Pikëpamje | Ekonomia

Kujt t’i ndihmojë qeveria?

Nga - 21.10.2022

Pakot mbështetëse të qeverisë së Kosovës nuk janë gjithpërfshirëse.

Zhvillimet nëpër botë kah fundi i vitit 2021 dhe fillimi i vitit 2022 si ngërçi i zinxhirit furnizues prej pandemisë Covid-19 e lufta e Rusisë në Ukrainë, u reflektuan në faturën e secilit qytetar dhe ndikuan në fuqi të dobësuar blerëse sidomos të atyre me të ardhura më të ulëta, pasi u shtrenjtuan pikërisht mallrat bazike.

Kosto e jetesës në Kosovë filloi të rritej dhe dalëngadalë qytetarët filluan ta ndiejnë atë në buxhetin e tyre. 

Kjo rritje e çmimeve rriti nevojën që qeveria e Kosovës që t’i përkrahë qytetarët si dhe bizneset që po rrezikoheshin dhe vazhdojnë të rrezikohen nga kostoja më e lartë e prodhimit. Ndonëse Kosova ka treg të lirë dhe qeveria nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmime, ajo prezantoi disa pako ndihmëse.  

Prej nëntorit të vitit të kaluar e deri tash, pakot mbështetëse të qeverisë u përbënë kryesisht prej ndihmave të njëhershme prej 100 euro dhe këto për grupe të caktuara, si për pensionistë, përfitues të skemave sociale, punëtorë e studentë, si dhe subvencionimi i rritjes së pagave për punëtorët e sektorit privat.

Megjithatë, qeveria nuk përfshiu secilin grup në nevojë. Skemat ekzistuese, si ajo për ndihmë sociale, nuk ofrojnë vlerësim të saktë se cilat janë grupet më të cenueshme dhe kush mund të ketë më së shumti nevojë për ndihmën e qeverisë në kohë krizash.

Kujt duhet t’i ndihmojë qeveria?

Pakon mbështetëse për përballje me inflacionin, qeveria e Kosovës e krahasoi me pakon e qeverisë së Gjermanisë. Por, qeveria gjermane dizajnoi një pako më gjithpërfshirëse, sigurisht e diktuar edhe nga mundësitë buxhetore, por edhe nga skemat mbështetëse ekzistuese — për shembull sigurimi për papunësinë dhe mbështetja për strehim. 

Për shembull, përfituesit e skemës për strehim në Gjermani do të marrin një shtesë të dytë për ngrohje. Pas kësaj, një kompensim për ngrohje do të integrohet përgjithmonë në kompensimin e strehimit. Ndërkohë, u rritën edhe përfitimet për të papunët, ku prej 1 janarit 2023, ata do të marrin 50 euro shtesë krahas 450 eurove standarde.

Disa nga masat mbështetëse të qeverisë së Gjermanisë

Gjatë vitit 2022, qeveria gjermane ka ndërmarrë tri paketa mbështetëse. Dy paketat e para përfshinin një zbritje të tatimit në karburant në normën minimale në Evropë e cila skadoi në fund të gushtit, biletën e transportit prej nëntë eurosh; dhe për punëtorët që paguanin tatimin mbi të ardhurat morën një kompensim të vetëm të çmimit të energjisë prej 300 euro si shtesë për pagat e tyre.

Pakoja e tretë në vlerë prej 65 miliardë eurove do të përbëhet nga një sërë masash që synojnë një masë të gjerë të përfituesve. Kompensimi i çmimit të energjisë prej 300 Euro, i cili po u paguhet të gjithë punëtorëve, pavarësisht nga të ardhurat e tyre personale dhe për pensionistët. Në dhjetor, studentë do të marrin 200 euro secili.

Por në Kosovë mungojnë skema të tilla dhe kjo e vështirëson targetimin e grupeve më të cenueshme në kohë të krizave. 

Vlerësimi i fundit për shkallën e varfërisë në Kosovë është realizuar në vitin 2017 ndërsa informata për situatën ekonomike të familjeve janë grumbulluar nga ASK përmes Anketës mbi të Ardhurat dhe Kushtet e Jetesës në vitin 2018. Sipas kësaj ankete, atë vit, mbi 78.3% e ekonomive familjare hasnin vështirësi në kryerjen e pagesave të nevojshme si për qira, energji apo kredi. Me rritjen e çmimeve dhe pagat pothuajse të njëjta, situata sot, sigurisht është më e rënduar. 

Për t’iu përgjigjur krizës aktuale dhe të tjerave që mund të vijnë, qeveria e Kosovës duhet ta ndryshojë thelbësisht dizajnimin e skemave sociale duke i zgjeruar ekzistueset dhe duke shtuar tjera.

Disa nga masat mbështetëse të qeverisë së Kosovës

Në vitin 2021, qeveria ndau 100 euro shtesë për pensionistët dhe pagesë të dyfishtë për përfituesit e skemës sociale.

Në mars 2022, qeveria replikoi këtë masë e ndau sërish 100 euro shtesë për të gjithë punonjësit publikë dhe ata privatë, për studentët, pensionistët dhe pagesë të dyfishtë për përfituesit e skemës sociale.

Në shtator të këtij viti qeveria rifunksionalizoi 100 euroshin. Ajo dizajnoi një pako tjetër mbështetëse prej 150 milionë Euro për të mbështetur qytetarët për përballje me inflacionin.

Masat përfshinin 100 euro shtesë për pensionistët, një herë në tetor; pagesë të dyfishtë për asistencë sociale; 50 euro shtesë për zyrtarët publikë, gjer në fund të vitit 100 euro shtesë për punëtorët në ndërmarrje publike, një herë në tetor dhe 100 euro për studentët, një herë në nëntor.

Në Kosovë ekziston vetëm një skemë që e synon varfërinë, ku qytetarët mund të marrin ndihmë sociale prej buxhetit shtetëror çdo muaj prej 70 deri në 180 euro, varësisht numrit të anëtarëve të familjes.

Kjo skemë mbulon dy kategori. Në kategorinë e parë përfshihen familjet ku të gjithë anëtarët e familjes janë të varur, pra nuk janë në gjendje të punojnë; dhe në të dytën janë familjet me një anëtar/e të aftë për punë, por i/e cili/a është i/e papunë dhe ka nën përkujdesje të paktën një fëmijë nën moshën pesë-vjeçare ose një jetim nën moshën 15-vjeçare. Në gusht të këtij viti, 24,627 familje me gjithsej 97,124 anëtarë kishin përfituar nga kjo skemë.

Sipas raportit të Bankës Botërore për Kosovën për vitin 2022, rreth 7% e popullsisë së përgjithshme përfiton nga skema e ndihmave sociale, por shkalla zyrtare e varfërisë është rreth 20%, ndërkohë që vetëm një në katër persona në kuantilin e ulët — shtresën me të ardhurat më të ulta — marrin ndihmë sociale.

Pra, kjo skemë nuk është gjithëpërfshirëse meqë nuk i synon, për shembull, familjet që kanë një anëtar/e të aftë për punë, por i/e cili/a është i/e papunë dhe ka nën përkujdesje fëmijë mbi moshën 5-vjeçare. 

Andaj, kur qeveria i targeton përfituesit e skemës sociale për t’u ndihmuar gjatë krizave, duhet të ketë parasysh që shumë qytetarë me të ardhura të ulëta mbesin të pambështetur dhe kjo duhet të ndryshojë. Siç rekomandohet nga Banka Botërore, Kosova duhet të rishikojë kriteret për ndihma sociale, me qëllim të rritjes së mbulueshmërisë së familjeve të varfëra me ndihmën sociale.

Teksa reformimi i kësaj skeme është kërkuar që gjatë, qeveria e Kosovës do të mund ta niste sigurimin nga papunësia. Për shembull, të punësuarit do të kontribuonin nga pagat e tyre, e që në rast se mbesin pa punë, do të përfitonin nga sigurimi për një periudhë të caktuar kohore. Sigurimi nga papunësia jo veç që do t’ia hiqte barrën buxhetit shtetëror për të papunët, por do ta bënte të lehtë targetimin e të papunëve që nuk i përmbushin kriteret për të qenë pjesë e skemës së ndihmës sociale.

I rëndësisë së veçantë është edhe reformimi i sistemit pensional që është nisur që moti. Reformimi potencial i këtij sistemi do të siguronte pension më të lartë se ai i pleqërisë, duke u mundësuar pensionistëve jetë më të dinjitetshme dhe do të zbuste cenueshmërinë e tyre në kohë të krizave.

Andaj, përmes dizajnimit dhe prezantimit të këtyre skemave, qeveria e Kosovës do t’ia lehtësonte vetes punën në rast të thirrjeve për mbështetje financiare. Jo veç qe do të dinte kë ta ndihmonte dhe do t’i ikte mundësive për keqpërdorime, por edhe s’do t’i linte jashtë mbështetjes qytetarët që kanë nevojë për ndihmë për shkak se mund t’u mbarojnë fondet e dedikuara apo thjesht disa qytetarë në nevojë nuk arrijnë të aplikojnë.

Sektori privat i pambështetur

Pos dy anketave të realizuara vite më parë, nuk ka indikatorë tjerë që tregojnë për gjendjen ekonomike të qytetarëve që bëjnë pjesë në grupe të cenueshme e as kënd e prekë më shumë kriza e çmimeve. Megjithatë, të dhënat për nivelin e pagave tregojnë edhe për një grup tjetër që ndikohet nga kjo krizë dhe s’është marrë parasysh nga qeveria në pakot e saj mbështetëse — punëtorët e sektorit privat.

Pagat në sektorin publik dhe në sektorin privat

Të dhënat nga ASK, tregojnë se paga mesatare neto në vitin 2021 ka qenë 432 euro, por me dallim të theksuar mes sektorit privat dhe atij publik. Në vitin 2021, paga mesatare neto në sektorin publik ishte 542 euro ndërsa në sektorin privat ishte 376 euro, 44% më e lartë në sektorin publik se atë privat. Pagë dukshëm më të lartë kanë punëtorët në ndërmarrjet publike e llogaritur në 680 euro, që është 80% më e lartë se në sektorin privat.

Nga pakot mbështetëse të qeverisë, punëtorët e sektorit privat kanë marrë veç 100 euro në tërësi. Përderisa mbështetje ofrohet për zyrtarët publikë dhe ata në ndërmarrje publike — me paga dukshëm më të larta — qeveria do t’i mbështetë bizneset që i rrisin pagat e punëtorëve, duke subvencionuar 50% të rritjes së pagës për punëtor, maksimumi 100 euro për tre muaj. 

Sa ka të ngjarë që bizneset të rrisin pagat e punëtorëve në kohë krize? Duhet ta kemi parasysh që nëse një pronar biznesi rritë pagën e një punëtori duke marrë për bazë edhe ndihmën e qeverisë, atij/asaj do t’i duhet ta mbajë pagën e rritur edhe përtej tre muajve. Gjasat që kjo të ndodhë janë të vogla.

Pra, janë pikërisht punëtorët e sektorit privat që kanë nevojë për masa mbështetëse. Përderisa çmimet janë rritur, pagat kanë mbetur të pandryshuara. Për më tepër, rritje nuk ka pasur as në pagën minimale, e cila që nga viti 2011 është e caktuar në 170 euro dhe do t’u hynte në punë pikërisht punëtorëve të këtij sektori. Projektligji që do ta rrisë pagën minimale në 264 euro bruto ndonëse është miratuar në parim në qershor të këtij viti, pret miratimin final në Kuvendin e Kosovës.

Rritja e ngadaltë e pagave

Të dhënat nga ASK tregojnë se në vitin 2019 pagat janë rritur për 9%, janë zvogëluar për 8% në vitin 2020 dhe janë rritur për 10% në vitin 2021 por që në krahasim me vitin 2019 janë rritur vetëm për 1.9% janë kthyer në nivelin e para pandemisë.

Këto të dhëna tregojnë për mundësitë e vogla për rritjen e pagës në sektorin privat në kohën kur kosto e prodhimit në tremujorin e dytë të vitit 2022 në krahasim me të njëjtin tremujor në vitin 2021 është rritur për 10%. Vetëm çmimi i naftës është rritur për 32% në gusht të vitit 2022 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021.

Me rritjen e kostos së prodhimit tek bizneset, punëtorët e sektorit privat lëre që nuk kanë shumë gjasa për të marrë paga më të mëdha, por ata janë më të rrezikuarit për ta humbur vendin e punës.

Një problem tjetër në mbështetjen e punëtorëve të sektorit privat është shkalla e lartë e joformalitetit, ku shumë punëtorë as që kanë kontrata. Pra, çfarëdo mase mbështetëse që do lansonte qeveria në drejtim të sektorit privat, i lë jashtë punëtorët që nuk kanë kontrata.

Mbështetja e tanishme prej 100 eurosh apo subvencionimi i pagës prej 50%, siç po bëhet tani, duke targetuar herë një grup e herë tjetrin, nuk siguron vazhdimësi të mbështetjes për grupet e cenueshme të qytetarëve dhe si rezultat, qytetarët nuk mund të llogarisin në këtë mbështetje për t’ia dalë deri në fund muajit.

Feature image: Majlinda Hoxha.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.

  • 06 Apr 2024 - 07:32 | Alban:

    Kam nevojë për NDIHMË....NR telephone 045586721

KOMENTO