Regjisori i nominuar për çmimin Oskar flet për krimet e luftës dhe fajësinë.
Joshua Oppenheimer është regjisor i filmave dokumentarë. Filmi i tij i parë i metrazhit të gjatë, “The Act of Killing” (Akti i vrasjes), flet për mizoritë e kryera në Indonezi gjatë viteve të ‘60-a, kur një milion njerëz u vranë gjatë spastrimit antikomunist.
Oppenheimer ka diplomuar në Harvard dhe ka kryer doktoraturën në Central Saint Martins College. Ai është profesor i filmit në Universitetin e Westminster-it. “The Act of Klilling” u prodhua në një periudhë gjashtëvjeçare, nga dy prej regjisorëve më të njohur të filmave dokumentarë në botë – WernerHerzoc dhe Errol Morris, por solli edhe një rrezik serioz nga pasojat e padëshirueshme. Disa prej anëtarëve të ekipit u paraqitën si anonimë për shkak të frikës nga hakmarrja të anëtarëve të ekipit të vdekjes të cilët i kishte intervistuar Oppenheimer. Pas premierës, filmi mori vlerësime shumë të mira nga kritikët.
Në vitin 2015, gazeta The Guardian e quajti filmin “The Act of Killing” si njërin prej 50 filmave më të mirë të dekadës. Punimi shoqërues i këtij filmi, një tjetër dokumentar i metrazhit të gjatë, “The Look of Silence”, i cili flet për mizoritë indoneziane nga pikëpamja e viktimave, fitoi pesë çmime në Festivalin e Filmit në Venedik në vitin 2014. Të dy filmat u nominuan për çmimin Oskar për Filmin më të Mirë Dokumentar. Kjo dëshmon rëndësinë e tyre, jo vetëm si filma, por edhe si produkte historike dhe kulturore që adresojnë çështjen e krimeve të luftës.
K2.0 u takua me Oppenheimer-in në Festivalin e Filmit në Sarajevë për të biseduar për qasjen e tij të trajtimit të krimeve të luftës nga pikëpamja e autorëve të krimit, dhe për domosdoshmërinë e kuptimit të asaj që i shtyn njerëzit të kryejnë mizori të tilla. A e zhveshin krimet e luftës autorët nga njerëzia e tyre? Oppenheimer nuk pajtohet.
Foto nga Festivali i Filmit në Sarajevë.
K2.0: Kur e pashë “The Act of Killing” për herë të parë, isha i mendimit se ky film është tregim për mizori dhe gjenocid, por nga pikëpamja e autorëve të krimit. Çka ju bëri të mendoni se kjo ishte ide e mirë, fillimisht?
Joshua Oppenheimer: Pikësëpari, nëse doni ta kuptoni gjenocidin, duhet t’i kuptoni autorët e krimit, sepse të mbijetuarit nuk kryejnë gjenocid. E nëse themi se nuk duam ta kuptojmë gjenocidin, atëherë thjesht po themi se ky është problem që ndonjëherë na ndodh dhe nuk kemi çfarë të bëjmë – si kur e godet ndonjë asteroid Tokën.
Duke e bërë këtë, ne në thelb po heqim dorë nga mundësia e parandalimit të gjenocidit. Duhet të gjejmë një mënyrë për të kuptuar se si mund të nxiten njerëzit për të kryer vepra të gjenocidit, dhe kështu të gjejmë një mënyrë për t’i organizuar shoqëritë që nxitjet e tilla të bëhen të pamundura në të ardhmen. Pra, mendoj se nëse duam ta kuptojmë ndonjë krim, duhet t’i kuptojmë autorët e krimit.
Por do të thoja gjithashtu se nuk mendoj se filmi është thjesht për gjenocidin. Ai flet për pandëshkueshmërinë. Nuk pretendohet se ky film e jep atë historinë e qartë të gjenocidit në Indonezi, e as nuk pretendohet se dramatizimet e AnwarCongo-s e paraqesin atë që ka ndodhur në mënyrë reale. Nuk mendoj se ato dramatizime janë çorientuese apo mashtruese. Ato thjesht ofrojnë një ilustrim brenda mendjes së tij: gënjeshtrat, tregimet, fantazitë, mashtrimet që i bën vetës, e për të cilat është i lidhur me dekada, që të mund të jetojë edhe pasi i ka kryer ato vepra. Për këtë flet filmi. Ai ka të bëjë me përfytyrimin e pandëshkueshmërisë. Për mënyrën se si pandëshkueshmëria e përfytyron vetën, si e shfaq vetën. Dhe në atë kuptim, ai flet për ikjen nga realiteti dhe fantazinë – si dhe fajësinë.
Filmi nis me një skenë të fantazisë absolute, një sekuencë si ëndërr në të cilën protagonistët dalin nga një strukturë që i ngjan formës së peshkut dhe vallëzojnë nën një ujëvarë. Por menjëherë pas saj është skena në të cilën Anwar Congo e rikrijon mënyrën si i kishte vrarë njerëzit me tel – e pastaj vallëzon cha-cha! Ti ke qenë aty në pozitën e vrojtuesit… Si u ndieve?
Ajo ishte dita e parë që u njoftova me Anwar Congo-n. Nuk e dija se ku po më çonte, as çka do të ndodhte. Fillimisht, e dija se po dokumentoja një rrëfim të një krimi që nuk e kishte dokumentuar askush më parë. Tetë mijë njerëz u vranë në Srebrenicë. Në Lumin e Gjarpërit, vetëm në një pjesë të lumit të cilën e vizitojmë në Look of Silence, u vranë 10,500 njerëz. Dhe kjo ishte veç një prej shumë pjesëve të shumë lumenjve të Sumatrës Veriore, një prej krahinave të Indonezisë.
Nisa të shoh që ai ishte burrë i cili po më tregonte dhimbjen e tij, e sigurisht vetëm e shikova dhe isha dëshmitar i kësaj.
Pra, e dija se po e regjistroja një dëshmi për një krim që nuk ishte dokumentuar kurrë më parë. Nuk kishte pllakë e as përmendore para dyqanit. Ndoshta kishte thashetheme, por kërkush nuk e dinte. E pastaj, Anware lëshon nga dora telin dhe thotë, “Të kam treguar se si kam vrarë, e tash duhet të shohësh se si kanë vdekur viktimat”. Mendova në vete: “pse dëshiron të me tregojë se si dukeshin viktimat kur ishin duke vuajtur?”
E çuditshme.
Po. Pastaj kur vallëzon cha-cha thotë “Po të mendoja shumë për këto gjëra, do të luaja mendsh, kështu që dal e vallëzoj, marr drogë, pi… Shiko, jam vallëtar i mirë!” Si për ta hequr nga mendja dhimbjen që sapo e ndjeu, ai fillon të vallëzojë. Nisa të kuptoj se ai ishte burrë i cili po më tregonte dhimbjen e tij, e sigurisht vetëm e shikova dhe isha dëshmitar i kësaj.
Është një skenë tjetër në të cilën Anwar është duke ia treguar këta filma historikë nipërve e mbesave të veta. Për mua ky ishte me gjasë momenti më shqetësues, si person që vjen nga ky rajon. Mund të bëhet një krahasim me ato që i përjetojmë ne – gjeneratat më të reja po indoktrinohen për të menduar njëlloj: që ekziston një armik që ta rrezikon identitetin kombëtar, etnik ose fetar. Pastaj kjo të çon te përfundimi se mizoritë disi justifikohen. The që ke vërejtur keqardhje te ai, por a ndiejnë vërtet pendim autorët e krimeve të tilla? Sepse veprimet e Anwar-it e dëshmojnë të kundërtën.
Unë thashë që Anwarndjeu keqardhje. Anwarnë fund të filmit shihet qartë duke vuajtur nga ankthi e dhimbja – dhe mendoj që kjo dhimbje del në sipërfaqe në fund. Mendoj se ata janë njerëz. Nuk po them se çdo njeri mund t’i kryejë veprimet që i ka kryer Anwar, thjesht po them se nuk e dimë. Prandaj ky lloj indoktrinimi është i rrezikshëm, sepse duke e përmendur këtë, po e pranon që njerëzit mund të shndrrohen në autorë të krimit.
Por të gjithë janë njerëz, dhe besoj se secili kriminel që e kam xhiruar mburret e lëvdohet sepse dëshpërimisht po përpiqet t’i ikë resë së fajësisë dhe turpit që e ndjek çdokund.
Mendoj se, meqë janë në pushtet – ende e udhëheqin vendin, ende kanë histori zyrtare që lartëson atë që e kanë bërë – ata e bëjnë atë që do të ishte e natyrishme për të gjithë. Nëse ka kujtime të kalbura të cilat nuk mund t’i gëlltisin, ata i sheqerosin këto kujtime me gjuhë të ëmbël të historisë së fituesit, që ta kenë më lehtë t’i gëlltisin ato.
Prandaj nuk thonë thjesht: “I shfarosëm komunistët, nuk ishte aq heroike”. Në vend të kësaj ata flasin me fiksim për hollësitë e tmerrshme. Pse kanë nevojë të flasin se si kanë prerë kokë e si kanë pirë gjak? Sepse ato janë kujtimet më të hidhura të cilat e kanë zor t’i gëlltisin. Sepse e dinë dallimin në mes të së drejtës dhe të së gabuarës, e prandaj mburren në këtë mënyrë e cila duket çnjerëzore.
Një prej karaktereve në The Act of Killing e thotë këtë fjali “Krimet e luftës përcaktohen nga fituesi”. Pastaj e kemi një situatë si ajo në Bosnjë, në të cilën nuk ka fitues të qartë dhe të gjithë ndihen si humbës. Pra, e ke gjithë këtë situatë me njerëz që i mohojnë krimet e luftës në bazë të përkatësisë etnike dhe kombëtare, edhe kur ka dëshmi të qarta për atë që ka ndodhur. A mendoni se kjo është e vërtetë për çdo vend të botës? Që krimet e luftës përcaktohen nga fituesit?
Po, është e vërtetë në çdo vend të botës. Intersante është se në Indonezi krimet nuk ndodhën para syve të mediave ndërkombëtare, ashtu siç ndodhi me gjenocidin në Bosnjë. Si rezultat i kësaj, qeveria asnjëherë nuk i ka pranuar zyrtarisht vrasjet masive si diçka që është organizuar nga shteti. Atyre u përshtatet të thonë se i gjithë kombi u ngrit nga urrejtja spontane për t’i shfarosur komunistët. Dhe u përshtatet t’i lejojnë anëtarët e moshuar të ekipiti të vdekjes që të kthehen në shtëpitë e tyre në fshatra e të mburren, sepse në këtë mënyrë ata bëhen përfaqësues të frikshëm të shtetit.
Pra tani e kemi këtë sitautë absurde në të cilën njerëzit po mburren nëpër gjithë vendin për diçka që cilësohet si krim i luftës sipas përcaktimit ndërkombëtar, por që nuk po quhet krim i luftës nga qeveria.
Pra, tani e kemi këtë situatë absurde në të cilën njerëzit po mburren anembanë vendit për diçka që cilësohet si krim i luftës sipas përcaktimit ndërkombëtar, por që nuk po quhet krim i luftës nga qeveria. E kjo të çon te kjo fjali mahnitëse: “Krimet e luftës përcaktohen nga fituesi; një ditë Konventa e Gjenevës do të zëvendësohet me Konventën e Xhakartës”. Ky është hapi i radhës, kur mund të përfytyrojmë se të gjitha këto krime, nëse kryhen për një arsye të caktuar, nuk do të quhen më krime të luftës, por thjesht vetëmbrojtje, ose krijim i kombit, ose ndonjë lloj ndërhyrjeje tjetër e domosdoshme.K
Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.