Sot, nën tog-fjalëshin “Bashkë dhe krenarë” mbrojtës, aktivistë e aleatë të të drejtave të njeriut mbushën sheshet kryesore të Prishtinës për Paradën e Krenarisë.
E organizuar për të pestën herë, kësaj radhe Kosova iu bashkua shumë shteteve në botë që shënojnë “Muajin e krenarisë” gjatë qershorit përmes festës, protestës e paradave të krenarisë, si akte njohjeje, festimi e rezistence e personave LGBTIQ+ ndër vite. Ditëve të fundit, përbrenda Javës së Krenarisë, në Prishtinë u mbajtën një varg aktivitetesh, duke përfshirë, ndër tjera, diskutime, ekspozita e performanca artistike.
Përtej solidaritetit dhe angazhimit për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave LGBTIQ+, Java e Krenarisë është po ashtu një “test” i rëndësishëm për përkrahjen institucionale. Përpara këtij testi, përfaqësuesit institucionalë vendosen sidomos kur bëhet fjalë për (mos)praninë e tyre në Paradë.
Dhe gjatë pesë viteve të fundit, krerët e liderët institucionalë kryesisht kanë mbështetur Javën e Krenarisë duke bërë thirrje për mbrojtjen dhe respektimin e diversitetit, i cili shpesh edhe është përdorur si term ‘zëvendësues’ për personat LGBTIQ+. Anipse zotime të tilla janë përmendur vetëm gjatë fjalimeve të tyre apo përmes pranisë në Paradë, përkrahja publike nga pozitat udhëheqëse të shtetit, sado sipërfaqësore të jetë, është tejet e nevojshme dhe e rëndësishme. Kjo posaqërisht për kontekstin e Kosovës, marrë parasysh sfidat e shumta me të cilat përballen personat LGBTIQ+ si: dhuna sistemike, dhuna e përsëritur verbale e fizike nga homofobë apo transfobë, mungesa e hapësirave publike të sigurta dhe mikpritëse, mungesa e qasjes në punësim, shëndetësi, strehim, për t’i përmendur vetëm disa.
Por këtë vit, nuk pati as përkrahje sipërfaqësore. Kryeministri Albin Kurti zgjodhi të mos marrë pjesë në asnjë nga aktivitetet e deritanishme të Javës së Krenarisë, përfshirë në marshim sot të Paradës së Krenarisë. Kjo e bën atë udhëheqësin e parë të viteve të fundit që nuk merr pjesë dhe nuk tregon përkrahje hapur dhe të qartë ndaj komunitetiteve LGBTIQ+. Ngashëm, Presidentja Vjosa Osmani zgjodhi që përveç prezencës në hapje të javës, të mos të marshojë përkrah qytetarëve sot.
U desh presion i vazhdueshëm publik i aktivistëve e aktivisteve LGBTIQ+, që në natën e 17 majit, qeveria Kurti më në fund t’i ndezë ngjyrat e ylberit në ndërtesën e saj.
Vendimi i Kurtit është i ngjashëm me atë të vitit të kaluar kur ai ishte bërë kryeministër për herë të parë. Asokohe, më 17 maj në Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë, Qeveria Kurti gjatë tërë ditës hezitoi të ndriçojë ndërtesën e qeverisë me ngjyrat e flamurit LGBT. Një ndriçim i tillë nga qeveria, respektivisht nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër së Zyrës së Kryeministrit, ishte shndërruar në traditë që disa vite me radhë.
U desh presion i vazhdueshëm publik i aktivistëve e aktivisteve LGBTIQ+, që në natën e 17 majit, qeveria më në fund t’i ndezë ngjyrat e ylberit në ndërtesën e saj. Përderisa disa mund të argumentojnë se është ‘më mirë vonë se kurrë’, ky hezitim shërbeu edhe si tregues se përpjekja për të evituar madje edhe një ndriçim të ndërtesës së qeverisë nuk ishte thjesht neglizhencë, por tentim i qëllimshëm për t’iu shmangur deklarimit për mbrojtjen e të drejtave LGBTIQ+. Mbase do të mund t’i iknin kësaj pune, po të mos bëhej zhurmë.
Ndërkohë, e vetmja deklaratë publike e Kurtit ishte në profilin e tij zyrtar në Twitter: “Sonte, Qeveria e #Kosovë është ndriçuar në ngjyra të ylberit. Diskriminimi nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe askush nuk do të gjykohet apo të ketë frikë për sigurinë e tyre për shkak se kush janë”. Drejtuar vetëm në gjuhën angleze, shumë brenda komuniteteteve LGBTIQ+ e panë këtë edhe si përpjekje të radhës për t’iu shmangur komunikimit të drejtpërdrejtë me elektoratin që mund të mos përkrahin deklaratën e tij.
Në fakt, partia në pushtet, Lëvizja Vetevendosje!, kurrë nuk ka dalë në mbrojtje të personave LGBTIQ+ a të Javës së Krenarisë, përfshirë kohën kur nuk ka qenë në pushtet. Ngjashëm me të gjitha subjektet tjera politike, as LVV nuk ka përfshirë ndonjëherë mirëqënien dhe fuqizimin e personave LGBTIQ+ në Kosovë në planprogram qeverisës.
Shpërfilljen ndaj të drejtave LGBTIQ+, LVV e pati treguar edhe gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2019, gjatë së cilës pothuajse asnjëherë nuk diskutuan për realitetet e personave LGBTIQ+ dhe për angazhimin e tyre për përmirësimin e drejtave të këtyre komuniteteve të shtypura.
Përgjigjet e kandidatit të atëhershëm për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, kur u pyet për komunitetin LGBTI+, në diskutimin “Fol Hapur” të organizuar nga Lëvizja Fol, ishin tëpër sipërfaqësore, të përgjithshme e abstrakte për të adresuar një problem kaq të pranishëm e konkret. Ai iu shmang elaborimit të çfarëdo pozicioni apo programi specifik në këtë drejtim, aq shumë sa po të mos e kishte dëgjuar dikush pyetjen, me shumë gjasë nuk do e dinte se për çka po fliste kandidati për kryeministër.
100 ditët që po i lëmë pas nuk duken shpresdhënëse kur është fjala për ndonjë ndryshim. Heshtja dhe shpërfillja për të drejtat LGBTIQ+ po vazhdojnë.
“Në çdo shoqëri ekzistojnë edhe pakicat të tjera të cilat nuk janë pakica kombëtare sepse tek ne kur thuhet pakica, mendohet vetëm pakicat kombëtare. Nuk janë pakicat identitare vetëm pakica kombëtare. Unë jam avokues i të drejtave njerëzore, të Kartës së OKB për të Drejtat e Njeriut dhe Kartës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Jam që njerëzit të trajtohen të barabartë nga shteti dhe shteti të kujdeset për ta. Sa i përket çështjeve të tjera i kemi ligjet dhe kushtetutës. Sa i përket këtij aspekti Kushtetutën e kemi mjaft liberale, por varet edhe prej legjislacionit e organeve kompetente të cilat e interpretojnë atë”, kishte thënë Kurti në diskutim.
Në një luftë kundër shtypjes e diskriminimit, angazhimi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut duhet të ngërthejë shumë më shumë se sa vetëm anën ligjore, veçanërisht për të drejtat LGBTIQ+.
Përderisa herën e parë si kryeministër, Kurti ishte në krye të qeverisë për vetëm 50 ditë, kësaj here, 100 ditët që po i lëmë pas nuk duken shpresdhënëse kur është fjala për ndonjë ndryshim. Heshtja dhe shpërfillja për të drejtat LGBTIQ+ po vazhdojnë.
Në hapje të Muajit të Krenarisë, kryeministri Kurti, mori pjesë në një videokampanjë të përgatitur nga organizata CEL, Qendra për Barazi dhe Liri, ku individë prominentë nga politika e shoqëria civile dhanë mesazhe të ndryshme rreth të drejtave LGBTIQ+.
Ajo që e dalloi kryeministrin Kurti nga të tjerët ishte sërish rezistenca e tij ndaj përmendjes së akronimit LGBTIQ+ të paktën, e lëre më personave lezbike, gej, biseksualë, transgjinorë, interseks, apo queer. Njëlloj si në intervistën e Lëvizjes FOL, ai sërish ishte i përgjitshëm e abstrakt.
Një qeveri e votuar nga më shumë së gjysma e popullsisë nën premtimet për drejtësi dhe barazi si duket po zgjedh që ta mbyllë njërin sy ndaj shtypjes së personave LGBTIQ+, të cilët janë qytetarë që duhet të kenë të njëjtën qasje në drejtësinë dhe barazinë e premtuar.
Është shumë e rëndësishme të kuptohet që pozicioni i kryeministrit Kurti, është më shumë se sa thjesht çështje pikëpamjesh të tij apo subjektit të tij politik. Pozicioni i kryeministit të shtetit është pozicion për t’u shërbyer të githë qytetarëve të vendit. Po ashtu, duhet të kuptohet se të drejtat LGBTIQ+ nuk janë çështje e fitimit a humbjes së votuesve e as çështje e parimeve a mendimeve individuale të dikujt. Të drejtat LGBTIQ+ janë të drejta të njeriut dhe si të tilla duhet mbrojtur e promovuar.
Prania në paradë do të ishte më e pakta që kryeministri Kurti do të mund ta bënte.
Andaj, qeveria dhe institucionet përkatëse duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe atë, fuqishëm në krijimin dhe implementimin e planeve dhe strategjive konkrete në luftimin e shtypjes dhe diskriminimit ndaj personave LGBTIQ+ si dhe në hartimin e programeve specifike e gjithëpërfshirëse për fuqizimin e tyre. Pra, rrjedhimisht, krijimi i mundësive më të lehta të punësimit, shërbimet shëndetësore për tranzicionin e personave transgjinorë, mbikqyrjen e hapësirave publike, përfshirja e komunitetit LGBTIQ+ si temë diskutimi në kurrikulat e shkollave, informimi i popullatës së përgjithshme përmes aktiviteteve të ndryshme nga ministritë dhe komunat janë vetëm disa prej shumë gjërave që qeveria dhe institucionet relevante mund t’i inicojnë për përmirësimin e situatës së personave LGBTIQ+.
Mbase, qeveria si fillim duhet t’i dëgjojë personat LGBTIQ+. Angazhimi i mirëfilltë nuk arrihet nëse institucionet dhe qeveria në fjalë hezitojnë t’i njohin personat LGBTI+ si qytetarë të barabartë të kësaj shoqërie.
Prania në paradë do të ishte më e pakta që kryeministri Kurti do të mund ta bënte. Sot, ai zgjodhi të mos japë as minimumin.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0