Pikëpamje | Arsimi

Ndihmoni arsimin në Kosovë

Nga - 30.01.2019

Kritikat e fundit ndaj Agjencisë së Kosovës për Akreditim janë të gabuara dhe të pabaza.

Më herët gjatë javës, Konferenca e Rektorëve (në të cilën ishin të përfshirë rektorët e universiteteve publike në Kosovë) lajmëroi një grevë të përgjithshme dhe kërkoi shkarkimin e bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) dhe ministrit të arsimit. Prandaj jam duke e shkruar këtë letër, për t’i adresuar shqetësimet tona në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në lidhje me ndërhyrjet e mundshme politike në këto dy institucione dhe kualitetin e arsimit të lartë në Kosovë.

Ndoshta e dini, se për gati dy vite ORCA ka ngritur çështje të rëndësishme në lidhje me mungesën e publikimeve shkencore dhe integritetit akademik në Kosovë, nëpërmjet aktiviteteve dhe hulumtimeve në institucionin më të madh dhe më të mirë të arsimit të lartë në Kosovë, Universitetin e Prishtinës.

Avokimi dhe presioni publik rrjedhoi në Urdhërin Administrativ 1/2018 nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që parashesh indeksimin e platformave të revistave ku duhet t’i publikojnë stafi akademik artikujt shkencorë për t’u ngritur në pozitë. Urdhëri Administrativ u kritikua nga profesorët dhe zyrtarët e universitetit, të cilët e panë si sulm ndaj lirive akademike.

Gjithashtu, avokimi dhe presioni publik është kritikuar si ndërhyrje në autonominë e universiteteve. Disa e kanë tepruar aq shumë, saqë e kanë krahasuar “ndërhyrjen” tonë me atë që ia bëri Slobodan Milošević-i Universitetit të Prishtinës në vitet e 90-a, kur u mbyll Universiteti.

Deri sa ishte duke u zhvilluar debati, Universiteti i Prishtinës, më i miri në vendin tonë, ishte në gjendje të mjerueshme. 72 përqind e profesorëve nuk mund t’i justifikonin gradat e tyre akademike, që do të thotë se nuk kishin numrin e kërkuar të artikujve të publikuar shkencorë për ta justifikuar pozitën e tyre. Deri në 2017, profesorët në Universitetin e Prishtinës kishin publikuar rreth 1,320 artikuj shkencorë, me një mesatare prej 2.7 artikuj për profesor.

Ndonëse u kritikua Urdhëri Administrativ dhe ndërhyrja jonë, në 2018, Universiteti i Prishtinës filloi të përmirësohej dukshëm. Sot, universiteti i ka rreth 1,735 artikuj shkencorë me një mesatare prej 3.7 artikuj për profesor, ndërsa përqindja e atyre që nuk i kanë justifikuar gradat akademike, është reduktuar në 59 përqind (prapëseprapë një numër shqetësues).

Këto arritje shumë të vogla po rrezikohen.

Rektorët e fajësojnë AKA-në, duke e larguar përgjegjësinë nga vetja.

Në pikat 1, 2 dhe 4 të lajmërimit 7 pikësh të saj, Konferenca e Rektorëve e sulmon pikërisht këtë Urdhër Administrariv dhe përpjekjet e shoqërisë civile kosovare e aleatëve të saj që po kërkojnë të arrijnë kualitet më të mirë në arsimin e lartë, si dhe këtë progres të vogël.

Me një numër shumë të vogël të stafit akademik dhe numra shumë të mëdhenj të studentëve proporcioni profesorë-studentë në Universitetin e Prishtinës është 1 me 49 (ndërsa në rajon është rreth 1 – 25) këto institucione e rrezikojnë të ardhmen tonë. Deformimi profesional i studentëve që do të marrin pjesë në arsimim të tillë do të jetë i përhershëm dhe i pakthyeshëm, kështu që menjëherë duhet të ndërmerren veprime të fuqishme.

Në deklarimet e pasurive të tyre përkatëse tek Agjencia Kundër Korrupsionit, pjesa më e madhe e rektorëve nga Konferenca kanë thënë se marrin honorare shtesë nga universitetet të cilat i administrojnë. Njëkohësisht, ata kanë dështuar në menaxhimin e procesit të akreditimit të institucioneve të tyre, në kriteret më bazike, siç është t’i kenë tre profesorë me doktoraturë (PhD) për çdo program studimi. Megjithatë, ata e fajësojnë AKA-në, duke e larguar përgjegjësinë nga vetja.

ORCA është duke e monitoruar AKA-në dhe merr pjesë në takimet e gjata të saj. ORCA gjithashtu e monitoroi takimin e Komisionit Parlamentar për Arsim me Konferencën e Rektorëve më 24 janar të këtij viti, si dhe takimin e tyre me anëtarët e bordit të Agjencisë më 25 janar.

Për të dhënë informata neutrale në lidhje me konfliktin ndërmjet Konferencës së Rektorëve dhe AKA, ORCA e ka analizuar hollësisht situatën dhe i ka mbledhur pretendimet kryesore të Konferencës së Rektorëve në kumtesën për media që u publikua këtë javë, si dhe gjatë takimit me Komisionin Parlamentar për Arsim:

  1. Pretendimi se, për shkak të problemeve teknike në akreditim online, disa forma në të cilat profesorët i japin hollësirat për kualifikimet e tyre nuk u morrën parasysh kur u rishikuan programet:

AKA-ja, nëpërmjet kompanisë që e mirëmbanë sistemin e akreditimit online, e ka verifikuar (gjatë takimit të bordit të saj më 15 janar) saktësinë e pretendimit që e kanë bërë disa profesorë që kishin vështirësi gjatë regjistrimit. Kur gjetën se në 41 prej rasteve të supozuar që u raportuan nga rektorët, profesorët në fakt kishin bërë përpjekje për t’u regjistruar në sistem pa sukses, AKA vendosi t’i rishikojë dosjet fizike të tyre.

  1. Pretendimi se AKA-ja e anuloi akreditimin për programet ekzistuese që nuk i kanë tre profesorë PhD në fushën e studimit pa opinione të ekspertëve:

Programet që veçse janë akredituar kontrollohen çdo vit për përmbushje të kritereve bazike, atë për tre PhD-ë për fushë studimi. Kjo ka qenë praktikë e përvjetshme e AKA-së në fushën e misionit të saj për monitorim të programeve të akredituara.

Programet që më parë janë akredituar pa i përmbushur këto kritere, apo që ndërkohë kanë pasur ndryshime në staf dhe nuk kanë pasur staf kompetent, nuk janë validuar, prandaj akreditimi i tyre nuk është vazhduar.

Shënim: Kjo nuk ndikon tek studentët të cilët i kanë nisur këto programe kur programet ishin të akredituara. Anulimi i akreditimeve do të thotë që institucionet nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë të rinjë.

Gjatë validimit të 185 programeve ekzistuese këtë vit (gjatë takimeve të Bordit të AKA-së më 14 dhe 15 janar), AKA-ja i rinovoi akreditimet e 124 programeve në universitete publike dhe 61 programe në institucione private, ndërsa i anuloi akreditimet e 75 programeve 40 në universitete publike dhe 35 në institucione private.

  1. Pretendimi se disa programe të studimit janë akredituar apo ri-akredituar pa opinione të ekspertëve:

Programet që kanë qenë të akredituara më parë por që kanë skaduar dhe kanë aplikuar për ri-akreditim, duhet vetëm ta kalojnë fazën e parë të akreditimit, që do të thotë t’i përmbushin kriteret bazike, t’i kenë tre PhD-ë nga fusha e studimit për çdo program. Në këtë fazë nuk ka nevojë për ekspertë.

  1. Pretendimi se bordi i AKA-së (i njohur gjithashtu si Këshilli Shtetëror i Cilësisë, KShC) nuk ka kompetenca për ta kryer vlerësimin fillestar për programe të reja të studimit:

KShC-ja përbëhet nga anëtarët që i përkasin të gjitha fushave ekzistuese të studimit, siç parashihet në Urdhërin Administrativ 06/2018. ORCA thotë se KShC-ja është kompetente për të vendosur nëse stafi i programit i përkasin fushës së studimit të programit apo jo, dhe nuk ka nevojë për ekspertizë në këtë proces.

Ekspertiza mund të përdoret më pas për ta vlerësuar përputhshmërinë e programit të propozuar me aktivitetet e parapara të mësimdhënies, një fazë që vjen pasi të gjitha programet ta kenë kaluar fazën e parë, atë të përmbushjes së kritereve, që tre anëtarë të stafit të programit të kenë doktoraturë në fushën e studimit.

Në tërësi, KShC-ja e ka dhënë fillimisht dritën e gjelbërt për 104 programe të reja (53 nga universitetet publike dhe 51 nga institucionet private), ndërsa i ka refuzuar 107 programe (28 nga universitetet publike dhe 79 nga institucionet private).

  1. Pretendimi se KShC-ja nuk i ka analizuar tezat e doktoraturës së profesorëve, por vetëm kualifikimet shkencore të tyre (dmth baqellors, masters etj.):

Gjatë monitorimit, ORCA ka dëshmuar se KShC-ja i ka analizuar të gjitha tezat e doktoraturës, si dhe kualifikimet shkencore të secilit anëtar të stafit të programit, në raste ku kishte dyshime.

  1. Pretendimi se persona të caktuar që kanë histori të gjatë të përvojës së punës në një fushë të caktuar, nuk u panë si adekuatë për të qëenë anëtarë të stafit të programit për kurse akademike:

AKA-ja nuk mund t’i akreditojë programet duke marrë parasysh vetëm përvojën e punës, sepse ligji dhe institucionet në fuqi kërkojnë që përveç përvojës, stafi akademik të ketë edhe kualifikime shkencore në fushën e studimit.

  1. Pretendimi se katër profesorë janë kërkuar nga KShC-ja për program studimi:

Urdhëri Administrativ ka kërkuar, tani dhe në të kaluarën, një PhD për 60 kredite të Sistemit Evropian për Transferim të Krediteve (ECTS). Kjo përkthehet në tre PhD-ë për program baqellors me 180 credite ECTS dhe dy PhD-ë për program masters me 120 kredite ECTS.

Pretendimi se katër PhD-ë në fushën e studimit kërkohen për program me 180 ECTS, dhe se ky është ndryshim në rregulla nga akreditimi fillestar, nuk qëndron dhe nuk është dëshmuar nga rektorët.

  1. Pretendimi se fushat e arsimit, gazetarisë dhe infermierisë nuk kanë programe të doktoraturës:

Ky pretendim nuk qëndron. Ka programe të doktoraturës në të gjitha këto fusha. Nëse nuk ekzistojnë në Kosovë, do të thotë se Kosova nuk ka kapacitete për të ofruar programe të tilla të studimit, pëveç nëse institucionet përkushtohen për të sjellë staf të ri.

Koha për të vepruar

ORCA konkludon se për arsye të ndryshme, që mund të lidhen me keqinformim dhe mungesë të komunikimit ndërmjet Konferencës së Rektorëve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, realiteti i prezantuar nga Konferenca e Rektorëve është i shtrembëruar.

Në konkludimin tonë, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, mund të themi se KShC-ja nuk e ka shkelur legjislacionin në fuqi në bazë të tendencave politike apo mungesës së profesionalizmit. Gjithsesi, mundësia që është bërë një gabim i paqëllimshëm, nga anëtarët e KShC-së apo monitoruesit e ORCA-s, mund të ishte lehtësuar nëpërmjet një ankesës formale nga institucionet e pakënaqura tek Komisioni i AKA-së për Apele.

Bëjmë thirrje që t’i kushtohet vëmendje e shtuar procesit ndërkombëtar nëpërmjet të cilit po kalon AKA-ja, pasi që vitin e kaluar ka aplikuar për riakreditim në Asociacionin Evropian për Cilësi në Arsim të Lartë (ENQA), pas vendimit të këtij organi për ta përjashtuar AKA-në para gati një viti. Vendimi për riakreditimin e AKA-së do të merret në tre muajt e ardhshëm dhe çfarëdo që mund ta dëmtojë procesin e brendshëm të akreditimit në Kosovë mund të ketë pasoja të pakthyeshme për AKA-në në nivel ndërkombëtar.

Duke parë se si po keqësohet situata politike çdo ditë, dhe si palët e interesit në politikë po e përdorin arsimin e lartë si vegël për ta çuar para agjendën e tyre politike, ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta parandaluar këtë.

Foto kryesore: Besnik Bajrami / K2.0.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.