Në thelb | Media

Gratë që po i rishkruajnë rregullat e gazetarisë

Nga - 22.04.2020

Gazetaret hulumtuese që po u bëjnë ballë pengesave strukturore gjinore.

Sikur edhe në vendet e tjera të rajonit dhe më tej, gazetaria në Kosovë vazhdon ta ketë një problem të madh me përfaqësimin gjinor.

Kjo mund të vërtetohet lehtë duke ua lëshuar një sy programeve dhe raportimeve në cilëndo lloj të medias. Shumica dërrmuese e të intervistuarve, qofshin burime apo ekspertë të fushës, vazhdojnë të jenë burra. Redaksitë i neglizhojnë përvojat e grave, dhe kështu përçojnë imazhe të gjinive që i përforcojnë perceptimet joreale, stereotipike dhe kufizuese.

Por, ndërhyrjet e para lidhur me punën për të mbërrirë përfaqësim adekuat gjinor duket se po vijnë nga vetë gratë gazetare, e jo nga politikat e veçanta redaktoriale.

Në tetor të vitit të kaluar, tri gazetare — Saranda Ramaj, Serbeze Haxhiaj dhe Ardiana Thaçi — fituan çmimet kryesore për Gazetarinë Hulumtuese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. Të triat kanë histori të gjatë në gazetari hulumtuese, duke qenë autore të artikujve hulumtues për krimin e organizuar, shpërdorimin e detyrës dhe për korrupsionin, tema që tradicionalisht janë mbizotëruar nga burrat.

Thaçi, e cila punon si gazetare në KTV, ka raportuar për një sërë çështjesh, prej krimeve të luftës dhe temave në sektorin e sigurisë, deri te aferat e korrupsionit qysh kur e ka nisur karrierën e saj para 15 vjetësh.

Në këtë fushë gjatë viteve të fundit, ajo vëren që burrat janë më të ekspozuar ndaj korrupsionit meqë pabarazia gjinore e ndikon pjesëmarrjen në vendimmarrje, ku mundësia për korrupsion është më e madhe. Sidoqoftë, ajo thotë se “korrupsioni nuk ka as moshë, e as gjini”.

Përqendrimi rreth shpërdorimit të detyrës është po ashtu në thelb të raportimit të saj gjatë pandemisë së COVID-19.

Për Thaçin, dilema më e madhe ka të bëjë me përdorimin e gjuhës së ndjeshme ndaj gjinisë kur gratë, si rezultat i nepotizmit, përfshihen në raste të shpërdorimit të detyrës. Ajo thotë se gazetaria duhet të përpiqet të shkojë përtej mendësisë që i përkufizon gratë në bazë të lidhjeve të tyre me burrat, porse ndonjëherë nuk ka zgjidhje tjetër.

Unë gjatë raportimeve, shpesh jam ndier keq për faktin sepse kemi raportuar në bazë të nepotizmit dhe shpesh është dashur të citohet ‘gruaja e dikujt’ që është punësuar. Por, ajo ka qenë në interes të publikut, më shumë se sa interes i përcaktmit gjinor”, thotë ajo “Në rrethana të tilla, mund të etikohet gruaja, motra, vajza e dikujt, sepse pozita që e ka fituar është për shkak të pozitës që ajo e ka brenda shoqërisë dhe familjes”.

Përqendrimi rreth shpërdorimit të detyrës është po ashtu në thelb të raportimit të saj gjatë pandemisë së COVID-19. Në fillim të kundërpërgjigjes ndaj pandemisë, ajo zbuloi që rezervat shtetërore të miellit mbaheshin në një depo që është në pronësi të një zyrtari të PDK-së, gjë që ishte caktuar nga qeveria e kaluar.

Gjatë viteve të fundit, ajo ka vërejtur se mediat sociale e kanë bërë më të lehtë për të punuar me burimet, gjë që ka qenë e vështirë më herët pa krijuar lidhje paraprake me ta.

“Rritja e rrjeteve sociale ka ndikuar tejmase që të na ndihmojë që të krijohen burime të ndryshme brenda institucioneve, sepse më parë ne nuk kemi mundur të marrim informacione pa u takuar direkt me burime”, thotë ajo. “Por, sa i përket qasjes në burime mendoj që besimi që kanë njerëzit nuk ka të bëjë me gjninë, por me profesionin dhe punën se si e zhvillon”.

Thaçi thotë se, gjatë përvojës së saj si gazetare, personalisht nuk ka hasur në pengesa gjinore brenda apo jashtë redaksisë, por pretendon se disa rrëfime të ndryshme ngrisin dyshime se redaksitë në Kosovë janë përplot me rrëfime të diskriminimit gjinor. 

Redaktorja e lajmeve në Radio Kosova Serbeze Haxhiaj thotë se gjatë punës së saj si gazetare në mediume të ndryshme të Kosovës, ajo dhe koleget e saj kanë pësuar diskriminim nga punëdhënësit e tyre.

“Kur vjen puna për t’i deleguar sendet më të vështira nuk ia kanë prituar ta bëjnë këtë, por jo kur vjen puna për vlerësimin”, thotë ajo. Ekziston një lloj mosbesimi për pozita menaxheriale ose pozita të larta, një hezitim për t’i përfshirë gratë”.

Një llogaritje e thjeshtë e emrave të pronarëve dhe redaktorëve të mediumeve tregon se burrat janë në ballë të politikave mediatike dhe redaktoriale.

Haxhiaj e lidh përbërjen e redaksive me diskriminimin e përgjithshëm në vend të punës, ku pozitat e larta mbizotërohen nga burrat. 

Në Kosovë nuk ka pasur ndonjë studim që i shqyrton numrat e gazetarëve, përfshirë ata në pozitat e larta, sipas gjinisë. Por, një llogaritje e thjeshtë e emrave të pronarëve dhe redaktorëve të mediumeve tregon se burrat janë në ballë të politikave mediatike dhe redaktoriale.

Sikur Thaçi, Haxhiaj po ashtu e ka përqendruar karrierën e saj gazetareske në temat e shpërdorimit të detyrës nga burrat e pushtetshëm. Ajo i shkroi artikujt e parë për sistemin e edukimit paralel në vitin 1998, pra gjatë luftës, dhe për më se dy dekada, është pikërisht trashëgimia e luftës që ka karakterizuar një pjesë të madhe të punës së saj. 

Meqenëse protagonistët e temave të saj hulumtuese janë shpesh luftëtarët e shndërruar në politikanë, ose njerëzit e lidhur me partitë politike që kanë dalë nga lufta, shantazhet dhe kërcënimet e kanë përcjellë Haxhiajn për shumë vite. Disa nga mesazhet standarde që i merr janë: “Ti je kukull ruse”, dhe “Koka jote është në Serbi”.

Ajo po ashtu ka deklaruar publikisht se si besimi i saj ndaj policisë dhe prokurorëve është rrënuar para disa vjetësh, kur, pasi kishte raportuar një kërcënim në polici, njëri nga hetuesit policorë e kishte ndërruar situatën faktuale gjatë procesit të hetimit. Asaj iu nevojit të kalonte nëpër dy procedura gjyqësore për ta fituar rastin.

Në një rast tjetër, Haxhiaj kishte marrë kërcënime me jetë kur ishte duke i hulumtuar shpërdorimet nga veteranët e luftës. Një herë tjetër, pasi kishte shkruar për vrasjet e pasluftës, vetura e saj ishte ngjyrosur me të kuqe dy herë nga persona të panjohur.

Edhe pse kishte marrë mbështetjen e organizatave vendore dhe ndërkombëtare, sikur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Reporters Without Borders (Reporterët pa Kufij), dhe kolegët e tjerë, RTK-ja (punëdhënësi i saj) kurrë nuk i kishte dënuar kërcënimet ndaj saj. Kjo e funda është kritikuar vazhdimisht për animet ndaj PDK-së, partisë që ka qenë në pushtet më së gjati prej shpalljes së pavarësisë.

Deri më sot nuk ka pasur ndonjë punim në Kosovë që i këqyr dallimet gjinore në natyrën e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Ndërkohë, diskutimi për ballafaqimin e shpeshtë të gazetareve gra me seksizmin në vend të punës është tërësisht i papranishëm, si brenda ashtu edhe jashtë redaksive. Po ashtu, ngacmimi seksual nga gazetarët burra vazhdon të jetë çështje e fshehur brenda mureve të mediave. Haxhiaj thotë se njëra nga arseet është se ato që flasin druajnë se mund ta humbin vendin e punës.

Shumë studime dhe hulumtime globale tregojnë se ngacmimi në platformat sociale, i cili mund të përfshijë mesazhe seksuale të padëshiruara deri te kërcënimet me dhunë, është shqetësim i vazhdueshëm për gratë gazetare sot.

"Mandej të shkon mendja se sa e ndërlikuar është kjo punë dhe s’e raporton fare."

Serbeze Haxhiaj, gazetare

Në Kosovë nuk ka pasur asnjë studim me gratë gazetare për ta parë shkallën e ngacmimeve onllajn, por rrëfimet jashtë botës virtuale tregojnë se gazetaret po ballafaqohen me ngacmime në terren.

Haxhiaj thotë se ka përjetuar ngacmim seksual nga burrat e pushtetshëm, sidomos ata në politikë. Për të, përvoja më pikëlluese kishte ndodhur disa vjet më parë në Kuvendin e Kosovës, ku pretendon se një deputet kishte tentuar ta sulmonte seksualisht atë.

Ekziston kulturë e lartë e mosndëshkimit, e sidomos të ngacmimeve seksuale. Pastaj e mendon të gjithë kompleksitetin e kësaj dhe veç nuk e raporton”, thotë ajo. “Sidomos në rastet kur një politikan dërgonte mesazhnë atë kohë nuk ka qënë mundësia e Smartphone-s dhe Screenshots”.

Shqipe Gjocaj është një gazetare tjetër, të cilës i është cenuar siguria në terren. Gjatë hulumtimeve të saj në vende të ndryshme, prej burgut të grave deri te spitali në Pejë, ajo thotë se është ballafaquar shpesh me fjalor seksist dhe ngacmime.

“E vërenë njëfarë ambienti kërcënues”, thotë ajo. “E kanë përbrendësuar qasjen seksiste për të ngacmuar seksualisht. Nuk e njohin ngacmimin seksual as si sjellje joprofesionale apo jo të dinjitetshme, se lëre me si vepër penale që njihet përmes Kodit Penal. Krejt përkundrazi, atë çka e thonë u duket se po të japin kompliment”.

Gjocaj është bërë e njohur për shpërfaqjen e seksizmit dhe mizogjinisë, ose përmes analizave dhe opinioneve, ose përmes hulumtimeve. Gjatë punës së saj si gazetare e pavarur, për disa vite ajo ka publikuar artikuj për tema që s’kanë qenë pjesë e diskutimit publik më parë, sikur vdekjet e nënave dhe përdhunimi martesor.

Puna dhe suksesi i Thaçit, Haxhiajt dhe Gjocajt tregojnë se gjatë viteve të fundit është zhvilluar një fazë e re e gazetarisë në Kosovë.

Si përkrahëse e të drejtave të grave dhe lexuese e rregullt, përdorimi i letërsisë feministe është i pashmangshëm për të, si shkrehës për t’u marrë me tema jo fort të shtjelluara që i vënë në pah shpërdorimet e të drejtave të grave. 

“Si për shembull ‘përdhunimi në martesë’ nuk është temë që është hulumtuar në zhanrin gazetaresk, e as OJQ-të që merren me të drejta të grave nuk është se kanë punuar apo avokuar për këtë formë dhune që vjen nga partneri intim”, thotë ajo. “Duke e hulumtuar këtë temë si gazetare, kam pasur mundësi të flas me persona institucional, me ekspertë gjinorë dhe aktivistë për ta vënë në pah se si ky problem, për të cilin kam lexuar në shumë libra akademikë feministë, manifestohet në Kosovë”.

Gjocaj i përket grupit të gazetarëve që e kundërshtojnë mënyrën tradicionale të raportimit me parimet e paanshmërisë dhe asnjanësisë. Sipas saj, aktivizmi për një çështje — sikur të drejtat e njeriut — dhe gazetaria duhet të shkojnë krah për krah.

Përveç që në nivel personal shkrimi është proces që më ofron kënaqësi, për mua shkrimi është po ashtu pjesë shumë e rëndësishme e aktivizmit tim feminist. Nuk kufizohem vetëm te dhënia e opinionit, por ka tema të cilat dua edhe t’i hulumtoj”, thotë ajo. 

E rishtazi kam filluar të flas për punën time edhe në televizion, çka nuk kam preferuar kurrë më herët. Tash po më duket e nevojshme, sepse disa probleme shumë të mëdha, disa tema shumë të ndjeshme, disa aspekte të shkeljes së drejtave të grave, po mbyllen brenda një audience të caktuar të lexuesve”.

Puna dhe suksesi i Thaçit, Haxhiajt dhe Gjocajt tregojnë se gjatë viteve të fundit është zhvilluar një fazë e re e gazetarisë në Kosovë, e rishkruar nga vetë gratë.

Kjo po ashtu e zbulon nevojën e ngutshme që mediat dhe komuniteti i gazetarëve ta bëjnë luftën kundër diskriminimit gjinor çështje ditore brenda dhe jashtë redaksive, për ta mbrojtur integritetin dhe sigurinë e grave gazetare.K

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.