Në thelb | COVID-19

Gratë e punësuara dhe pandemia

Nga - 14.07.2021

Covid-19, papunësia dhe sfidat e sektorit informal.

Kur Arta e dëgjoi lajmin për relaksimin e fundit të masave kufizuese kundër pandemisë, gjërat e para që i erdhën në mendje ishin puna në dy ndërrime dhe imazhi i siluetës së saj të përkulur mbi makinën e qepjes.

“Është ajo kohë e vitit kur nuk mund ta ngresh kokën prej makinës së qepjes,” tha ajo. “Nga fundi i verës, vetëm kurrizi im mund të tregojë për orët e gjata të punës dhe qëndrimit ulur.”

Dasmat e mëdha, të cilat ishin të ndaluara përgjatë vitit të kaluar, në mënyrë që ta parandalojnë përhapjen e Covid-19, u lejuan të rifillojnë në mesin e qeshorit si pjesë e rihapjes graduale të ekonomisë. Njoftimi i detyroi çiftet në prag të martesës të nxitojnë për t’i caktuar datat dhe t’i rezervuar vendet në të njëjtën kohë që një numër i madh i diasporës pritet të vijë këtë verë. 

Ata që vijnë nga jashtë jo vetëm që e shtojnë gëzimin e dasmave familjare, por e japin edhe shtytjen e shumë nevojshme për ekonominë e vendit, që ka vuajtur nga mungesa e diasporës gjatë vitit të kaluar. 

Por, për Artën, që kërkoi të prezantohet me një pseudonim që të flasë lirshëm, sezona e dasmave nënkupton punë të pandalshme. 

Që nga viti 2013, Arta ka punuar si rrobaqepëse në sektorin informal, që nënkupton pa kontratë dhe pa kontribute pensionale dhe shëndetësore. Paga e saj mujore është tash 250 euro, por gjatë katër viteve të para të punës, ajo ka marrë vetëm 150 euro në muaj.

“Jam mbi 50 vjeç, çfare zgjedhje tjetër kam?” tha ajo. “Shumë njerëz që i njoh punojnë si rrobaqepës, dhe më besoni, ata që punojnë për dizajnerët e famshëm shpesh punojnë në dy ndërrime gjatë tërë vitit. Së paku në vendin ku punoj unë kemi dy ndërrime vetëm gjatë verës së ngarkuar të dasmave dhe festave.”

Sektori Informal i Kosovës

Sipas Sindikatës Së Pavarur të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, 50% e punëtorëve në Kosovë janë në sektorin informal. Edhe pse të dhëna të sakta vështirë gjenden, gratë — duke punuar si rrobaqepëse, pastruese të shtëpisë, flokëtare ose punëtore bujqësore sezonale — përbëjnë një pjesë të madhe të fuqisë punëtore informale. Puna e sektorit informal as tatohet as mbrohet nga qeveria, që do të thotë se shkeljet në punë janë të zakonshme. Përveç mungesës së kontratës, shumica e punëtorëve informalë marrin paga të ulta dhe asnjë përfitim të mirëqenies sociale. 

Është e vështirë të dihet fushëveprimi i plotë i ekonomisë informale në Kosovë, por disa raporte tregojnë se përbën më shumë se 30% të PBB-së së vendit. Me afërsisht 1.8 miliard euro në vit, madhësia e sektorit informal i përafrohet buxhetit vjetor të shtetit prej 2.4 miliardë euro. 

Sipas ekspertëve, shkalla e pjesëmarrjes së punës informale mbahet e lartë përmes sundimit të dobët të ligjit dhe mungesës së infrastrukturës qeveritare për monitorimin dhe rregullimin e ekonomisë dhe kornizës tatimore së Kosovës, duke i lënë shumë punëtorë në situata të pasigurta. 

Edhe pse ekzistojnë disa përllogaritje të bazuara në anketime, nuk ka statistika zyrtare që e bëjnë të qartë pjesëmarrjen e grave në sektorin informal. Sipas një raporti të Institutit Riinvest, think-tank në fushën e zhvillimit socio-ekonomik, rreth 30% e grave që punojnë në sektorin privat janë pa kontrata.

Gratë në sektorin privat punojnë më gjatë se ato në sektorin publik, shpeshherë më shumë se 10 orë në ditë. Po ashtu, paguhen më pak, punojnë gjatë fundjavave dhe pushimeve zyrtare, dhe marrin pagat në mënyrë të parregulltë.

Sexhide Mustafa, zëvendës-drejtoreshë në Institutin Riivnest, tha se pjesëmarrja e lartë e grave në ekonominë informale — trend global për vendet në zhvillim — mund të kontribuojë në përfaqësimin e ultë të gjinisë në statistikat zyrtare. 

“Të dhënat e ndara sipas gjinisë për ekonominë informale në Kosovë janë me cilësi të dobët,” tha Mustafa. Edhe pse vlerësimet e mëhershme të punës tregonin që më shumë burra se gra punonin në sektorin informal, Mustafa tha se “të dhënat cilësore sugjerojnë që gratë që punojnë në sektorin privat shpesh punojnë informalisht, pa asnjë mbrojtje sociale, dhe pa kontrata.” 

Anketat e Institutit Riinvest tregojnë që gratë në sektorin privat punojnë më gjatë se ato në sektorin publik, shpeshherë më shumë se 10 orë në ditë. Po ashtu, paguhen më pak, punojnë gjatë fundjavave dhe pushimeve zyrtare, dhe marrin pagat në mënyrë të parregulltë. Më tutje, sipas Riinvest, afërsisht 75% e këtyre grave nuk paguhen asnjëherë për punën pas orarit edhe pse u takon ligjërisht.

Papunësia dhe pandemia

Përgjigja globale ndaj pandemisë ka përkeqësuar në mënyrë indirekte gjendjen e grave në shtëpi dhe në punë edhe gjatë mbylljes së vendit edhe gjatë periudhës së lehtësimit të masave. Mbase çështja më e diskutuar ka qenë rritja e dhunës në familje, për shkak se shumë gra u izoluan me abuzuesit e tyre pas dyerve te mbyllura.

Bashkë me këtë zhvillim shqetësues, kushtet e punës së grave, si ato shtëpiake ashtu edhe ato profesionale janë përkeqësuar në mënyrë dramatike. Shumë gra po ballafaqohen me punë shtesë të papaguar në shtëpi, përderisa puna profesionale si kujdestare, mirëmbajtëse e shtëpisë, rrobaqepëse apo flokëtare është penguar rëndë nga pandemia. Jo vetëm që janë zvogëluar pagat dhe orët në këto industri, kur u lehtësuan masat kufizuese, këta punëtorë shpesh u ekspozuan në publik dhe ndaj koronavirusit.

Një raport i UN Women vitin e kaluar analizoi efektet e shpërthimit të Covid-19 në Evropë dhe Azinë Qëndrore dhe vuri re se mbi 40% e grave kryenin punë më pak të paguara gjatë shpërthimit. Më të prekurat ishin gratë nga Kosova. Një raport nga Demoracy for Development (D4D), organizatë e fokusuar në hulumtime dhe analizë te politikave, gjeti se në Kosovë 5.3% të grave dhe 2.6% të burrave iu ndërpre kontrata si rezultat i pandemisë dhe 26% të grave u dërguan në pushim pa pagesë.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pandemia pati ndikim të madh në ekonomi. Në tremujorin e dytë të vitit 2020, rritja reale e PBB-së ra prej 1.3% në -9.3%, ndërkohë që Banka Botërore gjeti se PBB-ja e Kosovës ishte tkurrur për 6.9% në vitin 2020.

Një analizë e fundit e të dhënave të ASK-së nga Instituti GAP gjen se pandemia ka bërë që Kosova ta ketë numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të punëkërkuesve aktivë, 198,000. Nga marsi deri në prill të vitit 2020, numri i punëkërkuesve aktivë u rrit në më shumë se 32,000 dhe nga prilli në maj me rreth 35,000 shtesë. Numri i punëkërkuesve aktivë vazhdoi të rritet deri në shtator të vitit 2020 kur arriti kulmin, përpara se të ulej deri në shkurt të vitit 2021 kur numri ishte afërsisht 106,000 punëkërkues të regjistruar.

Çfarëdo ankese mund ta bëjë punëdhënësin t'ju pushojë në çdo kohë.

Shumica e punëkërkuesve të regjistruar ishin midis 25 dhe 39 vjeç, dhe shpërndarja e burrave dhe grave ishte pothuajse e barabartë.

“Shkalla e informalitetit është e dukshme [në të dhënat e siguruara nga ASK],” tha Dita Dobranja, një ekonomiste feministe. “Numri i rritur i të rinjve dhe grave që kërkojnë punë tregon më shumë për situatën e tregut të punës sesa për nivelin e punësimit ose të papunësisë.”

Këta numra mund të jenë duke lënë jashtë shumë punëkërkues.

Sipas Mustafës nga Riinvest, gratë e moshës së mesme kanë tendencë të regjistrohen si punëkërkuese më rrallë sepse ato përballen me vështirësi më të mëdha për të hyrë në tregun e punës.

“Ne po flasim për një brez i cili gjatë luftës kishte arsim të papërshtatshëm dhe pas luftës për shkak të kushteve socio-ekonomike ishin lënë jashtë mundësive për të marrë pjesë në trajnime shtesë ose arsim të mëtejshëm,” tha Mustafa.

Arta e kupton mirë situatën e saj të pasigurt të punësimit, dhe këto lloj presionesh janë ato që e e trembin për tu identifikuar publikisht. Megjithëse ajo punon në një vend pune relativisht njerëzor duke shijuar një pushim dreke dhe të drejtën për pauza të shkurtra ditore, gjëra që  nuk u lejohen të njohurve të saj që punojnë në dyqanet e tjera rrobaqepësie ajo e di se pa një kontratë, “çfarëdo ankese mund ta bëjë punëdhënësin t’ju pushojë në çdo kohë, sidomos tani që pandemia ka rritur kërkesën për punë.”

Kjo rritje e punëkërkuesve është, sipas GAP, pjesërisht rezultat i pushimeve nga puna në shkallë të gjerë në fillim të pandemisë si dhe masave emergjente fiskale të miratuara vitin e kaluar nga qeveria e Vetëvendosjes. Pakoja Fiskale Emergjente parashikonte një pagesë mujore prej 130 eurosh për individët e regjistruar si të papunë në qendrat e punësimit, dhe të cilët aktualisht nuk ishin përfitues të ndonjë pagese tjetër nga buxheti i Kosovës.

GAP vuri në dukje se ata që janë regjistruar si punëkërkues gjatë asaj kohe ende nuk kanë raportuar në Agjenci nëse kanë gjetur punë. Sipas rregullave, punëkërkuesit duhet të raportojnë në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK) çdo tre muaj për të treguar statusin e tyre të punësimit dhe për të marrë udhëzime të mëtejshme nëse janë ende të papunë, përndryshe ata do të hiqen nga listat e papunësisë.

Gjatë vitit 2020, APRK vendosi ta ndryshojë në “Joaktiv” statusin e punëkërkuesve, të cilët nuk kishin raportuar për të paktën tre muaj pasi ishin regjistruar si punëkërkues, dhe kjo mund ta ketë shkaktuar pjesërisht rënien e punëkërkuesve në fund të vitit 2020.

Raporti thotë se arsyeja e dështimit për të raportuar nga disa punëkërkues mund të jetë fakti se disa prej tyre mund të punojnë në sektorin informal, i cili u lejon atyre të regjistrohen në APRK si të papunë.

Zbërthimi i numrave

Sipas të dhënave nga shkurti i vitit 2021, nga të gjithë punëkërkuesit aktivë nga grupmosha 25-39 vjeç, 22,662 ishin burra dhe 19,197 ishin gra. Numri më i vogël i punëkërkuesve ishin në grupmoshën 55+, me 7,972 burra dhe 6,088 gra.

Për sa i përket nivelit të arsimit, 45% e punëkërkuesve aktivë ishin të paarsimuar, 20% përfunduan arsimin fillor, 21% përfunduan arsimin e mesëm profesional, 7% përfunduan arsimin e mesëm dhe rreth 8% arsimin e lartë. Punëkërkuesit e paarsimuar, ata me arsim fillor dhe të mesëm, janë kryesisht burra, ndërsa punëkërkuesit me arsim të lartë (Bachelor ose Master) janë kryesisht gra.

Në përgjithësi, vetëm 14.4% e grave dhe 46.2% e burrave janë të punësuar. Vetëm 21.5% e grave janë aktive në tregun e punës, që do të thotë të punësuar ose të papunë dhe që kërkojnë punë, krahasuar me 58.9% të burrave.

Masat pandemike dhe gjinia

Aktivistët feministë dhe ekspertët gjinorë kanë argumentuar se masave qeveritare për ta parandaluar përhapjen e virusit dhe për të rifilluar ekonominë u mungon qartë një analizë paraprake gjinore ose konsultim me shoqërinë civile.

“Nuk ka asnjë masë se si njerëzit e ndryshëm preken nga pandemia,” tha për K2.0, Mirishahe Syla, eksperte gjinore.

Në vend të kësaj, masat “janë drejtuar drejt një grupi homogjen në Kosovë me perspektivën që të gjithë janë njësoj, pa marrë parasysh ndonjë nevojë të veçantë. Gratë harrohen, nënat beqare harrohen, pakicat dhe personat me aftësi të kufizuara harrohen,” tha Syla. “Masat drejtohen ndaj burrave shqiptarë që janë tashmë në punë, me qeverinë që merr vetëm modelin e burrit që ka një biznes dhe të ardhura të veçanta.”

Në kohë krizash qeveritë nuk lejojnë që ndërmarrjet e mëdha të dështojnë, tha Dobranja, një aspekt i cili u reflektua në Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Kosovës të paraqitur nga qeveria Hoti vitin e kaluar.

“Gratë janë të pranishme në mikro dhe biznese të vogla dhe për këtë arsye kanë më pak shanse për të mbijetuar. Dhe si rezultat, atyre iu desh ndalonin ose ta pauzonin aktivitetin ekonomik, duke përfshirë largimin e punëtorëve nga vendet e tyre të punës,” tha Dobranja. “Atëherë kjo e bën shumë të vështirë për to që të kthehen në treg.”

Shumë kritikë thanë se masat e propozuara nga ish-kryeministri Avdullah Hoti shënjestëronin vetëm bizneset e mëdha. Nga numri i ulët i grave të punësuara në Kosovë, 10% e tyre zotërojnë biznesin e tyre. Shumica e këtyre bizneseve janë të vogla, duke ofruar shërbime të tilla si rrobaqepësia dhe modelimi i flokëve. Duke pasur parasysh informalitetin në këta sektorë, ka mijëra gra si Arta që nuk kanë marrë ndonjë mbështetje.

Në javën e parë të korrikut, qeveria Kurti prezantoi një plan të ri rimëkëmbëjeje që përqendrohet në punësim. Një buxhet prej 50 milionë eurosh është caktuar për të krijuar vende të reja pune dhe për të mbështetur punëkërkuesit. Nga kjo shumë, 5 milionë euro janë buxhetuar për ta mbështetur punësimin e grave.

Edhe pse masat duken më premtuese për punëtorët dhe punëkërkuesit mesatarë kosovarë krahasuar me planin e mëparshëm të rimëkëmbjes, është e nevojshme një analizë e hollësishme për të kuptuar se kush saktësisht do të përfitojë nga plani.

Sa për Artën, vendimet apo politikat e qeverisë rrallëherë i kanë dhënë shpresë. “Nëse diçka nga këto masa të reja më ndihmon, atëherë është e mirëseardhur. Por nuk po pres asgjë,” tha ajo.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

 

 

 

Ky publikim është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian si pjesë e projektit “Citizens Engage”, i implementuar nga K2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.