S`fundmi | Kulturë

#KosovoInUnesco – Hashtag apo vendosmëri reale?

Nga - 23.01.2017

K2.0 organizon diskutim rreth riaplikimit të Kosovës në UNESCO.

Në nëntor 2015, Kosovës iu mohua anëtarësimi në organizatën botërore të arsimit, shkencës dhe kulturës, UNESCO – për vetëm tri vota. Përpjekjet e qeverisë ishin fokusuar në një fushatë të lobimit diplomatik që kishte për synim bindjen e shteteve tjera për ta mbështetur Kosovën, ndërsa qeveria e Serbisë zhvilloi një fushatë të fuqishme kundër anëtarësimit të Kosovës.

Ndonëse pjesa më e madhe e fajit për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në këtë agjenci të OKB-së iu dedikua kundër-lobimit të qeverisë së Serbisë, brenda vendit kjo çështje është shtjelluar shumë pak. A ishte e fuqishme sa duhet kandidatura e Kosovës? Çfarë po bënë qeveria e Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar kulturën, arsimin dhe shkencën? A pasqyron #KosovoInUnesco një vendosshmëri reale të institucioneve për të promovuar vlerat e UNESCO-së, apo është vetëm fasadë për veprimet e dobëta qeveritare në këto fusha?

Këtë vit, Kosova do të ketë edhe një mundësi për t’u anëtarësuar në UNESCO; nëse dështon përsëri, nuk do të ketë mundësi tjetër deri në vitin 2019. Si po planifikon qeveria e Kosovës që të fitojë një ulëse në UNESCO? Çfarë veprime reale e të prekshme po ndërmerren për të fuqizuar kandidaturën e Kosovës për anëtarësim?

Na u bashkoni për një diskutim të hapur e pragmatik në edicionin e ardhshëm të serisë sonë Biseda të Shkurtëra në 18:00 të mërkurën, me 25 janar në ‘dit e ‘nat.

Për ta pasuruar bisedën, do të na bashkohen përfaqësues institucional dhe aktivistë të shoqërisë civile:

– Valon Murtezaj, zëvendës ministër i punëve të jashtme.
– Vjollca Aliu, udhëheqëse e departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
– Sali Shoshi, drejtor i Cultural Heritage Without Borders (Trashëgimia Kulturore pa Kufij)

– Moderator: Hajrulla Çeku, Ec Ma Ndryshe.

Shfrytëzoni mundësinë që të merrni pjesë. #KosovoInUnescoK