Të premten më 18 tetor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës u dha premiera e shfaqjes “Kthimi i Karl Majit: shfaqje argëtuese për popullin gjerman”. Shfaqja është aq ngacmuese sa edhe vetë titulli, duke prekur një temë të ndjeshme teksa demonizon qasjen e Evropës Perëndimore ndaj Ballkanit.
Me regji të Blerta Nezirajt dhe e shkruar nga dramaturgu i mirënjohur dhe i shpërblyer kosovar Jeton Neziraj (bashkëshorti i Blertës), shfaqja përdor sarkazëm të mprehtë dhe situata komike e absurde për të zbërthyer kompleksin e superioritetit të Evropës, përmes ngjalljes së fantazive të autorit gjerman Karl Maj për shqiptarët dhe diskursit sulmues ndaj “të huajve muslimanë”, që është i pranishëm në Evropën e sotme.
Pothuajse 100 vjet pas vdekjes së tij, Karl Maji është ende një nga autorët më të lexuar gjermanë të të gjitha kohëve. Ai ka shkruar mbi 300 novela vepra proze aventuriste që ngërthejnë gjithçka nga rrëfimet për perëndimin amerikan te ndeshtrashat ballkanike. Maji, i cili vinte nga një familje e varfër dhe kishte arritur suksesin i vetëm, nuk udhëtoi kurrë në shumë prej vendeve për të cilat shkroi, përfshirë Ballkanin. Edhe sot, ai lexohet masivisht në Gjermani dhe konsiderohet thesar kombëtar.
Ngritësi i perdeve
“Vendi i juaj nuk mund të gjendet as në hartat e Google-it. Ju jeni një vend me telashe, me konflike të pazgjidhura dhe ne nuk duam t’i sjellim ato në skenën e teatrit tonë … skena jonë është e rezervuar për vendet e civilizuara me një traditë teatrore mbi 500 vjeçare …”, jehojnë fjalët cinike të drejtorit artistik të Berlin Volksbühne-s, Klaus von Dörr, përmes një videoje të projektuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës; me këto fjalë të sajuara nga ekipi artistik hapet loja ndërmjet fiktives dhe realitetit.
Për vizitën e tyre në Berlin, von Dörr ftoi të gjashtë aktorët dhe dramaturgun Jeton Nezirajn, të perfomonin në një skenë anësore të teatrit. Publiku gjerman nuk do të ishte i interesuar të dëgjonte fjalë kritike për shkrimtarin më të adhuruar gjerman Karl Maj.

“Karl Maji” satirizon ashpër me perceptimet e evropianëve perëndimorë për të ashtuquajturit “lindorët muslimanë”. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Maji portretizoi shqiptarët si barbarë të egër e të pacivilizuar. Duke përligjur përshkrimet e tij raciste si “fiktive”, von Dörr pretendon se ato krijojnë një lojë me temat e mirëfillta vendore të bazuara në folklorin e pasur, vallet me shpata, gjakmarrjen, pritën vrastare dhe virgjëreshat e përbetuara.
Ajo çfarë mund të duket një faux pas publik, e shikuar në kontekst është vendim stilistik i ndërfutur mirë nga Neziraj. Përgjatë shfaqjes, Neziraj zgjeron zonën e hirtë ndërmjet kritikës politike dhe cinizmit argëtues përmes një sërë skenash të detajizuara dhe risjelljes në skenë të vetë procesit krijues. “Në realitet, bashkëpunimi me Volksbühne-n ishte i dobishëm dhe von Dörr ishte entuziast për të prekur thelbin e përshkrimit [të shqiptarëve] që bën Karl Maji”, thotë Neziraj me satirë dhe humor shpotitës. Këto projeksione të përbashkëta të Lindjes dhe Perëndimit si dhe injoranca e njërës palë ndaj tjetrës negociohen deri në shkajshmëri, por megjithatë mbesin të bazuara në përmbajtjen e realitetit.
“Kthimi i Karl Majit” prezantohet si shfaqje brenda një shfaqjeje. Në shfaqjen dytësore, Kara Ben Nemsi, protagonisti i librit të Karl Majit “Përmes Tokës së Shqiptarëve”, largohet nga Lindja me një grup aktorësh, për në tokat gjermane. Në udhëtimin e tyre epik, ata hasin figura kundërthënëse, si Peter Handke, Slavoj Žižek dhe grupin gjerman terrorist të së djathtës “Ilegalja Nacional-Socialiste”, për të përfunduar duke performuar në skenën anësore të Volksbühne-s.
Risjellja e ‘Kara Ben Nemsit’ dhe dërgimi i tij në vendin e vet të “origjinës” është një veprim subversiv për të ngritur vetëdijen rreth përshkrimit problematik të shqiptarëve në letërsinë e Majit, të zhytur në racizëm dhe paragjykim.

Shfaqja është bashkëpunim ndërmjet teatrit Volksbühne në Berlin dhe Teatrit Kombëtar të Kosovës e Qendrës Multimedia. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Neziraj, i cili edhe më herët është marrë me trashëgiminë e punës së Majit, teksa punonte me Volksbühne-n, e ndjeu të nevojshme të trajtonte thelbin e veprave të tij. Kjo edhe për faktin se ai sheh një vazhdimësi të përshkrimeve të tij në formë të normave shoqërore përmes së cilave gjermanët i perceptojnë shqiptarët dhe njerëzit nga Ballkani në përgjithësi. “Jam i habitur me obsesionin e gjermanëve me Karl Majin dhe besoj se shoqëria gjermane nuk është liruar nga paragjykimet që Karl Maji dhe të tjerët kanë krijuar me letërsinë e tyre ndaj shqiptarëve”, thotë Neziraj.
Librat e Karl Majit janë shkruar në kohën e perandorive, kur gjermanët e konsideronin veten superiorë ndaj atyre që ishin lënë jashtë “Evropës” — Lindja e pazhvilluar dhe muslimanët e pacivilizuar, apo si në këtë rast, arnautët barbarë.
Popullariteti i vazhdueshëm i Majit në mesin e gjermanëve e bënë Nezirajn të besojë se fantazitë e Majit për shqiptarët janë kthyer në normë shoqërore në Gjermani e gjetiu. Një normë shoqërore të cilën ai synon ta çmontojë.
Ndërthurja komplekse e inferioritetit kulturor paraqitet në skenë përmes takimeve me patrullat kufitare evropiane, zyrtarë të ambasadës gjermane, dhe policinë austriake të cilët e justifikojnë politikën e tyre të kufijve të mbyllur me argumente të cilat i ngjasojnë projeksioneve të 100 viteve më parë të Majit.
Injoranca kulturore
Neziraj e sheh injorancën si shkakun qenësor për këtë gjë, andaj beson se projektet për “pasësinë” (pasojat e ngjarjeve të caktuara) — ideja e një përvoje teatrore përtej postmodernizmit — janë vendimtare për të sfiduar stereotipet dhe për t’i shikuar të huajt e shqiptarët në Evropën Perindimore përtej perceptimeve të zakonshme.
E realizuar si një homazh subverziv për superioritetin e pretenduar racor, kulturor por edhe intelektuar të Perëndimit kundrejt Juglindjes në përgjithësi, shfaqja përmban porosira të tërthorta.
Neziraj përdorë zhanrin e “periudhës pas” tanimë të popullarizuar në teatrot evropiane dhe flet për të duke përdorur me shkathtësi (vetë-)përqeshjen: “Shfaqja jonë do të jetë diku ndërmjet “teatrit pas-migrimit” dhe “realizmit kapitalist”, apo ndoshta mund të definohet më shumë si “teatër i pas-së-vërtetës” … diçka e tillë, edhe pse nuk jam plotësisht i sigurt… Sidoqoftë, mund të jeni të sigurt se po bëjmë diçka shumë të rëndësishme.

Për shkak të pandemisë shfaqja nuk është dhënë ende në Perëndim, por dramaturgu Jeton Neziraj shpreson se kjo gjë do të ndodhë së shpejti, varësisht nga pandemia. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Në të vërtetë, disa teatro në Evropë kanë shtuar vëmendjen e tyre të drejtpërdrejtë ndaj ballafaqimit kritik me trashëgiminë imperialiste. Në rastin më të mirë, kjo paraqet një kundërvënie ndaj ideologjisë populliste të pranishme sot, që kultivohet nga të djathtët pa pasur mbrojte brenda parlamentit, shtëpive të mëdha botuese, dhe teatrove.
“Karl Maji” u krijua nga një interesim i përbashkët i botës së teatrit transnacional për të shtruar pyetje morale për këtë trashëgimi imperialiste.
Prodhimi i shfaqjes filloi në vitin 2019, në kuadër të programit “Pas perëndimit” (Postwest) të inicuar nga Volksbühne, pjesë e të cilit ishin Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Multimedia.
I menduar si festival transkulturor dhe i kuruar nga Alina Aleshenko, Volksbühne ftoi gjashtë kompani teatrore nga rajoni i Evropës Jugore për të bashkëpunuar dhe krijuar shfaqje në Berlin, që përmbysin vështrimin që “Perëndimi” drejton kundrejt asaj që konsiderohet “Lindja”. Për shkak të pandemisë, programi është transmetuar vetëm në mënyrë digjitale. Në qershor, trupa kosovare prezantoi një kolazh skenash në platformën online të Postwest-it.
Përmbysja e Vështrimit
Shfaqja na dërgon në një udhëtim aventuresk drejt “tokës evropiane” dhe siç shpjegohet nga fjalët e Slavoj Žižek-ut, në fshatrat idilike të Lublanës, ku lumi Sava shënon kufirin zyrtar në mes Ballkanit dhe Mitteleuropa-s, “Evropës së vërtetë”.
“Edhe pse të dy anët duken të njëjta, keni kujdes … në njërën anë, tmerri, despotizmi oriental, gratë rrahen, dhunohen dhe e pëlqejnë këtë … në anën evropiane, civilizimi, gratë gjithashtu rrahen dhe dhunohen por nuk e pëlqejnë këtë”, thotë personazhi i Žižek-ut në shfaqje.
Sa më afër kufirit të BE-së të jenë, aq më shumë përballen me paranojë të dhunshme. Teksa i afrohen Kroacisë, grupi dëbohet me fjalët “Romët dhe bretkosat këshillohen të përdorin mjete të tjera transporti, si karvan, notin apo vrapimin”.
Grupi i ngjan një karvani argëtues që udhëton përmes tokave armiqësore. Sa më afër të jenë, aq më shumë morbiditeti i errët zëvendësohet me sarkazëm gazmor. Te kufiri i Austrisë, Ardian Morina i cili e luan rolin e një polici të çoroditur i fishkëllon duke e ngazmuar seksualisht Arta Muçajn — e cila e luan rolin e një refugjateje — e duke i pështyrë në fytyrë, “Ndal muslimane e fëlliqur, ndal ose do të qëlloj”. Morina pothuajse përfshihet i tëri në rol, Muçaj e luan personazhin e saj plot tmerr, derisa një aktor tjetër e ndërpret skenën në momentin e duhur.
Ndërprerjet ndodhin shpesh në skenë dhe janë pjesë integrale e shfaqjes që përdorë rikonstuktimin e procesit të provave si vijë kryesore të rrëfimit. Skenat ndërpriten nga improvizime dhe diskutime të shpeshta rreth asaj se si të realizohet ngjarja “ashtu siç duhet”. Shfaqja brenda shfaqjes ndihmon në strukturimin e pjesës më të madhe të komenteve shoqërore që lëvizin ndërmjet kohës dhe vendit.