Në thelb | Kulturë

Kultura queer kultivohet në plot ngjyra

Nga - 05.03.2021

Përkundër shtypjes së shumëfishtë, komuniteti LGBTQ+ në Kosovë ka gjallëruar.

Në periferi të Prishtinës, në një sallë hoteli nga ato ku rëndom parakalojnë çiftet e reja martesore para dasmorëve që këndojnë e hedhin valle për nder të tyre, atë ditë të vitit 2007 po ndodhte një parakalim pak më ndryshe. Dhjetëra persona mezi e kishin pritur këtë mledhi, për t’u çliruar më në fund nga shtypja e përditshme dhe për të manifestuar veten pa kushte dhe pa frikën e të tjerëve. 

Miss Trans Kosova, parada e bukurisë që u mbajt për tri vjet radhazi deri në 2010, bashkonte një pjesë të komunitetit LGBTQ+ në Kosovë në një hapësirë të sigurt — në hotelin që ishte pronë e një gruaje transgjinore. Në këtë garë zgjedhej fituesja që kurorëzohej me titullin Miss Trans.

Arbër Nuhiu, bashkorganizator i kësaj ngjarjeje, tregon se ajo ishte një ndër format e shprehjes së pjesëtarëve të komunitetit queer që shërbente si urë lidhëse mes tyre dhe në të njëjtën kohë si vegël fuqizuese. Si aktivist për të drejtat LGBTQ+ ai ka përcjellë nga afër zhvillimin e kulturës queer në vend prej të 2000-tave deri më sot, dhe kujton copëza të historisë së vonë të saj.

Gjatë këtyre mbledhive, personat queer kishin lirinë dhe sigurinë për ta shprehur veten në mënyra kreative dhe artistike.

“Mundësia për me u mbledhë si sot më përpara ka qenë shumë më e vogël; takimet, organizimet kanë qenë gjithmonë të fshehura për shkaqe sigurie”, kujton ai. “Pasi është hapur qendra [e komunitetit LGBTQ+] në Prizren në vitin 2004, zakonisht të shtuneve janë mbledhë personat queer në numër më të madh dhe së bashku janë argëtu me këngë të ndryshme”.

Tutje ai tregon se gjatë viteve 2004-2010, mbledhitë në hapësirat e vetme të sigurta në Prizren e Mitrovicë përveç që kanë pasur rëndësi të atypëratyshme për personat LGBTQ+, kanë ndikuar pozitivisht edhe në zhvillimin e kulturës queer pasi prej tyre burojnë disa prej organizimeve të para të të 2000-tave. Gjatë këtyre mbledhive, personat queer kanë pasur lirinë dhe sigurinë për ta shprehur veten në mënyra kreative dhe artistike.

Por të tilla kishte edhe para luftës, “gjatë viteve të 80-ta e 90-ta” thotë Arbëri, i cili ka dëgjuar për to nga historitë gojore të përcjella nga gjenerata në gjeneratë.

Nevoja e të shprehurit përmes formave të ndryshme të artit ka shtyrë personat LGBTQ+ të krijojnë një kulturë të veten, që përkundër sfidave të shumta po zhvillohet dita-ditës. Ajo përfshin forma të artit si muzikë, kinematografi, teatër, shfaqje drag, poezi, libra, ekspozita e shumëçka tjetër.

Strehë të sigurta  

Në shkurt të vitit 2010, në qendër të Prishtinës u hap lokali eksperimental “Gegë”, që për rreth tri vite shërbeu si vend i sigurt për të gjitha llojet dhe grupet e njerëzve. Pronare e tij ishte Oda Haliti, aktiviste për të drejtat e njeriut. 

“Gjithmonë jam mundu që Gegë me qenë vend për të gjithë, sidomos për personat e shtypur”, thotë ajo. “Kemi organizu ngjarje të ndryshme, si Jazz live, muzikë elektronike, netë të poezisë, netë me muzikë klasike e shumë ngjarje inovative për atë kohë, dhe në secilin prej këtyre aktiviteteve përherë ka pasë persona LGBTQ+”.

Ndër të tjera, ajo kujton edhe “Natën e çikave”, të njohur edhe si “Në dorë të çikave”, ngjarje e cila synonte t’i mblidhte vajzat dhe gratë e qytetit për t’u çliruar simbolikisht nga “burgu” i patriarkatit përmes muzikës me frymë feministe dhe lirisë momentale që fal vallëzimi. 

“Kam dashur të krijoj një hapësirë ku gratë s’kanë me qenë vetëm konsumatore pasive, por që kanë me kontribu e me qenë pjesë e Gegës”, thotë ajo ndërsa kujton se pikërisht ajo natë shënoi kohën kur personat queer filluan të ndiheshin më lirshëm në lokalin e saj.

Gjatë tri viteve të punës, “Gegë” mblodhi një larmi njerëzish në qoshin e vet të ngushtë në qendër të Prishtinës. Foto: Jetmir Idrizi.

“Më kujtohet një natë kur disa persona homofobikë më kanë kërku me i largu disa çifte gej prej lokalit veç pse ata po putheshin e po e shijonin ngjarjen”, thotë ish-pronarja e Gegës. “Kurrë nuk kam toleru gjëra të tilla, sepse Gegë nuk ka qenë lokal i thjeshtë — përkundrazi, ka qenë vend kreativ e i hapur që gjithmonë ka synu me përçu mesazhe sociale të lirisë e barazisë”.

Thotë se këtë e ka dëshmuar edhe me program, pjesë e të cilit shumë shpesh ishin artistë queer. Oda është vetë dj me famë ndërkombëtare dhe muzika e saj ka argëtuar personat queer në ndeja të ndryshme ndër vite. 

Përmes muzikës ajo përpiqet të përçojë mesazhe të ndryshme. “Unë tentoj që zërat e fjalimeve që i lëshoj gjatë kohës kur performoj, t’i bëj zëra androgjenë — nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të kem mundësinë që përmes muzikës sime t’u ofroj njerëzve lirinë dhe rehatinë e të qenit krejtësisht vetvetja”.

‘Ngjarjet queer janë lëvizje’

Dëshmitar dhe kontribues në zhvillimin e kulturës queer në Kosovë është edhe Lendi Mustafa, aktivist për të drejtat LGBTQ+. Ai kujton me entuziazëm ngjarjet e “Diversity Week” (“Java e Larmisë”) gjatë viteve 2014-2015, të organizuara nga Qendra për Emancipim Shoqëror (QESh), me qëllim krijimin e një vendi të sigurt, tolerant dhe të hapur për komunitetin LGBTQ+ përmes ngritjes së vetëdijes së popullatës kosovare dhe aktiviteteve përkrahëse për komunitetin.

Qysh prej atëherë, Lendi ka organizuar disa ngjarje queer, të cilat sipas tij e kryejnë më shumë se një funksion. “Ngjarjet queer nuk janë thjesht ngjarje — ato janë lëvizje, janë protesta dhe janë deklarata të forta, gjatë të cilave personat queer e shfryjnë gjithë mllefin ndaj shtypjes, por edhe e festojnë dashurinë. Këto organizime mundësojnë shërimin e traumës së komunitetit”, thotë Lendi.

"Diskriminimi dhe urrejtja e përjetuar ndër vite futen në skenë dhe shndërrohen në diçka historike dhe madhështore.”

Lendi Mustafa, aktivist për të drejtat LGBTQ+

Ai ka qenë edhe pjesë e ekipit organizativ të “Prishtinë is Burning”, një prej ngjarjeve drag më të njohura dhe më të mëdha në vend, që janë nisur nga Dj Matale. Ngjarjet queer të organizuara në kuadër të “Prishtinë is Burning”, sipas Lendit kanë ndikuar pozitivisht në bashkimin e komunitetit dhe i kanë bërë të gjithë pjesëmarrësit të ndihen sikur i përkasin kësaj kulture. 

“Kultura queer, e veçanërisht shfaqjet drag janë një mundësi e mirë për personat LGBTQ+ të përdorin armën e tyre më të fortë për ta luftuar pabarazinë”, thotë ai. “Me vallëzim e aktrim tregohet realiteti i situatës sonë — krejt diskriminimi dhe urrejtja e përjetuar ndër vite futen në skenë dhe shndërrohen në diçka historike dhe madhështore”.

Me shumë optimizëm për zhvillimin e kulturës queer në të ardhmen, Lendi flet edhe për përkrahjen — shoqërore si dhe financiare — që u duhet artistëve queer, e sidomos mbretëreshave drag. Ai e ka parë nga afër organizimin e performancave të tyre kështu që e di mirë se ka shumë shpenzime që i nxjerrin kryesisht nga xhepat e vet. 

Diva, një nga mbretëreshat drag që kanë performuar në shfaqjen e parë publike drag gjatë Javës së parë të Krenarisë në Kosovë më 2017, me shumë kënaqësi tregon për të gjitha performancat e saj, që tashmë i kanë kaluar kufijtë e vendit. “Përderisa kultura e personave LGBTQ+ po bëhet më publike e më e dukshme, besoj që jemi në rrugën e duhur për një revolucion në vendin tonë”, thotë ajo plot energji.

Në të njëjtën ngjarje ka performuar edhe Miss Fenix, e cila tregon edhe për ngjarje të tjera që ka organizuar në bashkëpunim me disa mbretëresha drag nga Prishtina e Tirana.  Ajo me shumë emocione kujton organizimet drag të para disa viteve, të cilat sipas saj kanë ndikuar në shtimin e vetëbesimit të personave queer, e sidomos të artistëve ndër ta. 

“Para 5-6 viteve ishte edhe më vështirë të organizosh ngjarje të tilla; kishte më shumë paragjykime, komente negative e më pak përkrahje”, thotë ajo, duke treguar se si vullneti dhe dëshira për ta shfaqur artin e saj e kanë bërë më të fortë si artiste, por edhe si person. 

Një tjetër mbretëreshë drag, Victoria Owns, me sytë e mbushur me lot nga nostalgjia kujton performancën e vet të parë në publik në një ngjarje të organizuar nga kolektivi “Hyjneshat”. 

“Natën e performancës kam ecë në kambë prej banesës deri te Dit’ e Nat’ ku është organizu ngjarja drag — ka qenë ndjenjë e papërshkrushme me i pa reagimet e njerëzve, çfarëdo që ishin”, thotë ajo. “Gjithmonë kam me kujtu lirinë që e kam pasë atë ditë, në rrugë e në skenë”.

Shfaqja drag ku performoi Victoria Owns nuk është e vetmja që kolektivi Hyjneshat ka organizuar. Posteri i DreqShow nga Hyjneshat.

Kolektivi i themeluar në qershor të vitit 2020 ka organizuar disa ngjarje queer publike, nga ngjarjet javore drag dhe shfaqja e episodeve të garës drag më të famshme në botë, RuPaul’s Drag Race, në lokalin Dit’ e Nat’ në Prishtinë, e deri tek organizimi i edicionit të parë të “DreqShow” në Termokiss për Halloween. 

Blend Bytyqi, bashkëthemelues i kolektivit, thotë se Hyjneshat është formuar prej nevojës për më shumë ngjarje dhe aktivitete queer.  “Duke parë nevojën e kultivimit të kulturës queer kosovare/shqiptare, ne synojmë që këtë kulturë ta përcjellim te të tjerët përmes eventeve të ndryshme, duke e theksuar rëndësinë që kjo kulturë ka pasur ndër vite përgjatë jetës së shumë personave queer në Kosovë”, thotë ai. 

“Ani pse ende nuk kemi ndonjë hapësirë kulturore e cila i dedikohet specifikisht komunitetit queer, personat queer po arrijnë të depërtojnë në të gjitha fushat që dikur ishin të ndaluara për ta”, vazhdon ai. “Hyjneshat kanë me vazhdu me organizu aktivitete queer, me shpresën që kolektive të tilla ka me pasë sa më shumë në kulturën queer të vendin tonë”.

Hapa të ngadaltë drejt hapjes

Vitet e fundit edhe në teatrin vendor me raste janë trajtuar rrymat e zhvillimit të kulturës queer. Një prej shfaqjeve teatrale me tematikë LGBTQ+ që ka bërë bujë është “55 shades of gay” me e shkruar nga Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Nezirajt.

Autori kujton zanafillën e shfaqjes, që kishte të bënte me një lajm të botuar në media.

“Kur para rreth shtatë vitesh gazetat në Kosovë publikuan me pompozitet ‘kërkesën e parë për martesë të një çifti gay në një qytet në Kosovë’, publiku kosovar shpërtheu me komente në rrjetet sociale”, kujton dramaturgu. “Shumica e tyre ishin natyrisht me tone homofobe, disa madje mohonin prezencën e personave homoseksualë në Kosovë”.

Megjithëse thotë se e vërteta për atë “kërkesë martese” nuk u kuptua ndonjëherë, atij i mbeti në mendje për gjatë. 

“Nga ajo kohë, zhvillimet në lidhje me komunitetin LGBTQ+ i përcillja me më shumë vëmendje sepse isha i bindur se duhej ta shkruaja një dramë mbi këtë temë”, thotë ai. “Drama niset mbi këtë bazë reale, por edhe brenda saj ka episode në lidhje me komunitetin LGBTQ+ të cilat i kam shkëputë e marrë nga realiteti”.

Ndër të tjera, dramaturgu thotë se mënyra se si trajtohen rolet e personazheve LGBTQ+ në teatër është shpesh stereotipizuese dhe i paraqet personat LGBTQ+ si jashtëtokësorë, si të shkëputur nga shoqëria. Ai bën thirrje për krijimin e më shumë shfaqjeve me karakter LGBTQ+ dhe portretizim të sinqertë e real të sfidave të tyre në shoqëri pasi beson se vetëm në këtë mënyrë mund të shtohet empatia e njerëzve karshi personave queer.

Nga shfaqjet drag e deri tek organizimi i “DreqShow” për Halloween, kohët e fundit komuniteti queer ka shtuar aktivitetet e hapura në Prishtinë. Fotot: majtas Besfort Syla, djathtas Ilda Ibrahimi.

Kolektivi artistik “HAVEIT” po ashtu kanë kontribuar në zhvillimin e kulturës queer me aktivizmin e tyre. Përmes instalacioneve artistike, themelueset dhe pjesëtaret e këtij kolektivi Alketa e Lola Sylaj dhe Hana e Vesa Qena tentojnë të përçojnë mesazhe sociale. 

Në instalacionin e tyre të parë më 14 shkurt 2014, disa vajza u puthën mes vete në qendër të Prishtinës. Me mbishkrimin “Në të ashtuquajturën “Dita e Dashurisë”, kjo shoqëri vazhdon të refuzojë dhe ndalojë dashurinë mes seksit të njejtë, për shkak të ‘moralit’,” fotoja e HAVEIT u bë virale dhe mori reagime të llojllojshme nga mediat dhe publiku i gjerë. 

Pas dy vitesh, më 2016, ato organizuan aktivitetin “Pushimi i gjatë” në hapësirat e institucioneve publike e arsimore. Aty promovuan librin me po të njëjtin emër që përmbante poezi me karakter queer të shkruara ndër vite nga autorë shqiptarë.

Kur bëhet fjala për dokumentim të artit queer në histori, Dylberizm është platforma e parë në gjuhën shqipe e dedikuar për informimin dhe edukimin mbi çështjet LGBTQ+ që tenton të dokumentojë kulturën queer të viteve të fundit në Kosovë. 

Nga Dylberizm konfirmojnë që kultura queer deri vonë ka qenë “nën tokë” dhe është zhvilluar në mënyrë diskrete, nga persona queer dhe vetëm për persona queer. 

“Pas lufte, e sidomos pas pavarësisë së Kosovës, kultura queer fillon me u hapë dhe me qenë prezente në publik, me ndeja të hapura dhe evente edukative e kulturore”, thonë aktivistët nga Dylberizm. “Shumë organizata për të drejtat e njeriut kanë fillu me organizu evente queer, ndërsa sot ka evente që organizohen në mënyrë të pavarur nga komuniteti në të cilatmarrin pjesë lirshëm personat queer e aleatët”.

Aktivitete të tilla të hapura, instalacione e shfaqje teatrale jostereotipizuese e empatike ndaj sfidave të personave LGBTQ+ shënojnë një progres gradual në shtegun e trasuar nga vetë komuniteti queer.

“Zhvillimi i kulturës queer dhe shtimi i shfaqjeve, performancave e artistëve/eve LGBTQ+ ndikon në emancipimin e shoqërive tona”, thotë dramaturgu Jeton Neziraj.Një shoqëri nuk mund të ketë liri dhe barazi pa lirinë dhe barazinë e personave LGBTQ+”.K

Imazhi i ballinës: Jetmir Idrizi.