Blogbox | COVID-19

Ku e kanë shtëpinë ata që nuk kanë shtëpi?

Nga - 24.04.2020

Të qëndrosh brenda mureve me dhunë e shtypje.

E pashë diku një thënie që po qarkullonte si tentativë për ta zbutur ndjenjën e të qenit të izoluar për shkak të pandemisë: “Nuk jeni të ngujuar në shtëpi, jeni të sigurt në shtëpi”. Normalisht që për dikë kjo është e vërtetë dhe mirë që është ashtu. Sidoqoftë, koncepti i shtëpisë si strehë e rehatshme dhe e sigurt duhet sfiduar derisa ajo thënie të bëhet e vërtetë për të gjithë.

Duke e trajtuar shtëpinë si hapësirë të sigurt — sidomos kur ky konceptualizim i shtëpisë sendërtohet në ligje e vendime — shpërfillen të varfërit, gratë, personat LGBTQI+, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas e shumë individë e grupe të tjera, të cilat edhe nëse nuk kanë qenë të margjinalizuar, margjinalizohen nga kjo situatë.

Mbase shqetësimi më i rëndësishëm nuk është te thirrjet që të qëndrojmë në shtëpi, por te shtëpitë në të cilat na gjejnë këto thirrje. Kur dikush thërret “Rri në shtëpi, shpëto jetë”, secili do të duhej të ngarkohej me përgjegjësi morale e jo me barrë morale. 

Kur në shtëpi bëhej luftë e paqja ishte jashtë, e tani kur lufta është në shtëpi e jashtë — ku qëndron njeriu? Ku e ka shtëpinë?

Lëre më që për grupet që i përmenda, mbase shpeshherë të dalurit nga shtëpia ka qenë veprimi i vetëm që u ka dhënë pak siguri.

Shtëpia është ajo që ne e bëjmë

Më së shumti pata menduar për shtëpinë si koncept kur isha larg saj. Pra, kur gjendesha në godinë, të cilën pothuajse me përdhunë doja ta bëja shtëpi, por ama shtëpi me të njëjtat karakteristika me të cilat isha mësuar në shtëpinë e parë, atë që është tamam shtëpi. Më pas, shumë më shumë kam menduar për shtëpinë, sidomos kur bëhet fjalë për rehatinë, normën dhe më tutje, mbase edhe të pajtuarit pothuajse verbërisht me atë që është në shtëpi. 

Normalisht, përdorimi i shumtë i fjalës shtëpi si diçka që synohet, si diçka abstrakte që shkon përtej godinës dhe është ndjenjë, përjetim, qëllim, më kanë bërë të mendoj se ku e kam shtëpinë dhe nëse dëshiroj të riprodhoj shtëpi të reja.

Nuk e di nëse është përdorur më shumë ndonjë shprehje se sa “Toka është shtëpia jonë e vetme, ta ruajmë atë”, ose “Shtëpi, e ëmbla shtëpi”, ose “Nuk ka si në shtëpi”. Me të këtilla shprehje patjetër që koncepti i shtëpisë bëhet disi i shenjtë, aq i shenjtë sa në synimin tonë për shtëpi mbase e injorojmë në plotni mënyrën se si ajo shtëpi funksionon. 

Por, a duhet të krijojmë rehati kaq të madhe në shtëpitë tona? A duhet ta tejkalojmë të përjetuarit e shtëpisë si ndërtesë a pronë ku ne veshim çfarë duam dhe rrijmë si të duam dhe të fillojmë ta shohim shtëpinë si ndjenjim që të gjithë duhet ta kenë? 

Është e tmerrshme kur dhuna është shtëpia e dikujt e kur kjo dhunë nuk shihet nga të tjerët.

Kur shtëpia shndërrohet në hapësirë të normalitetit, mbase muret e asaj shtëpie nuk na lënë të shohim shtëpitë tjera — apo mungesën e tyre —  ndërsa rehatia e asaj shtëpie na përmbyllë brenda privates dhe na distancon prej qasjes në oborr, në lagje e përtej saj. 

Këtu, më mirë flet Dostojevksi në librin e tij “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, në të cilin një i burgosur tmerrohet nga fakti që dikur mund të ndiejë mall për burgun e tij. Është shumë e rëndë ta mendosh që burgu bëhet shtëpi, por jo më kot vetë Dostojevksi diku në rreshta thotë që shprehia më e mirë dhe më e keqe e njeriut është adaptueshmëria. Pra, është e tmerrshme të adaptohesh në një burg. Është e tmerrshme të të duhet të adaptohesh në dhunë. Dhe është e tmerrshme kur dhuna është shtëpia e dikujt e kur kjo dhunë nuk shihet nga të tjerët.

A na takon shtëpia të gjithëve?

E mbi të gjitha, a na takon të gjithëve të kërkojmë e synojmë shtëpi?

Kur Allison Weir flet për përbashkimin e grave në botë, thotë: “Mund ta kombinojmë një njohje të konflikteve dhe vuajtjeve që na lidhin, me një vizion utopik për të ardhmen dhe një shtëpi që të gjitha/ë mund ta ndajmë së bashku”. 

Këtu kërkimi për shtëpi lidhet me utopinë e rrjedhimisht bëhet kërkim i vazhdueshëm — jo rehati, normalitet a përjashtim. Lidhet me njohjen e konflikteve e luftërave brenda shtëpive të ndryshme e me vullnetin që me këtë njohje të kërkohet e përbashkëta. E mbase më së shumti lidhet me dijen që ka njerëz pa shtëpi në kuptimin figurativ (shtëpia si përjetim) dhe të drejtpërdrejtë të fjalës (shtëpia si objekt).

Në 25 vjetët e jetës sime, konceptin e shtëpisë — në të dy kuptimet — e kam ndier fuqishëm dy herë: gjatë luftës në ‘99 dhe tani në ‘20. Mbase për shkak që në të dyja rastet kërkimi për të u bë shumë më domethënës — më agresiv, nëse mund ta quaj ashtu. 

Rrethanat ishin krejt ndryshe në ‘99, e unë isha në një moshë kur shtëpinë mund ta bëja gjithkund, sepse një 4-vjeçare edhe falet kur shtëpinë e bën në mal, në traktor, në kamp refugjatësh — në ikje. Por, në këtë kohë nuk mund ta bëjmë shtëpinë në ikje. Jo më!

Kthehemi te thirrja: “Rrini në shtëpi!”

Por, ku e ka shtëpinë një grua që dhunohet?

Në shtëpi gratë janë të ngujuara, por jo domosdoshmërisht të sigurta. Të qenët e mbyllur të shpëton nga Covid-19, pra njëra punë u krye me sukses. Por, nuk duhet të harrojmë që ky virus nuk ka sjellë një gjendje të re, ose thënë më mirë nuk e ka ndërprerë gjendjen e vjetër — atë të dhunës së vazhdueshme ndaj grave. 

Teksa të gjithë jemi në shtëpi e përballja me këtë realitet padyshim që ka zaptuar një pjesë të madhe të mënyrës se si e jetojmë çdo ditë, nuk mund të harrojmë që asnjë prej problemeve të botës nuk është ndërprerë që bota të merret me virus. 

Po të ishim marrë më seriozisht me dhunën sistematike ndaj grave, e po ta kishim trajtuar me po aq mobilizim sa po e trajtojmë virusin, me siguri që tani do të mund të ishim marrë me virusin në mënyrë më gjithëpërfshirëse. Por, tani që qëndrojmë në shtëpi, le të mendojë bota pak për vrasjet dhe dhunimet e grave — përse nuk u bënë ndonjëherë çështje akute? 

Të mendojmë që shumë prej nesh në shtëpi qëndrojmë jo vetëm me dhimbjen e humbjes së dikujt pikërisht nga femicidi, por edhe me frikën se kush do të jetë viktima e radhës. Pra, virusi është veçse frikë e re.  

Problemet e grave janë shtuar dhe do të vazhdojnë edhe kur të “çlirohemi nga shtëpitë”. Tash për tash, me pandeminë që pret në prag të derës, një grua punon dyfish më shumë se ç’ka punuar përpara izolimit. 

Por, mos të habitemi — nuk ka ndryshuar izolimi i grave. Shumë gra nuk kanë pasur nga t’ia mbajnë dhe të mbyllura kanë qenë. Ka ndryshuar vetëm koha e detyruar e burrave për të qëndruar në shtëpi dhe e fëmijëve po ashtu, me mbylljen e shkollave dhe hapësirave tjera të shoqërizimit.

Tani, gratë kanë në shtëpi më shumë gojë që kërkojnë të hanë prej tyre vazhdimisht. Çdo minutë. Ndërsa përpara kësaj gjendjeje, gratë mbase e kanë pasur ndonjë minutë për veten —  për të parë televizor, lexuar një libër apo kushedi, për të bërë diçka modeste në rrethana të cilat asnjëherë nuk e kanë pasur atë grua në qendër. Po them modeste, anipse kjo mund të jetë fjalë e madhe kur dikush ka mundësi të bëjë diçka për veten pas kaq shumë përpjekjesh.

Të ngujuara me dhunuesit e tyre, shumë gra tani janë në tytë të dhunës çdo minutë. Në marrëdhënie ku dhuna është paradigmë, mënyrë e të jetuarit — shtëpi, shpeshherë koha e vetme kur dhuna nuk ndodh është kur partnerët janë fizikisht larg. E tani, kjo është e mundur vetëm për 90 minuta. 

Dhuna nuk rikthehet në çështje private tani që jemi të mbyllur, sepse nuk ka qenë asnjëherë çështje publike.

Në këtë kohë izolimi viktimave të dhunës u lejohet të dalin nga shtëpia në çdo kohë, por kur shumë prej tyre s’patën ku të shkojnë përpara virusit, çfarë na bën të mendojmë që ato kanë nga të shkojnë tani kur çdo gjë është edhe më e mjegullt? Kur organet e sigurisë nuk i mbrojtën deri tash, si t’u themi që sërish t’u drejtohen të njëjtave? 

Edhe një herë: virusi nuk është ndërprerje e gjendjes së djeshme, në rastin më të mirë është veç mëlmesë e shtuar. 

Kështu, dhuna rrezikon të përforcohet si “çështje private” dhe pikërisht tani, kanalet përmes së cilave kjo dhunë bëhet zë i lartë dhe e prishë qetësinë nëpër rrugë janë më vitale sesa çdo gjë tjetër. Kur dhuna rrezikon të mbetet brenda dhomave të ndejës e kuzhinave të shtëpive tona të vogla, atëherë shtëpia bëhet strehë vetëm e dhunës. 

Kur dhuna mbetet në domenin privat sepse kufizohen udhët përmes së cilave mund të bëhet publike, dhunuesve vetëm se u zgjatet liria e të vepruarit dhunshëm. Pra, nuk rikthehet në çështje private tani që jemi të mbyllur, sepse nuk ka qenë asnjëherë çështje publike.

Ku e kanë shtëpinë personat LGBTQI+?

Personat LGBTQI+, sidomos ata e ato që nuk janë out te familjarët e tyre, në shtëpi detyrohen që në mënyrë konstante të shpërfaqin një identitet tjetër, normalisht nga frika që ekspozimi sado  i vogël mund t’u kushtojë me jetë në rastin më të keq, e me përbuzje në rastin “më të mirë”.

Imagjino se ç’do të thotë të jesh i detyruar t’u thuash mirëmëngjes njerëzve që nuk ta pranojnë qenien.

Por virusi nuk i solli homofobinë e transfobinë, vetëm iu dha truall – shtëpinë. Ndonëse personat LGBTQI+ janë të përjashtuar thuajse gjithkund, mbase dikund mund t’i iknin këtij përjashtimi. Nuk po them që kjo ikje ishte gjendje e mirë, por ishte diçka ama. Hapësirat e vogla të shoqërimit ku këta persona mund të jenë lirshëm vetja — që nuk ishin të shumta edhe përpara virusit COVID-19 — tashmë janë shumë të kufizuara.

Pra, nuk po flas për ndryshimin e shtëpisë, sepse ajo nuk  u bë më pak diskriminuese përgjatë kësaj kohe. Tani vetëm u rrit koha e ekspozimit ndaj shtëpisë së dhunshme. 

Pra, nëse dikur personat LGBTQI+ kanë mundur “të izolohen” në hapësira ku janë pranuar, tani u duhet të izolohen në hapësira ku nuk pranohen. Dhe atë gjithsej 24 orë minus 90 minuta. Në shtëpi — sidomos me mënyrën se si funksionojmë ne si familje —  privatësia është ende koncept i pakuptuar dhe vullneti për ta kuptuar atë është po aq i vogël. 

Dhe, nuk e di sa duhet folur për privatësi këtu. Kemi të bëjmë thjeshtë me të drejtën fundamentale që një njeri të jetë — e kur shtëpia nuk ta lejon këtë, atëherë shtëpitë i ndërtojmë diku tjetër ku pranohemi nga të tjerët.

Pra, shtëpia duhet të na pranojë dhe nuk duhet të kemi shtëpi tjetër kurrë përveç asaj që na pranon. Kështu, dalja nga shtëpia është çlirim e qëndrimi në të është ikje e obliguar prej vetvetes. 

Tani, përse virusi i gjeti personat LGBTQI+ në të këtilla shtëpi, kjo është pyetje që nuk u lind tani dhe nuk vdes pas virusit. 

Ku e kanë shtëpinë të varfërit?

Jo shumë kohë më parë një familje u nxor nga shtëpia dhe me mobilie në rrugë i duhej të kërkonte një shtëpi tjetër. Kur dikush përzihet nga shtëpia në mes të pandemisë, mund ta marrim me mend se ai person nuk është varfëruar nga kjo krizë dhe vështirë se do të pasurohet pas saj. 

Kur vetë akti i përzënies është i mundur — pra kur ka të përzënë dhe përzurës, personi i përzënë nuk ka qenë në shtëpi.

Nuk besoj të ketë gjë më të rëndë sesa të jesh në një shtëpi ku gërryejnë zorrët dhe të mos kesh kah t'ia mbash.

Një person që ka punuar pa kontratë pune gjithë jetën nuk u bë i varfër tani. Një person që nuk ka para për ta paguar qiranë ka qenë i varfër gjithnjë. Një person që ka jetuar me frikën nga trokitja në derë e qiradhënësit është i varfër dhe i shtypur. 

Përse na gjeti virusi kështu? Teksa të varfërit varfërohen tutje, shtypja nuk ndërprehet. Frigoriferi i tyre mbetet i zbrazët, ndërsa zbrazet edhe shpresa që të dilet nga shtëpia për të kërkuar punë. 

Pra, mbase ky është ndryshimi i vetëm me gjendjen e ardhur nga virusi. Familjarët e tyre mbesin të sëmurë, por tani sëmundja mbetet brenda katër mureve. Dhe nuk besoj të ketë gjë më të rëndë sesa të jesh në një shtëpi ku gërryejnë zorrët e gjëmon sëmundja dhe të mos kesh kah t’ia mbash. 

Kur jeta e sotme mbyllet mes vargjeve të shkruara nga Migjeni para gati një shekulli: 

“Mjerimi punon dit e natë
tu’ i vlue djersa në gjoks edhe në ballë,
tue u zhigatun deri në gjujë në baltë
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë”,  jashtë jeta mbështetet në fije shprese, e brenda është vuajtja. E shpresa prapë vetëm shpresë është e jo domosdo realizohet.

Ku e kanë shtëpinë të moshuarit?

Ta dijmë, po flasim për të moshuar në vendin tonë. Nuk është njëlloj si të jesh i moshuar në…le të themi Norvegji, ku duhet të jetë më e lehtë të të kërkohet të qëndrosh në shtëpi sepse qëndrimi në shtëpi nuk do të thotë qëndrim në harresë. Në Kosovë, të moshuarit rrezikojnë të mbesin “larg syve, larg zemrës”.

Personat e moshuar, sidomos ata pa përkujdesje, në rastin më të mirë kanë tri barra shtesë gjatë kohës së izolimit: pamundësinë për të dalë për shkak të rrezikut të lartë nga pandemia, për t’u pajisur me produkte bazike, dhe për t’u kujdesur për veten — duke paragjykuar që shumë prej tyre kanë sëmundje me të cilat veç kanë qenë duke u sfiduar para COVID-19. 

Pyetjet vazhdojnë — ku e kanë sot shtëpinë ata që nuk kanë pasur shtëpi ndonjëherë? Është vështirë ta gjesh përgjigjen. Sidomos kur teksa pluskojmë në rehatinë e shtëpive tona, nuk mbërrijmë as t’i japim zë kësaj pyetjeje.

Shtëpia nganjëherë është vetëm godinë. Nganjëherë është kërkim, ide e paprekur. Nganjëherë strehë e sigurt. E nganjëherë, fatkeqësisht, strehë e dhunës dhe shtypjes.

Nëse për ty shtëpia është strehë e sigurt, mos dil, respektoji rregullat — që ata e ato që sot janë të ngujuar në shtëpi, të dalin më shpejt. Që dhuna të mos mbetet çështje private! Mos harro, shtëpia e sigurt është privilegj.

Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.