Pikëpamje | Diaspora

Jetët e Zeza Vlejnë për diasporën shqiptare

Nga - 17.06.2020

Letër nga Amerika për shqiptarët kudo që janë.

Ari Myrtaj ishte 14 vjeç kur u sulmua me gaz lotsjellës për herë të parë.

Më 1 tetor 1997, studentët shqiptarë organizuan një marsh prej lagjes Velania deri te Universiteti i Prishtinës, me ç’rast kërkuan qasje në hapësirat e universitetit. Policia e ndaloi marshin duke u hedhur gaz lotsjellës Myrtajt dhe protestuesve të tjerë — por kjo ngjarje u bë pikë e rëndësishme e referencës në përpjekjen e gjatë kundër regjimit stypës të Beogradit.

“Ishte hera e parë që kisha shijuar ose nuhatur gaz lotsjellës”, tha ai. “Si djalë 14 vjeç mendoja se do të vdisja”.

Myrtaj, tash 37 vjeç, po i bën gati 20 vjet jetë në Nju-Jork, ku punon si aktor dhe filmbërës. Gjatë javëve të fundit, ai ka qenë pjesë e protestave të ShBA-së që kanë marrë vrull shpejt në të 50 shtetet e vendit.

Janë bërë më se dy javë nga protestat paqësore dhe të dhunshme në ShBA për shkak të vdekjes së Xhorxh Fllojd. Foto nga Ari Myrtaj.

Protestat janë nxitur nga vdekja e 46 vjeçarit afro-amerikan Xhorxh Fllojd, i cili u vra nga katër zyrtarë policorë më 25 maj 2020. Fjalët e fundit të Fllojdit — përfshirë “s’mund të marr frymë”, e cila është bërë thirrje e shumë protestuesve të zinj që nga vrasja e Erik Garnerit në vitin 2014 — dolën nën gjurin e zyrtarit policor Derek Shovin, i cili e ndrydhi përtokë për tetë minuta e 46 sekonda, duke çuar te vdekja e tij.

Si pasojë kanë shpërthyer protesta paqësore dhe të dhunshme kundër racizmit dhe dhunës policore në ShBA. Disa qytete, sikur Nju-Jorku, kishin vënë orë policore ndaj protestuesve, e cila u kërkonte atyre të mos jenë në rrugë për një kohë të caktuar. Policët hidhnin gaz lotsjellës me dorë të lirë. Myrtaj, i cili ishte prekur nga gazi gjatë një proteste në Manhatan, kujtoi ndeshjen e parë me gazin në Prishtinë. 

“[Këtë herë] nuk u frikësova aq shumë”, thotë ai. “Ia kujtoja vetes vazhdimisht çfarë sjellin këto protesta, trazira dhe ky gaz — liri”.

Protestat për Xhorxh Fllojdin dhe lëvizja më e gjerë Black Lives Matter (Jetët e Zeza Vlejnë, BLM) kanë shtyrë shumë grupe të diasporës në ShBA të rreshtohen në solidaritet me amerikanët e zinj që përballen me shtypje strukturore — dhe shqiptarët s’duhet të jenë përjashtim. Shqiptarët në ShBA kanë një mundësi unike t’i bashkohen një përpjekjeje për drejtësi që dallon mjaft nga përvojat e familjeve të tyre, por që nuk është e ndarë nga ajo.

Briana Mati, një vajzë 23 vjeçe që punon si drejtoreshë aktivitetesh në një shkollë të Floridas, beson se racizmi kundër të zinjve në ShBA është mjaft i ndryshëm nga urrejtja etnike në Ballkan. Si bijë e një shqiptari të Kosovës që ka ardhur në ShBA para gati 30 vjetësh, ajo thotë që familja e saj mbështet lëvizjen BLM.

“Të gjithë pajtohemi se kjo duhet të ndryshojë, dhe tani po zhytemi thellë në atë se sa racist është vendi ynë në themelet e tij”, thotë ajo. “Është thjesht ndryshe nga ajo që ka përjetuar populli ynë në Ballkan. Ne po luftojmë për barazi, por racizmi në ShBA i ka rrënjët shumë thellë”.

Shqiptarët po ashtu kanë vuajtur nga shtypja shtetërore dhe urrejtja shtetërore dhe si rezultat, edhe ata duhet të luftojnë për çlirimin e njerëzve të shtypur kudo që gjenden. Foto nga Ari Myrtaj.

Njerëzit e zinj në ShBA janë shtypur me shekuj të tërë në mënyra që dallojnë nga përvoja e shqiptarëve. Në fakt, shqiptarët kanë trashëgimet e tyre të racizmit kundër të zinjve që mbështetin supremacinë e bardhë që është e ngulitur në institucionet tona kombëtare dhe globale. Trupat tanë nuk cenohen çdo herë që dalim nga shtëpia. Shqiptarët përfitojnë nga privilegji i bardhë — duke gëzuar mundësinë e ngasjes së makinës, vrapimit ose gjumit në krevatët e vet pa druajtur se do të vdesin.

Megjithatë, gjendja e shtypjes shtetërore dhe urrejtjes etnike është qendrore në rrëfimin e shqiptarëve. Vetëm 20 vjet më parë, shqiptarët ishin viktima të përndjekjes shtetërore dhe të spastrimit etnik; sentimenti antishqitar mbijeton e lulëzon edhe sot, sidomos në Evropën Perëndimore. Shqiptarët dinë çfarë dhimbje e traume është të urrehesh dhe vritesh për shkak të identitetit. A na fton kjo dije në një përpjekje për çlirimin e njerëzve të shtypur kudo në botë?

Kjo ka të bëjë me atë se si jetët e zeza vlejnë për ne, dhe si ne si shqiptarë mund të bashkohemi për ta bërë atë të ditur.

Për Ari Myrtajn, Briana Matin dhe për mua — po. Shtrohet pyetja: si mund t’i përkrahë diaspora shqiptare amerikanët e zinj?

Myrtaj thotë se duhet të fillojë në shtëpi. “Mendo për prindërit, hallat, xhaxhallarët”, tha ai. “Nëse ke urrejtje në shtëpi, kur del jashtë do t’i urresh të tjerët”. Ndonjëherë, sipas tij, puna më e mirë është thjesht të dëgjosh. “Protestat, tubimet, mbështetja dhe zgjatja e krahut ndaj tjetrit — si dhe dëgjimi. Është e thjeshtë: vetëm dilni dhe dëgjoni”.

Mati po i mbështet protestuesit nga shtëpia. Ajo është përqendruar në shpërndarjen e informatave dhe diturive antiraciste, sidomos ndër të moshuarit. “Brezat e rinj të shqiptarëve duhet ta bëjnë të tyren për t’i edukuar familjarët e vjetër racistë”, tha ajo. “Duhet t’i bëjmë këto biseda të rënda, edhe nëse janë të parehatshme”.

Është e qartë që shqiptarët që jetojnë në ShBA kanë punë të rëndësishme para tyre. Si evropianë të bardhë që nuk kanë histori të nënshtrimit të kulturave të tjera, gjë që zakonisht iu mvishet evropianëve të tjerë të bardhë — dhe që kanë histori të vuajtjes nga dëbimi dhe vrasja si “të tjerë” — kemi mbërritur një udhëkryq interesant. Por kjo nuk ka të bëjë me ne. Kjo ka të bëjë me atë se si jetët e zeza vlejnë për ne, dhe si ne si shqiptarë mund të bashkohemi për ta bërë atë të ditur.

Brezat e rinj duhet t’i edukojnë gjeneratat e vjetra për racizmin. Foto nga Ari Myrtaj.

Kjo lidhet me lejimin e historisë së shtypjes së popullit tonë të na fuqizojë drejt çlirimit të njerëzve të zinj, duke mësuar me përulësi për një shtypje prej së cilës kurrë nuk kemi vuajtur dhe kurrë nuk do të vuajmë.

Lidhet me përbuzjen e urrejtjes etinke që vrau popullin tonë duke u përballur me racizmin kundër të zinjve që gjendet brenda nesh dhe brenda familjeve tona.

Ka të bëjë me praninë tonë përmes trupave, parave dhe solidaritetit në lëvizjen BLM.

Ndonëse protestat mund të jenë shqetësuese për shqiptarët që jetojnë në diasporë, Ari Myrtaj na shtyn të kujtojmë se protestat janë të domosdoshme për ndryshim strukturor pozitiv.

“Ky vend, kjo botë është ndërtuar mbi protesta”, tha ai. “Kjo nisi nga atdheu im [në Kosovë]. Kemi protestuar tërë jetën. Ky nuk është fundi i botës — është një revolucion”.

Imazhi i ballinës nga Ari Myrtaj.

  • PËR AUTORIN/EN Maria Morava
  • Shënim Pikëpamjet e shkrimtarit/ës nuk pasqyrojnë domosdo ato të Kosovo 2.0.
  • Ky artikull fillimisht është shkruar në anglisht.

KOMENTET

0
KOMENTO

KOMENTO

Kthehu n'fillim

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.

THANKS FOR SUBSCRIBING

THANKS FOR YOUR COMMENT

AFTER A QUICK CHECK IT WILL BE PUBLISHED HERE. PLEASE BE PATIENT.