Pikëpamje | Feminizmi

Kush i mbron gratë shqiptare nga policia?

Nga - 12.04.2024

Lëvizja feministe e Shqipërisë synon ta prishë kulturën e mosndëshkimit.

“A s’e ke parë se si vrasin gratë në atë vend?”, thotë Fatbardha teksa qëron patatet. Kalimi i Kanalit Anglez me një varkë të vogël ishte sfidues për Fatbardhën — emri i së cilës është ndryshuar për ta ruajtur anonimitetin — dhe djalin dhe vajzën e saj të vogël. Prapëseprapë, ajo thotë se nuk do të hezitonte ta ndërmerrte sërish rrugëtimin e rrezikshëm nga Shqipëria.

Fatbardha u largua nga Shqipëria pas vitesh vështirësish ekonomike dhe dhune në familje. E takova në një qendër rinore në Londrën Lindore, bashkë me gra dhe familje tjera shqiptare që kërkonin azil në Britani të Madhe. Po merrnin pjesë në aktivitete gatimi si terapi të organizuara nga bamirësitë lokale për t’i ndihmuar azilkërkueset gra që ta përballonin pritjen me ankth të vendimit nëse do t’u jepet statusi i refugjatit.

Gratë shqiptare që kërkojnë strehim në Britani të Madhe kanë histori të ndryshme dhe të ndërlikuara. Shumë prej tyre i frikësohen dhunës në familje, zakonisht nga baballarët dhe/ose bashkëshortët e tyre. Sipas avokatëve/eve të imigracionit që ndihmojnë në raste shqiptare, rreziku i dhunës në familje ndonjëherë kombinohet me faktorë të tjerë rreziku, si gjakmarrja ose trafikimi në kërkesat për azil.

“Kur iu them klienteve të mija dhe i pyes: ‘A ke shkuar në polici?’”, ato qeshin me mua dhe më thonë: “A dëshiron që të më vrasin?” Në fshatin e tyre, po shkove në polici, denoncimi kundër bashkëshortit konsiderohet tabu e madhe… përballesh me dhunë të mëtejshme, jo vetëm nga babai, bashkëshorti, por edhe të tjerët”, thotë Esme Madill, avokate specialiste në Njësinë Ligjore të Fëmijëve Migrantë dhe Refugjatë (MiCLU), gjatë një punëtorie online lidhur me kërkesat shqiptare për azil që bazohen në frikën e dhunës në familje.

Sipas raporteve të ndryshme, korrupsioni gjyqësor mbetet endemik në Shqipëri dhe si pasojë, disa autorë të dhunës me bazë gjinore lirohen me dënime të buta. Kjo dhunë përkeqësohet për gratë e varfra dhe me paga të ulëta që jetojnë në komunitete të ngushta në zonat rurale, ku baballarët dhe partnerët burra kanë shoqëri me policinë vendore. Edhe kur gruaja mbledh forcën për ta raportuar rastin, policia shpesh e redukton atë në çështje familjare, duke i lënë gratë pa mbrojtje të mjaftueshme.

“Disa gra që kërkojnë mbrojtje janë nga fshati ku ekziston vetëm një shkollë dhe një mjek. Paramendojeni atë grua kur shkon në stacion të policisë…para se të kthehet në shtëpi, policia vetëm se e ka njoftuar tashmë familjen, bashkëshortin dhe të afërmit e tjerë,” tha Flutra Shega, bashkëthemeluese e Programit “Shpresa”, një nga organizatat e pakta bamirëse që punon me migrantë dhe refugjatë shqipfolës në Londër.

Në një studim të fundit që shtjellon se si feministet/ët që angazhohen në komunitet trajtojnë dhunën gjinore në Shqipëri dhe Kosovë, aktivistë/e të ndryshëm/me theksuan dështimin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna. “Por edhe kur gjen forcën, ballafaqohesh me zyrtarë policorë që të thonë:… e KE baba, vëlla, bashkëshort atë që të ka rrahur. Dhe s’është fundi i botës, kështu që kthehu në shtëpi, qetësohu dhe vazhdoje jetën”, tha një nga pjesëmarrësit/et në studim.

Dëshmitë e mbledhura në studim pasqyrojnë një ndjenjë kolektive të të funksionuarit në patriarki, që gratë dhe vajzat e ndiejnë në sfera të ndryshme të jetës. Me shkallën alarmante të femicideve dhe grave të dëshpëruara që mbështeten në azil-kërkim, pse shteti shqiptar po i dështon t’i mbrojë gratë?

Siguria e grave në Shqipëri nuk mund të varet nga donatorët

Është detyrë e shtetit që ta vë në plan të parë parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe të ndjekë penalisht autorët e saj. Po dështon në këtë detyrë.

Qendra për të Drejtat e Njeriut në Demokraci (QDNjD), organizatë jo-qeveritare me qendër në Tiranë, e përqendruar në të drejtat e grave, kreu një studim empirik lidhur me aplikimet për urdhra mbrojtës të paraqitura në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Raporti është pjesë e monitorimit të sistemit të drejtësisë lidhur me dhunën me bazë gjinore; gjetjet e tij shfaqin një pamje të zymtë të zbatimit të dobët të urdhrave mbrojtjës, të mungesës së sigurisë dhe të mosveprimit të policisë, gjë që i vendosë gratë në situata abuzive.

Urdhri për mbrojtje nga dhuna në familje është urdhër civil që viktima mund ta marrë nga gjykata e familjes. Viktima apo policia mund të aplikojnë për një urdhër mbrojtjeje. Urdhri për mbrojtje nga dhuna në familje është proces me dy faza. Në fazën e parë lëshohet urdhri i mbrojtjes urgjente/emergjente. Faza e dytë i jep të drejtën shkelësit të dëgjohet dhe ta kundërshtojë urdhrin. Në bazë të rezultateve të gjykimit, lëshohet urdhri përfundimtar i mbrojtjes.

Në përmbledhjen e statistikave të QDNjD nga viti 2000 deri në vitin 2021, në gjykatën e Tiranës janë paraqitur 1920 padi për të kërkuar urdhra mbrojtjeje. Vetëm 53% e rasteve janë pranuar apo janë pranuar të paktën pjesërisht, ndërsa 47% janë refuzuar ose janë ndërprerë. Në 90% të rasteve, dhunuesi është burrë dhe gratë mbeten në mënyrë të joproporcionale subjekt i dhunës në familje.

QDNjD ka identifikuar masa kontradiktore të ndërmarra nga sistemi i drejtësisë lidhur me urdhrat e mbrojtjes. Në 28 vendime, gjykata ka lëshuar urdhra mbrojtje si për autorin ashtu edhe për viktimën. Madje, në disa raste, gjykata vendosi edhe masa që bien ndesh me legjislacionin kundër dhunës në familje, si pagimi i qirasë për dhunuesin nga viktima.

Ndonëse policia mund të aplikojë për urdhër mbrojtjeje në emër të viktimës, këtë nuk e ka bërë në asnjë rast. Në pjesën më të madhe të rasteve të monitoruara nga QDNjD, viktimat kanë denoncuar dhunuesin në stacionin më të afërt policor dhe ky i fundit ka nisur procedurën, duke plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Një nga sfidat kryesore për sistemin e drejtësisë në trajtimin e dhunës ndaj grave është çrrënjosja e kulturës së mosndëshkimit që shkurajon shumë gra për të raportuar dhunën. Qendra gjeti raste të gjyqtarëve që përdornin gjuhë poshtëruese dhe mizogjene ndaj viktimave: “Trego shkurt, sepse s’dua të dëgjoj detaje. I kam pesë urdhra të tjerë mbrojtjeje për t’i trajtuar pas teje”, tha një gjyqtar gjatë një seance. Në njërin nga rastet e monitoruara, gjyqtari e ofendoi viktimën duke i thënë se “Ke qenë ti ajo që ke hyrë në marrëdhënie me burra të martuar dhe tash vjen këtu dhe kërkon urdhër mbrojtje”.

Pavarësisht Ligjit për Ndihmën e Garantuar Shtetërore, i cili përcakton detyrimin e shtetit për të ofruar ndihmë juridike, rezulton se vetëm në 41% të rasteve, viktima ndihmohet nga një avokat/e. Organizatat jo-qeveritare mbulojnë përfaqësimin ligjor në shumicën e rasteve, ndërsa avokatët privatë ndihmojnë 38%të viktimave. Ky konstatim tregon dështimin e shtetit për të ndarë buxhet të duhur për t’i ndihmuar viktimat e dhunës në familje me ndihmë juridike.

Neglizhenca shtetërore dhe martesat e rreme

Vitet e nën-financimit shtetëror kanë rezultuar në infrastrukturë të kufizuar të kujdesit social dhe shërbimeve që janë kritike për gratë në Shqipëri. Kjo i ka detyruar organizatat jo-qeveritare të përpiqen t’i plotësojnë zbrazëtitë, duke i lënë shumicën e aktiviteteve parandaluese kundër trafikimit të qenieve njerëzore të varen prej donatorëve.

Shërbimet për njësitë e lëvizshme të identifikimit të viktimave (MIU) mbeten qenësore për identifikimin dhe mbështetjen e viktimave të mundshme të trafikimit të qenieve njerëzore. Pjesa më e madhe e identifikimit vjen nga njësitë e lëvizshme dhe jo nga policia apo institucionet shëndetësore, gjë që i bën këto njësi struktura qenësore. Sipas Anxhela Brucit, aktiviste kundër trafikimit, financimi i të gjithë funksionimit të këtyre njësive të lëvizshme dhe rritja e numrit të njësive, veçanërisht në zonat e që janë më pak të raportuara, duhet të jetë prioritet për reagimin kombëtar të qeverisë kundër trafikimit.

Mungesa e mbështetjes së duhur ndaj mirëqenies dhe mungesa e mundësive ekonomike i shtyn gratë e varfra nga komunitetet e margjinalizuara në duart e grupeve kriminale.. Një raport i kohëve të fundit i Shoqatës së Ndihmës Juridike të Tiranës (ShNjT) hedh dritë mbi fenomenin në rritje të martesave të rreme.

Një martesë e rreme është një martesë e aranzhuar, e lidhur pa synimin për të krijuar një marrëdhënie të vërtetë martesore. Zakonisht bëhet me qëllim që njëra ose të dyja palët të përfitojnë nga martesa.

Gratë rome janë më të prekura nga martesat e rreme. Një model tipik në këto martesa është veprimi i pazakontë i bashkëshortëve që marrin mbiemrin e bashkëshortes pas martesës.

Bazuar në dëshmitë e mbledhura nga ShNjT, grave u ofrohet kompensim financiar në këmbim të lidhjes së martesës me burra të interesuar për ta marrë ligjërisht mbiemrin e partnereve të tyre. Kjo marrëveshje mund të bëhet për arsye të ndryshme, përfshirë marrjen e lejes së qëndrimit, shtetësinë dhe ikjen nga ndjekja ligjore.

Rudina Brari, avokate në ShNJT, theksoi se “Martesat e rreme ishin praktikë gjatë komunizmit, e përdorur nga disa individë që duhej të merrnin lejeqëndrimi për t’u zhvendosur në Tiranë”. Brari shtoi se në ditët e sotme, shkaku më i zakonshëm i këtyre martesave është rifitimi i lëvizshmërisë pas dëbimit nga Evropa Perëndimore në Shqipëri. “Në momentin që këta burra ndryshojnë mbiemrin, aplikojnë për një pasaportë të re dhe largohen sa më shpejt nga Shqipëria”, argumenton Brari. “Në një rast martese të rreme, një grua lypëse është marrë nga rruga dhe është dërguar në Shërbimin e Gjendjes Civile për ta lidhur një martesë”, shtoi Brari.

Bazuar në ndryshimet e vitit 2013 në një ligj të miratuar fillimisht në vitin 2009, individët që janë dëbuar apo larguar nga ndonjë vend tjetër nuk kanë të drejtë të ndryshojnë mbiemrin e tyre. Megjithatë, legjislacioni nuk parashikonte që individë e tillë do ta përdornin procesin e martesës për t’i ndjekur procedurat e ndryshimit të tillë të mbiemrit. Më pas, martesat e rreme u mundësojnë burrave që janë deportuar në Shqipëri dhe janë të interesuar të marrin mbiemrat e partneres, lëshimin e dokumenteve të reja, siç tregohet në grafikun e mëposhtëm.

Studimi i Shoqërisë së Ndihmës Juridike Tiranë tregon se numri i martesave të rreme është rritur ndjeshëm pas vitit 2015. Grafiku: Dina Hajrullahu / K2.0

Neni 36 i Kodit të Familjes parashikon se personeli i brendshëm i Gjendjes Civile mund të autorizojë një martesë vetëm pasi të bindet se është e vërtetë. Në diskutimet e organizuara nga ShNjT me punonjës/e të zyrave të Gjendjes Civile, këta të fundit ndanë rastet kur punonjësit/et e brendshëm/me përjetojnë presion dhe kërcënohen për të regjistruar martesa të rreme.

Gratë që hyjnë në martesa të rreme përballen me pasoja të tilla si kufizime në përfitime, strehim social apo kujdes të fëmijëve, që përndryshe do ta kishin të drejtë si nëna vetushqyese apo si gra nga komunitete të cenueshme. Ato humbasin qasjen në mbrojtjen sociale për shkak të logjikës së gabuar që thotë se nëse janë të martuara, duhet të mbështeten tek bashkëshortët e tyre. Për më tepër, gratë që hyjnë në martesa të rreme mbajnë barrën financiare të paraqitjes së një divorci muaj pas nënshkrimit të martesës së rreme.

Krahas rasteve kur punonjësit/et e Gjendjes Civile përballen me presion për t’i njohur martesat e rreme, Brari identifikon mungesën e trajnimit dhe kualifikimit të personelit si lejuesin kryesor të shkallës së lartë të martesave të rreme.

S’ka kafaze në lëvizjen tonë feministe

Nata është e jona, poshtë patriarkati

Marshojmë për të drejta; marshojmë për liri

Marshojmë edhe për gratë që janë sot në shtëpi

Duam liri, duam siguri

Kjo është njëra nga thirrjet e kënduara gjatë protestës “Rimarrja e natës” në Tiranë më 8 mars 2024. Marshimi mblodhi qindra aktivistë/e dhe qytetarë/e që protestonin kundër mungesës së sigurisë që hasin gratë në hapësirat publike. Sipas Patris Pustina, anëtare e Kolektivit Feminist, grup aktivistësh/esh feministë/e me seli në Tiranë, është e vështirë të mos përqendrohesh te siguria për sa kohë që mediet janë të mbushura me raste dhune, përdhunimesh, vrasjesh, vetëvrasjesh dhe burra që krijojnë sisteme për t’i mbajtur nën vëzhgim bashkëshortet e tyre.

“Sot, kryeministri ynë e nisi mëngjesin e tij duke etiketuar gratë si mishërim i sakrificës dhe dhembshurisë. Ai romantizon dhimbjen dhe shfrytëzimin e grave në vend që ta trajtojë atë si një plagë sociale që duhet trajtuar përmes politikave qeveritare… Gruaja e lirë, e lumtur dhe e vetë-përmbushur nuk është në agjendën e qeverisë sonë,” tha Rea Nepravishta gjatë fjalimit të saj në marshin feminist.

Më herët po atë ditë, kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shpërndarë një video ku shfaqej duke u dhuruar lule grave në Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Videoja u shoqërua me një mbishkrim: “Asnjë lule nuk ua merr nurin grave të sakrificës, dhembshurisë dhe dashurisë, ju uroj një ditë të mbarë”.

Qeveria aktuale po u hedh hi syve bashkë me një numër të deputeteve gra në parlament, duke krijuar iluzionin e barazisë gjinore. Por çfarë dobie sjell një dhomë plot me politikane gra kur ato heshtin ndërkohë që femicidi është rutinë?

“Të gjitha gratë që janë brenda parlamentit apo strukturave shtetërore nuk e kanë ngritur kurrë zërin për dhunën që ndodh brenda familjes apo diskriminimin gjinor në përgjithësi. Është thjesht fasadë e qeverisë për të treguar se po bën diçka për emancipimin e gruas në Shqipëri”, tha Albina Ruko, aktiviste e Lëvizjes Bashkë, parti politike që synon të sjellë luftën për drejtësi sociale në politikën elektorale.

Për vite me radhë, neglizhenca e shtetit në trajtimin e dhunës me bazë gjinore i ka lënë në baltë gratë, duke sjellë mungesë të përgjithshme besimi te autoritetet dhe një normalizim të femicidit, që i ka shtyrë gratë e cenueshme të kërkojnë azil. Tani, duket se vetëdijësimi feminist po ngrihet në diskursin publik, i manifestuar me disa protesta dhe marshime, diskutime televizive dhe takime feministe në qytete të ndryshme.

Ky mobilizim në rritje përqendron gratë nga komunitetet e margjinalizuara, përvojat e të cilave mbeten të shpërfillura nga aktoret shtetërorë. Gjithnjë e më shumë protestues/e dhe aktivistë/e po dalin në rrugë për të kërkuar llogari nga shteti për dështimin e tij në sigurimin e sigurisë ekonomike dhe sociale për të gjithë.

Mobilizimi mbështetet nga një sentiment/kuptim feminist që përqendrohet në shkaqet rrënjësore të dhunës me bazë gjinore për të sjellë ndryshime sistematike dhe drejtësi për të gjitha gratë. Apo, për të cituar shkrimtaren feministë, Lola Olufemi, këto thirrje feministe dhe veprime publike të grave po prishin pashmangshmërinë e dhunës gjinore.

Imazh i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.

KOMENTO