e pranon që rrënjët gjithmonë i ka patur në LDK, dhe thotë se babai i saj ishte një prej themeluesve të kësaj partie në 1989.
Sikurse Pacolli, Bunjaku-Rexhepi shpreson që të jetë pjesë e botës politike për një kohë të gjatë, duke e përshkruar rolin e saj të ri si “privilegj dhe besim”.
Valentina Bunjaku-Rexhepi thotë se ajo është me LDK në thelb dhe nuk mund ta paramendojë se si do të ishte po të mendonte ndryshe prej idollit të saj Ibrahim Rugova. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Meqë i fitoi më shumë se gjysmën e gjithsej 8,600 në vendlindjen e saj në zgjedhjet e 11 qershorit — e kështu u bë kandidatja më e votuar e koalicionit LDK-AKR-Alternativa në këtë qytet — nuk vjen si befasi fakti që ajo e ka prioritet Gjilanin madje edhe kur flet për synimet e saja si deputete. “I kam përmendur prioritetet e mija personale dhe i dua dy ose tri fabrika të mëdha në Gjilan, për të ulur nivelin e papunësisë”, thotë ajo.
Bunjaku-Rexhepi beson se është e aftë që të punojë në mënyrë efektive në tema të ndryshme si ligjvënëse, dhe se nuk është e kufizuar nga përvojat e kaluara. “Edhe pse jam arsimtare e matematikës mundem me kontribu në secilën sferë sepse në politikë mjafton dëshira dhe vullneti”, thotë ajo.
Në rolin e saj të ri si deputete, ajo beson se vota e popullin e obligon atë që të konsultohet me degën e LDK-së në Gjilan, dhe me hierarkinë e lartë të LDK-së, sa herë që duhet të merren vendime kyçe.
“Shpresoj që të reduktohet numri i politikanëve që e shohin politikën si karrierë”.
Korab Sejdiu
Bunjaku-Rexhepi thekson faktin që ndihet shumë e lidhur me LDK-në-së, dhe se edhe po të mos e mbështeste atë LDK hipotetikisht, ajo prap se prap do të ishte mbështetëse e LDK-së. “Unë e kam pasë idoll Rugovën meqë është president historik”, thotë ajo. “Nëse mendoj ndryshe prej tij, dridhem nga frika që mund ta tradhëtojë Presidentin Rugova… Ai për ne është i gjallë, nuk ka vdekur”.
Në kontrast nga Bunjaku-Rexhepi, e cila e sheh vetën si pjesëtare të përhershme të LDK-së, një deputet tjetër i ri, 39 vjeçari Korab Sejdiu, e la këtë parti pas një periudhe të shkurtër në të cilën punoi si këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, në vitin 2008. Ai thotë se vendosi që ta braktiste LDK-në për shkak të mungesës së “hapësirës” për të rinj, meqë ai mendon se profili i tij “rrezikonte” gardën e vjetër të LDK-së.
Tani, juristi po e përfaqëson AKR-në në Kuvend që është në koalicion me LDK-në. Ai ka jetuar e studiuar në SHBA para se të vendoste që të kthehej në Kosovë në vitin 2007. Sejdiu kritikon ata që e shohin politikën thjeshtë si karrierë: “Kurrë nuk e kam parë politikën si profesion, por më shumë si kontribut për shtetin. Profesionistët i duhen politikës në Kosovë”, thotë ai. “Shpresoj që të reduktohet numri i politikanëve që e shohin politikën si karrierë”.
Në përputhje me këtë qasje, ai e sheh karrierën e tij jashtë politikës. “Shpresoj të mos jem ende pjesë e politikës pas 20 viteve, por të jem duke kaluar kohën me mbesat e nipërit, në një ambient më të mirë se në Kosovën e sotme”, thotë ai.
Korab Sejdiu, i cili është avokat me profesion, beson se përvoja e tij do të jetë e vlefshme, sa i përket çështjeve të drejtësisë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Për shkak të kualifikimit profesional të tij si avokat, Sejdiu beson se kontributi parësor i tij si deputet do të jetë në sektorin e drejtësisë, si dhe në atë të fuqizimit të rinisë dhe zhvillimit të ekonomisë. Ai insiston se pritja për kontribut efektiv dhe të dijshëm në të gjitha sferat nuk është realiste. “E pamundur është të jemi ekspertë të të gjitha fushave”, thotë ai. “Unë me përkushtim do të kontribuoja në sistemin e drejtësisë, e do t’i lija doktorët që të merren me shëndetësi, e gjeodetët me gjeodezi”.
Meqë i morri më shumë se 8,500 vota në zgjedhjet e qershorit dhe u bë një prej katër deputetëve që do ta përfaqësojnë AKR-në në legjislaturën e re, Sejdiu thotë duhet të merret seriozisht puna e zgjedhjes si përfaqësues i popullit. “Jo për shkak që i morra 8,500 vota, po edhe dy vota me i pas marrë është përgjegjësi e lartë”, thotë ai.
Pavarësisht thashethemeve në media që partia e Sejdiut mund të devijojë nga LAA e ta mbështesë një qeveri të udhëhequr nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), ai e refuzon kategorikisht një ide të tillë, duke thënë se është më besnik ndaj atyre që e votuan.
“Një prej premtimeve që kam dhënë gjatë fushatës sime zgjedhore ishte që nuk do të bashkëpunoja me njerëz të cilët janë përgjegjës për gjendjen aktuale në Kosovë”, thotë ai. “Fillimisht, nuk mund ta tradhëtojë vetën dhe familjen time sepse me ta duhet të shihem çdo ditë me ta. Qysh me ju dalë në sy nëse i tradhëtoj parimet mbi të cilat iu kam kërkuar votën e tyre?”
K2.0 gjithashtu i kontaktoi për këtë artikull deputetët e PDK -së që janë për herë të parë pjesëtarë të Kuvendit – gjegjësisht Andin Hotin, Mërgim Lushtakun dhe Evgjeni Thaçi-Dragusha – si dhe Fidan Rekaliun e LDK-së. Hoti refuzoi që të intervistohej para konstituimit të Kuvendit; Lushtaku u pajtua që t’i përgjigjej pyetjeve nëpërmjet postës elektronike, por më pas nuk u përgjigj fare; Thaçi-Dragusha nuk iu përgjigj mesazheve dhe nuk ishte e qasshme; Rekaliu u pajtua që të intervistohej por më pas nuk iu përgjigj thirrjeve e mesazheve.
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.