Pikëpamje | Srebrenica

Kurrë më, por s’ka ndryshuar gjë

Nga - 11.07.2022

Duke kujtuar Srebrenicën në mes të përhapjes së gjuhës së urrejtjes.

Në prag të pushtimit të Polonisë në shtator të vitit 1939, Hitleri u tha gjeneralëve të tij “dërgoni drejt vdekjes, pa mëshirë dhe pa dhembshuri, burra, gra dhe fëmijë me prejardhje dhe gjuhë polake”. Për ta parandaluar çdo shqetësim për një reagim të mundshëm ndërkombëtar nëse Gjermania do t’i shkatërronte polakët, Hitleri deklaroi: “Kush sot, në fund të fundit, flet për asgjësimin e armenëve”? Mesazhi ishte i qartë; krimet mizore madje edhe gjenocidi mund të harrohen.

Do të ishte ekzagjerim të pohohet se gjenocidi në Srebrenicë i korrikut të vitit 1995 është harruar; përkujtimi vjetor i masakrës së rreth 8,000 burrave dhe djemve përgjatë përafërsisht dy javësh i cili u njoh si gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë njihet gjerësisht dhe shënohet përherë me fjalime solemne nga udhëheqësit e fuqishëm botërorë. Por teksa “Srebrenica” vazhdon të mbetet pjesë e diskursit politik ndërkombëtar, thirrjet rutinore të saj, në thelb nuk duhet të interpretohen si pozitive.

Në shumë forma, natyra e përkujtimit të Srebrenicës nga komuniteti ndërkombëtar në mënyrë perverse është bërë një mjet me të cilin mësimet më të spikatura të Srebrenicës janë errësuar. Realiteti tragjik është se teksa udhëheqësit botërorë tregojnë vullnet ta shprehin simpatinë, këto lulëzime retorike e largojnë vëmendjen nga fakti se ka pasur mosgatishmëri të theksuar për trajtimin e shkaqeve rrënjësore të gjenocidit. Teksa shumica deklarojnë “kurrë më”, një qëndrim më i saktë është “s’ka ndryshuar gjë”.

Gjuha e urrejtjes në rritje

Gjenocidi nuk është akt spontan i dhunës së rastësishme e kryer nga të çmendurit e etur për gjak. Ato ndodhin vetëm pasi udhëheqësit zbatojnë një fushatë të koordinuar ku një grup i shënjestruar çnjerëzohet dhe portretizohet si kërcënim ekzistencial. Gjenocidi i Srebrenicës nuk do të kishte ndodhur nëse serbët e Bosnjës nuk do të ishin bindur se myslimanët e Bosnjës janë një “tjetër” nën-njerëzor që ua kërcënon atyre vetë ekzistencën. Para gjenocidit, udhëheqësit serbë të Bosnjës folën për kërcënimin që “Balijas” dhe “Turqit” paraqesin dhe nevojën për krijimin e një atdheu etnikisht të pastër — gjatë një seance parlamentare të vitin 1991, Radovan Karadžić, presidenti i atëhershëm i Partisë Demokratike Serbe, i paralajmëroi haptazi myslimanët boshnjakë se do të “zhdukeshin” nëse lufta shpërthen.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, po ashtu ka mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë.

Pavarësisht një mal provash që tregojnë ndërlidhjen mes gjuhës së urrejtjes dhe gjenocidit, gjuha e urrejtjes është më e përhapur sot sesa në vitin 1995. Kohëve të fundit, liderët serbë të Bosnjës po bëhen gjithnjë e më të gatshëm t’i shprehin hapur qëndrimet sektare dhe t’i mohojnë faktet rreth gjenocidit të Srebrenicës; retorika ka paralele kërcënuese me diskursin e para ‘95-ës. Milorad Dodik, anëtari aktual serb i Presidencës së Bosnjës, së fundmi deklaroi: “Çdo kombi i nevojitet një mit dhe boshnjakët nuk e kanë pasur një të tillë. Kështu që, vendosën ta ndërtojnë një rreth Srebrenicës”. Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, po ashtu ka mohuar se ka ndodhur gjenocidi në Srebrenicë.

Përgjigja ndërkombëtare ka qenë diku mes heshtjes dhe pa efektshmërisë; zëdhënësja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Liz Throssell, teksa reflektonte mbi, “rritjen e gjuhës së urrejtjes, mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera mizore dhe lavdërimin e kriminelëve të luftës” nga udhëheqësit serbë të Bosnjës, e përshkroi si, “dështim për t’i parandaluar dhe sanksionuar aktet e tilla”. Në fakt, komuniteti ndërkombëtar ka shfaqur një entuziazëm të veçantë në mbështetje të qeverisë serbe, si dhe duke mbyllur njërin sy ndaj autoritarizmit të saj në rritje dhe mohimit të hapur. Përhapja e gjuhës së urrejtjes nuk kufizohet vetëm në Ballkan; shumë liderë perëndimorë veçanërisht Donald Trump dhe Boris Johnson viteve të fundit, kanë ardhur në pushtet duke nxitur urrejtje kundrejt “tjetrit” dashakeq dhe populizmi përçarës është në rritje në mbarë botën. Si i tillë, dominimi aktual i gjuhës së urrejtjes në Bosnje dhe në Ballkan në përgjithësi nuk është një problem endogjen; është reflektim i tendencave botërore dhe një kthesë drejt populizmit përçarës brenda vetë Perëndimit.

Stereotipet dominuese ballkanike

Kur vizitova qendrën përkujtimore në Potočari në vitin 2019, dëshmitë e të mbijetuarve, gjërat personale të gjetura në varret masive dhe përmasat e mëdha të varrezave, të gjitha lanë gjurmë të pashlyeshme. Por veçanërisht u tmerrova nga mbishkrimet raciste të vizatuara nga trupat holandeze të OKB-së në muret e konvikteve të tyre. Qartazi dukej se  i shihnin vendasit si primitivë dhe të egër; vendimi i tyre turpërues, për t’i braktisur vetë njerëzit për të cilët u ngarkuan t’i mbronin siç përshkruhet qartazi në “Quo Vadis Aida?merr më shumë kuptim kur e sheh se si i shihnin ata.

Mjerisht, shprehje raciste për Ballkanin ende vazhdojnë. Kjo ka implikime të thella për miliona njerëz që jetojnë aty. Në vitin 2003, BE-ja siguroi se vendet e Ballkanit do të anëtarësoheshin në bllok; vetëm Kroacia është bashkuar që atëherë. Viteve të fundit, procesi i anëtarësimit ka ngecur pasi anëtarët e fuqishëm të BE-së më së shumti Franca dhe Holanda aktivisht kanë punuar për bllokimin e anëtarësimit të shteteve të rajonit. Parandalimi i grupeve të “paqytetëruara” ballkanike që t’i bashkohen BE-së, padyshim, iu ka fituar shumë vota politikanëve perëndimorë, por ka tejzgjatur vështirësitë dhe izolimin ndërkombëtar që durohet nga qytetarët e këtyre shteteve.

Më shqetësuese janë konceptimi i botës si e ndarë në zona civilizimi dhe kaosi që lehtëson kryerjen e krimeve mizore; ata që mbeten të izoluar në periferi dëshpërohen më shumë, zemërohen më shumë dhe kështu ndikohen më lehtë ndaj shprehjeve zbutëse të demagogëve nacionalistë, të cilët premtojnë se gjithçka do të rregullohet nëse “tjetri” shkatërrohet. Kësisoj, atyre që kanë fuqinë ta parandalojnë një dhunë të tillë gjenocidale, u mundësohet t’i injorojnë këto mizori nëse kanë ushqyer një narrativë dominuese që i cakton njerëzit në këto “shtete të dështuara” si “të tjerë” patologjikisht të dhunshëm që nuk mund t’u ofrohet ndihmë. Sirianët, Rohingya, Tigrayan, Huthi dhe shumë të tjerë e kanë pasur këtë përvojë të hidhur që nga viti 1995.

E drejta ndërkombëtare dhe hipokrizi sërish?

Arsyeja që komuniteti ndërkombëtar nuk e parandaloi gjenocidin në vitin 1995 nuk ishte sepse mungonin ligjet që ia mundësonin ta bënte këtë. Ligjet ekzistonin; shtetet zgjodhën të mos i zbatonin ato. Rendi juridik ndërkombëtar i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore i dha Këshillit të Sigurimit të OKB-së fuqinë por jo detyrën për ta zbatuar të drejtën ndërkombëtare; mund të veprojnë nëse dëshirojnë, por jo domosdoshmërisht. Kjo sigurisht nënkupton se planet politike përcaktojnë se kush duhet të shpëtohet dhe kush të lihet të vdesë, siç e paguan myslimanët boshnjakë dhe tutsi-it e Ruandës në vitin 1994.

Teksa reflektojmë mbi gjenocidin në Srebrenicë, duhet të përqendrohemi më shumë sesa thjesht të shprehim keqardhje për dështimet e së kaluarës.

Pas Ruandës dhe Srebrenicës, “Kurrë më” u shfaq edhe një herë si refren i përbashkët dhe shumica kërkuan që të reformohej rendi juridik ndërkombëtar. Teksa kjo lëvizje fitoi një momentum të rëndësishëm, realiteti është se rendi juridik ndërkombëtar është saktësisht i njëjtë sot si në vitin 1995. Në vitin 2001 “Përgjegjësia për të mbrojtur” (R2P) doli si zgjidhje e supozuar për dështimet që dolën në sipërfaqe nga gjenocidet në Ruandë dhe Srebrenicë, por ka rezultuar të jetë thjesht një moto; që kur R2P u njoh nga të gjitha shtetet e botës në vitin 2005, kurse krimet mizore janë rritur.

Fakti që sistemi nuk ka ndryshuar s’është i rastësishëm; shtetet e fuqishme aktivisht kanë bllokuar përpjekjet për t’i reformuar mjetet me të cilat zbatohet ligji ndërkombëtar. Për sa kohë që ata që e kanë fuqinë t’i ndalojnë masakrat masive, ta kenë mundësinë e zgjedhjes nëse duan ta bëjnë këtë, të tjerët do ta përjetojnë të njëjtin fat të tmerrshëm si myslimanët boshnjakë në vitin 1995.

Teksa reflektojmë mbi gjenocidin në Srebrenicë, duhet të përqendrohemi më shumë sesa thjesht të shprehim keqardhje për dështimet e së kaluarës. Është e domosdoshme që mësimet e Srebrenicës të mbahen mend dhe, më e rëndësishmja, të veprohet sipas tyre. Në fund të fundit, gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995 nuk ishte i pashmangshëm; mund të ishte ndalur, por ata që kishin fuqinë ta bëjnë këtë, dështuan të vepronin dhe mosveprimin e tyre çdoherë e justifikuan mbi bazën e stereotipave dembele për Ballkanin.

Në përvjetorin e gjenocidit, udhëheqësit botërorë do ta përsërisin “kurrë më”, por kjo është një frazë e pakushtueshme dhe përfundimisht boshe. Të shprehësh dhimbje rreth asaj që ndodhi në Srebrenicë, kurse në të njëjtën kohë ta tolerosh nëse jo të përfshihesh në të gjuhën e urrejtjes, promovimin e shprehjeve populiste për egërsinë dhe “tjerët” e Ballkanit dhe aktivisht t’i bllokosh përpjekjet për t’i reformuar mjetet me të cilat zbatohet ligji ndërkombëtar, është hipokrizi e rrezikshme.

Imazhi i ballinës: Adem Mehmedovič / K2.0.