Kur Fitore Berisha hyn në dhomë, ajo nxit reagim të ngjashëm si pikturat e saj. Teshat e saj të veçanta, të zeza dhe pothuajse ekstravagante, si dhe frizura e pazakontë dhe bizhuteritë e dalluara dhe artistike të bëjnë ta shikosh me vëmendje, njëjtë jsi fytyrat, brirët dhe ngjyrat që rrjedhin nga brusha e saj.
Me buzëqeshje të ngrohtë, ajo i afrohet tryezës dhe e thotë gjënë e fundit që pritet prej saj: “Jam aq shumë e zemëruar!”
Mund të jetë një përvojë personale, një bisedë që e ka bërë, një rrëfim apo një thashetheme që e ka dëgjuar; por çfarëdo që e ka ndezur në atë ditë, gjithsesi është tregim i shtypjes së grave. Kjo e tërbon, dhe ajo më së miri reagon nëpërmjet punimeve artistike.
Ekspozita e fundit e saj u mbajt në mars në lokalin Menza Ramiz Sadiku në Prishtinë. Një nga pikturat që përfshin një fytyrë të zemëruar i përmbledhë kontrastet ndërmjet pamjes së saj dhe ndjenjave të saj.
“Kjo pikturë i shtyen shumë njerëz të bëjnë psikoanalizë, sepse e shohin që Fitorja ka përdorë grim, i ka rregulluar flokët, është veshë mirë dhe po buzëqesh”, thotë ajo. “Por fytyra në pikturë nuk përputhet me fytyrën time dhe njerëzit mendojnë prej ku vjen ky zemërim”.
Ajo pa dyshim ka ndihmuar të sjell diçka tjetër: një perspektivë artistike femërore.
Artistja vizuale, e cila ka punuar në Kosovë dhe Islandë në 20 vitet e fundit, përsëri i trajtoi problemet njerëzore dhe pengesat e jetës së përditshme dëshmitare e të cilave ka qenë gjatë udhëtimeve të shumta të saj në vende të ndryshme. Ekspozita e quajtur “Awakening” (Zgjimi) u dallua për fytyrat dhe pjesët e epërme të trupit.
“Jam e magjepsur me shprehjet e fytyrave të njerëzve”, thotë ajo. “I analizoj fytyrat e njerëzve aq shumë, sa që pa qëllim më vijnë nëpërmjet punës që e bëj”.
Ajo thotë se kishte për qëllim t’i nxirrte emocionet, dëshpërimin dhe shprehjet e atyre rreth saj, por ajo pa dyshim ka ndihmuar të sjell diçka tjetër: një perspektivë artistike femërore.
Kosova e ka parë këtë gjithnjë e më shumë në vitet e fundit, qoftë nëpërmjet arteve vizuale, arteve dramatike apo muzikës, pasi që Fitorja bashkë me shumë artiste tjera kosovare e kanë ngritur zërin e fuqishëm — dhe moti të shpërfillur — të grave, duke e gdhendur atë në analet e historisë së artit në Kosovë.
Prej epokës së vizatimeve nëpër shpella, historia e artit ka qenë dëshmi e mënyrës se si personalja ndërvepron me shprehjen dhe kreativitetin artistik. Punimet e Fitores i janë shtuar mijëra punimeve tjera të artistëve të botës që i kanë përdorur talentet kreative të tyre për t’i vënë në pikëpyetje strukturat e thella patriarkale.
Shumë piktura që i ka krijuar Fitorja i trajtojnë çështjet e pazgjidhura në jetën e saj.
Pikturat me veshë të mëdhenj aludojnë pasiguritë e fëmijërisë së hershme për pamjen e saj, për ngacmimet që i përjetoi nga fëmijët e tjerë; gjinjtë janë metaforë për gjidhënie, apo mungesën e saj, të cilën e lidhë me marrëdhënien komplekse që e ka me nënën e saj; ndërsa fytyrat e mërzitura të burrave aludojnë dobësitë, të cilave mund t’i ekspozohen dy djemtë e saj.
“Ai duqi që na mbledhet mbrenda, e kur mendon që s’ka mënyrë me dalë, shpërthen përmes letrës, lapsit, ngjyrave, e n’këtë rast edhe brinave”, tha ajo kohë më parë.
Fitore Berisha shpesh e shprehë nervozën e saj në lidhje me shtypjen ndaj grave nëpërmjet artit të saj. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Përmes shumë prej pikturave të saj, Berisha i ka bërë thirrje grave “t’ju dalin brinat” për ta tejkaluar pabarazinë, simbol që shihet shpesh në pikturat e saj.
Kur ishte fëmijë, kohë pas kohe ndihej sikur askush nuk po e dëgjonte atë. Nëpërkëmbja kryengritëse e saj nxiste një reagim të veçantë te nëna e saj. “Oj Fitore, dojnë me të dalë brinat”, i thoshte nëna.
Për Fitoren, këto brina shprehen më së miri nëpërmjet artit, të cilin ajo e përdorë si terapi për t’i kuptuar traumat e të kaluarës së saj dhe stresin post traumatik që pasoi. “Terapia e artit është proces i shërimit”, thotë ajo.
Pas një kohe, ajo e zbuloi gjithë fëmijërinë e saj nëpërmjet vizatimeve të njerëzve si krijesa që nuk duken si njerëz, por si krijesa tjera me brirë.
“Erdhi në një pikë ku mund të bëja çfarë të doja; ku mund të tregoja se kush jam”, tha Fitore pas ekspozitës së saj në vitin 2017. “Mund të revoltoja dhe t’ua gjuaja revoltën në fytyrë njerëzve”.
Dhjetëra ndjenja dhe emocione mund të interpretohen dhe identifikohen nëpërmjet fytyrave apo pjesëve të trupit në pikturat e saj, por secila e tregon një histori të njohur të vajzave dhe grave, apo “motrave”, siç i quan Fitorja.
Piktura e Fitore Berishës “Vulnerable”.
“Nuk kam nevojë, për shembull, t’ia shpjegojë dikujt se si erdha deri te kjo pikturë”, thotë ajo, duke bërë me gisht drejt një vizatimit të një dore mbi një vaginë.
“Është dorë e padëshiruar dhe ajo është e tmerruar”, thotë ajo. “Ndoshta është e martuar por nuk don të bëjë seks. Ndoshta don të ndihet e dashur, por jo e përdhunuar”.
Traumë e trashëguar
Njëlloj si lëvizjet e brushës së Fitores, zëri i Fatime Kosumit i eksploron rrëfenjat dhe historitë e familjeve dhe marrëdhënieve ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes përgjatë gjeneratave të ndryshme.
Një dimension i tillë rrallëherë është parë në punimet e artistëve kosovare — të paktën jo me ton kaq personal. Skena e arteve në Kosovë për një kohë të gjatë është dominuar nga burrat, liritë relative të së cilëve mbase në mënyrë të natyrshme bëjnë që ata të kenë më pak tendencë të konsiderojnë çështje të tilla apo ta kundërshtojnë status quo-në, jo si gratë të cilat nga një moshë e re pritet ta drejtojnë jetën e tyre brenda normave të parashkruara kulturore.
E lindur në Rosenheim të Gjermanisë si vajzë e prindërve shqiptarë të Kosovës, Fatimja e la vendlindjen e saj gjermane në 2001 për t’u kthyer në Kosovë, ku ka jetuar deri në 2010.
Pasi u kthye në Berlin në 2011, identiteti artistik ANDRRA u lind kur nisi të rritej interesimi i saj për tekste të vjetra folklore shqipe, të cilat filloi t’i inkorporonte në muzikën e saj. Ajo e përshkruan rezultatin e këtij kombinimi si “pop-avantgarde”.
Fatime Kosumi me performancat e saj muzikore nën identitetin artistik ANDRRA i eksploron çështjet si martesat e hershme, familjen dhe marrëdhëniet. Foto: Somer Spat.
Për të, këngët folklorike shqiptare janë të guximshme, si tregimet në muzikën blues. Paralelen që e nxjerrë ndërmjet këtyre dy zhanreve është se të dyja janë popullarizuar në zona më të varfëra dhe në mesin e grupeve shoqërore më të margjinalizuara.
“Më pëlqyen tekstet gjithashtu për shkak se ishin më të sinqerta, më autentike”, kishte thënë ajo në vitin 2017 për K2.0. “Rapsoditë nuk janë domosdoshmërisht të bukura, por janë autentike. Dhe kjo më pëlqeu, e vërteta e rëndë”.
Por këngët e kanagjegjeve, të cilat i këndohen vajzave të reja para martesës, ia kapën vëmendjen Fatimes për prodhimet muzikore të saj. Këto këngë, të cilat tradicionalisht këndohen nga gratë e familjes një natë para dasmës, përfshijnë shumë elemente të pasigurisë për të ardhmen, një ndjenjë e zakonshme për shumicën e vajzave të martuara në martesa të rregulluara dhe të hershme, qofshin shqiptare apo nga cilado kulturë tjetër patriarkale.
Fatimja e gjeti historinë e nënës së saj në këto këngë.
“Mendoj se ne, si gra, e kemi një traumë kolektive të cilën ia transmetojmë vetes në ADN-në tonë”, thotë ajo.
“Pse të kërkosh shpjegim diku larg kur mund ta marim nga nënat tona, kur e kemi shpjegimin kaq afër? Shumë e rëndësishme ishte ta kuptoja nënën time, sepse doja t’i kuptoja sendet që na i ka mësuar”.
Gjatë koncerteve të saja, ajo e sundon skenën me një prani magjepsëse, ndërsa audienca i dëgjon historitë e familjeve të tyre në fjalët që ajo i thotë.
Për t’i mbledhur këngët e bazuara në tekste të kanagjegjeve, ajo gjeti plot libra të botuar nga Shtëpia Botuese Rilindja në vitet e 80-a, me vargje të mbledhura prej rajoneve të ndryshme shqiptare nga shkrimtari dhe folkloristi Anton Çetta. Duke mos gjetur melodi apo ritme të inçizuara, e kështu duke mos patur shumë ide se si këndoheshin këto këngë origjinalisht, Fatimja i morri tekstet dhe i transformoi ato në melodi dhe performanca të fuqishme.
Gjatë koncerteve të saja, ajo e sundon skenën me një prani magjepsëse, ndërsa audienca i dëgjon historitë e familjeve të tyre në fjalët që ajo i thotë. “Mendoj se shumë njerëz, edhe në koncerte, nuk e kuptojnë gjuhën, por prapëseprapë e kuptojnë poentën”, thotë ajo.
Fatimja kujton një ditë para disa vitesh kur ishte e ulur në plazh dhe po i shikonte dy adoleshentë, një djalë dhe një vajzë, duke ndenjur së bashku. Dyshja që dukej se ishin shokë, e nxiti atë t’i vënte në dyshim marrëdhëniet që i kishte ndërtuar me burrat në jetën e saj. Ajo reflektoi se a kishte bërë shokë para se t’i bënte 18 vjet, dhe erdhi në përfundim që jo.
“Për mua, burri gjithmonë përfaqësonte një rrezik të mundshëm, [dikush] që ose kishte kërkesa për mua, ose une kisha për të”, thotë ajo. “Dhe prandaj nëna ime, nga një moshë shumë e re, na mësoi ta ruajmë veten”.
Ballafaqimi me temat të cilat i trajton ajo në këngët e saj i ka ndihmuar të çlirohet nga paragjykimet e ndërtuara dhe reflektimet që i kishte për burra, dhe marrëdhëniet me ta. Dhe më e rëndësishmja është që kjo e çliroi nga traumat të ndërtuara mbi baza gjinore përgjatë gjeneratave.
Kur i zbuloi për herë të parë tekstet e kanagjegjeve, ishte sikur ajo vet po e përjetonte një martesë të fëmiut për herë të parë, edhe pse personalisht nuk e kishte përjetuar. “Atëherë thash se është traumë kolektive”, thotë ajo.
Qasje e re ndaj ideve të vjetra
Edhe pse nuk i referohet “traumës” të trashëguar, Doruntina Ukimeri është një tjetër artiste kosovare kurioziteti i së cilës u nxit nga praktikat kulturore të trashëguara prej grave përgjatë gjeneratave.
Në Kosovë, çejzi ka qenë pjesë e madhe e jetës së grave të reja për një kohë të gjatë. Tradicionalisht, një pjesë e madhe të ditës e kalonin duke qëndisur këllëfe për jastëk, mbulesa për tavolinë për të ardhmen, për jetën e martesës. Gjatë viteve, ndryshimi i epokave ka sjellë një evolcuion në shfaqjen e qëndisjeve të ngjyrshme. Këto mbulesa vendosen mbi televizora, në mure, karrige dhe tryeza; kjo punë dore e vështirë ende përfaqëson një veçori të shquar të shumë shtëpive.
“Çejzi është si art”, thotë Doruntina. “Punon e punon për aq shumë vite në të dhe pastaj në fund e ekspozon. Në një farë mënyre, është si ekspozitë”.
Kur në shkurt i paraqiti publikisht për herë të parë punimet e saj për çejze duke përdorur teknikën e filigranit në letër, ajo nuk e diti që do të nxiste kaq shumë interesim, kuriozitet dhe diskutime.
Për më shumë se pesë vite, ajo ka investuar një pjesë të madhe të kohës së saj në teknikën e filigranit në letër, shpeshherë deri në orët e hershme të mënjesit, duke krijuar dizajne dekorative me to.
Fillimi i punimeve të saj për çejzi ishte vazhdimësi e natyrshme e eksplorimit të temave që ishin të pranishme në fëmijërinë e saj.
Artistja Doruntina Ukimeri filloi të punonte me çejz nga kurioziteti personal dhe kështu përfundoi duke e nisur një diskutim që më parë ishte i shpërfillur. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Shpeshherë arti i saj rrethohej nga kujtimetj, ato që ia kishin treguar të tjerët dhe përditshmëriaa. I tillë ishte rasti me punimin “Matrioshkat”: potrete të grave të familjes së saj që dalloheshin nga fustanet e ndryshme tradicionale, të cilat shënonin trashëgimi të ndryshme prej rajoneve të ndryshme të Kosovës.
Po të mund të flisnin, do t’i tregonin historitë e jetës, të formësuara nga zhvillimet historike të shekullit 20-të. Persekutimi i Enver Hoxhës kundër atyre që refuzuan të bëhen bashkëpunëtorë në Shqipëri, ku e ka origjinën familja e Doruntinës, i detyroi disa prej familjarëve të saj të ikin nga veriu i Shqipërisë për në Kosovë, dhe vajzat u martuan në pjesë të ndryshme të Kosovës në mënyrë që të mos kenë mundësi t’i gjejnë lehtë.
“Deri diku deshta ta tregoja edhe diversitetin e Ballkanit”, thotë ajo. “Që jemi kaq të ndryshëm por të njejtë njëkohësisht”.
Deri kur e mbajti ekspozitën e saj të parë në 2017, në të cilën i shfaqi disa punime të ndryshme të saj, jo shumë njerëz ishin të vetëdijshëm që Doruntina e kishte një “punë të dytë”, përveç punës së saj me orar të plotë si arkitekte. Pas asaj përvoje, të lehtë e kishte ta merr vendimin se me çfarë të merret.
“Çejzi gjithmonë është dukur bukur”, thotë ajo. “E gjithë ajo punë dore është art në vete, dhe desha ta trajtoja si të tillë”.
Ambientet e pavarura gjithashtu inkurajojnë mbajtjen e debateve për temat që po eksplorohen.
Doruntina e nisi një bashkëpunim me Cultural Heritage Without Borders që në thelbin e saj ka promovimin e trashëgimisë, dhe e zhvilloi një interesim të posaçëm për eksplorimin e mënyrës se si ndodh transformimi i çejzeve në kulturën shqiptare, nëpërmjet transformimit të shoqërisë dhe ekonomisë.
“Në të kaluarën ishte e domosdoshme të përgatitemi për jetë të re. Gratë duhej të përgatisnin gjithçka, prej të brendshmeve e deri te dekorimet e mureve”, thotë ajo. “Sot, nëse ke nevojë për diçka, shkon në dyqan dhe e blen. Në fakt, sot ka shumë gra që kanë biznese që shesin sende të çejzit”.
Ajo vet ka drejtuar punëtori me gra të interesuara për ta mësuar teknikën me filigran në letër, dhe thotë që ato një ditë mund t’i fitojnë të hyrat e veta nëpërmjet kësaj teknike.
Doruntina ua ka dhënë grave tjera mundësinë që i është dhënë asaj prej tjerëve, të cilët ishin të gatshëm t’i ndihmojnë gratë që ballafaqohen me vështirësi në ambiente moderne. Meqë institucionet si Galeria Kombëtare ende janë të dominuara prej ekspozitave të artistëve burraj, ekspozita e Çejzit u mbajt në një galeri të vogël të pavarur të quajtur Motrat, ndërsa nismat tjera si festivali i përvjetshëm FemArt po e ekspozojnë gjithnjë e më shumë artin e grave.
Ambientet e pavarura gjithashtu inkurajojnë mbajtjen e debateve për temat që po eksplorohen. Ekspozita e Doruntinës u përcjell nga një diskutim i rrallë për çejzin, ku sociologët e shprehën idenë që çejzet i japin grave ndjesinë e funksionit në mesin e familjeve dhe shoqërive patriarkale.
Nuk ishte domosdoshmërisht një bisedë që Doruntina kishte për qëllim ta niste kur u interesua fillimisht për këtë temë, por ajo u gëzua që ndihmoi me mundësimin e saj.
“Jam shumë e lumtur që po flasim për këtë”, thotë ajo. “Që kjo i ka hapur këto lloj diskutime”.
Diversifikimi i rrëfenjave
Si Doruntina, Lendita Zeqiraj është një tjetër artiste që nuk është domosdoshmërisht e shtyer nga gjinia e saj për t’i trajtuar çështjet gjinore dhe pabarazinë nëpërmjet artit të saj. Para pak kohe, ajo tha: “Unë nuk krijoj si grua, por si artiste”.
Por nga virtyti i të qenit grua, ajo ndihmon ta prezantojë diversitetin e pikëpamjeve. Filmi i shkurtër i fundit i saj, “Gardhi”, shpërfaq karakterë që rrallëherë shihen në kinemanë kosovare: të gjitha protagonistet janë gra të gjeneratave të ndryshme.
“Secili krijues e zgjedh qasjen që i flen më shumë”, thotë ajo. “Nëse thuhet që filmat e mi janë më afër perspektivës së gruas, është për shkak se unë jam grua”.
Nëse mediumi i filmit quhet arti i shtatë, atëherë Lendita është mishërimi i një artistes që i përfshinë të gjitha artet në punimet e saj.
Kur ishte e re, ajo e shprehi veten nëpërmjet muzikës dhe vizatimeve, madje i shkonte mirë edhe matematika. Ajo e studioi pikturën, por afiniteti për filmbërje e shoqëroi nga fëmijëria, kur babai ia bleu asaj dhe motrës një kamerë Super 8 dhe një projektor; më vonë e studioi estetikën e filmit në Paris.
Lendita Zeqiraj thotë se të qenit grua mbase pashmangshëm sjellë një perspektivë më ndryshe tek filmat e saj, ndryshe nga ajo e kolegëve të saj burra. Por ajo mundohet të krijojë filma vetëm si artiste. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Tani ajo do ta mbajë premierën e projektit të saj të nëntë filmik dhe filmit të saj të parë të metrazhit të gjatë, “Shpia e Agës”, në festivalin e njohur të filmit Karlovy Vary, ndërsa filmat e shkurtër si “Ballkoni” dhe “Gardhi” veçse kanë ndërtuar reputacionin e saj në festivale botërore, e me ta madje ka fituar edhe çmime.
Punimet e saj ndjellin aluzione të punimeve të Inarritu dhe pikturave të Edward Hopper. Përderisa filmbërësi meksikan e tregon tregimin me një sekuencë të gjatë dhe të pandërprerë, piktori ishte i njohur për portrete realistike të jetës moderne amerikane; Lendita arrinë t’i portretizojë momentet e përditshme të njerëzve të ndryshëm në një sekuencë të vetme.
Puna e fëmijëve, varfëria dhe diskriminimi janë çështje me të cilat kosovarët mesatarë detyrohen të ballafaqohen — nëse jo personalisht, atëherë me shumë gjasë brenda 20 minutave pasi dalin nga shtëpia dhe ecin nëpër qytet — dhe kjo vlenë edhe për audiencën e filmave të Lenditës.
Por pavarësisht vazhdimësisë së pabarazive gjinore në jetën e kosovarëve, ato rrallëherë reflektohen si të tilla në filmografinë kosovare.
Patriarkia e përbrendësuar, dallimet ndërmjet gjeneratave, normalizimi i dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, dhe kryqëzimi i normave familjare rreth marrëdhënieve, janë pjesë e filmit “Fence” të Lenditës.
“Nga fillimi, vajzat i mësojnë t’i dëgjojnë vëllezërit e tyre dhe gjithmonë dikush tjetër zgjedh për to dhe fatin e tyre”, tha Lendita në një intervistë me K2.0 në vitin 2018. “Në film, disi nuk e censurojnë veten. Mendojnë se janë duke e bërë të duhurën, dhe kënaqen. Disi është mënyrë për ta menaxhuar këtë dhunë, dhe për të ekzistuar në këtë shoqëri të dhunshme”.
Por pavarësisht vazhdimësisë së pabarazive gjinore në jetën e kosovarëve, ato rrallëherë reflektohen si të tilla në filmografinë kosovare.
Si në fushat tjera të arteve, arsyet për këtë nuk është vështirë të lokalizohen; deri para disa viteve, prej filmbërësve e deri te profesorët e filmit në Fakultetin e Arteve, ishin pothuajse të gjithë burra ata që po e drejtonin fushën e filmit.
Por pastaj, diçka ndryshoi. Në mesin e kulturës mashkullore të filmit, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), autoriteti qendror për kinematografi në Kosovë, nisi t’i mbështetë filmbërëset gra në shkallë të ngjashme me kolegët e tyre burra. Gradualisht, filmbërëset gra kanë filluar t’i transmetojnë idetë, historitë, kompozimet dhe tregimet e tyre.
Lendita mendon se në përgjithësi në vitet e fundit kinematografia kosovare e ka theksuar një shumëllojshmëri të temave shoqërore, pasi që një gjeneratë e re e filmbërësve — në mesin e tyre plot gra — kanë sjellë perspektiva të reja në ekranin e madh.
‘Të jesh grua është rebelim’
Diversiteti gjithnjë më i madh i çështjeve që po trajtohen në luftën e grave për mundësi në botën e artit është dalluar edhe në rrugët e Kosovës. Në pesë vitet e fundit kemi parë një numër të shtuar të të rinjve dhe grupeve që po dalin në rrugë duke kërkuar veprime pozitive për çështje të ndryshme, nga seksizmi dhe punësimi pa shfrytëzim, te ndotja e ajrit dhe homofobia.
Disa nga ndërhyrjet më të shquara feministe në hapësirën publike kanë ardhur nga performancat aktiviste të kolektivit artistik Haveit.
Duo e motrave të gjitha kanë studiuar në degë të ndryshme të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës; të gjitha fillimisht rebeluan kundër fakultetit të tyre.
“Problemin më të madh e kisha t’i bindi profesorët që edhe gratë mund të jenë regjisore”, thotë anëtarja e Haveit Hana Qena, e cila në fillim e regjistroi Regjinë e Teatrit. “Profesori më tha: ‘Duhesh me pas koqe për me bo teatër, e t’i s’ki”.
Të patrazuara, katër gratë e reja u munduan të gjejnë mënyrë për ta shprehur veten, pa pengesa dhe pa frikë.
“Vendosëm të gjejmë hapësirë ku mund t’i shprehim mendimet tona, dhe t’i përjetojmë si të tonat”, thotë ajo.
"Vet ekzistenca e katër grave në rrugë është rebelim".
Hana Qena, Haveit
Në reagimet ndaj shkeljeve të ndryshme dhe kërkimin për audiencë tjetër nga ajo brenda mureve të teatrove, muzeve dhe galerive, Haveit kanë ndërtuar një audiencë krejtësisht të re — kalimtarët e rastit.
Performancën e parë e bën në vitin 2011 si reagim ndaj vrasjes së Diana Kastratit — një grua e re që u vra nga ish-bashkëshorti i saj pavarësisht faktit se kishte kërkuar mbrojtje nga policia — e shtroi rrugën për krijimin e identitetit të kolektivit, që u bë i njohur për performanca në rrugë.
“Rebelimi është shumë i gjërë, por mendoj se vet ekzistenca e katër grave në rrugë është rebelim”, thotë Hana.
“Vetëm të jesh grua është rebelim. Detyrohesh të ballafaqohesh me sende të ndryshme tërë kohën, duhet ta shtyesh veten për gjithçka; fillon në shtëpi, pastaj kur të thotë mësuesi: ‘Mos fol se je vajzë’. Momentin që vendos të mos i shërbesh çaj vëllaut, është rebelim”.
Hana e la Fakultetin e Arteve, edhe pse e dinte që ky vendim do ta çonte jetën e saj në një drejtim tjetër — një drejtim më pak të sigurt. Ajo ishte e vetëdijshme që fitimi i hapësirës për ta shprehur veten do të ishte më i vështirë si artiste të pavarura, për shkak se nuk do t’i kishin mundësitë për ta zgjeruar rrjetin e tyre, të cilat i kanë studentët e Fakultetit të Arteve.
Por kur Hana doli në rrugë me Haveit, ky vendim kishte kuptim. Njerëzit filluan të interesohen në punën e tyre, e këtë mund ta ndjenin nëpërmjet reagimeve dhe komenteve të publikut.
“E masim pulsin e shoqërisë; vet prania e trupit, kur je aty — njerëzit reagojnë”, thotë ajo. “E kupton që diploma nuk ka vlerë. [Me një diplomë], mundesh veç me gjetë punë stabile dhe të jesh i varur nga profesori, dhe pastaj shefi”.
Hana Qena, pjesë e kolektivit artistik Haveit, thotë që profesori i saj në universitet i kishte thënë: “Duhesh me pas koqe për me bo teatër, e t’i s’ki”. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Rebelimi i Haveit ka shënuar një tjetër formë të reagimit dhe protestës që në Kosovë zakonisht përkthehet në marshe dhe banera.
“Na pëlqen të bëjmë performanca që nuk i tregojnë gratë si viktima, madje edhe kur ato vrahen apo shkelen”, thotë ajo. “Synimi jonë nuk është t’i trajtojmë si viktima, por ta adresojmë çështjen, në mënyrë që vendimet e gjykatave, autorët e krimit dhe vrasjet të adresohen, por jo viktimat”.
Për Hanën dhe grupin, kjo shërbeu si mënyrë për ta problematizuar portretizimin e zakonshëm të grave si viktima në mediat e Ksoovës, që për to është vetëm një formë e shtuar e shfrytëzimit dhe viktimizimit.
“Ka muzikë të dhimbshme në prapavi për ta ndjellë ndjesinë e vdekjes”, thotë ajo për mënyrën në të cilën paraqiten shpeshherë të mbijetuarit e abuzimit. “Mediat fokusohen në detaje që tregojnë turp dhe dobësi. Për neve, nuk është e rëndësishme si i lëvizë ajo duart, por çfarë thotë ajo”.
Për Hanën, trajtimi i të mbijetuarve të përdhunimit të kohës së luftës është një nga ilustrimet më të mira të përfaqësimit sipërfaqësor dhe problematik të grave, qoftë në lajmet e përditshme, qoftë në teatër dhe filma.
“Autorët duhet të bëjnë shumë hulumtime para se ta trajtojnë një temë kaq delikate”, thotë ajo. “Në disa filma që i kam parë, i sheh burrat dhe mënyrën se si ndihen për gratë [e përdhunuara]; si ndihet i tërë fshati për personin e përdhunuar. Përdhunimi nuk është turp. Mund të të ndodh kur je duke ecur vet në rrugë. Nuk mund të trajtohet si turpi i një shteti”.
“Pas performancave të Haveit, sendi më i mirë është kur na shkruajnë gratë e reja”.
Hana Qena, Haveit
Si regjisore e teatrit, Hana mundohet ta prezantojë një portretizim tjetër të gruas shumë të fortë që nuk e vran veten. Në këtë mënyrë, ajo e ka transformuar edhe heroinën më tragjike të botës së teatrit — Ofelia-n, nga “Hamleti” i Shakespeare-it.
Në fund të adaptimit të saj të “Hamletmachine” të Hainer Müller të cilin e bëri për Teatrin Kombëtar të Kosovës në 2016, Ofelia deklaron: “Shko n’dreq t’mallkum!”
Së fundmi, në adaptimin e saj të shfaqjes së njohur të Dario FO “Can’t Pay, Won’t Pay!” për teatrin në Gjakovë, ajo i vendosi në skenë disa karaktere gra që revoltohen kundër çmimeve të rritura të ushqimit.
Për Hanën, qasja feministe në punën e saj si regjisore e teatrit, si aktivizmi i saj artistik si pjesë e Haveit, të gjitha lidhen me ndikimin pozitiv dhe ndihmën për kundërshtimin e perceptimeve me rrënjë të thella.
“Pas performancave të Haveit, sendi më i mirë është kur na shkruajnë gratë e reja”, thotë ajo. “Ai efekti që po ndikon tek gjeneratat më të reja”.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.
Kthehu prapa tek Monografia