Mentorimi | LGBTQ+

Shumë persona LGBTI në Kosovë privohen nga shërbimet psikologjike

Nga - 30.12.2019

Komuniteti LGBTI përballet me vështirësi për të pranuar shërbime të shëndetit mendor.

Një i ri bjond mbante në shpinë një çantë me flamurin shqiptar të stampuar në të, e nëpër trup kishte tatuazhe ku dominonin shkrime në gjuhën arabe. “Unë jam gej, jam njeri fetar dhe shkoj në xhami ”, thoshte ai, “dhe e shoh shumë të rëndësishme mbështetjen e kësaj parade”. 

Mikael Sinan Amir ishte mysafiri mysliman nga Danimarka që në bluzë mbante mbishkrimin “Kosova”, ndërkohë që shprehte gatishmërinë për “të përkrahur popujt e Ballkanit në rrugën e tyre drejt emancipimit”. Ardhja e tij në paradën e krenarisë në Prishtinë— duke bartur mbi supe një shumësi identitetesh — është ftesë për ta rimenduar konceptin e lirisë e të identitetit dhe për t’i rivlerësuar skemat mendore me të cilat i qasemi botës rreth nesh. 

“Për kon t’rreh zemra” ishte motoja e Javës së Krenarisë, e cila u përmbyll me paradën e mbajtur më 10 tetor në sheshin e kryeqytetit kosovar. Atë mesditë atmosfera kumbonte dhe sheshit i jepnin gjallëri të gjitha ngjyrat e ylberit të shfaqura nëpër veshje, balona e flamuj. 

Përveç festimit të diversitetit, organizimi po ashtu kishte për qëllim të adresojë një sërë çështjesh që ndërlidhen me garantimin e të drejtave të personave të komunitetit LGBTI. Pra, parada ishte njëkohësisht protestë kundër diskriminimit, apel për pranimin e vetes, festim i diversitetit, dhe shfaqje e pakënaqësisë.

Blert Morina, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Liri dhe Barazi — CEL,  thotë se në paradën e krenarisë shfaqet vetëm një anë e medaljes. “Vetëm për paradë dalin një ose dy politikanë që adresojnë çështje për personat LGBTI e pastaj gjatë tërë vitit nuk flitet më për këtë temë e CEL-i vazhdon të dërgojë persona nëpër strehimore të Shqipërisë, sepse të tilla nuk ekzistojnë në Kosovë”, thotë ai.

Blerti është po ashtu i pari person transgjinor në Kosovë që ka bërë kërkesë — tashmë të kthyer në betejë ligjore — për ndryshimin e emrit dhe gjinisë në dokumentet e identifikimit. 

“Pastaj është fakti se personat transgjinorë enden nëpër gjykata për të marrë një të drejtë elementare… realiteti i statusit të personave të komunitetit përbëhet nga episode të tilla”, vazhdon ai. 

Në një shoqëri ideale, të drejtat e garantuara me ligj do t’i reflektonin vlerat mbi të cilat rregullohen marrëdhëniet ndërnjerëzore. Kosova duket se është larg këtij ideali, meqë ekziston një mospërputhje midis mendësisë konservatore dhe ligjeve kryesisht liberale të vendit. Moszbatimi i ligjit mbetet problemi kryesor i Kosovës, i cili trumbetohet në të katër anët. Siç ndodh rëndom, “adetet” po tregohen më kokëforta.

Parada e krenarisë më 10 tetor 2019 në Prishtinë. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Korniza ligjore vs Mentaliteti

Pavarësisht se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në krijimin e një kornize ligjore që parasheh mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, personat LGBTI vazhdojnë të përballen me forma të ndryshme të diskriminimit, përjashtimit dhe dhunës. 

Për shembull, gjatë paradës së parë të krenarisë në Prishtinë, në 2017, Policia e Kosovës njoftoi se një person u kërcënua dhe u ngacmua verbalisht nga persona të panjohur dhe se një shtetas zviceran u sulmua fizikisht nga një person i panjohur. Gjithashtu, një grup prej pesë protestuesish mbanin shenja anti-LGBTI, megjithëse nuk shfaqën ndonjë veprim kërcënues ose të dhunshëm. 

Aktivistët thonë se ndër personat më të keqkuptuar të komunitetit LGBTI janë personat transgjinorë — pra personat, identiteti gjinor dhe/ose shprehja gjinore e të cilëve nuk përputhet me seksin e tyre të lindur.

Personat transgjinorë mund të zgjedhin t’i nënshtrohen trajtimit të hormoneve, të përshkruar nga mjekët, në mënyrë që trupin ta harmonizojnë me identitetin gjinor; disa mund të zgjedhin edhe t’i nënshtrohen operacionit. Sidoqoftë, jo të gjithë personat transgjinorë munden ose zgjedhin të ndërmarrin hapa të tillë. 

Një sërë organizatash, duke përfshirë Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL), dhe partnerët e tyre Civil Rights Defenders Kosovo (Mbrojtësit e të Drejtave Civile) e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), janë marrë me avokimin për të drejtat e personave LGBTI duke iu përgjigjur nevojave të këtij komuniteti, përfshirë edhe ofrimin e udhëzimeve për të përmirësuar infrastrukturën ligjore.

Ka mospërputhje brenda infrastrukturës ligjore të Kosovës, gjë që shkakton probleme në praktikë.

Për shembull, CSGD ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, “duke kërkuar hartimin e një udhëzimi administrativ për të bërë të mundur ndryshimin e shenjuesit gjinor në dokumentet e identifikimit, duke ripërcaktuar njohjen ligjore të gjinisë”. CSGD dhe CEL kanë organizuar edhe paradën e krenarisë. 

Ndërkaq puna e institucioneve për një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse ka mbetur e pakompletuar. Kushtetuta e Republikës së Kosovës ndalon diskriminimin e njerëzve në çfarëdo baze, përfshirë edhe atë të orientimit seksual, por Ligji për Familjen sanksionon martesën si akt të kurorëzimit midis dy personave që kanë gjini të ndryshme. Poashtu, Ligji për Gjendjen Civile nuk e parasheh fare procesin e ndryshimit të gjinisë. Pra, ka mospërputhje brenda infrastrukturës ligjore të Kosovës, gjë që shkakton probleme në praktikë.

Për më shumë, ligjet nuk mjaftojnë që të sigurohen të drejtat e komunitetit LGBTI dhe barazia midis të gjithë qytetarëve pa dallim gjinie apo orientimi seksual. Blert Morina nga CEL shpjegon se njerëzit që janë të thirrur të vënë në jetë ligjet antidiskriminuese janë vetë produkt i një mendësie që ushqen paragjykimet.

“Sado që ne kemi ligje super të mira në letër, mungon implementimi adekuat”, thotë ai. “Shohim që edhe për personat transgjinorë nuk ofrohen shërbimet bazike, e mos të flasim për shëndetin mendor, i cili në shoqërinë tonë konsiderohet luks”.

Personave LGBTI u rrezikohet shëndeti mendor

Hulumtimet tregojnë se mendimet vetëvrasëse, abuzimi me substanca dhe sjelljet vetëlënduese kanë më shumë rrezik të shfaqen te personat gej, lezbike dhe biseksualë sesa te ata heteroseksualë. Sipas studimeve, një ndër shkaqet kryesore për këtë është diskriminimi dhe përjashtimi që ata përjetojnë vazhdimisht. 

Për më shumë, në raportin e Human Rights thuhet se 60% e të rinjve me orientim të ndryshëm seksual ndihen të mërzitur ose të pashpresë deri në masën sa këto ndjenja ua dëmtojnë seriozisht funksionimin e përditshëm. Njerëzit transgjinorë që përjetojnë më tepër stigmën dhe diskriminimin kanë më shumë shansa të vuajnë nga probleme të shëndetit mendor dhe janë më të rrezikuar të kryejnë vetëvrasje.

Megjithëse në Kosovë mungojnë hulumtimet, Blert Morina mendon se shoqëria kosovare nuk përbën ndonjë përjashtim për sa i përket prevalencës më të lartë të problemeve me shëndetin mendor midis personave LGBTI. Kjo sidomos kur merret parasysh që presioni, paragjykimi, e diskriminimi ndaj personave LGBTI në Kosovë është më i shprehur krahasuar me shtetet e zhvilluara.

“Ne nuk mund të ndikojmë direkt te shoqëria që t’i pranojë personat LGBTI, por mund t’i mësojmë këta individë që të reagojnë në mënyrë të shëndetshme ndaj një mjedisi refuzues."

Blert Morina, CEL

Familja mund të ndikojë në zbutjen e këtyre problemeve; disa studime kanë treguar se të rinjtë LGBTI që marrin mbështetje dhe pranim nga familja raportojnë nivele më të larta të vetë-vlerësimit dhe shëndetit të përgjithshëm, ndërkaq të rinjtë e familjeve jopranuese kanë tri herë më shumë shanse të marrin në konsideratë vetëvrasjen ose të tentojnë ta realizojnë atë. 

Nisur nga këto të dhëna, ofrimi i ndihmës psikologjike është shumë i rëndësishëm për mirëqenien e personave të këtij komuniteti. 

Që nga viti 2016, organizata CEL ofron shërbime psikologjike falas për anëtarët e komunitetetit LGBTI, me qëllimin për t’i përgatitur ata që të përballen me shoqërinë. 

“Ne nuk mund të ndikojmë direkt te shoqëria që t’i pranojë personat LGBTI, por mund t’i mësojmë këta individë që të reagojnë në mënyrë të shëndetshme ndaj një mjedisi refuzues”, thotë Morina.

Sipas tij, problemet për të cilat më së shpeshti kërkohet ndihmë janë depresioni, ankthi dhe mendimet vetëvrasëse. Por, kapacitetet e qendrës janë shumë të vogla për t’u ofruar ndihmë psikologjike të gjithë atyre që e kërkojnë, e rritja e kapaciteteve kërkon kosto shtesë financiare që CEL-i nuk mund ta përballojë. Ndërkohë, “institucionet shtetërore nuk kanë treguar ndonjë entuziazëm për të mbështetur programet e ofrimit të ndihmës psikologjike për personat LGBTI”, thotë Morina.

Blert Morina, drejtor ekzekutiv i organizatës CEL. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Mungojnë psikologët e përgatitur

Këshillimi psikologjik i personave të komunitetit LGBTI mbetet një nga sfidat për të cilat shumë psikologë kosovarë nuk janë të përgatitur si duhet.

Departamenti i Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, i hapur në vitin 2004 — pra pa traditë të gjatë në këtë fushë, pjesë e një sistemi arsimor të cilësuar si tejet i dobët, rrethuar me një mentalitet që e sheh shëndetin mendor si “luks” — e kishte të vështirë të nxjerrte kuadro psikologësh të gatshëm të merren me nevojat e shumëllojshme të një shoqërie të dalë nga lufta. 

Lend Mustafa nga organizata CEL thotë se është shumë e vështirë të gjenden psikologë që janë të informuar për personat LGBTI. 

 “Psikologët, në përgjithësi, po flas prej eksperiencës që kam pasur unë personalisht dhe shumë persona të tjerë të komunitetit, shumica prej tyre janë komplet të painformuar”, thotë ai. “Do të thotë, fillimi i seancave është klienti duke e edukuar psikologun ose psikiatrin”.

Megjithatë, ky problem nuk ka ngjarë gjatë rekrutimit të katër specialistëve të shëndetit mendor të CEL-it, të cilët kanë qenë pjesë e një programi të ngjashëm më herët dhe kanë qenë të përgatitur të punojnë me personat e komunitetit LGBTI. Qendra momentalisht operon me dy psikologë dhe dy psikiatër. Por, sipas Morinës, në rast se tentohet shtimi i numrit të psikologëve, problemet mund të dalin lehtë në pah.

Pjesëtarët e grupeve të diskriminuara, të cilët gjenden në presion konstant nga ana e rrethit dhe shoqërisë, e kanë shumë të zorshme të gjejnë trajtime adekuate me iniciativa individuale. Kjo për shkak se qasja e shoqërisë ndaj tyre prodhon atë lloj fryme — e cila haset edhe në institucione shtetërore — që tenton ta korrigjojë “devijimin”.

Studimet e pakta që ekzistojnë për Kosovë tregojnë se qasja e institucioneve ndaj personave LGBTI nuk është e duhur.

Morina flet për rëndësinë e programit të organizatës CEL për ofrim të trajtimit psikologjik. 

“E bëjmë në mënyrë që personat LGBTI të ndihen rehat dhe të marrin shërbimin adekuat — njerëzit që vijnë në CEL thonë që sa herë kanë kërkuar mbështetje psikologjike, kanë gjetur tendencën nga psikologët ‘me i kthjellë’, ose ‘me i drejtu në udhën e Zotit’”, tregon ai. “Realisht, nëse shërbimin e merr në këtë formë, nuk mendoj se i kontribon shëndetit mendor, përkundrazi, mund të ketë pasoja negative”.

Studimet e pakta që ekzistojnë për Kosovë tregojnë se qasja e institucioneve ndaj personave LGBTI nuk është e duhur. Morina tregon për të gjeturat e hulumtimit “Mbrojtja sociale dhe qasja në kujdesin shëndetësor për personat transgjinorë në Kosovë”, të realizuar nga CEL dhe CSGD.

“E kemi parë që në aspektin e pranimit të personave LGBTI nga ana e shërbyesve shëndetësorë qëndrojmë shumë keq”, thotë ai. “Përveç hezitimit për t’u intervistuar për qëllime hulumtimi, e kemi parë që psikologëve, endokrinologëve, e ofruesve tjerë të shërbimeve shëndetësore u mungojnë edhe informatat bazike në lidhje me personat e komunitetit LGBTI”. 

Morina mendon se është më mirë të mos ofrohen shërbime psikologjike sesa të jepen këto shërbime nga mjekë e psikologë joprofesionistë, pasi që trajtimi i rasteve pa pasur informacionet e nevojshme për specifikën e tyre mund të shkaktojë përkeqësim të gjendjes. Në fakt, një nga parimet bazike të psikologjisë është që kur nuk mund të ofrohet ndihma e nevojshme, së paku nuk duhet shkaktuar dëm.

Lend Mustafa, koordinator i projekteve në CEL. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.

Për të adresuar mungesën e kuadrove si dhe të literaturës, CEL ka publikuar një Manual për për praktikën psikologjike me persona transgjinorë dhe ata me moskonformim gjinor. Manuali përfshin një varg përkufizimesh të termave që u ndihmojnë lexuesve të informohen për disa nocione. Po ashtu trajton edhe disa sfida që mund t’i përjetojnë personat transgjinorë, kryesisht duke iu referuar hulumtimeve nëpër botë.

Në veçanti, manuali ofron parimet dhe udhëzimet që profesionistët e shëndetit mendor duhet t’i kenë parasysh kur fillojnë trajtimin e personave transgjinorë. Për shembull, udhëzimi i parë thotë “Psikologët e kuptojnë se gjinia është një konstruksion jobinar që lejon për një varg identitetesh gjinore dhe se identiteti gjinor i një personi mund të mos përputhet me seksin e caktuar në lindje”. 

Njëra nga autoret, Ajete Kërqeli, thotë se ky manual mund t’u ndihmojë psikologëve, psikiatërve, punëtorëve socialë që të krijojnë një marrëdhënie të shëndetshme terapeutike me klientët transgjinorë, gjë që rrit efikasitetin e psikoterapisë. Ajo inkurajon hulumtuesit të merren me çështjet e shëndetit mendor te personat e komunitetit LGBTI, pasi në Kosovë mungojnë hulumtime të tilla. 

Vetëm në Universitetin e Prishtinës çdo vit diplomojnë me dhjetëra psikologë në nivelet Bachelor dhe Master, që i bie se brenda vitit realizohen dhjetëra hulumtime, ndërkohë që jemi në një “terr informativ” për situatën e personave LGBTI. 

Terren i vështirë social, profesional e institucional

Derisa hulumtimet tregojnë se familja mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në mirëqenien psikologjike të personave LGBTI, Blert Morina tregon se në Kosovë përkrahja e ofruar nga familja e rrethi është shumë e rrallë, gjë që e vështirëson jetën e njerëzve të këtij komuniteti.

“Familja është ajo që ne e konsiderojmë shtyllën kryesore, prej të cilës presim përkrahjen më të madhe dhe thyerja e parë që ndodh vjen prej vetë familjes”  thotë ai. “Kjo është traumatike, sidomos te gjeneratat e reja, të cilat janë duke kaluar nëpër një fazë delikate”.

"Secili komunitetet brenda komunitetit LGBTI ka nevoja të ndryshme."

Blert Morina, CEL

Mungesa e përkrahjes duket sikur është instaluar si kulturë. Organizatat që merren me fuqizimin e komunitetit LGBTI punojnë në një terren të vështirë social, profesional e  institucional. Kjo vërehet edhe në faktin që programi i CEL-it, megjithëse ekziston për disa vite, nuk ka marrë ndonjë ndihmë nga institucionet.

Për më tepër, numri i organizatave është i vogël për t’i mbuluar të gjitha nevojat e komunitetit. Kjo mund të vërehet kur merret parasysh që vetë komuniteti nuk është njësi homogjene, por një grup ku gëlojnë diversitetet. 

“Secili komunitet brenda komunitetit LGBTI ka nevoja të ndryshme”, thotë Morina. Madje brenda nënkomunitetve ka shumë diversitet”.

E me gjithë punën që po bëhet për të treguar se Kosova është vend gjithëpërfshirës ku respektohen të drejtat e njeriut, Morina kujton se një hulumtim i vitit 2018 nga Banka Botërore e rendit Kosovën si vendin me pranimin më të ulët të personave LGBTI në Ballkanin perëndimor.K

Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.