Sektori i energjisë në Kosovë po ndryshon. Në të ardhmen e afërt mund të presim që të bëhet liberalizimi i tregut të energjisë dhe të kemi diversifikim të mëtejshëm të burimeve të energjisë elektrike. Por një aspekt i sektorit të energjisë së vendit po i reziston me kokëfortësi ndryshimit: përfaqësimi turpërisht i ulët i grave në industri. Sipas një raporti nga Nathan Associates në vitin 2018, vetëm 7% e vendeve të punës në sektorin e energjisë në Kosovë përbëhet nga gratë.
Çfarë na tregon kjo përqidje e ulët?
Një shpjegim i pjesërishëm mund të jetë përfaqësimi i ulët i grave në tregun e punës në përgjithësi. Vetëm 21.5% e grave në moshë pune kanë qenë aktive në tregun e punës në vitin 2020. Por ky shpjegim është vetëm i pjesshëm.
Si dy gra në sektorin e energjisë që janë të shqetësuara me pabarazinë gjinore në industri, ne vendosëm të ndërmarrim një studim për të kuptuar se cilat janë pengesat që i mbajnë gratë jashtë fushës. Anketuam 151 gra në të gjithë industrinë, profesioniste që punojnë në çdo pjesë të sektorit të energjisë, nga sektori i arsimit dhe politika e deri tek inxhinieria dhe menaxhimi.
Dyzet e katër përqind e të anketuarve tanë kanë qenë në sektor për më shumë se 10 vjet, 39% për një deri në pesë vjet dhe pjesa tjetër janë të sapoardhur. Shumica e të anketuarve pajtohen fuqishëm se ekziston pabarazi në përfaqësimin gjinor në këtë sektor. Kjo pabarazi shfaqet si një pengesë për të hyrë në sektor duke vazhduar pastaj me pengesa të tjera të vazhdueshme që gratë duhet të ballafaqohen gjatë gjithë karrierës së tyre.
Tejkalimi i hendekut kulturor
Sipas shumicës së të anketuarve, pengesa kryesore me të cilën përballen gratë në sektorin e energjisë është mendimi i përgjithshëm se është një fushë e mbizotëruar nga meshkujt. Ky mendim është i bazuar në përvoja të mëhershme dhe ka efekte afatgjata përjashtuese për gratë. Mungesa e mbështetjes dhe inkurajimit nga prindërit dhe mësuesit i largon vajzat nga drejtimet STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë) që më pas shfaqen si pengesa për vajzat e gratët të kyçen në këto fusha jetësore.
Rezultatet e anketës tonë tregojnë se veteranet e industrisë përballen me të njëjtat pengesa si gratë që janë kyçur rishtazi në këtë sektor. Edhe gratë që janë eksperte në këtë fushë duhet të përballen vazhdimisht me pengesa kulturore dhe strukturore që përpiqen t’u tregojnë atyre se janë në një fushë mashkullore.
Për shembull, një nga të anketuarat tona kujtoi intervistimin për një pozitë pune në terren në një nga institucionet e energjisë. Intervistuesi e pyeti nëse ajo e dinte se do t’i duhej të ngjitej në shtylla si pjesë e punës, me sa duket duke supozuar se aplikantja nuk ishte në dijeni të një aspekti kryesor të punës dhe se, si grua, për të do ishte e parehatshme.
Një tjetër e anketuar, ish menaxhere e lartë në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), u përball me përulje të shpeshta nga kolegët meshkuj. Pavarësisht se ishte në krye të 200 punonjësve të termocentralit dhe kishte përvojë në inxhinieri, operatorët e uzinës do t’i stër-shpjegonin asaj gjërat më themelore teknike, duke supozuar se gratë nuk i kuptojnë makineritë.
Një numër i të anketuarave tona thanë gjithashtu se gjatë intervistave për punët në sektorin e energjisë u pyetën në mënyrë rutinore nëse planifikonin të kishin fëmijë, një pyetje që shumë juristë në Kosovë e konsiderojnë akt diskriminimi gjinor dhe shkelje të Ligjit për Barazi Gjinore. Prania e shpeshtë e këtyre llojeve të pyetjeve tregon se ekziston një paragjykim i qartë gjinor gjatë marrjes së vendimeve për punësim, një paragjykim ky që diskriminon gratë për vendimet që lidhen me jetën e tyre personale.
Udhëheqja dhe bordet
Numri i vogël i grave të punësuara në sektorin e energjisë reflektohet gjithashtu në pabarazi të madhe gjinore në nivelet e larta të institutcioneve energjetike qeveritare.
Në pozitat vendimmarrëse të qeverisë, sektori i energjisë dhe minierave ka dukshëm mungesë të përfaqësimit të balancuar gjinor. Ministria përgjegjëse për hartimin e politikave të energjisë dhe minierave ka pasur tre ministre që nga viti 1999: Justina Shiroka-Pula (2008-2010), Rozeta Hajdari (2020), Artane Rizvanolli (2021- e tanishme). Në vitin 2014, Ministria e Energjisë dhe Minierave u shndërrua në dy departamente brenda Ministrisë së Ekonomisë; të dy departamentet janë udhëhequr ekskluzivisht nga burra që nga viti 2011. Përveç kësaj, Agjencia Kosovare për Efiçiencë të Energjisë, një institucion ekzekutiv nën Ministrinë e Ekonomisë, jo vetëm që është udhëhequr nga burra që nga themelimi i saj në vitin 2012, por të gjitha departamentet drejtohen ekskluzivisht nga meshkujt.
Pozitat drejtuese të të gjithë operatorëve të rëndësishëm ekonomikë, nga prodhimi në transmetim në shpërndarje e në furnizim, drejtohen nga burrat. Në fakt, vetëm KEK-u ka pasur një kryeshefe, Pranvera Dobruna-Kryeziun, nga viti 2006 deri në vitin 2007. Pjesa tjetër gjithmonë është udhëhequr nga burrat.
Ka ndryshime të vazhdueshme në bordet e operatorëve, ndërmarrjeve publike dhe autoriteteve rregullative, dhe disa nga pozitat janë të lira. Bordi i përkohshëm i KEK-ut ka dy gra në katër anëtarë, KOSTT-i, operatori i sistemit të transmisionit, ka dy gra në gjashtë anëtarë, Trepça ka një bord prej pesë anëtarësh, të gjithë burra, dhe mandati i bordit të Komitetit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) (të gjithë burra poashtu!) ka skaduar në vitin 2020. Anëtarët e rinj të zgjedhur të Bordit Rregullator të Energjisë (ZRRE) përfshijnë një grua (nga gjithsej 5 anëtarë).
Tani është koha që gratë të marrin disa nga këto pozita.
Anëtarja e Parlamentit Mimoza Kusari-Lila paraqiti një mocion parlamentar në vitin 2018 për të futur një kuotë gjinore për gratë në bordet e ndërmarrjeve publike dhe kompanive aksionare. Derisa të ketë një vetëdijësim më të madh se sektorit i mungon dëshpërimisht përfshirja aktive e grave, duket se do të ketë nevojë që të zbatohen kuotat gjinore në institucionet e energjisë.
Arsimimi
Shpesh thuhet se pak gra kanë njohuritë e nevojshme për të punuar në sektorin e energjisë, por vetëm 5% e të anketuarave në studimin tonë thanë se arsimi ka qenë barrierë për to në këtë fushë. Në të njëjtën kohë, 33% thanë se arsimi ka qenë faktori kryesor që i ndihmon ato ta arrijnë pozitën që mbajnë sot.
Në vitin akademik 2019-2020 studentet e regjistruara në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuteri përbënin pothuajse 40% të studentëve të përgjithshëm. Ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, 20% e studentëve ishin gra. Janë dy universitete private që mbulojnë sektorin e energjisë. Njëri prej tyre, RIT Kosova, fokusohet në politikat publike të sektorit të energjisë ku 71% e studentëve që i ndjekin studimet janë gra.
Përderisa pabarazitë gjinore vazhdojnë në drejtimet STEM në sistemin e arsimit, këto të dhëna tregojnë se gjendja e mjerueshme e punësimit të grave në fushën e energjisë nuk ka të bëjë me mungesën e grave me arsimimin e nevojshëm.
Një zgjidhje e pjesshme janë iniciativat si Programi i USAID-it për Lidershipin Ekzekutiv për Barazi Gjinore ose Programi Gratë në Energji i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, që nxisin ndryshimin përmes mentorimit, bursave dhe praktikave për të rritur pjesëmarrjen e grave në sektorin e energjisë të Kosovës. Si rezultat, krijohen vende pune dhe politika më përfshirëse gjinore në sektor.
Politikat e ndjeshme energjetike ndaj çështjeve gjinore
Ekziston një nevojë urgjente për të reflektuar mbi çështjet gjinore në dokumentin kryesor të politikës së energjisë të Kosovës që aktualisht është duke u përfunduar, Strategjia e Energjisë e Kosovës (2021-2030). Strategjia aktuale që po rishikohet, e viteve 2017-2026, nuk përfshin asnjë seksion mbi arsimin ose mbi barazinë gjinore. Përveç kësaj, një përkushtim i fuqishëm ndaj përfshirjes gjinore duhet të përfshihet edhe në hartimin e Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë (2021-2030).
Ligjet, strategjitë dhe politikat në sektorin e energjisë nuk janë të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore, pavarësisht kërkesës së BE-së për integrim gjinor në sektore të ndryshme dhe pavarësisht detyrimeve që rrjedhin nga Ligji i Kosovës për Barazi Gjinore. Hartimi i strategjisë së re kombëtare të udhëhequr nga Ministria e Ekonomisë duhet të ketë parasysh se gratë në përgjithësi preken më shumë nga varfëria energjetike dhe më rëndë se burrat.
Gratë, për shembull, shpesh janë përgjegjëse për punët e shtëpisë që lidhen me energjinë. Në Kosovë, rreth 60% e shtëpive urbane paguajnë midis 10% dhe 30% të të ardhurave të tyre familjare për konsumin e energjisë elektrike. Mesatarisht, shumica e familjeve në të gjithë Shtetet e Bashkuara shpenzojnë midis 2-3% të të ardhurave të tyre vjetore për energji elektrike. Thuhet se një familje është e varfër në energji nëse shpenzon më shumë se 10% të të ardhurave të saj për energji elektrike.
Shtrirja e varfërisë energjetike në Kosovë dhe mënyra intime se si gratë preken nga ajo, është një arsye tjetër pse gratë duhet të kenë një rol më të madh në sektorin e energjisë të vendit.
Qasja në energji është një e drejtë themelore e njeriut. Meqenëse gratë janë më të prekura nga mungesa e qasjes në energji elektrike, krijimi i një politike energjetike më të barabartë gjinore është një domosdoshmëri. Arritja e përfaqësimit të barabartë gjinor në sektorin e energjisë është një parakusht për të pasur një zbatim të suksesshëm të politikave dhe programeve të energjisë. Përpjekja e Kosovës për të arritur një tranzicion të drejtë energjetik në një të ardhme më të qëndrueshme do të jetë e mundur vetëm nëse gratë janë të përfshira në të gjitha nivelet e industrisë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Edhe ne kete ndermarrje ka politizim, ska konkurse. Se edhe une si master e inxhinjerise mekanike kisha pas deshir ta sfidoj veten ne kete ndermarrje.