S`fundmi | Privatizimi

Fondi sovran – alternativë e privatizimit?

Nga - 14.03.2022

Data: 21 mars

Koha: 17:30

Vendi: Salla e Kolegiumit, kati I, Hotel Grand

Dy dekada pas fillimit të procesit të privatizimit në vend, shumë prej fabrikave që dikur simbolizonin zhvillimin industrial të Kosovës nuk janë më funksionale. Përkundër premtimeve për investime e revitalizim të tyre, në të shumtën e herave, pas privatizimit, ato i ka pritur fati i njëjtë –– mbyllje ose rrënim, teksa herë-herë janë kthyer edhe në supermarkete apo hapësira për shfrytëzime të tjera. 

Për pjesën dërrmuese të ish-punëtorëve të fabrikave, privatizimi nënkuptoi humbjen e vendeve të tyre të punës dhe përballje me luftën për ta gjetur udhën e tyre në ekonominë e re post-socialiste. Vlerësohet se gjithsej, në të gjithë sektorët e ekonomisë, rreth 75,000 persona kanë mbetur të papunë si pasojë e privatizimit.

Pak kohë më parë, K2.0 botoi artikullin multimedial “Peizazhe rrënojash industriale” që vuri në qendër përvojat e punëtorëve të industrisë së rëndë të Kosovës, të cilët pas privatizimit të fabrikave u detyruan të largoheshin nga vendet e tyre të punës, ku kishin kontribuuar për vite të tëra.  

Për kritikët, procesi i privatizimit është një ndër faktorët kyç që ka çuar në deindustrializimin e ekonomisë së vendit duke dështuar të rivitalizojë potencialin ekzistues industrial në vitet e pas-luftës.

Në maj të vitit 2021, Qeveria shkarkoi bordin e kaluar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) si hap të parë në procesin e mbylljes së saj dhe inicimin e formimit të Fondit Sovran, i cili do të menaxhojë asetet strategjike shtetërore, si Trepçën, KEK-un, Telekomin, Postën. Bordi i ri i AKP-së tanimë ka bërë evidentimin e aseteve, të cilat planifikohet t’i barten Fondit Sovran dhe në mars të këtij viti qeveria ka miratuar koncept-dokumentin për themelimin e Fondit. 

Për të folur për ndikimin dy-dekadësh të privatizimit në industrinë e Kosovës dhe hapat e ardhshëm në lidhje me formimin e Fondit Sovran, në bisedë do të na bashkohen:

  • Avni J. Jashari, Zëvendës i Drejtorit Menaxhues të Agjencisë Kosovare të Privatizimit
  • Besnik Pula, kryetar i Grupit Punues për Themelimin e Fondit Sovran 
  • Ruhan Kadriu, ish-punëtor i Fabrikës së Armaturave të Ndërtimtarisë
  • Nita Luci, antropologe

Diskutimi do të moderohet nga gazetarja e K2.0 dhe autorja e artikullit “Peizazhe rrënojash industriale”, Lirika Demiri.

Diskutimi do të mbahet më 21 mars, ora 17.30 në sallën e vogël, në katin I, në Hotel Grand. Do të ketë përkthim në gjuhët angleze dhe serbe. 

Të pranishmit duhet të mbajnë maska dhe ta respektojnë distancimin social gjatë ngjarjes.

Imazhi i ballinës : Ferdi Limani / K2.0

Ky diskutim mbështetet nga “Trusti Ballkanik për Demokracinë”, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ambasadës Mbretërore Norvegjeze në Beograd. Përmbajtja e këtij diskutimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe nuk përfaqëson domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorëve.

Pse kjo klauzolë?