Biseda | Media

Gill Phillips: Snowden kishte më shumë ndikim tek shtetet që i kujtojnë rreziqet e mbikëqyrjes masive shtetërore

Nga - 12.10.2018

Drejtorja ligjore e The Guardian, ndanë përvojën e saj të punës me raste të profilit të lartë të sinjalizimit si Edward Snowden, Wikileaks dhe Letrat e Parajsës.

Gill Phillips di shumë për anën ligjore të punës në media. Prej 1980-ve, ajo ka qenë këshilltare ligjore për organizata lidere në botë, nga BBC e deri te The Times, dhe prej 2009 është drejtoreshë e shërbimeve ligjore redaksionale në The Guardian.

Ajo thotë se gjatë kësaj kohe e ka parë profesionin e mediave duke ndryshuar jashtëzakonisht shumë, duke kaluar nga rutina e përditshme e edicioneve të shtypit, në digjitalizimin e shkallës së gjërë, në lajmet e rrjeteve sociale dhe lindjen e gazetarisë qytetare nëpërmjet rrjeteve sociale.  Por shtyllat kryesore të rolit të saj kanë mbetur të pacenuara: punon me gazetarë dhe redaktorë para publikimit për t’u munduar t’i parandalojë vështirësitë potenciale ligjore dhe pas publikimit merret me raste ligjore.

Në vitet e fundit, ajo ka qenë në qendër — ndonëse prapa skenës — të disa prej storjeve më të mëdha në botë. Ajo ofroi këshilla ligjore për redaktorët dhe gazetarët që punuan me Edward Snowden — i cili publikoi materiale të klasifikuara të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (National Security Angency), duke dhënë hollësi për ndërhyrjet e qeverisë nëpërmjet mbikëqyrjes —  dhe me raste në të cilat ishin të përfshirë Julian Assange dhe Wikileaks, Letrat e Pentagonit dhe Letrat e Parajsës.

Pas këtyre rasteve, ajo thekson se roli i gazetarëve po bëhet gjithnjë më dinamik dhe se karakterizohet me një numër gjithnjë më të madh të rreziqeve potenciale.

Mbikëqyrja shtetërore e gazetarëve e ka shtuar shumë presionin e punës, ndërsa një numër i vrasjeve të profilit të lartë në vitet e fundit kanë shtuar përshtypjen se gazetarët janë gjithnjë më të rrezikuar në profesionin e tyre; vetëm në Evropë së fundmi kemi parë vrasjet brutale të gazetarëve në Danimarkë, Maltë, Slloveni dhe Bullgari, si dhe zhdukjen e një gazetarit dhe disidentit saudit në Ambasadën e Saudi Arabisë në Stamboll.

Ajo thotë se shtetet me sa duket po bëhen gjithnjë më paranojakë. Qeveritë e shteteve rreth botës, përfshirë shtetet me demokraci të përparuara, nuk ngurrojnë t’i bëjnë presion gazetarëve hulumtues, veçanërisht kur hulumtimet e tyre lidhen me rastet e korrupsionit në nivelin më të lartë të qeverisë, apo çështjet që shihen si tepër të ndjeshme.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Në edicionin e fundit të programit Volume Up të K2.0, Phillips erdhi në Prishtinë për ta mbajtur një bisedë publike për mësimet e fituara gjatë viteve që ka punuar për sigurinë ligjore të gazetarisë së nivelit më të lartë dhe për ta mbajtur një seancë të trajnimit për gazetarët kosovarë dhe ekspertët ligjorë.

K2.0 bisedoi me Phillips për rolin e avokatëve të mediave, përvojën e saj të punës me rastet më të larta të sinjalizimit dhe dinamikat e ndryshueshme të kërkimit të llogaridhënies nga shtetet.

K2.0: Këtë javë kemi dëgjuar për vrasjen e një gazetares në Bullgari. Ajo është gazetarja hulumtuese e katërt që është vrarë sivjet në Bashkimin Evropian, dhe përderisa motivi prapa kësaj vrasjeje mbetet i paqartë, e shtoi ndjesinë se kjo punë po bëhet më e rrezikshme. Pra si ndikon kjo tek mediat në përgjithësi dhe çfarë mesazhi jep fakti që askush nuk është dënuar deri më tani për këto krime?

Gill Phillips: Mendoj se ka çdo lloj mesazhe. Fillimisht, gazetarët dhe të gjithë që mbulohen nga ky definicion mjaft i gjërë — qofshin edhe gazetarë qytetarë — duhet t’i shqetësojë, për ato që i shkruajnë dhe pasojat e shkrimeve të tyre.

Mendoj se qeveritë kanë dështuar edhe të duken thuajse janë duke i hetuar këto dhe ndonjëherë e shohim ndonjë sekuencë të aktivitetit, e pastaj nuk ndodh asgjë dhe rrallëherë i gjejnë autorët e krimeve. Nëse i gjejnë, mendoj se ekziston tendenca për të thënë ‘Prit një minutë, ai nuk është personi që e ka bërë me të vërtetë krimin, është dikush që është paguar apo që ja kanë montuar’.

Një tjetër gjë që më shqetëson kur lexoj për këto lajme është se plot prej tyre tingëllojnë si veprime të sponsoruara nga shteti, sikur shtetet janë disi të përziera, në mënyrë direkte apo indirekte; vrasja e gazetares në Maltë vitin e kaluar, ajo që po ndodh me gazetarin e Saudi arabisë që është zhdukur në Ambasadën Saudite në Turqi… të gjitha këto tingëllojnë si veprime të shteteve dhe kjo është shumë shqetësuese.

"Mendoj se Snowden tregoi se deri në çfarë mase i mbikëqyr shteti gazetarët dhe qytetarët dhe se sa ndikon kjo tek gazetarët".

Por gjithmonë ka qenë kështu. Detyra primare e gazetarëve është të kërkojnë llogari nga pushteti dhe në ditët e sotit kjo shpeshherë reflekton në shtete, pra në atë aspekt gjërat janë ashtu siç kanë qenë gjithmonë, por niveli i dhunës dhe presionit tani është shumë më shqetësues.

A është kjo bota post Edward Snowden që po jetojmë? A mund ta lidhësh në ndonjë mënyrë me atë që po ndodh me Julian Assange?

Kjo me të vërtetë është një pyetje e madhe. Në një nivel, jo, sepse këto gjëra gjithmonë kanë ndodhur dhe organizatat që e kanë mision mbrojtjen e gazetarëve, si Reporters Without Borders (Gazetarë Pa Kufij), i kanë numëruar vrasjet e gazetarëve dhe kërcënimet ndaj tyre shumë kohë para Snowden, pra këto probleme kanë ekzistuar para kësaj.

Mendoj se Snowden tregoi se deri në çfarë mase i mbikëqyr shteti gazetarët dhe qytetarët dhe sa ndikon kjo tek gazetarët. Dhe kjo u publikua pra mekanizmat që po i përdorin shtetet.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar (MB) e kishim Dekretin e Pushteteve Hetuese (Investigatory Powers Act), që në fakt vetëm po e bën më të hapur atë që po e bënin edhe më parë, sepse gjithmonë e kanë bërë: kanë mbledhur të dhëna, kanë hetuar dhe i kanë futur hundët ku nuk u përket, kanë analizuar, kanë kontrolluar e kanë përdorur rrugë anësore për të arritur deri te gazetarët.

Mendoj se ai e bëri shumë më të hapur, por mendoj se Snowden ishte rast shumë më i gjërë, jo vetëm për gazetarët — ishte për qytetarët. Dhe në Ballkan kjo mund të rezonojë edhe më shumë. Një prej gjërave që kam lexuar për atë se pse Snowden kishte më shumë ndikim në disa pjesë të Evropës se në Mbretërinë e Bashkuar (MB) thoshte se kjo ndodhi për shkak se ne nuk kemi qenë kurrë të okupuar nga ndonjë shtet me qindra vite, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës ka përvoja shumë bashkëkohore në të cilat qeveritë u kanë imponuar sende që nuk i kanë dëshiruar; pra nivelet e dyshimit dhe vlerësimit të rrezikut të mbikëqyrjes qeveritare — pra që e dinë çfarë kanë bërë dhe çfarë shohin — janë shumë më reale.

Prandaj thash që një pjesë e saj rezonon më shumë këtu, më shumë se në MB, ku — interesant — njerëzit kanë tendencë të thonë: “Nuk po ma ndinë shumë, s’kam bërë gjë të keqe”. Dhe të gjithë i njohim rreziqet që vijnë nëse themi kështu deri sa dikush të na thotë: “Ke bërë diçka keq”.

Të vazhdojmë pak me Ballkanin, meqë e përmendët. Realiteti në Ballkan është se gazetaria hulumtuese, nëse ekziston fare, përgjithësisht është në gjendje shumë të keqe. Kemi presidentë që janë autokratë, kemi Aleksandar Vučić në Serbi që ishte kreu i propagandës gjatë epokës së Milošević-it. Kemi shtete që janë gjysëm protektorate dhe nuk janë shumë stabile dhe nuk kemi plot gazetarë që merren me media. Deri në çfarë mase është kjo diçka që duhet ta shqyrtojnë më me kujdes Evropa dhe bota?

Në pesë apo gjashtë vitet e fundit, e pata mundësinë të vija mjaft shpesh në këtë zonë; kam qenë në Serbi dhe kam folur me gazetarë serbë, kam qenë në Bosnje, isha edhe në Mal të Zi gjatë verës, dhe e kam një ndjesi, por nuk kam një ndjesi për vështirësitë që janë pjesë e demokracive të reja — rinia që mbijetojnë në regjime të themeluara që moti, janë të qëndrueshëm, rezistentë. Regjimët autokratike kurrë nuk e pëlqejnë fjalën e lirë sepse i kundërshton ato.

Mendoj se duhet ta vendosim në një kontekst më të gjërë të asaj që po ndodh përgjithësisht me gazetarët në botë, presioni komercial me faktin se shtypi po pëson çdokund, kështu që komercialisht ëshë e vështirë, e kur ja shtojmë faktin se niveli i dhunës dhe kërcënimeve, jo vetëm këtu por në pjesë tjera të Evropës ku normalisht nuk pritet të jetë ashtu, si në Francë — edhe në Amerikë janë vrarë gazetarët — pra është vend shumë i vështirë për ta luajtur rolin tënd.

Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Kur isha në Beograd, po flitej shumë për rizhvillimin e Bregut të Beogradit (Belgrade Waterfront). Disa njerëz kishin hyrë aty një natë — kështu kam dëgjuar— dhe kishin mbikëqyrë shkatërrimin e disa ndërtesave duke përdorur shkopa të bejsbollit, e njerëzit kishin mbetur të shokuar, por askush nuk e raportoi, përveç një numrit shumë të vogël të lokaleve, të cilët më pas u kërcënuan.

Këto gjëra me sa duket ndodhin më shumë në Ballkan se në Evropën Perëndimore, ku mund të kishin ndodhur para disa viteve, por këto gjëra priten në një ambient shumë më të vështirë komercialisht, dhe sa i përket kohës e tëra është shumë më e kompresuar, pra po ndodh brenda dy viteve, e jo mbi 30-të. Kjo e krijon një situatë shumë të vështirë, pikërisht këtu.

Por më kanë lënë përshtypje të mirë rinia dhe energjia e atyre gazetarëve hulumtues që punojnë online; përsëri në anën serbe, ishte e qartë se njerëzit janë targetuar, me gjasë nga qeveria dhe në mënyra të ndryshme. Po sulmohej privatësia e gazetarëve hulumtues.

Pasi që e përmendëm Snowden, çfarë mund të mësojmë nga sfidat dhe rreziqet që i përjetuat ju dhe ekipi juaj gjatë këtyre rasteve? Dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre në Ballkan?

Mendoj se mesazhi i madh që doli nga Snowden dhe këto raste tjera të mëdha për të dhëna,  është bashkëpunimi, që është më ndryshe se në të kaluarën, kur gazetarët nuk e ndanin ekskluzivitetin. Të gjitha këto raste — Snowden, Letrat e Parajsës, Letrat e Panamasë dhe rastet tjera me publikim të taksave — kanë qenë bashkëpunime, ku gazetarët rreth botës kanë bashkëpunuar dhe e kanë ndarë ekskluziven.

E kanë një embargo dhe pajtohen për disa gjëra të caktuara bazike; nuk ndërhyjnë në përmbajtjet e njëri tjetrit, por kjo i lejon të eksplorojnë si duhe sasi shumë të mëdha të të dhënave, që janë shumë të rëndësishme, dhe ta ndajnë ekspertizën me njëri tjetrin, për të vërejtur gjëra që tjerët mund të mos i vërejnë sepse dinë diçka dhe për ta bërë brenda një afatit të arsyeshëm kohor. Mendoj se kjo ta jep aftësinë për t’i analizuar hollësisht të dhënat dhe të jep siguri kur je në masë — kur e bëjnë të gjithë nuk je një zë i vetmuar. Dhe mendoj se kjo është diçka për Ballkanin — të jenë pjesë e këtyre projekteve më të mëdha.

Sepse në fund të fundit, prapëseprapë je individ, por kur je me një grup njerëzish, disi shpreson që qeveritë mund të thonë ‘Nuk ja vlenë të mundohemi t’i hedhim poshtë’, sepse do të dalë këtu, këtu dhe këtu. E di se qeveritë ende mund të mendojnë se mund ta bëjnë këtë në nivel lokal, por ndërkombëtarisht kjo ëshë bërë shumë më e vështirë.

"Qeveria tani ka më shumë vullnet për t’i mbajtur këto diskutime, në vend se të kërcënojë".

Për The Guardian, kur filluam të punojmë me këto lajme, Wikilogs me gjasë ishte e para që e kam bërë unë personalisht, dhe në ato ditë ishte një prej rreziqeve më të mëdha në MB ishin urdhërat gjyqësore për parapublikim, që prapëseprapë janë kërcënime, por kur je duke punuar me një grup njerëzish… qeveria e kuptoi se nuk kishte fare kuptim të thonin ‘Do ta ndalojmë The Guardian të mos e publikojë këtë artikull’, sepse realiteti ishte se gazetat amerikane dhe gazetat tjera evropiane do t’i publikonin.

Pra [qeveritë] nuk e ndalonin publikimin, dhe kjo në fakt do të thoshte se ata me shumë gjasë duhej të bënin dialog me organizatën gazetareske. Dhe kjo duhet të jetë diçka e mirë. Nëse është ndonjë informatë për publikimin e së cilës qeveria është e shqetësuar për arsye të sigurisë, ata mund të të tregojnë dhe ti mund të vendosësh të mos e publikosh. Por edhe mund të ua shtrosh pyetjet e vështira.

Në Amerikë, kërcënimet para publikimit janë pothuajse joekzistente, pra do të thotë se ata kanë dialog shumë më të fortë — s’besoj se është njëlloj tani me Trump, sepse ai nuk është bash burrë i dialogut.

Në përgjithësi, në MB thonë ‘Ik se s’kemi nevojë të flasim me ty, të lëshojmë urdhër gjyqësor nëse i afrohesh kësaj’. Ndërsa kur i bën këto lajme të mëdha me bashkëpunim, kjo nuk ka efekt. Dhe mendoj se kjo është përhapur më përgjithësisht, pra qeveria tani ka më shumë vullnet për t’i mbajtur këto diskutime, në vend se të kërcënojë.

Por gjithashtu një prej gjërave tjera të mëdha që dolën nga Snowden është se nuk është nevoja vetëm për gazetarë, por për njerëz që i kuptojnë të dhënat dhe mund ta gjejnë se si t’i kërkojnë ato.

Pra ana teknike e kërkimit dhe analizës të të dhënave, fjalët e gjithë ato — e qartë është se ky ka qenë një zhvillim i madh që doli prej asaj. Gazetarët modernë duhet të kenë aftësi për të dalë rrugëve dhe për kryer punën, por gjithashtu duhet t’i kuptojnë këto lloj teknika ose të njohin njerëz që dinë t’i bëjnë.

Çfarë roli kanë avokatët e mediave, sepse nuk kemi plot të tillë në Ballkan?

Është lluks, e di. Kur e nisa punën në mes të 80-ve, pjesa më e madhe e gazetave dhe BBC kishin ekipe të vogla të avokatëve, por nuk punësonin gjithmonë avokatë brenda organizatës, ama gradualisht e kuptuan se kishte përfitime — sa i përket financave, shpejtësisë, njohurive, lidhjeve me gazetarët, të qenit në dispozicion — e kështu filluan t’i punësojnë. Por shumica e gazetave rajonale në MB nuk kanë avokatë brenda organizatës, por kanë avokatë jashtë organizatës të cilëve mund t’i drejtohen.

Tash, puna ime është kryesisht e dyfishtë, siç ka qenë gjithmonë. Në një anë bëj punë para publikimit, sepse MB ka ligje mjaft kufizuese për shpifje dhe duhet të jemi mjaft të kujdesshëm me ato që i publikojmë; në ekipin tim të vogël ne i analizojmë ato që duan t’i publikojnë dhe bëjmë sugjerime për atë se si mendojmë se duhet të ndryshohen artikujt — fjalë të vogla.

Për shembull, nëse e përdorë fjalën ‘gënjyer’, kjo aludon se dikush me vetëdije e ka treguar një të pavërtetë dhe se e dinë se është gabim, përderisa nuk gënjejnë të gjithë. Ndonjëherë thonë sende që dalin të jenë të gabuara, por kjo nuk i bënë gënjeshtarë, mentalisht — thjeshtë do të thotë se kanë bërë gabim.

"Nuk duam që gazetarët të jenë avokatë, por duam që ta dinë se kur është situata alarmante dhe kur duhet të flasin me avokat".

Pra përdorim fjalë tjera: në vend se të themi për dikë se është gënjeshtar, themi ‘E tha këtë, dhe kjo nuk është e saktë’ — kështu ke më shumë fleksibilitet. Sepse nëse të padisin që e ke quajtur dikë gënjeshtar, duhet ta dëshmosh se kishte qëllime mentale, dhe kjo mund të jetë shumë e vështirë. Ne mund të bëjmë sugjerime të tilla që ndoshta i bëjnë artikujt më të sigurt për publikim, dhe për këtë punojmë me gazetarët.

Ne gjithashtu merremi me ankesat më pas — kjo është pjesa kryesore e dytë.

Një tjetër send që ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë është se më parë merreshim me shpifje dhe ngapak me të drejtën e autorit; sot merremi shumë me privatësi dhe mbrojtje të të dhënave, që janë probleme të reja dhe të mëdha. Kur fillova unë kryesonte shtypi, ndërsa tani me botën online kemi aq shumë volum sa që nuk mund ta shqyrtosh me avokatin çdo send që publikohet online, pra duhet t’i trajnojmë më shumë gazetarët, për t’i bërë ata të vetëdijshëm për zonat problematike. Nuk duam gazetarët të jenë avokatë, por duam që ata ta dinë se kur është situata alarmante, dhe kur duhet të flasin me avokat, e gjithashtu ta bëjnë me kohë.

Për raste si Snowden e raste tjera të mëdha me të dhëna, nuk mund të japim shumë të dhëna në fillim të këtyre proceseve, por mund të bisedojmë për interesin publik, dhe ku shtrihet interesi publik në përgjithësi. Mund t’i mbështesim gazetarët gjatë gjithë kohës e gjatë çdo hapi, deri te publikimi, pra të jemi në dispozicion për të folur me ta, për t’i analizuar artikujt sapo të fillojnë të shkruhen, kur dërgohen draftet e para, t’u themi ‘Kjo është pak e ndërlikuar, ndoshta duhet të shohim fusha tjera’.

Dhe një prej gjërave të mira për dialogjet ndërmjet avokatëve dhe gazetarëve është se avokati mund të thotë ‘Me këtë e kam shqetësimin’ dhe gazetarët e mirë mund t’i dëgjojnë dhe të bëjnë çfarë duan, por ta zgjidhin problemin ligjor. Pra bashkëpunojnë për t’i hequr këto sende dhe për ta gjetur një rrugë të sigurt nëpërmjet tyre.

Nuk jemi grup i madh; rreth 30-40 avokatë të mediave në Britani, pra ende një numër relativisht i vogël i njerëzve.

Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Disa deputetë këtu në Kosovë po planifikojnë ta propozojnë një ligj që do t’i ndalë gazetarët që të mos publikojnë informata të klasifikuara, që ka për qëllim ‘rregullimin e raportimit në media’. Mediat dhe ekspertët po e konsiderojnë më shumë si censurim medial, për disiplinim të raportimit në media, veçanërisht të uebfaqeve të lajmeve. Çfarë mendoni për këtë, për ndërveprimin e ligjit me rregullimin e mediave?

Mendoj se çdokund ka tendencë që shtetet të jenë të shqetësuara për informatat zyrtare të tyre, pra si në rastin e Snowden dhe rastet e publikimit të të dhënave. Qeveritë janë tepër paranojake për veprimet dhe fjalët e tyre, për publikimin e tyre; ata i stërklasifikojnë të dhënat — sasi të tepërta të tyre. Po të ishin më pak sensitiv për klasifikim të informatave në radhë të parë, atëherë nuk do të ishin të gjitha këto të dhëna të fshehta.

Në MB dhe Australi, po e bëjnë të njëjtën gjë, duke përdorur ligje gjoja terroriste për të thënë ‘Ne duhet të kemi më shumë pushtet mbi shtypin’, dhe fakti se kjo po diskutohet në Kosovë nuk po më befason.

"Pjesë e demokracisë janë kritikat. Pra nuk të pëlqen gjithmonë çfarë thonë njerëzit për ty, por kjo është pjesë e saj".

Është klimë e vështirë. Sa i përket terrorizmit, e kuptojmë pse qeveritë janë të shqetësuara dhe pse duhet të kenë pushtet të mjaftueshëm — dhe është balancim. Më bën përshtypje që po mundohen të marrin tepër shumë në anën e tyre dhe të mos kthejnë mjaftueshëm.

Nuk është pyetje e lehtë, sepse një prej gjërave që dolën në MB në këtë diskutim është se nëse i jep gazetarëve mbrojtje dhe kur në legjislacion ke mbrojtje për gazetarët që e bëjnë për interes publik, dalin dy probleme:  Si e definon interesin publik apo atë se kur është duke vepruar personi në interes të publikut? A është ky vendim i gazetarit apo gjykatës?

Dhe pyetja e dytë është: Për kë vlenë? Kush është gazetar? Si i definon njerëzit që përfitojnë nga këto gjëra? A vlen për secilin gazetar që ka shkruar blog, apo është më e ngushtë, dhe sa më e ngushtë?

Pra është një prej atyre sendeve për të cilën unë mendoj se thonë ‘Po, disi po e kuptojmë se ku janë problemet, por është problem tepër i vështirë për neve, dhe nuk duam ta trajtojmë sepse nëse e kemi një definicion tepër të gjërë për gazetarin, kjo do t’u mundësojë terroristëve që postojnë video online të jenë të mbrojtur, dhe ne nuk duam të përfshihemi në raste të vështira gjyqësore që përfshijnë video të ISIS’.

Për këto lloj pyetje, qeveritë thonë ‘Është tepër e vështirë — shumë më lehtë ta ndjekim këtë rrugë’, që është shumë sensore. Mendoj se është problem. Niveli i rregullimit po shtohet çdokund për shkak të internetit — sepse askush nuk e din çfarë duhet të bëjmë me rrjetet sociale.

Është zonë shumë e ndërlikuar dhe nuk ka përgjigje të lehta. Shpresojmë se — dhe ishte një periudhë kohore kur mendova se po ndodhte kjo — qeveritë do të jenë të mëdha dhe të guximshme dhe do të thonë ‘Ne mund t’i pranojmë kritikat’. Duhet të jenë OK me këtë — pjesë e demokracisë janë kritikat. Pra nuk të pëlqen gjithmonë çfarë thonë njerëzit për ty, por kjo është pjesë e saj.

Sinjalizimi është ende një koncept relativisht i ri. Institucionet dhe të tjerët ende po mundohen t’i kuptojnë pasojat dhe ndikimet e sinjalizimit. Si e trajtoi The Guardian këtë fenomen në fillim?

Në përgjithësi, gazetari ka marrëdhënie me sinjalizuesin, jo redaktori. Gazetarit individual i mbetet barra e mbrojtjes së burimit — është diçka etike, jo ligjore — dhe kjo mund të jetë e vështirë si për gazetarin, ashtu edhe për sinjalizuesin.

Sinjalizuesi kur është ende duke punuar brenda një organizate dhe duke publikuar informata nën presion shumë të madh, ndonjëherë të vetmin mik e kanë gazetarin. Kjo i bën presion gazetarit — ‘Sa mund ta ndihmoj sinjalizuesin?’ — dhe kjo është e ndërlikuar.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka njohur gjithëfarë lloje të mbrojtjes së burimeve, por nuk ka fare rëndësi nëse shtetet mund ta kuptojnë se kush ëshë burimi si rrjedhojë e pakujdesisë së gazetarit, pra në rast se ai jep tepër shumë [informata].

Edhe sa i përket teknologjisë, ne lëmë gjurmë çdokund në ditë të sotit, pra sa i përket aftësive të gazetarëve, ata duhet të jenë mendjemprehtë e të kenë shumë njohuri praktike teknologjike. Duhet të komunikojnë nëpërmjet kanaleve të sigurta, të flasin me njerëz në rrugë, t’i kthehen mënyrave të vjetra, të mos përdorin email, të mos përdorin Google Docs, ku edhe kur mendon se ke fshirë diçka, është ende aty.

Gazetarët mbështeten shumë nga sinjalizuesit. Ata janë pjesë shumë e rëndësishme e kërkimit të llogaridhënies nga elementet e pushtetit, e publikimit të korrupsionit — pra nuk është rol i lehtë për t’u luajtur.

"Shkuam me traget deri te një park i betonit dhe ecëm për një orë e gjysmë deri sa më tregoi për gjithçka që po ndodhte".

Në rastin e parë që kam punuar, isha duke punuar në The Times dhe Sunday Times, dhe bashkë me katër apo pesë gazeta tjera, na dërguan zarfa të kaftë që erdhën me disa dokumente që çuan deri te rasti që njihet si Financial Times vs MB në Strasburg. Ishin publikime për bashkimin e dy birrarive të Afrikës së Jugut. Birraritë donin të dinin se kush po i publikonte informatat, dhe u bënin presion jashtëzakonisht të madh nëpërmjet gjykatave — të gjitha gazetat u paditën.

Në një pikë kishte mundësi që The Guardian të bëhej subjekt i gjobitjes së përditshme, pra çdo ditë që nuk tregoni se kush është burimi, dënoheni me 5,000 funta. Komercialisht është e tmerrshme.

Pra askush nuk duhet të bëjë marrëveshje pa menduar mirë. Gjithashtu, duhet të jenë të vetëdijshëm që të prishet mbrojtja e burimeve prapa skenës. Gazetarët më me përvojë duhet të flasin me ata që kanë më pak përvojë për atë se si duhet të ballafaqohen me këtë dhe çfarë probleme mund të dalin.

Kur po punoja me rastin e Edward Snowden isha në Australi sepse The Guardian ishte duke e hapur një zyrë atje. Plani ishte të kthehesha me një ndalesë në Hong Kong, e pastaj më thanë: “Në fakt, duam të qëndrosh për disa ditë në Hong Kong, sepse atje po ndodh diçka në të cilën duam që të përfshihesh ti”. Nuk kisha para të Hong Kongut, dhe nuk kisha qenë kurrë. Nuk dija asgjë.

Arrita në mes të natës në një hotel dhe në mëngjes në derën e dhomës më trokiti Ewen MacAskill, gazetari i The Guardian, i cili më tha: “Eja Gill, edhe lëj të gjitha pajisjet elektronike, mos i merr”. Shkuam me traget deri te një park i betonit dhe ecëm për një orë e gjysmë deri sa më tregoi për gjithçka që po ndodhte. Nuk kishte as drunj, as asgjë, sepse ishin paranojak për çdo pajisje të mundshme të dëgjimit, për dëgjim pa dashje… dhe ndonjëherë duhet të flasësh me njerëz vetëm sy-më-sy.

A ja vlejti e gjithë puna e juaj dhe ekipit?

Absolutisht po. Por disa u akuzuan për tradhti, dhe kishte shumë preson politik kundër The Guardian, që u akuzuan si organizatë tradhtare, organizatë terroriste… më mirë të jetë jashtë se brenda… hyn drita e diellit. Por njerëzve nuk u pëlqen.

Kishte shumë kritika nga qeveria që thoshte se i kemi rrezikuar njerëzit — por kurrë nuk kishin dëshmi për këtë, sepse ishim jashtëzakonisht të kujdesshëm për këtë. Zgjodhëm lajme që ishin të turpshme për qeverinë, që i ekspozuan të gjitha ato probleme për të cilat kemi folur, jo lajme që tregonin se ku gjindeshin spiunët.

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur Trump u zgjodh president, një qytet në Maqedoni, Veles, u zbulua si një nga burimet kryesore të lajmeve të rreme. Si mund të ballafaqohemi me këtë fenomen të lajmeve të rreme dhe cili është dallimi ndërmjet lajmeve të rreme dhe propagandës?

Mendoj se përgjigja është që gjëja e parë etike që duhet ta bëjnë gazetarët është ta thonë të vërtetën. Por e vërteta nuk është koncept i lehtë dhe nuk është dy dimensionale. Mund të jetë mjaft subjektive.

Për shembull, numri i njerëzve që vdekën në bombardimet në Dresden [në Luftën e Dytë Botërore] ende është i hapur për argumentim sepse është shumë vështirë të verifikohet. Nuk do të thotë se të gjitha i thua saktë, bën gabime, por e ke bërë më të mirën brenda mundësive, dhe është proces i lëvizsshëm.

Lajmet e rreme janë kur me qëllim publikohen falsitetet, dhe ky është dallim i madh, dhe lidhet me besimin. Nuk më len shumë përshtypje të mirë gazetaria anonime. Nëse ke diçka për të thënë, vendose emrin. Ka rreziqe, por e diskutuam këtë, dhe kjo është mënyra më e mirë për të dhënë llogari.

"Nuk është thjeshtë të dëgjosh dhe të raportosh. Duhet ta dërgosh dikë për t’i intervistuar njerëzit dhe për ta kuptuar se çfarë ndodhi".

Një fushë tjetër që krijon vështirësi është ajo rreth opinionit, sepse nuk është fakt dhe nuk është lajm. Janë pikëpamje personale të njerëve në bazë të ngjarjeve të caktuara, dhe njerëzit mund të thonë sende mjaft ekstreme duke u bazuar në disa fakte — dhe nuk është domosdoshmërisht lajm i rremë. Steve Bannon mund të shprehë pikëpamje mjaft ekstreme dhe shumë prej tyre nuk janë të rreme. Një pjesë e madhe e sendeve që i thotë Trump nuk janë të rreme — thjeshtë janë mendime të tij, që janë mjaft ekstreme.

Në rrjete sociale ka plot raste kur njerëzit folin dhe raportojnë gabimisht, përhapin thashetheme, dhe përhapen përkundër faktit se janë të pabazë. Interneti është dhomë e jehonës. Pra gazetat e mirëfillta duhet t’i marrin këto storje, të ndalen, të mos publikojnë, por t’i analizojnë fillimisht. Nuk është thjeshtë të dëgjosh dhe të raportosh. Duhet ta dërgosh dikë për t’i intervistuar njerëzit dhe për ta kuptuar se çfarë ndodhi. Gazetaria ende e ka një element fizik.

E kishim një publikim shumë të vogël të të dhënave nga një autoritet pas fatkeqësisë që ndodhi me Grenfell Tower [një bllok i ndërtesave në Londër që u dogj në vitin 2017]. Këshill i Kensington dhe Chelsea publikoi padashje informata për një numër të pronave vakante që ishin në një vend ku do të dilnin për të jetuar njerëzit [që kishin jetuar në atë ndërtesën që u dogj].

Ne mund ta kishim publikuar menjëherë atë bazë të të dhënave, por e dërguam një gazetar për të trokitur tek dyert e tyre, dhe doli se të dhënat nuk ishin të sakta. Gjetëm se të dhënat e publikuara nuk ishin të vërteta, sepse njerëzit dilnin te dera në pizhame dhe thonin se kishin jetuar aty për më shumë se 20 vite.

Propaganda mund të jetë e vërtetë, por është interpretim dhe zakonisht vjen nga qeveritë apo interesat komerciale. Duhet të ndalesh dhe të bësh pyetje.K

Kjo bisedë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën angleze.

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.