Arti dhe kultura kanë qenë gjithmonë një mjet për shprehje sociale dhe për kritikë politike. Që nga fundi i luftës dhe pas pavarësisë, Kosova ka zhvilluar një nga skenat më të gjalla kulturore në rajon.
Megjithatë, skena e pavarur kulturore është larg nga të qenurit e përsosur. Në vitet e fundit institucionet lokale dhe ato kombëtare tradicionalisht nuk e kanë konsideruar kulturën dhe artin, në veçantit kulturën e pavarur – si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, që do të kontribuonin për një strukturë të shëndoshë shoqërore. Shumë nga organizatat kulturore aktualisht mbështeten nga fondet e huaja dhe në fakt do të ishte e vështirë të funksionojnë pa ndihmën e tyre. Megjithëse Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përkrah artin dhe kulturën, është ende e paqartë se çfarë kriteresh ka për financim pasiqë nuk ka një strategji për artin dhe kulturën.
Për më shumë se një dekadë, aktorët e pavarur kulturorë të Kosovës kanë qenë të suksesshëm në bartjen e mesazheve të fuqishme jashtë vendit si dhe kanë kontribuar në krijimin e një imazhi pozitiv të shtetit të ri. Por artistët kosovarë ende përballen me pengesa të shumta shoqërore dhe politike. Edhe pse arti njihet si një mjet për të rrënuar barrierat, kërkesat e rrepta të vizave po izolojnë artistët kosovarë, duke i mbajtur larg nga skena ndërkombëtare e artit dhe nuk po lejojnë përhapjen e artit të tyre dhe vendosjen e Kosovës në hartën kulturore ndërkombëtare.
Pra, çfarë mund të bëhet për të krijuar kushte më të mira për skenën e pavarur kulturore? Si i ndan Ministria fondet për organizatat kulturore? Çfarë implikimesh kanë fondet institucionale për organizimin e aktiviteteve kulturore “të pavarura”? Me cilat probleme të tjera strukturore ballafaqohet skena e pavarur kulturore në Kosovë? Si e shohin artistët rolin dhe të ardhmen e artit dhe kulturës në Kosovë? Deri në çfarë mase janë të lirë artistët të cilët mbështeten nga institucionet shtetërore të kritikojnë çështjet socio-politike?
Bashkohuni me ne në ora 18:00 të enjten, më 23 gusht në kopshtin e K2.0 ku do të diskutojmë të gjitha këto çështje dhe më shumë në bashkëbisedimin tonë të shkurtër.
Për të nisur diskutimin kemi ftuar:
- Burbuqe Deva-Bakija – Zëvendës Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport
- Arif Muharremi – Menaxher i Projektit të Kulturës për Ndryshim
- Veton Nurkollari – Drejtor Artistik i Dokufestit
- Albert Heta – Bashkëthemelues i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës (RRIPAK)
Biseda do të moderohet nga Ares Shporta, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Lumbardhi.
Përkthimi në gjuhën angleze do të sigurohet.K
Foto kryesore: Majlinda Hoxha / K2.0.