Një ligj i ri për kulturën është udhës. Me aq pak sa dihet në publik për përmbajtjen e këtij ligji, shpresat janë që ai do t’ua zgjidhë nyjen problemeve të kahmotshme të kulturës. Derisa sipas ministrit të tanishëm të kulturës, ky ligj do “sjellë zgjidhje strukturore”, kjo ministri është kritikuar shpesh për mosshtyerjen përpara të ligjeve që lidhen me kulturë, derisa procesi i hartimit të ligjit të ri është konsideruar si një proces shumë i ngadalshëm.
Përkundër premtimeve të vazhdueshme të ministrisë për reforma të thella në kulturë, telashet pothuajse banale e që janë përcjellur me vite të tëra, prej pamundësisë për mbajtje të shfaqjes për shkak të mungesës së energjisë elektrike e problemeve me mikrofonë në teatër deri te formularët e ndërlikuar e të paqartë për aplikim për fonde e anulimet “abitrare” të thirrjeve publike, kanë vazhduar.
Një vështirësi tjetër është (mos) mbështetja adekuate dhe e qëndrueshme e skenës dhe krijuesve të pavarur kulturore, e cila, përtej kushteve të vështira në të cilat gjendej përpara pandemisë, u godit rëndë nga kjo e fundit. Krijuesit e pavarur tash po kërkojnë hapa konkretë për ndërhyrje nga ministria që të trajtohen dëmet që pandemia u ka shkaktuar.
Midis kësaj gjendjeje, në pritje të ligjit të ri për kulturën, dëshirojmë të dimë se çka do të përmbajë ky ligj? Si po organizohet procesi i hartimit? Kush janë njerëzit që janë angazhuar në proces? Si do të zgjidhen hallet e kahershme të kulturës përmes këtij ligji? Ku qëndron kultura, një vit pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re?
Në bisedë do të na bashkohen:
- Hajrulla Çeku – Ministër i Kulturës
- Vullnet Sanaja – Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Anibar
- Donjetë Murati – Punëtorët në Art
Biseda do të moderohet nga Lirika Demiri, gazetare në K2.0.
Kjo bisedë është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP. Përmbajtja e kësaj bisede është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Pse kjo klauzolë?