Në thelb | Sindikatat

“Këto nuk janë fabrika — janë dhoma të torturës sadiste”

Punëtorët në të gjithë rajonin luftojnë kundër abuzimit të punëtorëve dhe shkatërrimit të sindikatave.

Veshur me rroba pune e me çizme gome deri në gjunjë teksa ecë nëpër kopshtin e saj në Tuzla, Bosnjë dhe Hercegovinë, Emina Busuladžić, tash e pensionuar, rrezaton po atë energji që e ndihmoi ta udhëhiqte përpjekjen shumëvjeçare për mbijetesën e fabrikës së detergjentit DITA, në qytetin e saj. Në këtë përpjekje të gjatë për ta ringjallur një fabrikë të dëmtuar nga lufta dhe nga një proces i korruptuar i privatizimit, Busuladžić ka hyrë në greva urie, e ka zaptuar fabrikën përballë rezistencës së policisë, i ka udhëhequr protestuesit nëpër rrugë dhe madje një herë është shtrirë me trupin e saj para një veture për t’i ruajtur provat e krimeve financiare lidhur me privatizimin e fabrikës.

Një figurë karizmatike, ajo është bërë simbol i përpjekjes për të drejtat e punëtorëve në të gjithë rajonin. Por ajo nuk është e vetmja. Përpjekjet për sindikata të pavarura dhe të drejta te punës po ndodhin nëpër Bosnjë dhe më gjerë në rajon.

Në tranzicionin prej socializmit në kapitalizmin e tregut, nuk u transformuan vetëm firmat dhe bizneset, por edhe sindikatat dhe organizimi i punëtorëve. Por sot, pak njerëz kanë besim të madh në organizatat e mëdha që zotërojnë sindikata nga e kaluara socialiste, ndërsa sindikatat më të vogla të pavarura po luftojnë me shqetësime dhe presion nga niveli menaxherial, në Bosnjë, Serbi, Shqipëri dhe përtej.

Anđela Pepić, kandidate për doktoratë nga Banja Luka, e cila studion rolin e sindikatave në Bosnjën e sotme, thotë se ndonëse sindikatat kanë ende pushtet, roli i tyre është zvogëluar shumë dekadave të fundit. Me kalimin nga socializmi në kapitalizëm, tha ajo, “sindikatat u mezi mbaheshin, duke i përshtatur veprimet e tyre me sistemin e ri”.

Kjo përshtatje është vështirësuar edhe më shumë, thotë ajo, nga përpjekjet e elitave politike dhe ekonomike për t’i mbajtur punëtorët të nënshtruar dhe të pafuqishëm. Shkatërrimi i sindikatave është i zakonshëm, “që simbolizohet nga kërcënimet me shkarkim nga puna dhe përpjekjet për t’i korruptuar aktivistët dhe drejtuesit e sindikatave”, tha Pepić, duke shtuar se disa sindikata janë të komprometuara politikisht.

Sindikatat e pavarura po luftojnë një betejë të zorshme për të drejtat e punëtorëve në të gjithë rajonin. Fotografia: Adi Kebo / K2.0.

Marko Miletić, redaktor i publikimit me seli në Beograd, Mašina, që përqendrohet në çështjete punës, i përshkruan sindikatat nga Jugosllavia socialiste si neutralizuese midis qeverisë dhe punëtorëve të pakënaqur. “Kanë qenë të dobishme kur bëhej fjalë për zgjidhjen e problemeve individuale, që ndërlidheshin me punën, por e anashkaluan plotësisht përpjekjen kolektive, klasore”, tha Miletić. “Në vitet e ’90-ta, sindikatat e tilla u përballën me pyetjen: Cili është roli i sindikatave në kapitalizëm? Fatkeqësisht, shumë prej tyre ende nuk e kanë gjetur përgjigjen e duhur”.

Ndonëse shtetet dhe punëdhënësit kanë shtyrë përpara politika të pafavorshme për punëtorët, thotë ai, ka ende shumë njerëz që luftojnë për ta përmirësuar pozitën e punëtorëve. “Shpresoj që disa nga ata njerëz do të jenë në gjendje t’i japin frymë të re lëvizjes sindikaliste në të gjithë rajonin”.

Një kryengritje në fabrikën e detergjentëve

Fabrika e detergjentit “DITA” në Tuzla u themelua në vitin 1977 nëpërmjet një partneriteti me një investitor italian nga Gjenova. Me teknologji të reja dhe licensa nga perëndimi, prodhoi pjesën më të madhe të detergjentit pluhur për Jugosllavinë.

Fabrika vazhdoi punën deri në vitin 1992, kur lufta ndërpreu prodhimin. Vite më pas, fabrika u ballafaqua me probleme për t’u ngritur përsëri në këmbë. Kishte humbur tregun e saj të sigurt jugosllav dhe produkte më lira nga Evropa perëndimore e vërshuan tregun e Bosnjës. Përfundimisht, në vitin 2001, qeveria vendosi ta privatizojë “DITA”.

Kur kaloi nëpër proceset e saj të para të shumta të privatizimit, fabrika kishte 780 punëtorë. Përgjatë vitesh keqmenaxhimi, kredish të dyshimta të marra nga pronarët e rinj dhe kontratash të dyshimta, “DITA” u tkurr dhe u shpërbë. Në vitin 2012, pronari mbylli fabrikën dhe filloi t’i shiste pajisjet. Shumica e punëtorëve humbën punën.

Kur sindikata e punëtorëve DITA nuk u ngrit, Busuladžić dhe të tjerët e kuptuan se kjo do të varej nga vetë punëtorët. Fotografia: Adi Kebo / K2.0.

Shpërbërja totale e fabrikës u shty nga rastet gjyqësore dhe hetimet për vepra të mundshme kriminale, që lidheshin me procesin e privatizimit. Deri në vitin 2013, 119 punëtorë mbetën, por ata s’kishin marrë paga, sigurime shëndetësore apo kontribute pensionale për muaj të tërë.

Përkundër kësaj, ata refuzuan të largoheshin nga fabrika. Mes tyre ishte edhe Busuladžić. Pavarësisht përpjekjes së tyre dhe akuzave të raportuara gjerësisht për veprimet e dyshimta të pronarëve, Busuladžić kujton se sindikata e tyre, e cila do të duhej ta udhëhiqte përpjekjen e tyre, ishte e heshtur. Gjithçka do të varej nga vetë punëtorët.

Më pas e përshkallëzuan përpjekjen për të drejtat e tyre dhe Busuladžić inkurajoi që të fillonin të mos i binden menaxhmentit. Pasuan padi, akuza dhe greva dhe Busuladžić u ndëshkua me ulje të pagës dhe ndërrim të detyrave të saj të punës; në vend që të punonte në laborator siç punonte prej vitesh, tani e caktuan t’i pastronte tualetet.

“Budallenjtë nuk e dinin se po bënin gjithçka gabim, veç më bënë më të fortë”, tha ajo, pothuajse një dekadë më vonë.

Një tjetër grevë e punëtorëve të “DITA” filloi në fillim të vitit 2014. Shumë shpejt protestës iu bashkuan punëtorët nga Tuzla dhe zonat përreth dhe pa kaluar shumë kohë, lëvizja u përhap në të gjithë vendin. Ajo që më pas do njihej si “Pranvera Boshnjake” bëri bujë nëpër qendrat urbane, ku njerëzit e sulmonin korrupsionin qeveritar dhe vetëkënaqësinë përballë varfërisë dhe papunësisë së përhapur. Derisa protestat u qetësuan, një numër ndërtesash qeveritare mbetën të djegura dhe një numër zyrtarësh të qeverisjes rajonale, në mënyrë masive kishin dhënë dorëheqje.

Menaxhmenti tentoi ta ndëshkonte Busuladžić duke e caktuar që t’i pastronte tualetet. Pothuajse një dekadë më vonë ajo tha: "Budallenjtë nuk e dinin se po bënin gjithçka gabim, veç më bënë më të fortë".
Fotografia: Adi Kebo / K2.0.

Në fund fituan punëtorët e “DITA”, por vetëm pjesërisht. Punëtorët që kishin mbetur ia dolën ta fillonin përsëri prodhimin e kufizuar, por në fund, e vetmja mënyrë për ta mbajtur kompaninë në funksion ishte gjetja e një pronari të ri që mund të riinvestonte dhe menaxhonte borxhet e firmës. Në vitin 2015, “DITA” gjeti një pronar të ri, i cili që atëherë ka përmbushur disa prej kërkesave të punëtorëve. Por për Busuladžić-in ishte fundi i përpjekjes. Ajo u pensionua në vitin 2017, por vetëm pasi pronari i ri e përjashtoi nga fabrika, nga frika se do ta drejtonte edhe një rebelim tjetër. Kur u largua, fabrika endi i detyrohej edhe 65 muaj pagë.

Minatorët, punëtorët e naftës dhe personeli i qendrës së thirrjeve

Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës në fillim të viteve të ’90-ta, sindikata të pavarura të punëtorëve filluan të formoheshin në Shqipëri. Organizatorët e këtyre sindikatave luftonin për pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës, ndërsa në të njëjtën kohë ishin në konflikt me sindikatat e vjetra, të mbetura prej epokës socialiste, që ishin ende të ngulitur me pushtetet.

“Sindikatat kanë origjinë të lavdishme në Shqipëri”, thotë Arlind Qori, pedagog dhe aktivist i Organizatës Politike në Shqipëri. “Ishin shumë të fuqishme në vitin 1991, kur ia dolën të organizonin klasën punëtore pothuajse kudo. Madje ia dolën të mbanin një grevë e përgjithshme në prill të vitit 1991, e që është forma më e lartë e organizimit sindikal. Punëtorët nga shumë sektorë lanë punën dhe u futën në grevë në të njëjtën kohë”.

Por kjo periudhë e fuqisë dhe aktivizmit sindikal ishte jetëshkurtër. Ato shpejt filluan të tkurren dhe ta humbin fuqinë e tyre. “Në vitin 1992 filloi procesi i privatizimit dhe privatizimi nuk solli rimëkëmbjen e atyre fabrikave, por në shumicën e rasteve i merrte fabrikat për skrap”, tha Qori.

Viteve të fundit, shumica e aktivizimit të pavarur sindikal në Shqipëri ka qenë i përqendruar në industritë e rënda me traditë të fuqisë sindikale: minierat dhe nafta.

Sindikatat po krijohen edhe jashtë sektorëve tradicionalë si minierat dhe industria e rëndë. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

Në vitin 2020, punëtorët e industrisë së naftës krijuan një sindikatë të pavarur, Sindikatën e Bashkuar të Naftëtarëve. Shtytja për krijimin e kësaj lëvizjeje ishte shkatërrimu i rafinerisë së naftës në Ballsh pas kalimit të pronësisë. Në atë proces 800 punëtorë mbetën të papunë dhe pagat e muajve të fundit iu ndaluan.

Sindikata udhëhoqi një varg protestash, përfshirë një grevë urie 42-ditore. Nën udhëheqjen e burrave të sindikatës, pas 17 ditëve, një numër i përbërë nga gratë punëtore naftare morën përsipër dhe vazhduan grevën edhe për 24 ditë të tjera. Udhëheqësi i sindikatës së re, Sokol Dautaj thotë se naftëtarët janë ndierë të braktisur nga sindikatat e vjetra, të cilat sipas tij, po kërkojnë ta vonojnë procesin ligjor pa e çuar deri në fund.

Dautaj tash është i papunë për shkak të shkatërrimit të rafinerisë. Ajo që e mban të motivuar në organizimin e tij të punës është synimi për të kërkuar nga pronarët e rinj 13 pagat e muajve të papaguar, në total prej 8 milionë eurosh, për kolegët e tij të rafinerisë.

Sindikata e Bashkuar e Naftëtarëve po punon për t’i kërkuar 13 muaj pagash të papaguara nga pronari i ri i rafinerisë së Ballshit. Fotografi: Erisa Kryeziu / K2.0

Sindikatat e pavarura u krijuan edhe në qendrat më pak tradicionale të organizimit të punës. Sindikata “Solidariteti” u krijua në sallat e kompanisë më të madhe të qendrës së thirrjeve në Shqipëri për shkak të pushimit nga puna. Siç tha drejtuesi i “Solidariteti”, Tonin Preci, “Nuk ke pasur asnjë mbrojtje si punëtor i qendrës së thirrjeve” dhe ata nuk kishin asnjë shpresë nga sindikatat klasike ekzistuese.

Gjatë pandemisë, “Solidariteti” udhëhoqi një përpjekje kundër instalimit të kamerave në shtëpitë e punëtorëve, të cilat niveli menaxherial i kërkonte për ta monitoruar punën e tyre. “Bëmë të gjitha lëvizjet e nevojshme sindikale dhe kjo u anulua si rregull”, tha Preçi, duke e cilësuar këtë përpjekje si një nga fitoret më të mëdha të “Solidariteti”.

Më vonë gjatë pandemisë, Preci u pushua nga puna në qendrën e thirrjeve për shkak të organizimit sindikal. Ai përmendi edhe tetë raste të tjera të kolegëve që janë shkarkuar që nga dalja publike si anëtarë të sindikatës. Ata kanë nisur rastin në gjykatë për ndërprerje të parregullt të kontratës, por ndërkohë Preci po ballafaqohet me vështirësi që të punësohet në ndonjë qendër tjetër të thirrjeve.

Arlind Qori thotë se mund të jetë e vështirë për punëtorët t’i krijojnë sindikatat e tyre, të pavarura nga kompanitë apo autoritetet. “Ekziston një periudhë e ndërmjetme, që është mjaft e rrezikshme mes nismës për ta krijuar një sindikatë dhe të pasurit një sindikatë mjaftueshëm të fortë dhe të përhapur mes punëtorëve që do t’i mbronte të gjithë punëtorëve, veçanërisht drejtuesit e sindikatave, nga largimi i padrejtë nga puna”, tha ai.

“Këto janë dhoma të torturës sadiste”

Fabrika e kabllove “Yura Corporation”, në pronësi të Koresë së Jugut, filloi prodhimin në Serbi në vitin 2010. Shumë shpejt filluan të operonin me nën-degë në të gjithë jugun e vendit, në Leskovac, Niš dhe Rača. Fabrikat, të krijuara nëpërmjet një marrëveshjeje me qeverinë, u reklamuan si burim i mijëra vendeve të punës për një pjesë të vendit me rënie të aktivitetit ekonomik. Por shpejt pas hapjes, nga punëtorët filluan të shfaqeshin ankesat. Siç pretenduan disa gjatë protestave të 1 majit të këtij viti, “Këto nuk janë fabrika janë dhoma të torturës sadiste”.

Ndonëse punëtorët e fabrikës “Yura” ia dolën të bashkohen në sindikatë pak para pandemisë në vitin 2020, si anëtarët e sindikatave të “Solidariteti” në Shqipëri, anëtarësimi në sindikatë duket se vendos vetëm një shënjestër në kurrizin e përfaqësuesve më të zëshëm. Pasi Predrag Stojanović, organizator sindikal nga Leskovac, foli haptazi nëpër medie për problemet e fabrikës, atij iu dha një paralajmërim para shkarkimit, që thoshte se ai kishte “zbuluar sekrete të fabrikës”.

Aktivizmi i sindikatës vazhdon, pavarësisht përgjigjeve të ashpra nga qeveritë dhe kompanitë. Fotograifa: Adi Kebo / K2.0.

Pretendimi u përshkallëzua dhe Stojanovićin dhe kolegun e tij, organizatori sindikal Zoran Marković, “Yura” i çoi në gjykatë. Rasti për momentin është në pritje. “Ata ngritën një padi kundër nesh për shkak të dëmeve, që pretendohet se i janë shkaktuar reputacionit dhe vlerësimit financiar të punëdhënësit si pasojë e faktit që ne folëm hapur në medie. Në fakt, arsyeja kryesore ishte fakti që u bëmë sindikalistë”, tha Marković, i cili theksoi se ekzistojnë shumë raste të ngjashme në të gjithë Serbinë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Metalit të Serbisë së fundmi ngriti një rast kundër “Yura”, duke pretenduar se punëtorëve u mohohet periudha e pushimit ditor dhe javor dhe se ata detyrohen të nënshkruajnë deklarata për të hequr dorë nga ditët e pushimit. 

Željko Veselinović, përfaqësues i Sloga, Aleancës së Sindikatave të Pavarura në Serbi, tha: “Ana sindikaliste e Serbisë është mpirë plotësisht. Sindikatat janë në marrëdhënie të këqija me njëra-tjetrën”. Ai shtoi se situata është e ngjashme në të gjithë rajonin. “Nëse vazhdon kështu”, tha ai, “besoj se ato do të zhduken në të gjithë rajonin sepse qeveritë do të punojnë drejt mbylljes së tyre. Ose nuk do të ketë më sindikata ose do të ketë vetëm sindikata që i nënshtrohen verbërisht qeverisë”.

“Nëse do të punosh, hiq dorë nga sindikata”

Industria e drurit dikur ishte një nga simbolet e Bosnjë e Hercegovinës. Firma e këtij lloji, më e vjetra në vend, “Nova Dipo”, funksionon për më shumë se 180 vjet në një vend të vogël të quajtur Podgradci, pak më poshtë rrugës nga qyteti Gradiška në kufirin verior të vendit. Kompania ishte nën pronësi të shtetit gjatë epokës socialiste dhe u privatizua në vitin 2008. Dukej se gjërat po funksionin më mirë pas privatizimit, por pas disa vitesh punëtorët kujtojnë një periudhë keqtrajtimi dhe përbuzjeje nga menaxhmenti.

Pas një sërë shkarkimesh dhe kërcënimesh, orëve të papaguara jashtë orarit dhe madje edhe ndalimit të përdorimit të tualetit gjatë orarit të punës, disa prej punëtorëve vendosën ta formojnë sindikatën e tyre. Rreth 140 punëtorë u bashkuan që në fillim.

Sipas bashkëthemeluesit të sindikatës, Milovan Tendžerić, menaxhmenti i thërriste anëtarët e sindikatës dhe u thoshte: “Nëse do të punosh, hiq dorë nga sindikata”.

Milovan Tendžerić dhe Mila Šmitran, ish-punëtorë të “Nova Dipo” dhe udhëheqës të sindikatave, u detyruan të largoheshin nga puna. Fotografia: Adi Kebo / K2.0.

Ata po ashtu morën deklarata tashmë të gatshme, në të cilat thjesht duhej të nënshkruanin për të dalë nga sindikata. Pas këtij hapi nga menaxhmenti, në sindikatë mbetën vetëm 40 punëtorë. Përpjekjet e sindikatës për të marrë mbështetje nga sindikata sektoriale e Republika Srpska nuk çuan asgjëkund.

Ndërkohë, disa punëtorë u pushuan nga puna përkohësisht dhe të tjerë u punësuan në vend të tyre. Të paktën një u pushua nga puna gjatë pushimit mjekësor. Udhëheqësia e sindikatës këto veprime i pa si përpjekje për ta thyer sindikatën.

Miloš Šmitran, ish-anëtar i bordit të sindikatës, është një tjetër punëtor që u pushua nga puna. “U pushuam nga puna përkohësisht në mars të vitit 2020 para se të fillonin të na thërrisnin të ktheheshim në punë. Por parakushti ishte largimi nga sindikata. Nuk desha të largohesha nga sindikata, kështu që, në fund, më pushuan”, tha Šmitran.

Ai thotë se drejtori menaxherial vazhdimisht i është shfaqur te dera për t’i thënë se nëse ai largohet nga sindikata, menaxhmenti do ta lejonte të kthehej në punë. Madje, në këmbim të largimit, atij iu ofrua një pozitë më e mirë.

Në vend të kësaj, Šmitran ngriti padi kundër kompanisë për t’i kërkuar dy vjet e tetë muaj pagë, të cilat kompania nuk ia kishte dhënë. Procedurat gjyqësore janë zvarritur prej vitesh dhe janë shtyrë dy herë deri më tani.

Kompania ka deklaruar se aktiviteti sindikal nuk kishte asnjë lidhje me pushimet nga puna.

Tendžerić tha se sindikata në fund ishte në gjendje të bënte pak ndryshime. Sot sindikata “Nova Dipo” ekziston vetëm në letër. Šmitran dhe Tendžerić kujtojnë se si u shpallën rebelë në Podgradci. Sot, Šmitran është i lodhur dhe nuk dëshiron të përpiqet më, ndërsa Tendžerić po përgatitet për përpjekje tjera.

Imazhi i ballinës: Adi Kebo / K2.0.

Programi rajonal QËNDRUESHMËRIA: Aksioni i shoqërisë civile për të riafirmuar lirinë e medias dhe luftën kundër dezinformimit dhe propagandës urryese në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi zbatohet me përkrahjen e Bashkimit Evropian nga organizatat partnere SEENPM, Instituti Shqiptar i Medias, Mediacentar Sarajevë, Kosovo 2.0, Instituti i Medias i Malit të Zi, Instituti Maqedonas për Media, Shkolla e Novi Sadit për Gazetari, Instituti i Paqes dhe Bianet.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përgjegjësia për përmbajtjen e saj i takon vetëm Kosovo 2.0 dhe nuk i pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.

Pse kjo klauzolë?