Grupi muzikor arbëresh “SHEGA” debuton në Prishtinë, në karnivalin e K2.0.
“Mirë se na erdhët” shkruhet përfundi “Benvenuti” në hyrje të një qyteze jo fort larg qytetit të Palermos, Sicili, në jug të IItalisë. Përbri të kaltërtës së detit Mesdhe, përqafuar prej flladit të maleve të larta pushon Hora e Arbëreshvet [Piana degli Albanesi], shtëpia e mbi 6,000 arbëreshve — shqiptarë — që u detyruan t’i lënë shtëpitë e tyre në Shqipërinë e pushtuar prej Perandorisë Osmane 600 vjet më parë.
Për gjashtë shekuj, arbëreshët kanë bartur e ruajtur ndër breza gjuhën e tyre, arbërishten. Pos kësaj, kanë ruajtur përkundër rrymës së shpejtë të kohës, këngën, poezitë, veshjet, zakonet shqiptare të asaj kohe.
Mënyra e ruajtjes të së moçmes ka ndërruar — ajo ndërvepron me të renë, bashkëkohoren. Vendi i poezisë së parë shqipe prej Lekë Matrënga tash është vendi i poezive të reja. Trashëgimia e “E bukura More”, këngës së lëngatës për ndarjen prej shtëpisë, që dëgjohet me mallëngjim edhe sot në Kosovë, Shqipëri e në diasporat shqiptare kudo, është vazhduar prej këngëve të reja, si “Arianna”, “Lumturi”, “Dritë”.
Si kokrrat e shegës, para shtatë vitesh u bashkuan grupi “SHEGA”, përmes së cilit, katër të rinj arbëresh, që u rritën bashkë në Horë, duan t’i këndojnë përditshmërisë së të qenit arbëresh në të sotmen. Themeluar prej Giorgio Fusco, Saverio Guzzetta, Giorgio Ciulla dhe Alessandro Ferrantelli, “SHEGA” shpërfaq dashurinë për rrënjët, dashuri që ata ua falin dëgjuseve përmes muzikës.
“Të bëjmë diçka që i intereson brezit të ri dhe brezi i ri të ndihet i përfaqësuar”, thotë Giorgio Fusco, vokalisti dhe kantautori i grupit, teksa flet për fillin e qëllimin e grupit. “Na lidhën këngët”, thotë ai dhe këtë lidhje “SHEGA” e përçon duke ndezur skenat gjithkund nëpër Itali, Kosovë, Shqipëri, Evropë, me arbërishte të kënduar midis tingujve indie-pop, blues, jazz.
Në prag të koncertit debutues në Prishtinë, më 24 qershor ora 20.30, në Soma Book Station, përbrenda karnivalit të K2.0 “SHTËPI”, K2.0 foli me Giorgio apo Gjergjin për shtëpinë, identitetin arbëresh, të kaluarën e të tashmen.
“Në dokumente jam Giorgio, por shokët më thërrasin Gjergj”, thotë ai. Emrin Gjergj, që në Horë bartet me besnikëri brez pas brezi, ia ka marrë gjyshit, “nonit Gjergj” dhe shenjtit Gjergj, që tash e 500 vjet festohet në Horë, si pjesë e rëndësishme e identitetit të arbëreshëve, si mbledhje e komunitetit e si fitore e së mirës kundër të keqes.
Gjergji foli me K2.0 për Horën në sytë e tij, grupin “SHEGA” si qasje bashkëkohore ndaj ruajtjes së traditës, për gjuhën, migrimin, dashurinë për rrënjët e përditshmërinë në “katundin e tij”.
K2.0: Anipse komuniteti arbëresh në Horë të Arbëreshvet nuk është aq i madh, prapëseprapë është e veçantë që midis 6,000 banorëve, u takuat e u bëtë bashkë një grup muzicientësh. Si ndodhi kjo?
Në fakt ne njiheshim që kur ishim të vegjël. Në katundin tonë nuk jemi shumë dhe bashkëmoshatarët njihemi të gjithë. Çunat kishin një grup ku luanin muzikë rock apo bënin covers, kështu për t’u kënaqur.
Unë isha i pasionuar me gjuhën dhe kulturën arbëreshe, isha shumë i lidhur me rrënjët e mia, kisha dëshirë kur isha në makinë, të dëgjoja muzikë në gjuhën time. Atëherë thashë: Nuk ekziston? E bëj unë.
Kështu u lind ideja. U thashë pse nuk e krijojmë një tekst në gjuhën tonë ku flasim në përditshmërinë e jetës — nuk ka nevojë të flasim për, nuk e di, historinë apo këto gjëra.
Kënga e parë ishte ‘’Kalivar’’ që është emri i festivalit tuaj [karnival]. Ne këtu e thërrasim “kalivar” — i është dedikuar atmosferës së karnivalit këtu në Piana. Ngadalë-ngadalë kemi shkruar tjera këngë. Kemi bërë një album, pastaj në koncerte luajmë jo vetëm muzikën tonë origjinale, por edhe ndonjë përpunim të traditës arbëreshe, se është diçka që na kënaqë ta bëjmë. Tani me udhëtimet që i bëjmë në Shqipëri e Kosovë, kemi edhe shtuar ndonjë këngë, si “I dehur jam” nga Nexhmije Pagarusha, që është një nga këngët e mia të preferuara.
Ne ndoshta nuk përdorim rakinë, por kur Nexhmija thotë “Për çdo natë pi raki edhe venë, gjithkënd që e helmojnë, por mu po më ngushllon” është diçka që na përfaqëson, kështu që ne e bëjmë. Fokusi i bendit është të shkruajmë këngë në gjuhën arbëreshe, në një arbërishte, le te themi, bashkëkohore.
Videoklipi i këngës “Lumturi” nga “SHEGA”.
Çka nënkupton të shkruash në një arbërishte bashkëkohore?
Në albumin e parë kisha në fakt një qasje pak filologjike, shtoja ndonjë fjalë që nuk përdoret shumë apo një fjalë që po humbet. Këtë e bëja pasi e studiova edhe letërsinë e gjuhën arbëreshe dhe shqipe në Universitetin e Palermos. Pastaj me kohën thashë “mirë, është e bukur kjo gjë, por unë preferoj të jem i qartë për njerëzit që jetojnë këtu”.
Tani, qëllimi im kur shkruaj një këngë është të mos ketë ndonjë fjalë që, për shembull, gjyshja ime, një grua që ka jetuar 101 vite, të mos e dijë se çka domethënë. Mendoj se nuk ka kuptim.
Nuk e vras muzikën time më pas me këtë mendim. Nuk është se këngët ishin plot me fjalë të humbta, mund të ishin një apo dy. Shembull, në këngën tonë “Arianna” ne themi “tek ai dejt plot me anije” — “anije” është një fjalë që ne nuk e kemi ne dialektin tonë të përditshmërisë. E sigurt, që në vend, njerëzit ndoshta e mësuan këtë fjalë, ato pra e kanë një qëllim edhe didaktik.
Por në një nivel artistik unë preferoj të bëj ndryshe.
Pra, dikur keni dashur të përfshini fjalë të standardes së shqipes në këngët tuaja, por kjo ka ndryshuar tash. Pse?
Po në shqipen standarde apo në arbërishten e vjetër sepse normal që me 500 vite ndonjë fjalë humbet dhe është normale nëse ti nuk e ke atë fjalë në arbërishten e përditshme, duhet ta marrësh diku, nga shqipja apo nga ndonjë gjuhë tjetër, unë e mendoj ashtu.
Këtu të gjithë ata që shkruajnë, të gjithë shkrimtarët e kush bën teatër, komedi e kanë këtë gjuhën në një nivel më të lartë [gjuhë pa huazime]. Atë e kisha unë pak, tani e ndërrova sepse më pëlqen të shkruaj me një gjuhë që unë personalisht përdor çdo ditë. Nuk është shumë diferencë, por është më shumë këtu në trurin tim. Në gjuhën arbëreshe të sotme ka edhe shumë huazime nga siçilianishtja, nga italishtja, ndoshta janë huazime historike nga greqishtja mesjetare. Më pëlqen të përdor këto fjalë sepse janë fjalë që janë të pranishme. Nuk dua të bëj si “purismo linguistica” [purizëm gjuhësor].
Ju dëgjoheni nga audienca që jo domosdo e kuptojnë arbërishten, për shembull, shqiptarët në Ballkan. Si ia bëni?
Kemi fatin që jetojmë në një jetë digjitale kështu që njerëzit kur dëgjojnë këngët tona mund të lexojnë përkthim në shqip. Mendoj se ndryshimi nuk është shumë i madh. Në YouTube, në përshkrimin e videos, unë i përkthej këngët në italisht, anglisht dhe në shqip. Njerëzit ndoshta nga teksti origjinal mund të kuptojnë 60-70%, pastaj nëse unë them për shembull “dhrosis” — një fjalë me prejardhje greke, që do të thotë “kënaqur, kënaqem” ti ndoshta nuk e kupton në atë moment, por pastaj nga konteksti i fjalëve, e kupton.
Ky ndryshim në qasje sa i përket përdorimit të gjuhës në tekste, a mund të lexohet si përpjekje për ta njoftuar dëgjuesin në Shqipëri e Kosovë me arbërishten, apo mbase, për t’ua mësuar atyre arbërishten?
Jo, jo t’ua mësoj. Unë nuk do ua mësoj arbërishten, por dua të ruaj variantin tim, dialektin tim sepse nëse unë shkruaj në shqip, ka plot kantautorë, që shkruajnë shqip — gegnisht apo toskërisht. Mendoj se nuk ka shumë kuptim në një nivel as gjuhësor as artistik. Në nivel artistik, unë kërkoj të flas për jetën time, për atë që e jetoj unë, për dashuri të humbta apo fakte që më prekin shpirtin. Këto i flasim në arbërisht, në dialektin tim.
Arbërishtja në çdo katund ka një dialekt. Unë nuk mund të bëj një koine.
Më fal, çka do të thotë koine?
Është fjalë me prejardhje greke. Do të thotë, nuk mund të bëj një lidhje të të gjitha dialekteve, që të jetë si një gjuhë standarde. Nuk jam linguist apo gjuhëtar, jam veç dikush që shkruan. Unë kërkoj të shkruaj në gjuhën time.
Kthehemi pak te fillimi, te takimi me anëtarët tjerë të grupit dhe mënyra se si u bashkuat. Ju e patët një ide të qartë dhe mjaft specifike: të këndoni arbërisht, t’i këndoni përditshmërisë. Çunat veç kishin një qasje tjetër asokohe, kishin një grup rock. Si ia bëtë të shkriheni në këtë që jeni sot?
U duht shumë kohë. Normalna lidhën këngët. Ndoshta kur na thërritën herën e parë për një ngjarje të luanim live, të ishim një grup që bën edhe koncert të tërë, atje ndoshta u krijua grupi i vërtetë. Ishte viti 2016, ishin Pashkët arbëreshe, në Horën Contessa Entellina në Sicili.
Dhe atje ne kishim ndoshta katër-pesë kënge origjinale e nuk dinim se ça do bëjmë përveç këtyre. Vendosëm të bëjmë ndonjë cover, këngë të traditës, sepse menduam që ishte ideja më e mirë për të lidhur ato origjinale me disa të tjera sepse ishin një histori, që ka rrënjë të lashta, por tani zhvillohet e shkon përpara dhe ndërron në formë. Normal se këngët e vjetra nuk janë si ato që mund të shkruaj unë, janë ndryshe, sepse unë nuk u rrita vetëm me muzikën folklorike, arbëreshe. Unë u rrita edhe me muzikën italiane, me blues, me The Doors, Bob Marley, gjithë këto ndikime janë në muzikën tonë. Mbajmë një ekuilibër midis të vjetrës, etnikes dhe bashkëkohores.
Të jem arbëresh më mëson të dua edhe popujt tjerë, të dua kulturën tjetër, të dua ndryshimet kulturore. Të jem arbëresh ma mëson këtë, është si një himn për diversitetin.
Përse emrin SHEGA?
Na pëlqente të kishim një emër në gjuhën tonë arbëreshe. Projekti ishte me këngë arbërisht dhe tani kemi edhe një rol kulturor, vendosëm a s’vendosëm ne. Shumë njerëz na thonë “ju sillni emrin e fshtatit tonë në botë, jemi krenarë për ju”.
Kemi shkrehur shumë emra. Fjala “SHEGA” na pëlqeu, së pari si tingull, sepse duket pak si diçka braziliane — unë e adhuroj muzikën Bossa Nova. “SHEGA” ishte edhe më ndërkombëtare, ishte fjalë që të gjithë mund ta shkruajnë, ta dëgjojnë e lexojnë lehtë.
Pastaj, vendosëm se cili të ishte kuptimi. Janë kokrrat e shegës, që janë të gjitha bashkë e janë pjesë e një fruti më të madh. Ata janë njerëzit e një komuniteti. “SHEGA” është shembull i komunitetit. Ne e kemi një mesazh, edhe në këngët tona, një mesazh paqeje apo vëllazërie ndër të gjithë popujt.
Nuk jemi nacionalistë. Ne jemi për tërë botën bashkë. Kështu, “SHEGA” është komunitet, jo vetëm i arbëreshëve, por i të të gjitha komuniteteve. Shembulli i arbëreshëve na tregon që intergrimi në një tokë tjetër është i mundshëm, një integrim pa asimilim. Normalisht, me shkollë, politikë, jemi italianë, por pastaj arritëm t’i mbajmë këto diferenca, si gjuha, riti bizantin. Si komunitet, jemi me shumësi identitetesh.
Të jem arbëresh më mëson të dua edhe popujt tjerë, të dua kulturën tjetër, të dua ndryshimet kulturore. Të jem arbëresh ma mëson këtë, është si një himn për diversitetin.
Për të prodhuar llojin e muzikës që prodhoni, nevojitet njëfarë njohurie e mprehtë e asaj që është krijuar më herët dhe asaj të resë, bashkëkohores. Si e bëni kërkimin e të dyjave, të së kaluarës dhe të së ardhmes?
Kur krijojmë, nuk kemi mure. Disa herë nëpër koncerte njerëzit nuk e dallojnë se cilat janë këngët tona origjinale dhe cilat janë ato të vjetrat, sepse edhe të vjetrat i ndryshojmë. Për shembull, bëjmë këngën “Lule lule” në një version jazz manouche. Bëjmë këngën “E dehur jam” në një version blues. Për ne kjo është argëtuese.
Edhe për njerëzit, mendoj, është bukur të dëgjojnë këngët që ndoshta i njohin, në një mënyrë tjetër. Jo më mirë, as më lig, thjesht ndryshe. Edhe unë kur dëgjoj këngët, ato origjinalet, të kënduara në një mënyrë me të vërtetë arkaike, emocionohem shumë. Këtu në Piana ishte një kor, që këndonin këngë si “E bukura More”, që është një nga këngët më të famshme të arbëreshit dhe kur e kënduan, sikur më vranë. Më pëlqen ajo muzikë, ajo këngë, ato harmoni, por unë duhet të ndjek ndjeshmërinë time në nivel artistik. Këngën “E bukura More” nuk e bëj në koncerte sepse është një këngë shumë e rëndësishme, nuk është këngë e gëzueshme. Ndoshta më mirë nëse e këndojnë kori apo grupe tjera folklorike.
Më fol pak më shumë për Horën apo katundin, siç e quan ti.
Ne e quajmë Horë, që është fjalë me prejardhje greke, që do të thotë katund, por fjalën katund nuk e përdorim në përditshmëri. Normal, është një fshat i vogël. Tani kemi një krizë demografike, njerëzit ikin, shkojnë në veri të Italisë, apo ikin nga Italia. Kjo nuk na ndihmon me ruajtjen e kulturës, traditave. Sa më pak të jemi, aq më vështirë është.
Nga një anë, këtu është plot me artistë, njerëz që shkruajnë teatër, muzikantë e shumë njerëz që janë të lidhur me rrënjët dhe mendoj se nga të gjithë komunitetet, jemi më të gjallët, jo vetëm se e flasim arbërishten, por edhe se kemi një ngjallje kulturore në një mënyrë bashkëkohore.
Kemi edhe anën turistike, shumë njerëz vijnë këtu të shohin kishat apo kulturën tonë këtu. Vitet e fundit kanë ardhur shumë nga Shqipëria, Kosova, nga diaspora shqiptare në botë. Kur i takoj këtu, por edhe kur shkoj në Kosovë apo në Shqipëri ndiej një sens, diçka si vëllazëri e fortë sepse në fakt ne flasim të njëjtën gjuhë. Por, vijnë edhe turistë nga të gjithë anët e botës sepse këtu ka diversitet kulturor interesant edhe për ata që nuk janë shqipfolës. Vijnë për të ngrenë cannoli, një ëmbëlsirë tipike, që thuhet se cannoli më i mirë është këtu.
Së fundmi, “SHEGA” pati turne në Gjermani dhe Zvicër. Koncerti i tyre debutues në Prishtinë mbahet përbrenda karnivalit të K2.0.
Po përmend një krizë demografike dhe një shpërthim kulturor, që po ndodhin në të njëjtën kohë. Mund të lexohen si dy ndodhi të kundërta, ose të paktën shumë ndryshe prej njëra-tjetrës, a janë ashtu?
Jo vetëm Hora, por i gjithë jugu i Italisë po jeton në një krizë demografike sepse mungon puna dhe jugu i Italisë nuk është aq i zhvilluar sa mund të jetë veriu. Kështu që nëse ndonjëri ka një ambicie duhet fatkeqësisht të shkojë larg nga vendi i lindjes.
Për ne është e rëndësishme të kërkojmë të rrijmë këtu sepse, nëse të gjithë shkojmë, mbaron gjithçka, mbaron një histori që zgjati qe 600 vite, që ka dhënë letërsi, i ka dhënë fuqi rilindjes shqiptare në shekullin e kaluar, ka dhënë kontribut për bashkimin e Italisë. Pastaj, normal se nëse ti këtu vdes urie, duhet të shkosh në një vend tjetër. Mërgimi është pjesë e njeriut, askush si diaspora shqiptare nuk e di këtë gjë, sepse shqiptari ndodhet në gjithë botën. E them këtë, sepse edhe arbëreshët ndihen pjesë e kësaj diaspore shqiptare.
Nga ana kulturore, mendoj që njerëzit kur shofin krizën, mendojnë se duhet të bëjnë diçka, të rezistojnë. Duken dy gjëra të kundërta, të ndara, por mendoj se nuk janë ashtu sepse kur njerëzit mendojnë që janë në humbje të identitetit të vet, angazhohen për të bërë diçka, që ta ruajnë atë histori, atë identitet, atë gjuhë.
Unë mendoj se nuk është kaq e rëndësishme të marim flamurin e të dalim të themi ja sa mirë që jemi arbëresh. Unë e pëlqej një kulturë reale, domethënë këngë, poezi që flasin për jetën, jo për etnocentrizëm.
Duhet të bëjmë diçka që i intereson brezit të ri dhe brezi i ri të ndihet i përfaqësuar. Për shembull, kam një krenari, kur në festat ku mblidhen njerëzit, disa herë marrin kitaren, këndojnë këngët tona edhe nëse ne nuk jemi të pranishëm. Për mua, kjo është diçka fantastike sepse ajo këngë ka bërë ndoshta më shumë se 1,000 libra sepse ai njeri, që ndoshta është 18-vjeç, ndihet i përfaqësuar nga ajo këngë, nga ajo histori dashurie apo në atë që e thotë kënga.
Dhe ai nuk ka nevojë të jetë një patriot, që të jetojë në kulturën e vet. Ne kulturën tonë e jetojmë në përditshmëri, në të folur, duke folur shqipen, arbërishten. Nuk më pëlqen shumë pjesa ideologjike, sepse për shembull, gjyshja ime kur ishte gjallë, po ta pyesje pse ndihej krenare që është arbëreshe, ajo nuk do ta dinte, nuk interesohej fare — fliste arbërisht, ishte arbërershe, jetoi në mënyrë 100% arbëreshe, por nuk kish vetëdije mbi këtë. Unë mendoj se nuk është kaq e rëndësishme të marim flamurin e të dalim të themi ja sa mirë që jemi arbëresh. Unë e pëlqej një kulturë reale, domethënë këngë, poezi që flasin për jetën, jo për etnocentrizëm.
Gjuha nuk është diçka që na mbyll brenda një vendi, është diçka që na i hapë dyert.
Treguat se po përpunoni një këngë të kënduar nga Nexhmije Pagarusha. Nuk mund të pyes për gjithë komunitetin arbëresh, por të paktën, rrethi juaj, a angazhohet me medien, kulturën, muzikën nga Shqipëria e Kosova? A flitet shqipja standarde?
Jo, nuk flitet. Gjuha standarde është e studiuar në universitet nga disa njerëz, kemi katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Palermos, ku unë kam studiuar gjuhë dhe letërsi shqiptare, por nuk janë të gjithë që e njohin.
Janë disa njerëz që kanë një lidhje me gjithë artin, skenën shqiptare e kosovare edhe për nga ana muzikore, por njerëzit le të themi, qytetarët e zakonshëm nuk e dijnë se kush është Nexhmije Pagarusha. Për ne është gëzim të njohim këto këngë, këto histori dhe t’ua tregojmë në koncerte, t’u themi, shkuam në Shqipëri, mësuam këto këngë, shkuam në Kosovë, mësuam këto këngë, e tani ua këndojmë juve këtu. Sepse gjuha nuk është vetëm diçka që flitet brenda shtëpisë, ajo është urë mes dy vendeve, mes jugut të Italisë, komunitetit arbëresh me gjithë Shqipërinë, gjithë Kosovën e diasporën që është në botë. Gjuha nuk është diçka që na mbyll brenda një vendi, është diçka që na i hapë dyert. Për shembull, unë ndjek skenën, adhuroj këngëtarë si Shpat Deda, Dren Abazi, Plator Gashi [muzicientë nga Kosova].
Edhe nga Shqipëria kemi njohur shumë këngëtarë, njerëz të skenës muzikore, por njerëzit e Painës nuk e kanë këtë, shumë njerëz nga Hora nuk njohin shumë grupe arbëreshe sepse nuk jemi kaq të bashkuar. Kjo është normale. Është puna jonë që këta njerëz t’i sjellim te kultura origjinale, te gjuha, te poezia. Edhe ne duhet ata që iu themi që të kërkojnë të mbeten pjesë e asaj. Është edhe puna jonë, e muzikantëve, e teatrit, që ata njerëz t’i bëjmë të ndihen më shumë pjesë e asaj kulture.
Tash keni një turne në Gjermani dhe Zvicër. A ju dëgjojnë jo-arbëreshët në Itali a tjetërkund dhe diasporat shqiptare?
Po, se na fton komuniteti shqiptar, por pastaj atje do të jetë edhe pjesa jo-shqiptare që ndoshta mund të na dëgjojnë. Por, edhe këtu na shofin e na njohin.
Janë disa nga shokët, që këndojnë këngët tonë arbëreshe e janë lëtinj [fjala në arbërisht për të përshkruar ata që nuk janë arbëresh], që është diçka fantastike.
Por, mendoj që Italia nuk ka këtë kurreshtjen, jo vetëm për arbëreshët, por edhe për të gjitha pakicat etnike, gjuhësore. Janë disa festivale, për shembull, ne kemi marrë pjesë në një festival të këngës në gjuhë minoritare në Cagliari, ku kishte grupe që këndojnë në sardo, në furlan, por unë mendoj se nëse ne flasim vetëm ndër nesh për pakicat gjuhësore e etnike, por nuk ia tregojmë këtë gjë publikut të përgjithshëm, atëherë nuk kemi bërë gjë fare.
Në Itali, e vetmja gjuhë jo-italiane që është e njohur në një nivel pop mainstream është gjuha napoletane. Kjo tregon se është kulturë pak homogjene.
Sa i përket lidhjes me diasporën, për ne është shumë e bukur sepse disa herë vlerësimin që nuk e kemi ne si komunitet për komunitetin tonë, e kanë shqiptarët që janë në botë. Shqiptarët që na dëgjojnë kanë këtë ndjeshmërinë, i kam parë të mallëngjehen, të bëhen me lot kur dëgjojnë këngët tona.
Karnivali i K2.0, ku ju do të performoni, ka titullin “SHTËPI”. Çka do të thotë shtëpia për ty?
Ndihem në shtëpi në një vend ku është dashuria, ku ka vëllazëri e ku njerëzit duhen e nuk shofin çfarë ngjyre është lëkura jote. Pastaj, shtëpia reale, konkrete mund të ndërrojë, sepse ne jemi mërgimtarë në gjak, para 600 vitesh e lamë Shqipërinë, lamë mëmëdheun për të ardhur këtu e tani po lëmë edhe vendin tonë për të shkuar ndoshta në Europë, Amerikë, Gjermani, Zvicër, ku është më mirë dhe kjo është normale, nuk mund të ndërrohet. Një profesor imi thotë gjithmonë se njeriu, kur u vu në këmbë, pa horizontin dhe tha “ndoshta shtëpia ime është atje dhe jo këtu” dhe kjo është normale. Është diçka që njeriu ka kërkuar gjithmonë, të rrijë në një vend më të mirë.
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Intervista u zhvillua në gjuhën shqipe.
Imazhi i ballinës: Arkivi i grupit “SHEGA”
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.