S`fundmi | Drejtësi

Hajde Folim: Ta vëmë ‘Gjykatën Speciale’ në kontekst

Nga - 15.01.2021

Data: 21 janar 2020

Ora: 17:30

E themeluar nga një votim i Kuvendit të Kosovës më 2015, pas viteve të hetimeve ndërkombëtare përmes Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, Gjykata Speciale e Kosovës më në fund ka ngritur aktakuzat e para në vitin 2020. Mes personave të akuzuar për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit janë figurat udhëheqëse të UÇK-së si ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe politikanë si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Salih Mustafa.

Dhomat e Specializuara janë institucioni i katërt përgjegjës për hetimin e krimeve të pretenduara në lidhje me luftën e Kosovës në 1999, duke pasuar UNMIK-un, ICTY-në dhe EULEX-in. Por që kur ky mekanizëm i drejtësisë u themelua nën trysni të madhe nga ShBA-ja dhe BE-ja, ka shërbyer për t’i përçarë shqiptarët e Kosovës.

Shumë prej tyre e shohin si tentativë për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së kundër regjimit shtypës serb në të 90-tat. Nga ky këndvështrim, Dhomat e Specializuara janë të padrejta për shkak të karakterit të perceptuar “etnik”, me kritikët që drejtojnë gishtin nga mandati i Dhomave për të ndjekur krime të rënda të kryera mes viteve 1998 dhe 2000, mandat i bazuar në mënyrë eksplicite në një hetim të pretendimeve specifike për krime që janë raportuar të jenë kryer nga anëtarë të UÇK-së.

Të tjerë i shohin Dhomat e Specializuara si mundësi për të zbatuar masat gjyqësore të drejtësisë tranzicionale dhe dhe për të sjellë para drejtësisë kryerësit e krimeve të luftës që kanë viktimizuar shumë njerëz nga prapavija të ndryshme etnike.

Figura kyçe të skenës politike të Kosovës tashmë kanë filluar të shfaqen në bankën e të akuzuarve në Hagë, por ndërkohë që gjykimet e tyre me gjasë do t’i dominojnë titujt e mediave për vite me radhë, është e rëndësishme që edhe njëherë ta analizojmë situatën. Pse kanë nxitur Dhomat e Specializuara kaq shumë polemika? Çfarë pasoja të mëtutjeshme do t’i sjellin sferës politike vendore? Çfarë implikime do të ketë kjo për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës? Si do t’i ndikojë negociatat e vazhdueshme Kosovë-Serbi? Dhe çfarë do të thotë kjo për jetën e e një qytetari mesatar të Kosovës?

Për ta nisur diskutimin kemi ftuar figura të spikatura që do t’i ndajnë mendimet dhe përvojat e tyre:

– Selim Selimi, Ministër i Drejtësisë

– Nataša Kandić, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare

– Donika Emini, drejtore ekzekutive e Platformës CiviKos dhe kandidate për doktoraturë në University of Westminster

Diskutimi do të moderohet nga kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci.

 

Për shkak të pandemisë, diskutimi do të organizohet online. Përkthimi në gjuhët angleze dhe serbe do të ofrohet — na dërgoni mesazh direkt për të na treguar në cilën gjuhë ju nevojitet dhe ne do ta kryejmë pjesën tjetër.