Në thelb | Aktivizmi

Kundërpërgjigje në Facebook

Nga - 17.10.2017

Mediat sociale në ndihmë të aktivistëve për t’u bërë presion komunave.

Në Podujevë, gjatë një nate të prillit të këtij viti, lehtë do të mund t’i hasje gjuetarët e shoqatës ‘‘Llapi’’ teksa endeshin rrugëve të qytetit. Ata patrullonin me mandat nga Komuna e Podujevës që me 3 prill u kishte ndarë tenderë me mision gjetjen dhe vrasjen e qenve endacakë.

Në orët e vona të 24 prillit, disa qytetarë kishin rastisur të jenë dëshmitarë të këtyre vrasjeve dhe kishin filmuar gjurmët e mbetura të gjakut të kafshës së qëlluar dhe këlyshëve të saj. Videoja ishte shpërndarë përmes rrjeteve sociale me të cilën më pas u morën edhe mediat vendore. Kjo nxiti reagime të shumta, dhe shumë njerëz e quajtën veprimin e komunës si ‘‘mizor dhe aspak njerëzor’’.

Përkundër këtyre reagimeve, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, atë kohë deklaronte se qentë endacakë përbënin rrezik për qytetarët dhe se Komuna nuk ka alternativë tjetër pos eliminimit të tyre. Porosia ishte e qartë: Komuna nuk e kishte ndërmend t’i ndalte vrasjet e qenve!  

Por njëkohësisht, edhe qytetarët ishin po aq të përkushtuar në kundërtshtimin e tyre, dhe rrjetet sociale u shndërruan në platformën kryesore të komunikimit përmes së cilës aktivistë e qytetarë vazhduan presionin e tyre që të ndalet vrasja.

Pamjet e dhunshme të vrasjes së qenve në rrjetet sociale u përcollën me thirrje për protesta.

E gjatë këtyre viteve të fundit, iniciativat e tilla vetëm sa janë shpeshtuar – duke përfshirë protestat kundër rritjes së çmimit të energjisë, protestat e studentëve për shkarkimin e rektorit Ibrahim Gashi në vitin 2014, protestat kundër dhënies në shfrytëzim për biznes privat të Kalasë së Vushtrrisë, si dhe ankesat ndaj disa vendimeve të komunave. 

Fuqia e grupit

Grupet për të drejtat e kafshëve në rrjetet sociale janë të shumta, dhe ‘‘Të bashkuar për kafshët’’ është një prej grupeve aktive në Facebook me 8,000 anëtarë.

Kundërshtimi i tyre ndaj veprimit të komunës së Podujevës mbështetej në legjislacionin vendor, konkretisht në ‘Ligjin për Përkujdesje ndaj Kafshëve’’. Në Nenin 8 të këtij Ligji thuhet: ‘‘Përveç në rastet emergjente të cilat dukshëm tregojnë dhembje ekstreme që mund të pasojnë me ngordhje, vetëm veterinari ose personi tjetër kompetent lejohet të vras kafshën e llojit të zbutur ose çfarëdo kafshe të egër e cila është zbutur, përveç kafshëve të mbarështuara për prodhim të ushqimi’’.

Grupi ‘‘Të bashkuar për kafshët” po ashtu u kishte bërë thirrje institucioneve të tjera shtetërore, si Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, që urgjentisht të ndalej vrasja e qenve, të cilën ata e cilësonin ilegale.

Protestat kundër vendimit të Komunës ndodhën shumë shpejtë. Videoja që shfaqte vrasjen e qenve ishte postuar më 24 prill. Tre ditë më vonë, një protestë ishte mbajtur në Podujevë kundër vrasjes së qenve endacakë. “Të bashkuar për kafshët” kishin vazhduar edhe avokimin në Facebook.  Më 28 prill, kryetari Veliu kishte ndaluar vrasjen e qenve, dhe zyrtarët komunalë ishin shprehur se komuna do të kërkojë ‘‘alternativa të tjera për trajtimin e qenve endacakë’’.  

“Të bashkuar për kafshët” kanë qenë aktivë me reagime ndaj komunave për trajtimin e kafshëve edhe para ngjarjes në Podujevë. Komunat si ajo e Prishtinës, e Prizrenit, e Mitrovicës, e Klinës, e Fushë Kosovës, e Mitrovisës së Veriut ishin përballur me kundërshtimin e anëtarëve të grupit në fjalë, ku ndër të tjera, ata i akuzonin këto komuna se po organizonin ‘‘vrasje masive të qenve endacakë’’.  

Driton Gusia, anëtar i grupit “Të bashkuar për kafshët”, kishte filluar një peticion që bënte thirrje për ndaljen e vrasjeve të qenve endacakë në Kosoë. Peticioni i bënte thirrje presidentit dhe kryeministrit të vendit që të ndalohej kjo praktikë mizore dhe të insistohej në metoda tjera karshi trajtimit të qenve endacakë, ku ndër të tjera jepeshin opsionet e tjera. Peticioni ishte nënshkruar nga më shumë se 120 mijë persona.

Gusia theksoi rastin e vrasjeve së qenve endacakë në Komunën e Mitrovicës dhe në atë të Mitrovicës së Veriut. Gjatë aksioneve në këto qytete, anëtarët e këtij grupi kishin shkuar atje në përpjekje për ndaljen e vrasjeve, ku edhe kishin provuar të flasin me kryetarin Agim Bahtiri por pa sukses.

Ai tregon një ngjarje të dhimbshme të një qeni që ishte vrarë, të cilin banorët e lagjes e kishin ushqyer çdo ditë. Banorët, në shenjë proteste, qenit të vrarë i kishin kushtuar edhe një grafit.   

Së fundmi, me mbështetje të Zyrës së Bashkimit Europian, grupi ka nisur fushata nëpër shkollat e vendit me qëllim të ngritjes së vetëdijes për trajtimin e qenve endacakë. Qeveria e Kosovës gjithashtu i ka marrë parasysh sugjerimet e kësaj iniciative për trajtimin e qenve endacakë dhe për ndaljen e vrasjeve të tyre.  

Aktivistët online

Në vitin 2014, Betim Zllanoga përdori Facebook-un për t’ia kujtuar komunës së Rahovecit të udhëhequr nga Idriz Vehapi, se gjatë atij viti kishin bërë shkelje ligjore për shkak të mosmbajtjes së takimeve publike me qytetarët. Sipas ‘‘Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale’’, në Nenin 68 thuhet se komunat janë të obliguara të mbajnë së paku dy takime gjatë vitit.                  

Pasi kishin mbetur edhe disa ditë deri në përfundim të atij viti, zyrtarët komunalë ishin angazhuar që për ato pak ditë të organizojnë së paku një dëgjim publik me qytetarët.  Mirëpo, kjo nuk e kishte kënaqur Zllanogën. Po në rrjetet sociale, ai kishte reaguar përsëri duke e quajtur vendimin e tyre si farsë.

Betim Zllanoga e përdori Facebook-un për t’ia kujtuar komunës së tij në Rahovec obligimet që ajo i ka për të mbajtur takime publike.

Duke jetuar në një qytet të vogël, ku shumica e njerëzve njihen në mes vete, Zllanoga kishte vërejtur se shumëkush kishte zgjedhur rrugën e heshtjes. Sipas tij, kjo kishte rezultuar në një situatë ku askush nuk e konsideronte komunën përgjegjëse. Si aktivist i shoqërisë civile, ai përdori murin të tij në Facebook si aleatin më të mirë për të dhënë kritika, ide dhe denoncime karshi pushtetit lokal të Rahovecit. 

Ashtu sikurse Zllanoga, edhe Milot Hasimja, gazetar në televizionin Klan Kosova dhe i njohur si qytetar aktiv në rrjete sociale, pajtohet se pushteti lokal ka ndikim të menjëhershëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe si i tillë duhet të jetë në fokus të kritikave. Që të dy pajtohen se është e rëndësishme të insistohet që komunat t’i realizojnë përgjegjësitë të cilat i kanë.

Gjatë vjeshtës së vitit të kaluar, Hasimja ishte vizitor i përditshëm i deponisë së mbeturinave që gjendej në ‘‘Lagjen e Spitalit’,’ në Prishtinë. Ai shkonte aty për çdo mëngjes e mbrëmje, ku bënte nga një fotografi të cilën e postonte në faqen e tij të Facebook-ut.

Kjo ishte forma që ai kishte zgjedhur të bënte presion tek komuna për largimin e kësaj deponie. Por, duke parë se komuna nuk po reagonte, Hasimja  së bashku me aktivistët e grupit ‘‘Ta Pastrojmë Kosovën’’, u organizuan ta largojnë deponinë.

Në ditën që ata dolën për të pastruar, aksionit iu bashkangjit edhe Drejtoria për Shërbime Publike e Komunës së Prishtinës. Brenda ditës kishin arritur t’i largonin krejt mbeturinat, ta mbulonin atë pjesë me dhé, si dhe të mbjellin bari e drunj.

Milot Hasimja nëpërmjet rrjeteve sociale i dokumentoi të gjitha përpjekjet e tij për ta pastruar një zonë të Prishtinës.

‘‘Shokët filluan ta thërrasin atë pjesë, ‘Parku i Pilës’’’, thotë Hasimja, duke iu referuar pseudonimit me të cilin i drejtohet rrethi i tij i ngushtë.

Zllanoga anën tjetër beson se përdorimi i rrjeteve sociale për probleme që hasen nëpër komuna kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm. Sipas tij, rezultatet më së miri arrihen kur kritika është objektive, dhe kur gjendet një formë e drejtë e komunikimit me njerëzit në pushtet.

Si aksivistë online ata besojnë se kontributi më i madh i rrjeteve sociale është zbehja e barrierës që ka ekzistuar ndërmjet politikanëve dhe qytetarëve, që ka krijuar një nivel të barabartë në debat ndërmjet politikanit dhe qytetarit. “Besoj se ky është një kontribut për pushtetin lokal, [dhe] politikanët do të duhej të ishin mirënjohës’’, thotë Zllanoga. “[Por], interesante është se njerëzit kanë filluar të më shkruajnë dhe të m’i tregojnë problemet e tyre, që unë t’i ngris ato si shqetësime’’.

Hasimja, i cili rrugën ‘‘Muharrem Fejza” ku ai banon e ka bërë të famshme përmes rrjeteve sociale, beson se ende duhet kohë që efekti i tyre të jetë më produktiv. Kujton gjendjen e para tetë viteve, kur ai drejtonte kritika ndaj kryetarit të atëhershëm të Prishtinës, Isa Mustafa. Por, duke mos pasur përdorim të rrjeteve sociale sikurse sot, ai tregon se zyrtarët e asaj kohe nuk kishin ndërmarrë veprime ndaj ankesave.

Milot Hasimja mendon se suksesi i tij në Lagjen e Spitalit erdhi pjesërisht për shkak të numrit të përcjellësve që i ka në rrjete sociale si dhe pêr shkak të profilit të tij publik. Ai mendon se në komunë duhet të hapet një zyrë për ankesa. Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Ai beson se aktivizmit në rrjetet sociale i ka ndihmuar edhe përdorimi gjithnjë e më i madh i atyre rrjeteve. Dhe ky përdorim i madh i tyre shpeshherë i shtyn zyrtarët komunalë të reagojnë ndaj kërkesave të qytetarëve, por, ai beson se ky reagim i tyre nuk është i sinqertë dhe i njëjtë në të gjitha rastet.   

Për shembull, ai tregon raste kur për të njëjtin problem, në adresë të Komunës së Prishtinës ka reaguar vëllai i tij dhe nuk është marrë parasysh ankesa e tij. Hasimja beson se të qenët figurë publike i ka ndihmuar në raport me zyrtarët komunalë.

‘‘Kam 5 mijë shokë dhe 15 mijë ndjekës në Facebook”, thotë ai. “Një ankesë timen në pak minuta mund ta shohin 20 mijë veta dhe pushtetarët e dinë këtë’’.

Për ta lehtësuar komunikimin ndërmjet qytetarëve dhe komunës, Hasimja beson se duhet të ndërmerren dy hapa: të ketë organizim më të mirë të komunitetit në lagje, si dhe të formohet një zyrë e ankesave brenda komunës, e cila do t’i shpërndante ankesat e qytetarëve në departamentet përkatëse.

Zllanoga në anën tjetër beson se përdorimi i rrjeteve sociale nga ana e politikanëve mund të përdoret si ‘‘boomerang’’ ndaj tyre. Rastet kur politikanët promovojnë punët e tyre në këto platforma komunikimi dhe kritikohen po brenda hapësirës së tyre, sipas tij, është shembull që dëshmon se në rrjetet sociale mund të gjenden forma për përballje të politikanëve me qytetarët.

Betim Zllanoga beson se aktivizmi në rrjetet sociale ka ndihmuar në ndryshimin e diskursit gjatë fushatave të zgjedhjeve lokale, duke e kthyer theksin tek çështjet lokale. Foto: Fikret Ahmeti / K2.0.

Ai beson se pushteti sot është më i suksesshëm për shkak se problemet po adresohen dhe qytetarët po u tregojnë politikanëve se cilat janë problemet e tyre.

‘‘E shihni se si ka ndryshuar edhe diskursi i tyre’?”, thotë Zllanoga. Në Rahovec, sipas tij, kandidatët për kryetarë komune më nuk po flasin për pjesëmarrjen në luftë, por po flitet për problemet konkrete që i preokupojnë qytetarët.  

‘‘Rrjetet sociale u kanë dhënë qytetarëve rolin e watchdog-ut, rol që dikur ishte i rezervuar vetëm për gazetarët. Qytetarët po e monitorojnë punën e pushtetarëve dhe po ndikojnë në diskursin publik’’, thotë Zllanoga.

Në anën tjetër Hasimja që për vite të tëra si gazetar, thekson se hapësira që japin rrjetet sociale e bën dallimin ndërmjet denoncimit në media dhe rrjeteve sociale. ‘‘Për ta treguar një problem hapësira më e mirë po të jepet në rrjetet sociale’’, thotë ai.K

Rasti i Kalasë së Vushtrrisë

Më 7 korrik, 2017, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte marrë vendim që Kalaja e Vushtrrisë të jepet në shfrytëzim për restaurant. Një javë më pas, Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Komunës së Vushtrrisë, Shpresa Rama, përmes rrjetit social Facebook, kishte reaguar duke thënë se ‘‘vendimi i institutit ishte bërë pa u njoftuar komuna’’.

Trë ditë më vonë filluan edhe reagimet e para të artikuluara të qytetarëve kundër një vendimi të tillë. Disa të rinj nga Vushtrria formuan faqen në Facebook, ‘‘Qytetarët në Mbrojtje të Kalasë’’, përmes së cilës e kundërshtonin vendimin. Në reagimin e parë të tyre thanë se vendimi për dhënien e kalasë për shfrytëzim privat ishte në kundërshtim me mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Ndër të tjera ata theksuan faktin që Kalaja e Vushtrrisë po ashtu shfrytëzohej nga të rinjtë vushtrrias për aktivitete kulturore, edukative dhe sociale.

Për më tepër, përfituesi i këtij vendimi ishte Mentor Salihu, daja i Bajram Mulakut, kryetarit aktual të Vushtrrisë. Një praktikë e ngjashme kishte ndodhur edhe më herët. Në vitin 2010, një pjesë e “Urës së Gurit”, po ashtu objekt i trashëgimisë kulturore, i ishte dhënë në shfrytëzim për qëllime biznesore vëllaut të Sami Istrefit, Drejtorit për Urbanizëm. Sipas Iniciativës, një pjesë e urës tash është dëmtuar, dhe se vendimet e tilla do të vazhdonin të rrezikonin dhe ta shkatërronin trashëgëminë e qytetit.

Më 19 korrik, ata dorëzuan një kërkesë në Prokurorinë e Shtetit për të shqyrtuar vendimin e komunës për Kalanë, dhe po atë ditë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve njoftoi se ka shkëputur njëanshëm kontratën me Salihun. Më 24 korrik, Prokuroria e Shtetit po ashtu e dërgoi kërkesën në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm.

Me këtë rast, qytetarët e Iniciativës thanë: “Ne si iniciativë jemi të vetëdijshëm se tash për tash kemi fituar një betejë të rëndësishme por lufta për Kalanë tonë, në të kaluarën dhe në të ardhmen, nuk ka përfunduar”.