Në thelb | Sporti

Shpresë në disfatë

Nga - 27.03.2017

Ka shumë premtime e mësime për të nxjerrë nga ndeshja e Kosovës kundër Islandës.

Të premten mbrëma (më 24 mars) në Shkodër, Kosova u gjend në anën e gabuar të disfatës së katërt radhazi në Grupin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror, kësaj radhe duke humbur 1-2 ndaj Islandës. Përkundër humbjes, Kosova mbase tregoi performancën më të mirë ndonjëherë, duke e ruajtur posedimin e topit dhe duke pasur goditje në drejtim të portës më shumë se kundërshtari, i cili jo më vonë se verën e kaluar debutoi në çerekfinalen e Kampionatin Evropian.

Megjithatë, dy gabime të mbrojtësve kosovarë në pjesën e parë e sollën Kosovën përpara një synimi të papërballueshëm. Së pari, mbrojtësi i majtë Fanol Përdedaj u gjend larg pozitës së vet. Duke u përpjekur me ngathtësi ta rikthejë pozitën, përpjekja e Përdedajt për ta larguar topin vetëm sa ia dhuroi atë Arnor Traustason-it, i cili arriti ta gjente yllin islandez, Gylfi Sigurdsson-in, në zonën e njëmbëdhjetëmetërshit. Gjuajtja e Sigurdsson-it u ndal nga portieri kosovar, Samir Ujkani, ndërsa topi u kthye në këmbër e Bjorn Sigurdarsson-it për të shënuar në rrjetën e zbrazët.

Dhjetë minuta më vonë, Birkir Saevarsson i doli mbrapa mbrojtësit të majtë kosovar, Benjamin Kolollit, i cili u mundua të driblojë duke e rrëzuar Saevarsson-in dhe duke shkaktuar penallti. Sigurdsson e ekzekutoi goditjen duke e thelluar rezultatin në 0-2.

Islanda doli me rezultatin 2-0 pas penalltisë së Sigurdsson-it, megjithëse statistikat e pjesës së parë ishin në favor të Kosovës, e cila shfaqte shumë premtime. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Ishte e vështirë për Kosovën e cila e nisi ndeshjen mirë, duke u përmbajtur në posedimin e topit dhe me një plan të qartë të lojës. Herolind Shala e Hekuran Kryeziu në zemër të mesfushës i kontrollonin pasimet e para, duke e çuar shpesh topin në pozita të përshtatshme nga të cilat Milot Rashica dhe Valon Berisha mund ta sulmonin mbrojtjen kundërshtare. Berisha e goditi shtyllën horizontale kur rezultati ende ishte 0-0, që do të thotë se Kosova po e mbante rekordin e goditjes së shtyllës së portës në çdo ndeshje deri më tash.

Fytyrat e reja sjellin besim

Përkundër rezultatin dekurajues të gjysmës së parë të ndeshjes, Kosova nuk e humbi mbështetjen e publikut, i cili i jepte zemër ekipit nga fillimi e deri te fishkëllima e fundit. Pritjet para ndeshjes në mesin e mbështetësve në Shkodër ishin që barazimi do të ishte rezultat shumë i mirë, derisa pakkush priste fitore. Pronarët e bastoreve pajtoheshin, duke e bërë Islandën favorite të sigurtë.

Nëse kishte optimizëm se Kosova do të më mund të shkaktonte telashe, ai ishte rezultat i prurjeve të reja. Tre lojtarë iu bashkuan skuadrës për ndeshjen kundër Islandës: Besart Berisha, Donis Avdijaj dhe Atdhe Nuhiu.

Besart Berisha (qendër) ishte njëri prej tre lojtarëve të ri të skuadrës kosovare në ndeshjen kundër Islandës. Ai aktualisht është golashënuesi më i mirë i Ligës A të Australisë. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Përkundër faktit se kjo ishte ndeshja e pestë kualifikuese e Kosovës, problemet e njëjta të paqartësisë sa i përket përzgjedhjes ende i shkaktonin telashe skuadrës. Berisha, Nuhiu dhe Avdijaj përpara i kishin përfaqësuar skuadrat tjera kombëtare, që do të thotë se përsëri ekipi druante nga vendimet e FIFA-së nëse lojtarëve do t’u lejohej ta përfaqësonin Kosovën — Nuhiu dhe Avdijaj u konfirmuan vetëm disa ditë para ndeshjes.

Më herët atë ditë në rrugën Kole Idromeno të Shkodrës, ku tifozët e të dyja përfaqësueseve ishin mbledhur para ndeshjes, katër fanella lojtarësh thuajse ishin kamufluar me masën e kaltërverdhës së Kosovës dhe me të kaltrën e Islandës, por ato vinin nga një vend krejtësisht tjetër. Ato bartnin vija tradicionale të kaltra dhe të bardha të ekipit Sheffield Wednesday, skuadër e Anglisë Veriore nja 2,500 kilometra larg. Të katër fanellat mbanin emrin e njëjtë: Nuhiu.

Rruga Kole Idromeno e Shkodrës u mbush me tifozë të premten pasdite, të cilët po bëheshin gati për ndeshjen e mbëmjes. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Pronarët krenarë të fanellave ishin një grup të afërmish nga Presheva, të cilët kishin lidhje familjare me sulmuesin e skuadrës Sheffield Wednesday, i cili njëkohësisht ishte njëri prej lojtarëve të posaardhur të Kosovës. Njëri prej këtij grupi, Blerim Miftari,  i tha K2.0 se meqë Kosova ishte ende në vitin e parë të garave të FIFA-së, atyre u nevojitej kohë dhe durim për ta kompaktësuar ekipin. Ai shtoi se edhe pse fitorja ndaj Islandës ishte e mundshme, kjo kishte pak gjasa të ndodhte, dhe se ai do të ishte i lumtur që ta shihte Nuhiun në lojë dhe që Kosova të shënonte gol. Të dy dëshirat iu plotësuan.

Më pak se tre minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Islanda nuk arriti ta largonte topin dhe ai u fut në zonën e njëmbëdhjetëmetërshit drejt Besart Berishës dhe Amir Rrahmanit. Topi kërceu në mënyrë të përsosur drejt Rrahmanit, i cili me vetëbesim e futi atë në këndin e lartë të portës.

Tifozët e Kosovës i dhanë mbështetje të zjarrtë ekipit kosovar gjatë gjithë ndeshjes në stadiumin Loro Boriçi të Shkodrës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Festimet u ndërprenë me flamurin e ngritur të gjyqtarit anësor,  për shkak se Berisha ishte në pozicion jashtë loje kur u dërgua krosi. Golashënuesi Rrahmani, që i rrinte pas gjuajtësit nuk ishte në pozicion jashtë loje, por përpjekjet e Berishës për ta marrë topin atë e bënë aktiv. Goli nuk u pranua, dhe Kosova ende ishte mbrapa për dy gola.

Përkundër këtij zhgënjimi, stadiumi Boro Loriçi edhe njëherë u ngjallë, dhe një atmosferë elektrizuese e mbushi gjithë ajrin ndërsa Kosova vazhdonte të ushtronte presion.  Më pak se pesë minuta më vonë, ata shënuan gol.

Edhe njëherë Islanda nuk ia doli ta largonte topin në vijën fundore. Rashica e ktheu topin në zonën e penalltisë dhe mbrojtësi mund ta shihte vetëm Valon Berishën. Një lëvizje e mrekullueshme e Berishës e mbajti topin në lojë dhe e kaloi Sigurdsson-in, para se t’ia kalonte topin Shalës, i cili po priste me durim në kënd të zonës së njëmbëdhjetëmetërshit. Shala e ngriti topin drejt portës dhe Nuhiu kërceu përmbi kundërshtarit mbrojtës dhe e futi topin në këndin e poshtëm të portës. 1-2. Goli i parë i Kosovës si nikoqire e një gare të FIFA-së, nga një debutues të cilit iu mundësua të luante vetëm disa ditë më parë; kushëritë e tij nga Presheva duke e përcjellur nga tribinat duhet të kishin kaluar në ekstazë.

Goditja me kokë e Nuhiut në pjesën e dytë të ndeshjës ishte goli i parë i Kosovës si nikoqire në një ndeshje kualifikuese për Botëror, por ajo nuk mjaftonte ta shpëtonte skuadrën nga humbja kundër Islandës. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Fishkëllimat jehonin nën qiellin e muzgut ndërsa Islanda po e sjellte topin për ta rifilluar ndeshjen. Tifozët u bënë edhe më të zëshëm kur Islandës iu akordua një goditje e lirë, së cilës iu deshën dy minuta që ta ekzekutonte. Përvoja e kundërshtarit për ta zhagitur ndeshjen u shfaq në mënyrë të përsosur gjatë 20 minutave të mbetur, ndërsa nuk po i qëndronin besnikë imazhit të tyre të një humbësi të plogësht, dhe po shfaqnin profesionalizëm të lartë të një ekipi veteranësh.

Kosova futi në lojë dy zëvendësime; Avdijaj dhe Bersant Celina hynë në lojë duke e ngjallur edhe publikun edhe përpjekjet sulmuese të Kosovës. Vrapimi i palodhshëm dhe një goditje e gjatë e të riut Avdijaj për pak sa nuk e gjeti rrugën mbrapa portierit islandez, Hannes Halldorsson.

Bernad Berisha gjithashtu hyri më vonë, dhe u shkaktoi probleme të pafundme mbrojtjes islandeze, por gjasa reale për një barazim nuk kishte, ndërsa fishkëllima e fundit ia shtoi edhe një humbje Kosovës.

Edukimi nordik

Nuk është vetëm shkathtësia e Islandës për t’i humbur minutat dhe për ta ruajtur avantazhin në një ambient kundërshtar, nga e cila mund të mësojë Kosova. Në konferencën për shtyp të trajnerit Albert Bunjaki dhe kapitenit Samir Ujkani, pyetjet u përqendruan në formën fizike, duke u mbështetur në stereotipet se futbolli nordik ishte i vrazhdë dhe fizik, derisa ai i shqiptarëve të Kosovës më i butë dhe me truqe.

Trajneri i Kosovës Albert Bunjaki theksoi para ndeshjes se prurjet e reja në skuadrën e tij e kishin ngritur lartësinë mesatare të ekipit. Atdhe Nuhiu, i gjatë 1.97 m., më vonë do të kërcente mbi mbrojtësin e tij për ta shënuar golin për Kosovën. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Bunjaki theksoi se Kosova tani kishte dy lojtarë që i agroheshin 2-metërshit, dhe ata ishin Besart Berisha dhe Nuhiu, derisa fuqia e Islandës është se e njohin njëri-tjetrin, meqë shumica e skuadrës kishin luajtur së bashku që nga mosha nëntëvjeçare. Pohimet e tij dolën të vërteta gjatë lojës, ku Kosova shënoi me një goditje të fuqishme me kokë, derisa golat e Islandës u krijuan pas ndërveprimit inteligjent dhe të detajuar.

Suksesi i Islandës përgjatë viteve të shkuara ishte shumë më i strukturuar sesa fizik. Në 10 vitet e fundit, Islanda ka investuar shumë në futboll. Aty ku dikur ekipet stërviteshin pranë kuajve, tani ka palestra të mbyllura me kapacitete për stërvitje futbolli gjatë gjithë vitit, që janë hapur thuajse në çdo qytet të këtij ishulli të vogël.

Palestrat e mbyllura të futbollit shpesh gjenden edhe në Kosovë, ndërsa vetëm Prishtina i ka tri të tilla, dhe shkathtësitë në futboll të vogël tashmë janë mishëruar në ekipin e futsallit të Kosovës, duke korrur sukses të hershëm pasi e kishte mposhtur edhe Qipron edhe Norvegjinë që nga njohja e pavarësisë. Islanda tash ka dëshmuar se me investim të duhur ekipet e stërvitura në palestra të mbyllura mund të kenë sukses edhe në një stadium të hapur.

"Kosova është shumë afër për të qenë ekip fantastik"

Trajneri islandez, Heimir Hallgrimsson

Gjithashtu ka pasur një lëvizje të hatashme për tranimin e trajnerëve në këtë shtet nordik, ku Islanda ka 850 trajnerë dhe më së paku licencë UEFA B apo më licencë më të lartë; Kosova, në anën tjetër, një vend me pesëfishin e popullsisë së Islandës, ka më pak se 200 trajnerë.

Kjo përpjekje e përqendruar i ka sjellur shpërblime të mëdha edhe ekipit edhe tifozëve. Tifozi islandez Grimur nga Rejkjaviku qe 10 vjet udhëton për ta përcjellur skuadrën e tij, dhe i tha K2.0 se ai e kishte bërë këtë gjatë pjesës më të madhe të jetës duke qenë i bindur se kurrë nuk do ta shihte skuadrën e tij të kualifikohej në ndonjë garë të madhe.  Grimur  dhe miqtë e tij u bënë objekt i vëmendjes së pafundme të premten mbrëma në Shkodër, duke i përshkuar me kërkesa për selfie dhe madje edhe për intervista televizive.

Ai e përshkroi pjesëmarrjen e vendit të tij ne Euro 2016 si një përjetim që ndodh “një herë në jetë”, dhe ia mveshi suksesin e tyre edhe përmirësimeve strukturore të futbollit islandez, edhe profesionalizmit që e solli ish-trajneri i skuadrës, Lars Lagerback.

Pasuesi dhe ish-asistenti i tij, Heimir Hallgrimsson, nuk i kurseu lëvdatat për Kosovën pas ndeshjes, duke i përshkruar si “shumë afër për të qenë një ekip fantastik” dhe duke theksuar se skuadra e tij ishte me fat që e shënoi golin e dytë. Ai gjithashtu e lavdëroi Bunjakin, që u tregua aq i mirë në rrethana të vështira, duke mos qenë i sigurtë se kush do të mund të paraqitej në fushë, megjithëse shtoi se ndoshta Kosova ka qenë shumë ambicioze me stilin e vet sulmues.

Tifozët e Kosovës ende shpresojnë se ambiciet e tyre nuk janë të pabaza, dhe se një ditë, si Grimur, edhe ata do ta kenë rastin jetësor të jenë pjesë e një gare të madhe. Tash për tash, çdo gol i ndihmon Kosovës të lëvizë përpara në rangimet e FIFA-së, dhe madje edhe disfatat e ngushta kundër skuadrave të rangut shumë më të lartë mund të ndihmojnë ― Islanda tani është në pozitën e 23-të derisa Kosova është në të 164-tën, nga gjithsej 209 skuadra.

Loja e gjashtë e Kosovës kundër Turqisë përsëri do të jetë në ‘shtëpi’, megjithëse vendi i saktë ende nuk është vendosur. Shpresat mund të jenë të mëdha për një performancë tjetër të fortë, dhe tifozët madje mund të ëndërrojnë ta korrin atë fitoren e parë të shumëpritur.K

Kosova është Kosovë?

Derisa identiteti i Kosovës brenda terrenit po bëhet çdo herë e më i rrënjosur, jashtë terrenit ai ende po shkakton kundërthënie. Një fotografi e postuar në Instagram nga Milot Rashica, ku po shihej shumica e lojtarëve në një xhami pas faljes së xhumasë, prodhoi shumë debate, duke përfshirë edhe një storie të mediumit satirik Kukunews, i cili raportoi se “Allahu po u përgjigjej duke u thënë lojtarëve se topi është i rrumbullakët dhe se gjithçka mund të ndodhë”.

Çështjet e shtetësisë dhe të përkatësisë fetare natyrisht dolën në sipërfaqe. Tifozët kosovarë kryesisht stolisen me një kombinim të së kaltrës dhe të verdhës së ngjyrës së flamurit të Kosovës, dhe me kuqeziun shqiptar. Por këtë fundjavë thuajse nuk pati kurrfarë gjurme kuqezi.

Klubi zyrtar i tifozëve kosovarë, Dardanët, marshoi drejt stadiumit duke e mbajtur një pankartë me datën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nën të cilin shfaqej sllogani "Kosova është Kosovë", - duke i kundërshtuar togfjalëshat e shumëpërhapur 'Kosova është Serbi' dhe 'Kosova është Shqipëri'.

Pankarta u konfiskua nga sigurimi i stadiumit i cili këtë e konsideroi si mesazh politik, e të cilët rreptësisht ndalohen nga UEFA dhe FIFA. Kjo gjithashtu ngriti shqetësime në mesin e grupeve tjera të tifozëve kosovarë; grupi i tifozëve të skuadrës KF Drita, Intelektualët, nga Gjilani, i dha fund bashkëpunimit me Dardanët për shkak të pankartës. Në postimin e tyre në mediat sociale në lidhje me këtë çështje, Intelektualët shfaqën edhe fotografi ku grupi e mbante flamurin duke theksuar se 'Kosova është Shqipëri'.

Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.