Të dy tregojnë se jeta e tyre është e mbushur me rrëfime të diskriminimit racor, vështirësi ekonomike dhe mosqasje në të mirat publike që ofron qyteti i Ferizajt. Të vetmet të ardhura financiare që familja ka pasur përgjatë këtyre viteve ishin ato që fitonte Faruku nga puna në një punishte të llamarinës në një fshat të qytetit.
Faruku tregon se për disa vite edhe shujtën e drekës e hante ndaras nga kolegët e tij, pasi ata e diskriminonin për shkak të etnisë së tij.
‘‘Dikur ndërroi [qasja] se ja u kryjsha puntë’’, thotë ai, duke shtuar se aty mori zanatin, të cilit ia pa hajrin. Ka disa vite që ka hapur një punishte të vogël të llamarinës dhe me të ardhurat mban familjen. Në punishte ka punësuar edhe djalin e axhës, të cilin e ka rritur së bashku me Hamiden pasi prindërit e djalit kishin vdekur vite më parë.
Hamidja gjatë gjithë jetës së saj asnjëherë nuk ka mundur të punojë pasi i është dashur të kujdeset për fëmijët. Ajo përmend vështirësitë që fëmijët e saj kishin për të ndjekur mësimet sa herë ky i fundit është zhvilluar online. Që nga marsi 2020, mësimi është zhvilluar kryesisht online për shkak të masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.
Institucionet lokale a qendrore me raste kanë ndihmuar familjet me vështirësi ekonomike me pajisje elektronike. Hulumtimet tregojnë se qytetarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, kanë pasur vështirësitë më të mëdha për t’u siguruar fëmijëve të tyre qasje në mësim online dhe se fëmijët e këtyre komuniteteve kanë humbur në shumicë procesin mësimor përgjatë kësaj kohe. Ndër ta ishin edhe fëmijët e Hamides dhe Farukut që nuk kishin përfituar asnjë ndihmë nga Komuna e Ferizajt.
E vetmja mundësi që fëmijët e tyre ta ndjekin mësimin online ishte përmes telefonit të djalit të axhës së Farukut, ose kur Faruku ua ka huazuar telefonin e vet gjatë pauzave një orëshe të punës.
Ankesa kundrejt komunës ka edhe fqinji i Farukut dhe Hamides, Senad Komorani. 21-vjeçari që punon në një pemishte thekson se i pari i qeverisë lokale në Ferizaj asnjëherë nuk e ka vizituar lagjen e tyre përgjatë këtyre katër viteve të fundit. Mungesa e investimeve në lagjen e tij, e ka lënë këtë lagje me pak mundësi për jetë sociale.
‘‘S’ka nevojë me shku diku, ku ai qohet të përzë. Për shkak të ngyrës, as në kafiqe nuk mujna me hi’’, thotë Senadi, duke lënë të nënkuptohet se pjesët tjera të qytetit, qoftë edhe qendrat rinore, nuk mund t’i frekuentojnë, pasi ndihen të diskriminuar. ‘’’Mahalla e maxhupve’, i thojnë lagjes’’, tregon ai.
Sipas tij, atyre u ishte premtuar ndërtimi i një stadiumi në lagjen “Sallahane”, çka do ta kishte ndihmuar komunitetin e tij të integrohet. ‘‘Te reka [lumi] u kanë fjala me ba [stadiumin], po s’u ba. Kush ka ardh i kemi thanë që na duhet [stadium]’’, thotë Senadi, duke shtuar se shokët e tij të mahallës shumicën e kohës e kalojnë në një lokal ku mund të luajnë me lojëra elektronike, biliardo apo edhe ‘‘’rraketaqke’’.
Përveç stadiumit, atyre u ishte premtuar edhe ndërtimi i një qendre rinore. Lokali ku ai me shokët e tij e kalon kohën, shpeshherë shndërrohet edhe vend muzike ku mblidhen e shkëmbejnë vargjet që i kanë shkruar gjithsecili, apo edhe bëjnë plane për t’i regjistruar këngët. Kohëve të fundit, grupi i të rinjve, që veten e quajnë “Sallahane 05” është kthyer në sensacion medial apo në rrjetet sociale, për muzikë Hip-Hop që ata kultivojnë.
Senadi thekson se problem tjetër është edhe punësimi, që edhe atë e lidh me diskriminimin racor që u bëhet atyre dhe se, sipas tij, komuna nuk ka marr asnjë hap kundrejt këtij problemi.