Kujtim Paçakut iu deshën tre vjet pas përfundimit të luftës që të kthehej në Prishtinë. Më 2002 ai u nis nga qyteti i i tij i lindjes, Prizreni, dhe u ul diku mbrapa në autobus, duke mbuluar fytyrën me gazetë gjatë gjithë udhëtimit. Nuk dëshironte që udhëtarët e tjerë të vërenin se ai nuk ishte shqiptar — se ishte rom. “Pas përfundimit të luftës filluan t’i etiketonin njerëzit”, thotë Paçaku. “Edhe ne fituam lirinë, por pas shqiptarëve. Për ta ajo erdhi në vitin 1999, ndërsa për ne në vitet 2003-04”.
Gjatë luftës së Kosovës, beteja për hegjemoni e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në një anë dhe lufta e shqiptarëve për liri në anën tjetër nuk toleronte neutralitet, ndërsa romët u bënë pre mizorish nga të dyja anët. “Ne ishim ndërmjet dy zjarreve”, thotë Paçaku. “Plumbat vinin nga të dyja anët. Kthehesh në një anë dhe të kaplon frika se dikush do të qëllojë. Pastaj kthehesh në anën tjetër dhe të kaplon frika se dikush tjetër do të të qëllojë”.
Por epoka e re e pasluftës vështirë se mund të quhej vend më i mirë për romët. Përndjekjet dhe frikësimet, me gjasë më së shpeshti nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishin shumë të përhapura sepse romët shpesh konsideroheshin të kenë qenë bashkëpunëtorë të forcave serbe. Në të vërtetë, paramilitarët serbë rregullisht kishin shfrytëzuar pozitën e palakmueshme të romëve, duke i detyruar të bënin veprime siç ishte grumbullimi i trupave të shqiptarëve të vrarë dhe varrosja e tyre në varreza masive.
Pozita e pasigurtë brenda shoqërisë dhe ndjenja e vazhdueshme e frikës i shtyu me mijëra romë të largoheshin nga Kosova, sidomos pas përfundimit të luftës. Vetë Paçaku e kishte shqyrtuar idenë e largimit nga Kosova. “Romët e lagjes sime vinin për të parë nëse isha aty apo nëse kisha plan të largohesha, sepse [ata mendonin se] unë di më mirë”, kujton Paçaku.
“Kur je fëmijë, ajo çka të thonë të tjerët ndikon shumë në ty. Prindërit e mi gjithmonë më thonin ‘do të ballafaqohesh më këtë apo atë; mund të shkelësh në gozhdë, por duhet ta dish se kush je dhe të vazhdosh përpara’”.
Kujtim Paçaku
Dituria e Paçakut dhe sensi i tij i hareshëm për humor, e bën të lehtë të kuptohet përse ai kishte aq ndikim mbi shumë romë nga Kosova. I diplomuar në studime rome në Universitetin e Sorbonnes dhe me karrierë të gjatë si muzikant, poet, aktor, gazetar, mësues e politikan, Paçaku i ka dhënë shumë më shumë Kosovës sesa që ka marrë në këmbim; Romët mbesin ndër grupet më të margjinalizuara në vend. Sot ai është përfaqësuesi i vetëm rom në Kuvendin e Kosovës, duke luftuar për një të ardhme më të mirë për pjesëtarët e komunitetit të tij.
I veshur me rroba formale, Paçaku kalon pjesën më të madhe të ditës në zyren e tij të deputetit të Kuvendit të Kosovës. Me shqipen, serbishten dhe turqishten e tij të rrjedhshme, ai lëviz ndërmjet gjuhëve varësisht se me përfaqësuesin e cilit komunitet bisedon. Gjatë gjithë ditës Paçaku është i hareshëm ndërsa porosit kafe, cakton takime dhe biseda me kolegët e tij kuvendarë. Vetëm kur fillon të flasë për çështjet me të cilat ballafaqohet komuniteti i tij, dhimbja dhe trishtimi e mbërthejnë zërin e tij.
“Në këtë moment, ndërsa ne po bisedojmë, romëve të cilët po kërkojnë azil [në vendet evropiane], po u thuhet që të largohen sepse janë të padëshiruar”, thotë Paçaku. Përgjatë viteve romët përpiqeshin t’i iknin diskriminimit për një të ardhme më të mirë në Bashkimin Evropian, por shumë shpesh u deportuan me forcë në Kosovë. Paçaku ka qenë i zëshëm në kërkimin e përpjekjeve më serioze për t’u ofruar romëve qasje më të mirë në arsim, punësim dhe banim.
Rrugëtimi i tij deri te ulësja në Kuvendin e Kosovës ishte plot telashe, por vendosmëria e tij i dha sukses. “Në klasë të parë, e hoqa fjalën ‘maxhup’ [fjalë nënçmuese që përdoret për t’iu referuar romëve] nga organet e mia abdominale ku ajo kishte zënë vend”, thotë ai. “Kur je fëmijë, ajo çka të thonë të tjerët ndikon shumë në ty. Prindërit e mi gjithmonë më thonin ‘do të ballafaqohesh më këtë apo atë; mund të shkelësh në gozhdë, por duhet ta dish se kush je dhe të vazhdosh përpara’”.
Vëllazërim Bashkimi
Paçaku, i katërti nga pesë fëmijët, u lind në pranverë të vitit 1959, në njërën prej lagjeve shumëkulturore të Prizrenit. Po atë ditë, babai i Paçakut, Durmishi, shkoi në festën e fejesës së kushëririt të tij me gjithë familjen, dhe festoi me shumë gëzim për shkak të lindjes së fëmijës së tij.
Muzika dhe futbolli e bënë fëmijërinë e hershme të Paçakut shumë të lumtur. “Vrapoja pas orkestrave nëpër dasma, me apo pa këpucë, pas muzikës apo pas topit”, kujton ai. Kur shkoi në Prishtinë për herë të parë si i ri, së pari shkoi drejt e në stadiumin e qytetit.
Në shtëpinë e tij u rrit me gjuhën rome, por Paçaku shumë shpejt mësoi shqip gjatë shkollimit fillor. Pas ritualit të mëngjesit kur gjyshja ia krehte flokët, Paçaku mezi priste të shkonte në shkollë dhe çdo ditë i pëlqente të tregonte për të gjitha gjërat e reja që i kishte mësuar atje. “Nuk më pritej të flisja për dioksidin e karbonit, të recitoja ndonjë vjershë apo t’i emëroja kryeqytetet botërore”, thotë ai.
“Segregacioni dhe diskriminimi nis kur fillon shkollën”, thotë ai. “Nëse ka pesë klasë, fëmijët e doktorëve do të jenë në klasën e parë, ndërsa mësuesi me më së paku suksese i merr fëmijët nga komunitetet [e pakicave etnike]”.
Kujtim Paçaku
Paçaku vijoi shkollën e mesme të muzikës, e cila gjithmonë zinte vend të rëndësishëm në jetën e tij. Ashtu siç ishte rasti edhe me shumicën e nxënësve të tjerë, familja e tij nuk mund të blinte piano, ndërsa në shkollë koha e praktikës në piano ishte e kufizuar, duke e detyruar atë të gjente zgjidhje kreative. “Nganjëherë i ndihmoja teta Lizës, e cila e pastronte shkollën mbrëmjeve, që të më lejonte më pas të luaj në piano”, kujton Paçaku. Studimet i vazhdoi në Akademinë e Muzikës në Prishtinë, ku krijoi komponimet e para për njërin nga festivalet e muzikës të këtij qyteti, “Akordet e Kosovës”.
Duke pasqyruar llojllojshmërinë kulturore të Prizrenit, ai u bë pjesë e shumë organizateve e festivaleve kulturore shumëetnike. Por që nga fillimi i viteve ’90 e tutje mision i tij u bë emancipimi i romëve. Ai mori pjesë në konferenca rome anembanë Evropës, ku takoi intelektualë romë dhe diskutoi çështje që kishin të bëjnë me komunitetin e tij.
Gjakderdhjet në luftërat e ish-Jugosllavisë në vitet ’90 shkaktuan shembje të rilindjes së romëve, derisa hapësira për promovimin e kuturës rome sa vinte e zvogëlohej. Paçaku përdori muzikën dhe gazetarinë si mjete për ngritje të vetëdijes për kulturën e pasur rome, në mesin e komunitetit rom të Prizrenit.
Lajme të luftës
“Mirëdita, unë jam Kujtim Paçaku, i biri i Durmishit, dhe po e fillojmë programin në gjuhën rome”, tha Paçaku kur e hapi programin e parë në gjuhën rome në Prizren në vitin 1986; atje punoi si redaktor i muzikës deri në vitin 1998. Programet e tij kishin kryesisht karakter edukativ, dhe qëllimisht kishin shumë përmbajtje në gjuhën rome si dhe përmbajtje kulturore me qëllim të ngritjes së identitetit kulturor të komunitetit lokal rom. Edicioni në gjuhën rome ishte i popullarizuar për transmetimin e urimeve dhe dëshirave muzikore me rastin e fejesave, martesave e synetive.
Në fillim të viteve ’90 serioziteti i lajmeve që vinin nga vatrat e luftës në pjesët tjera të Jugosllavisë ndikoi në përmbajtjen e programit të Paçakut. Ai përpiqej ta informonte komunitetin e tij në lidhje me atë që po ndodhte në regjion, ndërsa ata ishin nëpër shtëpitë e tyre në pritje të urimeve dhe përshëndetjeve. Ish-Jugosllavia e copëzuar i dha shtytje keqtrajtimit të romëve dhe Paçaku, së bashku me dëgjuesit e tij, priste për çdo ditë të dëgjonte për fatin e romëve në Bosnje e Hercegovinë, gjatë luftës ndërmjet viteve 1992 dhe 1995. Lajmet shpeshherë ishin të këqija; Romët u bënë pre e trajtimit çnjerëzor dhe mizorive të tmerrshme, duke përfshirë robërimin në kampe përqendrimi, përdhunimet e vrasjet. Romëve kosovarë, të cilët druanin se konflikti në vendin e tyre nuk ishte shumë larg, kjo ua shtoi ndjenjën e fshehtë të frikës, derisa nga gjenerata në gjeneratë transmetoheshin tregimet për përndjekjen e romëve.
“Ata [romët] e dinë çdo të thotë të mos kesh”, thotë Paçaku. “Ata dhanë kontributin e tyre, duke i lidhur plagët ose duke i thënë ushtrisë kundërshtare se, ‘nuk kishin kaluar këtej, por andej.’”
Kujtim Paçaku
Duke qenë gjithmonë pakicë në shtetet-kombe evropiane, pozita e romëve historikisht ka qenë e brishtë; në historinë moderne, romët jugosllavë, ashtu si të gjithë romët anembanë kontinentit, përjetuan përndjekje të ashpra në Evropën e okupuar nga nazistët. “Lufta e Parë Botërore… pastaj e dyta, dëgjonim këto rrëfime nga gjyshërit tanë se si romët vriteshin nëpër dhoma gazi në Auschwitz … pastaj në Nish, Jasenovac, dhe tmerroheshim”, tregon Paçaku.
Frika e tyre kishte shumë arsye. Përkundër faktit se nocionet e nacionalizmit dhe betejave territoriale ishin koncepte të huaja për romët, tradita dhe kultura e të cilëve ka rrënjë të thella në liri, romët kosovarë nuk mund t’i shmangeshin pranisë në betejat e të tjerëve. “Shumë romë e braktisën Kosovën apo u përzunë me dhunë nga serbët sepse familjet rome jetonin nëpër lagje shqiptare”, thotë Paçaku. “Por nuk ka ndonjë përmendore me emra dhe mbiemra romësh të cilët përmenden në mesin e shumë [shqiptarëve kosovarë] të tjerëve”.
Ai thekson se shumë romë shfaqën solidaritet me shqiptarët kosovarë gjatë luftës në Kosovë, duke i bashkëndjerë telashet e tyre. “Ata [romët] e dinë çdo të thotë të mos kesh”, thotë Paçaku. “Ata dhanë kontributin e tyre, duke i lidhur plagët ose duke i thënë ushtrisë kundërshtare se, ‘nuk kishin kaluar këtej, por andej.’”
Ndjenja e humanitetit të natyrshëm që kultivonte familja e tij, bëri që ata të strehonin shumë shqiptarë kosovarë nga fshatrat përreth Prizrenit kur operacionet e forcave serbe arritën kulmin në pranverën e vitit 1999. Kur konsiderohej se rreziku kishte kaluar, refugjatët vazhdonin rrugëtimin e tyre drejt Shqipërisë. Në kohën kur fqinjët shqiptarë të Paçakut filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, duke i dhënë kështu fund luftës, familja e tij mbante një grusht çelësash shtëpish, të cilat provuan t’i ruanin gjatë kohës sa ata nuk ishin aty.
Pas përfundimit të luftës karriera e Paçakut mori kahje të re, kur ai hyri në botën e aktrimit. Ai gjithashtu u bë i njohur si poet i shquar kosovar; përkthimi i poezive të tij në bullgarisht në dhjetor të vitit 2015 përbën gjuhën e gjashtëmbëdhjetë me radhë në të cilën janë botuar veprat e tij.
Duke zbritur nga autobusi me të përfunduar rrugëtimin e tij anonim në Prishtinë në vitin 2002, Paçakun e takoi Jeton Neziraj, në shfaqjen e të cilit do të luante ai. “Çoje kokën se Kosova është edhe e jotja”, i tha dramaturgu i famshëm kosovar. Për Paçakun ekziston një element i së vërtetës në fjalët e Nezirajt që citohen shpesh. Megjithatë, ai është mjaft i vetëdijshëm se për shumicën e komunitetit të tij është një rrugë e gjatë e cila duhet kaluar. “Neve ende na diskriminojnë”, thotë ai. “Fëmijët tanë nuk regjistrohen nëpër universitete dhe nuk punësohen… diçka duhet ndryshuar”. K
Foto kryesore: Atdhe Mulla / K2.0.