Blogbox | Të Drejtat e Minoriteteve

Gjetja e ngjashmërive tona

Nga - 14.12.2019

Shtrohet pyetja çfarë kuptimi ka me të vërtetë toleranca.

Deri tani, anekdota më e përsëritur nga fëmijëria e vëllait tim është që e ka goditur një grua që po priste në rend prapa tij dhe ka bërtitur ‘Papuq, me çka je zhytë, po t’vjen era!’

Ai u mundua ta thotë fjalën ‘magjup’, termin nënçmues për personat nga komuniteti rom. Sa herë është treguar kjo anekdotë para mysafirëve, ata kanë qeshur. Kur ma treguan mua këtë anekdotë, edhe unë qesha, sepse nuk e kuptova kontekstin e rëndë të saj. Të jem e sinqertë, për një kohë shumë të gjatë unë kam menduar që ‘magjup’ ishte fjala e vetme për njerëzit nga komuniteti rom.

Pas shumë viteve, e kuptova që unë i kisha mendimet e ngatërruara: isha shumë kundër diskriminimit kundrejt çfarëdo grupi të njerëzve, por kurrë nuk e kisha konsideruar komunitetin rom si pjesë përbërëse të ‘çfarëdo grupi të njerëzve’.

Gjithmonë e kam menduar veten si person shumë mendjehapur. Nuk më ka interesuar prej nga vjen personi apo çfarë ngjyre të lëkurës ka, se a është i pasur apo i varfër. Për mua, të gjithë meritojnë të njëjtën mundësi dhe të gjithë ishin të barabartë.

Por gjithmonë e kisha mendimin që komuniteti rom ishte disi ndryshe nga të gjithë të tjerët, e mbaja një lloj distance. Për një kohë shumë të gjatë, nuk isha e vetëdijshme për racizmin e internalizuar apo, pasi që nuk besoj në dallime racore të njerëzimit, të paragjykimit tim shumë të fortë ndaj këtij komuniteti.

Pas shumë viteve, e kuptova që unë i kisha mendimet e ngatërruara: isha shumë kundër diskriminimit kundrejt çfarëdo grupi të njerëzve, por kurrë nuk e kisha konsideruar komunitetin rom si pjesë përbërëse të ‘çfarëdo grupi të njerëzve’.

Më vonë e kuptova që ishte çmenduri, kështu që fillova të aktivizohesha duke ngritur zërin kur njerëzit thonin komente raciste kundër komunitetit rom. I përmirësoja njerëzit kur ata përdornin terma nënçmues kur flisnin për njerëz të komunitetit rom. Megjithatë, ende e kisha një imazh të shtrëmbëruar të asaj se kush ishin me të vërtetë romët. Në mendjen time i gjithë komuniteti ishte i munduar nga varfëria dhe ballafaqohej me dhunë ekstreme dhe diskriminim institucional.

Së fundmi, doli një artikull për një grua shumë të guximshme rome që kishte dhënë dëshmi në Beograd kundër kriminelëve që e kishin përdhunuar gjatë luftës në vitin 1999. Kur arriti në Kosovë pasi kishte dhënë dëshmi atje, thuhet se ajo ishte shpërfillur nga autoritetet dhe kishte ndërruar jetë pas disa vitesh.

Diskriminimi i institucionalizuar arrin edhe në zona që nuk janë aq të evidente sa ky shembull. Mësova nëpërmjet punës sime me GAIA Kosovo që në Kosovë komuniteti rom vuan edhe nga padrejtësia ambientale. Mendoni për lagjen e romëve në Plemetin që gjindet në oborrin e një termocentrali. Ata i marrin frymë të gjitha emetimet nga ky termocentral e nuk gëzojnë aq shumë (apo mbase aspak) energji elektrike.

Për njerëzit që nuk e dinë çka është padrejtësia ambientale, ky është definicioni i saj: Padrejtësi ambientale është ekspozimi i pabarabartë ndaj ndotjes për komunitetet e varfëra apo me ngjyrë – me të gjitha pasojat që lidhen me atë ekspozim (për shembull, pasojat shëndetësore, pamundësia për ta punuar tokën etj.)

Gjatë Samitit të Romës sivjet gjeta se ende në vitin 2019 ky komunitet ballafaqohet me plot probleme. Një prej sendeve që më tronditi më së shumti ishte që të rinjtë brenda komunitetit e kishin internalizuar racizmin me të cilin ballafaqohen.

Për mua ky shembull tregon shumë qartë që nëpërmjet diskriminimit me të cilin ballafaqohet komuniteti, ata i kufizojnë ambiciet e tyre.

Sipas disa panelistëve, plot të rinj të komunitetit romë nuk dëshironin t’i përkisnin këtij komuniteti. Ata e kishin internalizuar perspektivën e njerëzve që nuk janë romë dhe e mendonin kulturën e tyre si të mbrapshtë, të padëshiruar dhe inferiore. 

Kjo më trazoi veçanërisht për shkak se kur isha duke u rritur si refugjate në Holandë, unë dhe miqtë e mi emigrantë të kulturave tjera u ballafaquam me diskriminim. Megjithatë, ne nuk e internalizuam këtë. Përkundrazi, e ruanim më shumë trashëgiminë kulturore dhe i kundërshtonim idetë që i kishin për neve ata që nuk ishin emigrantë. Në fakt, diskriminimi me të cilin u ballafaquam e formësoi pjesërisht identitetin tonë të ‘emigrantëve’, tjerëve. 

E pyeta një prej panelistëve pse kishte të rinj në komunitetin rom që e kishin shprehur veten në këtë mënyrë. Ajo më tha se kjo ishte kryesisht për shkak të faktit që është internalizuar nga njerëz me ndikim në jetët e tyre, për shembull nga prindërit e tyre. Ajo më tha se ambiciet e prindërve të saj për të ishin që ajo të bëhej frizere.

Për mua ky shembull tregon shumë qartë që nëpërmjet diskriminimit me të cilin ballafaqohet komuniteti, ata i kufizojnë ambiciet e tyre. Jam e sigurt që ka më shumë nuanca dhe as nuk dua ta krahasoj përvojën time si refugjate në Holandë me përvojën e komunitetit rom këtu.

Gjatë samitit, një panelist tha që në vend se t’i analizojmë dallimet tona, ne duhet t’i festojmë ngjashmëritë tonë. Edhe pse mund të mos tingëllojë shumë revolucionare, mua më tingëlloi si mjet shumë i fuqishëm. Duke i theksuar dallimet tona, ne në një farë mënyre i bëjmë vend diskriminimit.

Ne i besojmë ato që i kemi dëgjuar pa kuptuar, ato që na i kanë mësuar pa shtruar pyetje dhe përdorim etiketa për tjerët, për këdo që është ndryshe prej neve. Prandaj besoj që nëse fillojmë t’i theksojmë ngjashmëritë tona, do të kuptojmë që nuk jemi të huaj. Në fjalimin hyrës të tij, Albin Kurti tha që askush nuk është i huaj për të. Ndoshta të gjithë duhet të fillojmë ta përvetësojmë këtë nocion.

Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0

KOMENTO