Në thelb | Kroacia

Ja nisi loja

Nga - 12.02.2019

Zhvilluesit e lojërave elektronike në Kroaci po e shtyjnë para këtë industri në rajon.

Në një kohë të migrimit masiv, fushave të braktisura dhe objekteve të fabrikave që duken si të pushtuara nga fantazmat, pas luftës dhe përpjekjeve pasardhëse të privatizimit, ndonjëherë është e vështirë të paramendojmë se Kroacia ka një degë funksionale ekonomike përtej turizmit. Megjithatë, lojtarët e ri po hapin me vendosmëri rrugë të reja në ekonominë kroate, duke frymëzuar shpresë se gjërat mund të shkojnë shumë më mirë.

Bizneset e reja të teknologjisë informative dhe lojërave elektronike si Infobip (e bazuar në Vodnjan) dhe Microblink (e bazuar në Zagreb) janë bërë me të vërtetë gjigantë botërorë në fushat e tyre, ndërsa kompania Rimac nga Sveta Nedelja shpeshherë referohet nga mediat botërore si lidere e të ardhmes automobilistike.

Përtej teknologjisë po zhvillohet edhe industria kreative; regjisorë të gjeneratave të reja si Dalibor Matanić dhe Hana Jušić po fitojnë çmime në festivale të respektuara të filmit, ndërsa punëtorët e rinj të filmit po zhvillohen në projekte të mëdha ndërkombëtare si Game of Thrones apo Star Wars, producentët e së cilave gjithnjë më shumë po e zgjedhin Kroacinë si lokacion ideal për xhirime për shkak të stimujve taksore.

Bazë ligjore për zhvillim e industrisë së re

Një nga faktorët kyç në mbështetjen e autorëve të rinj audiovizual, por edhe në marketingun e Kroacisë si destinacion fitimprurës për xhirime, ka qenë Qendra Audio dhe Vizuale Kroate (HAVC) që mbështetet nga qeveria. Kjo qendër ka shërbyer si pikë qendrore për financimin e filmave dhe aktiviteteve relevante në Kroaci. Sivjet, për herë të parë HAVC do të investojë në industrinë e lojërave elektronike, një degë kreative dhe me potencial që është mbështetur gjithnjë më shumë nga Oda Ekonomike Kroate në vitet e fundit.

Kjo lëvizje vjen pas amendamenteve të fundit në Ligjin për Aktivitete Audio dhe Vizuale, që tani përfshinë edhe industrinë e lojërave elektronike brenda tekstit të tij.

Prej vitit 2014, MEDIA desk, një nënprogram i fondit të BE-së Creative Europe, ka dhënë fonde për zhvilluesit e lojërave elektronike në Evropë për t’i bashkëfinancuar projektet e tyre, por dega kroate ka qenë më e njohur për financim të filmave.

Megjithatë, kreu i MEDIA desk në Kroaci, Martina Petrović, thekson se industria e lojërave elektronike është një nga segmentet që po zhvillohet më së shpejti nga industritë kreative në vend.

Martina Petrović, kreu i Media desk në Kroaci, beson se kualiteti i video lojërave në Kroaci është i padiskutueshëm. Foto nga arkiva private.

“Kualiteti i lojërave të krijuara në Kroaci është i padiskutueshëm, meqe kompanitë kroate të lojërave elektronike njëkohësisht konkurrojnë për vëmendjen e audiencës në tregun botëror, rritja e së cilit përcjellet me ritëm të njëjtë sa i përket nivelit të kualitetit, zhvillimit të vazhdueshëm të teknologjisë ekzistuese, si dhe gjetjen e vazhdueshme të zgjidhjeve të reja”, thotë Petrović.

Duke njohur rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy sektorëve kreativ, në vitin 2015, Petrović organizoi një mbledhje për zhvilluesit e lojërave dhe filmbërësit në Zagreb. Kjo ngjarje e frymëzoi ndryshimin legjislativ që mundësoi shtetin kroat ta mbështesë financiarisht zhvillimin e lojërave nëpërmjet HAVC, por është ende e paqartë se sa do të ndahen nga buxheti vendor.

Ndërkohë, MEDIA desk ka në dispozicion një buxhet prej 3.75 milion euro.

Petrović, roli i së cilës lidhet kryesisht me krijimin e rrjetit dhe këshillimin financiar të pjesëtarëve të industrive kreative, shpjegon se subvencionet e mundshme mund të jenë nga 10,000 deri në 150,000 euro, dhe mund t’i mbulojnë deri në 50 përqind të kostos totale. Disa kushte përcaktojnë që kostot duhet të lidhen me zhvillimin e video lojërave narrative, dhe se lojërat duhet të jenë për qëllim të përdorimit komercial, por financim mund të japin pa marrë parasysh platformën apo mënyrën e pritur të distribuimit.

Duke shpjeguar rrugën drejt suksesit për zhvillimin e lojërave, Petrović thotë se e gjithë loja duhet të jetë si tregim, e jo të ketë tregim vetëm në hyrje apo mbyllje të saj.

Lojtarët profesional nga rajoni së shpejti mund të bëhen yje të vërtetë të eSporteve. Foto nga Infogamer.

“Sinqerisht shpresoj që së shpejti mund ta lavdojmë video lojën e parë kroate të bashkëfinancuar nga MEDIA”, thotë ajo.

Mrekullia e lojërave kroate

Ata që janë të njohur me industrinë thonë se për momentin nuk ka investim më të mençur se për industrinë e lojërave, sepse viti 2018 ishte një vit i suksesit të madh për zhvilluesit kroatë. Studio më e njohur vendore, Croteam e njohur në botë më së shumti për serinë e saj Serious Sam e festoi 25 vjetorin dhe gjithashtu ndihmoi me zhvillimin e lojës kompjuterike S.C.U.M., një mrekulli autentike e lojërave kroate që është e mirënjohur edhe jashtë qarqeve të lojtarëve.

Vetëm disa orë pas lansimit të S.C.U.M. që u zhvillua nga Gampires për një çmim relativisht të lirë prej më pak se 18 euro, kjo lojë u bë loja më e shikuar në botë në shërbimin transmetues Twitch; kështu ia kaloi edhe Fortnite, lojës më të madhe dhe më të njohur në botë që i kishte më shumë se 200 milionë përdorues vetëm vitin e kaluar.

Autorët e S.C.U.M. që janë të bazuar në Zagreb i shitën 650,000 kopje brenda 5 ditësh, duke i fituar 9.5 milion euro. Vetëm disa ditë më vonë, ata i shitën më shumë se 1 milion kopje dhe ky numër vetëm sa është rritur në 2019.

Kur u lansua, S.C.U.M. u bë loja më e shikuar në shërbimin transmetues Twitch dhe u bë lojë hit në 2018. Foto nga Gamepires.

Panairi Reboot Infogamer që u mbajt së fundmi në Zagreb i tërhoqi më shumë se 80,000 vizitorë në një hapësirë 20,000 metra katrorë, në të cilën pavijoni qendror ishte i rezervuar për zhvilluesit kroatë të lojërave. S.C.U.M. e fitoi një pozitë nderi, me një hapësirë të dekoruar në stilin e burgut prej të cilit arratisen karakterët në lojë.

Duke ecur në pavijonin e mbushur kryesisht me të rinj, vështirë ishte të dalloheshin fansat prej autorëve të disa prej lojërave më të njohura në botë.

Siç ndodhi edhe me Serious Sam, edhe S.C.U.M. u soll në jetë në një apartament në Zagreb duke e pushtuar botën me befasi. “Së fundmi hyra në Gamepires nga një revistë për lojëra”, tha menaxherja e tyre për marrëdhënie me publikun Tena Žigmundovac deri sa po e testonte një lojë tjetër. “Sa i përket ekipit origjinal, ata u shokuan. Ata e kishin një fazë kur kërkuan hapësirë më të madhe të biznesit dhe punësuan njerëz… në javët e para unë po punoja nga shtëpia, sepse thjeshtë s’kishim ku të uleshim”.

Žigmundovac ishte një nga disa lojëtaret gra kroate që i përmbysën paragjykimet për lojërat si zbavitje për burra, duke rekomanduar me plot vetëbesim armët dhe strategjitë më të mira për vizitorët që e provuan lojën, dhe duke e ndarë ngazëllimin e tyre për faktin se në S.C.U.M. mund ta gjejnë një nga pijet më të pëlqyera në Kroaci Pelinkovac.

“Ne gjithashtu e kemi mbështetur një birrari të vogël artizanale duke i shtuar produktet e tyre në lojë”, tha ajo, duke cekur se video lojërat e kanë hapur një lloj të ri të “vendosjes së produkteve”, që kishte qenë kryesisht e rezervuar për filma dhe emisione televizive. “Në të ardhmen, ne e shohim këtë si platformë të mrekullueshme për promovimin e produkteve kroate nëpër botë, për përfitim të ndërsjellë”.

Karrierë ideale

Me rritjen e biznesit të lojërave në Kroaci po rritet edhe nevoja për një fuqi punëtore, deri sa industria po i hap dyert për njerëz të aftë në punë që thjeshtë nuk kanë ekzistuar para disa vitesh. Institutcioni privat i arsimit të lartë i bazuar në Zagreb, Algebra, së fundmi e lansoi një program dy-vjeçar për studime masters në degën e zhvillimit të lojërave.

Akademia e zhvillimit të lojërave e bazuar në Zagreb, Machina (e themeluar në 2013), ishte e para që përfitoi në këtë segmet të arsimit.

Lovro Nola është një nga aktuatorët e Machina, një akademi e zhvillimit të lojërave që ka operuar në Zagreb prej vitit 2013. Foto nga Machina.

“Machina u krijua nga unë dhe kolegu im Nikola Jokić, me idenë fillestare për të dizajnuar video lojëra për klientë”, thotë themeluesi Lovro Nola. “Fatkeqësisht, së shpejti kuptuam se pengesa kryesore në këtë proces do të ishte mungesa e stafit profesional, në të cilin mbështetemi për zhvillimin e kodeve të programeve, grafikave, muzikës, dhe të gjitha gjërat tjera që janë të domosdoshme për ta krijuar një lojë”.

Ky problem u cek gjithashtu nga kolegët e tyre në kompani tjera. “Sapo u bëmë të vetëdijshëm për këtë, të gjitha gjërat u arranzhuan mjaft natyrshëm”, thotë ai. “Gjithmonë më ka pëlqyer t’i ndihmoj, këshilloj dhe edukoj njerëzit dhe kur arrita ta lidhi atë dashuri me video lojëra, e krijova karrierën time ideale”.

Gjatë pesë viteve të punës, Machina i ka edukuar rreth 500 njerëz, veçanërisht ekspertë në gjuhën e programimit C++ dhe programerë të Unity, si dhe artistë përgjegjës për vizatime dhe modelim 3D. Ata ofrojnë gjithashtu mundësi edukimi për punë tjera në industrinë e video lojërave, si audio dizajn, dizajn të lojërave dhe shkrim të skenareve.

Të inkurajuar dhe motivuar nga vala e suksesit, ata e nisën akademinë e parë të eSporteve, që i përkushtohet edukimit të lojtarëve profesionistë, por kjo u ka ecur më ngadalë se që e kanë pritur. “Pavarësisht përgatitjes dhe qëllimeve tona më të mira, reagimi ndaj këtij shërbimi në treg nuk ishte ashtu siç e pritëm”, thotë Nola.

Ai thotë se problemi kryesor buron nga fakti se eSportet ende perceptohen në rajon si hobi, e jo si punë.

“Kur ia shtojmë kësaj sasinë më të madhe të orëve që nevojiten për ta trajnuar një person për karrierën e një lojtari të eSporteve, e arrijmë një konkluzion të thjeshtë që shumica e njerëzve të interesuar ende nuk shohin mundësi të zhvillimit të karrierave të tyre”, thotë ai. “Situata do të përmirësohet kur të themelohen ekipet profesionale, kur të promovohet në media dhe kur prindërit ta kuptojnë se të jesh lojtar i eSpoteve nuk është ëndërr pa lidhje e një fëmiu, por është karrierë e mirëfilltë”.

Lojtarët e eSporteve janë më pak të njohur në rajon, por po bëhen gjithnjë më të respektuar në botë. Foto nga Infogamer.

Mund të tingëllojë si një ëndërr e parealizueshme, por duke gjykuar nga pjesëmarrja e madhe në finalen e A1 Adria League që u mbajt në InfoGamer, ku turma të spektatorëve bërtasin zhurmshëm për garuesit deri sa përleshjet e tyre komentohen gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, duket se lojtarët profesionistë nga rajoni së shpejti mund ta arrijnë statusin e yjeve botërore të eSporteve.

Sa i përket profitit dhe popullaritetit, lojtarët e eSporteve në botë po i afrohen heronjve tradicionalë të sportit. Kjo është pranuar edhe nga organizatorët e garave tradicionale sportive. Së fundmi, një shofer i eSporteve garoi kundër një ish-shoferit të Formula 1 në një arenë reale të garave dhe fitoi!

Harta botërore e industrisë së lojërave

Edhe universitetet shtetërore e kanë njohur potencialin e madh e industrisë së lojërave.

Dekanja Franka Perković nga Akademia e Arteve Dramatike në Zagreb, tha për K2.0 se ky institucion ka aplikuar për më shumë se 500,000 euro në Fondin Social Evropian, me synimin ta themelojë një program të ri dy-vjeçar për studime masters në degën e zhvillimit të lojërave. Aplikimi për programin e ri ndërdisiplinor të studimeve është bërë në bashkëpunim me Fakultetin e Arkitekturës, Akademinë e Arteve të Bukura, Fakultetin e Elektronikës dhe Informatikës, dhe Fakultetin për Organizim dhe Teknologji Informative.

Këto institucione veç se kanë bashkëpunuar në organizimin e punëtorive për dizajnerë të lojërave, duke punuar përkrah Cluster of Croatian Video Game Developers (CGDA), Machina dhe agjencisë zhvillimore Sisak-Moslavina.

Profesor Davor Švaić nga Departamenti i Redaksisë brenda Akademisë së Arteve Dramatike, i cili pritet të jetë nismëtari kryesor i zhvillimit të programit të ri të studimit, thotë se zhvillimi i një prej projekteve të nisura në këto punëtori vazhdoi pas punëtorisë. “Me mentorim nga kolegët në kompaninë Caiteia Games, studentët e prezantuan këtë projekt gjatë ngjarjes së përvjetshme InfoGamer”, thotë ai.

Švaić beson se nëse gjithçka shkon sipas planit me aplikacionin për financim të programit të ri të studimit, ata do t’i regjistrojnë studentët e parë pas dy apo tri vitesh. “Deri atëherë, ne do t’i nisim programet për kualifikim të pjesshëm, apo programet për mësim të përjetshëm”, thotë ai.

Reboot InfoGamer e mbajtur në Zagreb, i tërhoqi 80,000 vizitorë në një hapësirë 20,000 metra katrorë në 2018. Foto nga Infogamer.                                  

Industria e lojërave në Kroaci është rritur shumë në vitet e fundit. Vetëm në vitin 2017, 22 biznese të industrisë së lojërave që janë të regjistruara në Odën Ekonomike Kroate fituan të hyra në vlerë 153 milion kuna (20.6 milion euro), 50 përqind më shumë se në 2016; dhe me gjasë kur të dalin të dhënat për vitin 2018 do të tregojnë se për këtë vit kanë fituar shumë më shumë se në 2017.

Broshurat e përdorura nga CGDA në 2016 për ta prezantuar industrinë e lojërave kroate u shpenzuan me shpejtësi në panairet e mbajtura në Seattle dhe Shanghai; së shpejti do të publikohet një version i përditësuar dhe shumë më i zgjeruar, i cili do t’i përfshijë rreth 30 kompani dhe biznese të vogla që po punojnë me lojëra në Kroaci.

Nola nga Machina thotë se sa i përket shifrave, industria kroate e video lojërave është shumë më e fortë se industritë në Slloveni, Austri dhe shtete tjera në afërsi, por prapëseprapë është prapa Serbisë dhe Rumunisë. “Megjithatë, Kroacia është shumë më përpara nëse marrim parasysh reputacionin dhe ekspozimin e lojërave tona në media”, thotë ai, para se ta theksojë rëndësinë e konferencës Reboot Development në Dubrovnik, që i tërheq emrat më të mëdhenj të industrisë vit pas viti.

Pas lajmërimit se krijuesit e Fortnite e kanë blerë kompaninë e bazuar në Novi Sad, 3lateral, me sa duket rajoni së shpejti mund të bëhet një nga vendet më të rëndësishme në botë për industrinë e lojërave.

“Ndonëse ka hapësirë për t’u rritur, industria kroate e video lojërave është e mirënjohur dhe e respektuar në botë”, thotë Nola.K

Foto kryesore: SCUM