S`fundmi | Kulturë

Kujtohen personat e pagjetur të Kosovës

Nga - 25.02.2020

Një ekpozitë e re përpiqet ta mbajë gjallë kujtimin e tyre.

26 marsi i vitit 1999. Rreth shtatëdhjetë veta të fshatit Krushë e Madhe afër Rahovecit u fshehën në një shtëpi. I frikësoheshin asaj që mund të vinte. Kur erdhi, jetët e tyre u ndryshuan përgjithmonë.

Ferdije Hoti kujton qartas kur forcat e armatosura të Sllobodan Millosheviqit bastisën mëhallën e saj. Ishte hera e fundit që pa të birin dhe të shoqin e saj para se të zhdukeshin. Pas njëzet e një vjetësh, ajo ende s’e di çfarë ka ndodhur me të dashurit e saj pasi janë marrë. Nuk e di se a janë burgosur a vrarë, ose nëse trupat e tyre janë varrosur dhe — nëse po — ku. E vetmja kujtesë e prekshme që i ka mbetur është një çift fotografish që Ferdija i mban plot pikëllim.

Në një ekspozitë të posahapur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës shfaqet protreti i Ferdije Hotit krahas pesëmbëdhjetë njerëzve të tjerë, të cilët po ashtu i kanë të dashurit e zhdukur. Rrëfimet personale dhe kujtimet e familjarëve të pagjetur janë ndarë përmes thënieve të nxjerra prej disa intervistave të kryera në vitin 2014.

Të fotografuarit mbajnë gjërat e vetme që u kanë mbetur prej të pagjeturve. Për dikë është këmisha e ruajtur e të birit, për dikë tjetër paqeta e fundit e cigareve të burrit.

Kur aktivisti dhe gazetari Dardan Hoti e intervistoi Ferdijen këtë vit, atij iu desh ta bashkërendonte rolin e tij si familjar i saj me rolin e gazetarit dhe si aktivistit. “U shtanga për një çast kur Ferdija më pyeti përse po i hap varrat e vjetra, por tani e shikova një copë herë dhe kuptova se ishte lodhur… ishte lodhur duke folur kur duket se askush nuk dëgjon, ishte lodhur duke dhënë përgjigje ndërsa pyetjet e saj mbetën pa to”.

E kaluara vazhdon të fanitet

Kjo lodhje dhe urgjencë për të nisur debatin e shtyu Dardan Hotin dhe Aurela Kadriun për ta organizuar këtë ekspozitë. Sipas konceptit të Kadriut, fotografitë rrinë pezull me anë të telave të hollë. Me këtë, Kadriu ka dashur të thotë që familjet e të pagjeturve ende mbesin varur, dhe kërkesa e tyre për drejtësi mbetet “pezull”.

Aurela Kadriu dhe Dardan Hoti janë zotuar ta mbajnë gjallë çështjen e të pagjeturve. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Telat po ashtu përfaqësojnë shpresën e palëkundur për ta arritur të vërtetën. Kjo ekspozitë nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe koment rreth mënyrës së si e kaluara vazhdon ta ndikojë jetën e përditshme të të mbijetuarve të luftës. Fotografitë janë të ndara në tri grupe, të cilat shfaqin ndjenjat që përcaktojnë jetët e të mbijetuarve: kujtimet, mallin dhe kërkimin e vazhdueshëm për drejtësi dhe paqe. Në secilën foto shihen të fotografuarit duke mbajtur gjërat e vetme që u kanë mbetur prej të pagjeturve. Për dikë është këmisha e ruajtur e të birit. Për dikë tjetër paqeta e fundit e cigareve të burrit.

Duke reflektuar mbi këtë realitet të përditshëm, Edi Dylhasi, e cila e ka burrin dhe vjehrrin të zhdukur që nga 27 marsi 1999, thotë: “Do të kishte qenë më lehtë ta kishim ditur të vërtetën prej fillimit. Çdo herë që raportohet për varreza masive ose për fatin e të pagjeturve, vajza i ngjitet televizorit. Gjithmonë më duhet ta ngushëlloj”.

Sipas KNKQ-së, deri në dhjetor 2019 nuk dihej ende fati i 1,646 personave të pagjetur të të gjitha bashkësive.

Kadriu thotë që familjet e të pagjeturve janë luftëtarët e vërtetë të lirisë në Kosovë.

“Ndoshta s’kanë qenë luftëtarë aktivë gjatë luftës, por sakrifica që kanë bërë përmes ndarjes së këtyre rrëfimeve personale me publikun për këtë kauzë madhore është vepër e fuqishme dhe sublime e qëndresës që do të duhej të vlerësohet më shumë,” thotë Kadriu.

Kundër harresës

Dardani intervistoi Ferdijen për herë të parë në vitin 2014 kur e nisi fushatën “Dealing with the Forgotten” (“Të merresh me të harruarën”) me Rozafa Kelmendin dhe Fitim Selimin. Ata nisën vetë t’i dokumentonin rastet me hollësi përmes intervistave me familjarët e mbetur dhe të mbijetuarit.

Duke e botuar një sërë intervistash në gazetat vendore, ata deshën t’i ofrojnë këto rrëfime si dëshmi për krimet e kryera, me shpresë që çështja të ngritet më lart në agjendën e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, familjet ende kanë pyetje të papërgjigjura. “Në gjashtë vitet e fundit është gjetur vetëm një trup i pajetë që i përket familjes së njërës nga gjashtëmbëdhjetë subjektet, kurse rastet e tjera mbesin të pazgjidhura dhe dhimbja vazhdon të jetë barrë në jetën e tyre”, shpjegoi Hoti.

Familjarët e të pagjeturve janë gjithashtu heronj sipas Kadriut. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Njëzet e një vjet pas luftës në Kosovë, Shoqata e Personave të Pagjetur radhit 1,647 individë të pagjetur gjatë asaj periudhe. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKQ) i Kosovës mbetet drejtuesi i Grupit Punues për Personat e Pagjetur dhe “nxit autoritetet në Prishtinë dhe Beograd të veprojnë në përputhje me zotimet dhe obligimet që t’u japin përgjigje familjeve sa i përket vendndodhjes së të afërmve të tyre të pagjetur”. Sipas KNKQ-së, deri në dhjetor 2019 nuk dihej ende fati i 1,646 personave të pagjetur të të gjitha bashkësive.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është po ashtu i angazhuar në kërkimin e të pagjeturve. Sipas një deklarate të EULEX-it, kjo organizatë ka kryer “651 kërkime në terren për t’i gjetur personat e pagjetur, përfshirë 163 gërmime. Janë gjetur mbetjet e 456 individëve, 311 prej të cilave iu takojnë personave të pagjetur,” prej fillimit të mandatit të saj.

Sidoqoftë, asnjë familjar nuk ka qenë i pranishëm gjatë hapjes për shkak të dhimbjes.

EULEX-i po ashtu ndihmon duke e mbështetur Institutin e Mjekësisë Ligjore, Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e BE-së në Kosovë.

Dhimbja vazhdon

Dardan Hoti është i bindur që varrat e familjarëve do të shërohen vetëm atëherë kur qeveria e Serbisë kërkon falje për krimet e luftës që janë kryer në mënyrë që të hapet procesi i zbardhjes së çështjes së të pagjeturve.

Familjet e kanë të vështirë të shikojnë para. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.

Por ai po ashtu beson që shoqëria kosovare duhet të qëndrojë vigjilente në mënyrë që kjo pjesë e historisë të mos humbë në harresë. “Po pengohemi që të gjejmë prova dhe të bëjmë dokumentim të mëtutjeshëm, por çfarë mund të bëjmë ndërkohë është ta përdorim fuqinë e ndërhyrjeve artistike për t’i shndërruar numrat dhe datat në dëshmi dhe realitete”.

Gjashtë vjet më vonë, jetët e të intervistuarve vazhdojnë të sillen rreth të afërmve të humbur. Edhe pse dhimbja mbetet po aq e rëndë, disa po bien në letargji. Sipas familjeve, nganjëherë duket sikur askush s’e çan më kokën për ta.

Pjesëmarrësit shprehën falënderimin ndaj organizuesve për mosharrimin e rrëfimeve të tyre dhe vazhdimin e luftës për drejtësi në emër të tyre. Sidoqoftë, asnjë familjar i të pagjeturve nuk ka qenë i pranishëm gjatë hapjes për shkak të dhimbjes.

Rëndësia e përkujtimoreve kolektive po ashtu u theksua gjatë fjalimit hapës të Prenk Gjetajt, kreut të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit e Kosovës, i cili e lëvdoi punën e organizatorëve dhe përfshirjen e tyre, duke nënvizuar që secili kontribut ndaj kërkimeve dhe angazhimit artistik është me vlerë për t’ua ngritur zërin rrëfimeve të shkurtra. “Në këtë situatë të paqartësisë, vëmendja dhe solidariteti për këto familje është me e pakta që mund ta bëjmë për t’ua lehtësuar sadopak jetët dhe për ta ndërtuar një të ardhme me më shumë drejtësi”.

Ekspozita mbështetet nga forumZFD, një organizatë ndërkombëtare joqeveritare. Mbështetet po ashtu me fondet e Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ). 

Ekspozita është e hapur deri më 29 shkurt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.