S`fundmi | Kulturë

Hapet një bar i ri i lojërave në Prishtinë

Nga - 07.04.2018

Lokali i ri promovon ndërveprimet fizike dhe luftën kundër monotonisë.

Me kujdes, Ermir Suldashi e merr kurorën e koleksionit të tij të lojërave të tavolinës. Si bashkëpronar i lokalit të ri Mana Board Game Bar në Prishtinë, Suldashi posedon mbi 80 lojëra të tavolinës të cilat janë në gjendje shumë të mirë, por këtë e vlerëson më së shumti.

Quhet Skenderbeu, një lojë strategjike e cila si fushë të lojës e ka rajonin e Ballkanit. Megjithatë, burimi i krenarisë së tij nuk lidhet shumë me lojën, sa lidhet me gjuhën. Si loja e vetme në Mana e cila është krejtësisht në gjuhën shqipe, është diçka e rrallë: Të gjitha lojërat tjera të tavolinës janë të importuara nga Mbretëria e Bashkuar.

“Tregu për lojëra të tavolinës në gjuhën shqipe është shumë i vogël dhe i përbërë kryesisht prej entuziastëve në Tiranë”, thotë Suldashi. “Me sa duket është shtuar niveli i interesimit së fundmit. Shpresoj të përhapet edhe në Kosovë”.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Suldashi punon si shkencëtar kompjuterik gjatë ditës dhe si menaxhues i barit të tij gjatë natës. Ai po përpiqet ta përhapë këtë trend. Gjatë ditës, ai menaxhon biznesin e tij, ndërsa partneri i tij Rron Imami, një dizajner grafik i bazuar në Londër, merret me zhvillimin e brendit. Ata e përpiluan konceptin Mana si reagim ndaj skenës së ngushtë shoqërore në Prishtinë.

“Për mendimin tonë, ky qytet u bë pak… monoton. Nuk kishe çfarë të bëje me miq përveç me dalë me pi, me pa ndonjë film, e ndonjëherë me u mbledh te shtëpia e dikujt për me lujt lojëra të tavolinës. Ne menduam, ‘ndoshta njerëzve do t’u pëlqente ta kishin një vend ku mund të rrinë dhe ku nuk ka paragjykime, vetëm lojëra të tavolinës dhe miqësi të çiltër”, thotë Imami.

Të dy bashkëthemeluesit kanë jetuar jashtë vendit – Suldashi si student në Çikago, e Imami si profesionist në Londër – dhe lokalet ku luhen lojërat e tavolinës lidhen me një trend ndërkombëtar. Në shtete si SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, këto lokale janë zhvilluar në një alternativë për vendtakime tradicionale.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Për një person që viziton për herë të parë, menjëherë bëhet e qartë se Mana Board Game Bar ka një profil më ndryshe ndaj kafeneve apo lokaleve të rakisë. Këtu vizitorët ulen për orë të tëra duke luajtur Monopol apo Risk. Interieri – i lehtë dhe i freskët – është në kontrast me lokalet e Prishtinës në të cilat luhet PlayStation. Ekranet televizive janë zëvendësuar me punime artistike të cilat trajtojnë tematikën e lojërave, ndërsa mysafirët ulen përballë njëri tjetrit, e jo përballë monitorëve. Sipas Suldashit, kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme.

“Gjithmonë kam pasë qejf me lujtë lojëra të tavolinës, por e vërejta se nuk ka vende publike ku mund të takohesh dhe të luash në Prishtinë. Jemi munduar ta krijojmë një ndjesi të re, me një atmosferë jo aq të zymtë, siç e ke zakonisht në vendet e lojërave”, thotë Suldashi. “I vetmi problem është se tani nuk kam kohë të luajë për vete!”

Si model i biznesit, një bar i lojërave të tavolinës mund të duket si dështim i sigurt. Pjesa më e madhe e bareve përfitojnë nga fluksi i qëndrueshëm i vizitorëve dhe pijeve. Në kontrast me këtë, një seancë e suksesshme e ndonjë lojës së tavolinës zakonisht kërkon kohë dhe kthjelltësi relative.

Për ta zgjidhur anën biznesore të këti ekuacioni, ky bar kërkon një pagesë prej dy euro për mysafirët të cilët duan të luajnë. Por për më tepër, Mana Board Game Bar është një përpjekje për ta ushqyer një kulturë më ndryshe të barit.

“Shumë njerëzve po u duket monotone ideja për të dalë e pirë kafe gjithë ditën, ndërsa lojërat e tavolinës të mundësojnë që të shoqërohesh me njerëz në një mënyrë që video lojërat nuk ta mundësojnë”, thotë Suldashi. “Ideja është të ofrohet një vend në të cilin mund të mblidhen fillestarët dhe entuziastët për t’u kënaqur me lojëra”.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Atmosfera shoqërore dallohet në momentin që hyn brenda në Mana. Gjashtë tavolina janë të zëna me njerëz të ndryshëm: veteranë të përqëndruar të cilët luajnë Risk në njërin qosh, studentë të shkollës së mesme të cilët kënaqen duke luajtur Jenga në qoshin tjetër. Ndonëse pjesa më e madhe e mysafirëve janë studentë dhe të rinj, Mana veç se ka mirëpritur një përzierje të shumëllojshme të vizitorëve. Madje edhe fëmijët janë të mirëpritur të vijnë e të luajnë disa prej lojërave të cilat janë për klientelë më të re.

“Gjithashtu është dëshmuar se ky vend është i mirë për një takim me të dashur”, shton Suldashi duke buzëqeshur.

Lojërat klasike si Monopoli, Risk dhe Cluedo janë më të kërkuara nga mysafirët, prandaj edhe lokali i ofron disa komplete të secilës lojë. Njëkohësisht, pronarët shpresojnë që Mana t’i njoftojë njerëzit me lloje tjera të lojërave të tavolinës.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Me librarinë tonë të gjërë të lojërave, njerëzit e kuptojnë se nuk janë vetëm Monopoli dhe Risk. Ka lojëra tepër të ndërlikuara apo shumë të thjeshta dhe të kënaqshme. Ka shumëllojshmëri të madhe të mënyrave për të luajtur me miq”, thotë Imami.

Në njërën prej tavolinave, katër studentë – Pleurati, Drita, Arti dhe Edina – janë duke pushuar nga studimet për t’u angazhuar në një lojë tavoline e cila duket mjaft e ndërlikuar dhe është e bazuar në serinë televizive “Game of Thrones”. Deri sa i lëvizin karakterët e tyre në fushën e lojës dhe marrin letra të reja nga kompleti i letrave, studentët shpjegojnë motivimin e tyre për t’i kaluar mbrëmjet në një lokal të lojërave të tavolinës.

Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Gjithmonë kam ëndërruar ta kem një vend të tillë në shtetin tim dhe më në fund ndodhi”, thotë Pleurati. “Më pëlqejnë shumë të gjitha llojet e lojërave dhe këtu mund të kënaqem me to në një ambient më shoqëror, jo si para kompjuterit”.

Mana u hap para dy javëve, por me sa duket po  i përmbush nevojat e popullsisë kurioze të Prishtinës. Kur K2.0 vizitoi këtë bar, mysafirët ishin duke pritur në rend për tavolina. Rekomandohet të rezervoni paraprakisht. Suldashi dhe Imami planifikojnë ta hapin një bar të dytë të lojërave të tavolinës në Prishtinë nëse rritet niveli i kërkesës.

“Ka munguar kultura e lojërave të tavolinës në shoqërinë tonë”, thotë Suldashi. “Lojerat tradicionale si shahu dhe checkers janë të njohura, por pjesa më e madhe e njerëzve nuk i njohin llojet tjera të lojërave të tavolinës. Ne duam t’ua mësojmë mënyrat e reja të shoqërimit”.K

Mana Board Game mund ta gjeni në rrugën Agim Ramadani, përballë Raiffeisen Bank.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.